Google Groups no longer supports new Usenet posts or subscriptions. Historical content remains viewable.
Dismiss

Gjuha: Një gabim që ndjehet?

0 views
Skip to first unread message

Sam Albaniensson

unread,
Nov 29, 2005, 1:04:26 PM11/29/05
to
Përse shkruhet shpesh "ndjej" për "ndiej" nëpër sajtet shqiptare?
Jam munduar të gjej ndonjë sqarim duke kërkuar nëpër variantet
dialektale të shqipes, po ja që nuk ka. Në të gjitha dialektet dhe
variantet e tyre tradicionale, folja përkatëse është "ndiej", ose
"me ndi/me ndie" si i thonë në gegërishte (edhe në variantin e saj
kosovar). Jam munduar ta gjej në tekste të vjetra, por askund nuk
haset "ndjej" në këtë kuptim, përveç në ndonjë artikull në
gazetat e Titos që botoheshin dikur në Kosovë; dhe aty vetëm pas
mesit të viteve 80. Jam duke spekuluar ca, por mos varet kjo nga
ndonjë keqkuptim gjysëmintelektual, ku ndonjë gazetar i Titos
thjesht e ka keqkuptuar zgjedhimin e foljes dhe ka menduar se e tashmja
e kësaj foljeje në vetën e parë njejës duhet të jetë "ndjej",
pasiqë e kryera është "ndjeva"; ose nga ndonjë keqlexim ku ndonjë
"intelektuali", që pastaj e ka përdorur fjalën në p.sh. Rilindje,
i-ja i është dukur si një j, në "ndiej"?

Është për të u çuditur se kur disa gjysëmshqipshkruesve edhe u
tregon se është gabim, ata nuk e pranojnë, po fillojnë të
shkruajnë sqarime të gjata ku flasin për "ndjenja", ose fillojnë ta
mallkojnë Akademinë, e thuajse të kërkojnë të mbahen demonstrata
kundër shqipes së njësuar; të gjitha këto vetëm e vetëm pse nuk
duan të hapin një fjalor e të shikojnë se si duhet të shkruhet
fjala drejt. Pastaj janë edhe ata injorantët "dialektalë", që nuk e
di se prej ku, thjesht e kanë fituar idenë e shtembër se "ndjej"
është "ashtu si kanë folur të parët". Po ja që nuk është ashtu!
Se në shqipe gjithmonë është thënë "ndi-ej", dhe gabimi "ndjej"
ka lindur pas gjuhës së njësuar, edhe atë si një pasojë e
keqleximeve, me sa mundem të gjej. Duke menduar për këtë, më vjen
ideja se mbase do të ishte mirë të fillohet një fushatë
gjuhësore; por jo një e tillë që do të i bëjë
gjysëmshqipshkruesit e internetit të mësojnë të shkruajnë mirë,
po njëherë vetëm të lexojnë. Të lexojnë ashtu si duhet, dhe të
lexojnë pak më shumë.

Thuhet pra "ndiej - ndjeva - ndier", dhe kurrgjë tjetër. Folja
"ndjej" do të thotë "fal gabimin" ose "jap ndjesë", dhe nuk është
aspak ndonjë homonim i foljes ndiej. Betohem në Fjalor, se është
ashtu!

S

----------------------------------------
"Ati ynë që je në qiell... Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga
shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"
--- Faik Konica

0 new messages