Google Groups no longer supports new Usenet posts or subscriptions. Historical content remains viewable.
Dismiss

Gjuha jonë e zënë në rrjetë

2 views
Skip to first unread message

Sam Albaniensson

unread,
Nov 29, 2005, 4:10:44 PM11/29/05
to
Një fakt i hidhur? Apo një shkak i mundshëm prapa dukurisë së
keqshkrimit dhe keqtrajtimit masiv të shqipes standarde dhe dialekteve
të shqipes në internet?

Pjesa më e madhe e atyre shqipfolësve që kanë lidhje me internet,
janë emigrantë (të rinj), me vështirësi të mëdha në gjuhën
shqipe, ose fëmijë baballarësh gjysëmpasanikë në trojet
shqiptare; që nuk kanë nevojë të shquhen me dituri (e sidomos
gjuhësore në shqipe), meqëse mendojnë se do të jenë në gjendje
të "blejnë" një ardhmëri të mirë. Them pjesa më e madhe. Pra jo
të gjithë.

Ndër këta përdorues shqipfolës të internetit, ata më aktivët,
që më shumë se tjerët hapin sajte, çate, "forume" dhe që merren
me përkthime të gabueshme të mekanizmave që shënojnë standarde,
dhe në këtë mënyrë e marrin përsipër rolin e mirëmbajtësve të
gjuhës, edhepse mezi dinë të shkruajnë shqip, nuk janë entuziastë
të vizioneve për një "utopi" kiberhapësirore, sepse koha e
entuziastëve kaloi në fundin e të nëntëdhjetave; po janë
kryesisht shkarkues filmash, programesh dhe skedarësh falas nëpër
DC++, dhe surfues çatesh, që gjithashtu hapin sajte, forume, çate
dhe lista e-postale, vetëm e vetëm sepse këto janë mundësitë e
vetme ku munden të "shquhen" në mënyrë sociale dhe meritore,
meqëse këtë mundësi nuk e kanë aspak IRL. Po ku tjetër mundet
një njeri i rritur, që nuk di të shkruajë shqip më mirë se një
parashkollor, të shquhet si "publicist" ose "letrar", "poet",
"përkthyes", "debatues" ose si "përfaqësues" i kulturës kombëtare
shqiptare; përveç në getot kulturore të internetit?

Një komb si kombi shqiptar, ku akademikët e të diturit mezi fitojnë
sa të mbijetojnë, e ku më të kenë para që të blejnë kompjuterë
dhe abonime broudbandi, nuk ka prandaj mjaft mbartës të mirë të vet
të kulturës dhe gjuhës në këtë medium, që të mundet ta
pasqyrojë kulturën e vet në një mënyrë më përfaqësuese. Andaj
ai shembëllim i kulturës dhe gjuhës shqipe me të cilin ndeshet një
vizitor në mediumin e internetit, nuk është tjetër veç një
shembëllim i një injorance, që pa i marrë parasysh përmasat e
komunitetit që është bartës i saj, përsëri është masive dhe e
tmerrshme me dominimin e vet të njëanshëm.

Injoranca mbi gjuhën dhe mosnjohja e vrazhdë e saj, ndoshta edhe nuk
janë mëkate të pafalshme kur bëhet fjalë për përdorues të
zakonshëm, pa pretendime të veçanta, por ja që bëhen të
shëmtuara kur hasen ndër të tillë që shtiren si "poetë",
"publicistë", "përkthyes"; dhe bile me bollëk të tepruar edhe
nëpër sajte revistash "serioze". Atëherë injoranca dhe të metat e
mëdha në shkrimin dhe përdorimin e gjuhës, shndërrohen në një
budallallëk morbid.

S


----------------------------------------
"Ati ynë që je në qiell... Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga
shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"
--- Faik Konica

0 new messages