Në shumë sajte haset keqshkrimi
"detaj" në vend të "detal" që, me sa mundem të paramendoj, është një kontaminim
tjetër i shqipes nga serbishtja, nëpërmjet keqpërkthimeve të panevojshme në
gazetat e dikurshme në Kosovë. Dhe vetëm duke i u falënderuar internetit, ky
gabim drejtshkrimor është përhapur edhe ndër ata shqipshkrues interneti që janë
nga pjesët tjera të Shqipërisë.
Ky keqshkrim nuk është vetëm një
keqpërshtatje e fjalës përkatëse nga serbokroatishjta, ku është huazuar me
shqiptim nga frëngjishtja, po është edhe krejtësisht i panevojshëm, sepse fjala
figuron në shqipe që më parë, si *detal*, me domethënien themelore "pjesë e një
tërësie ose mekanizmi" ose "hollësirë". Vetë përpjekja e rihuazimit të fjalës
nga serbishtja, që si duket e ka pararendur zhvillimin e këtij keqshkrimi i cili
fillimisht hasej vetëm në "Rilindje" dhe në gazetat tjera jugosllave në gjuhën
shqipe, flet për një mungesë njohurishë ose për një varfëri gjuhësore te
përdoruesit e saj të hershëm; por kjo mungesë diturishë mbase ishte një dukuri
normale dikur ndër "akademikët" e pjellur nga regjimi pushtues jugosllav në
Kosovë.
Keqshkrimi haset ndonjëherë i
kryqëzuar me drejtshkrim, ku "detal" përdoret për njejës, ndërsa "detaje" për
shumës; po ja që kjo analogji nga "fill-fije", është vetëm një produkt i
imagjinatës së formësuar nga padituria! Është pra /detal/, /detali/, /detale/,
/detalet/; dhe ndajfolja gjegjëse duhet të jetë /detalisht/, ashtu si
mbiemri duhet të jetë /i/, /e/ /detaluar/; dhe kurrgjë tjetër.
S
----------------------------------------
"Ati ynë që je në
qiell... Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga
lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"
--- Faik
Konica