y...@gmx.com
unread,Jan 1, 2018, 1:58:25 PM1/1/18You do not have permission to delete messages in this group
Either email addresses are anonymous for this group or you need the view member email addresses permission to view the original message
to
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937…
2017! (Foto)
Zhvillime të shumta e kanë karakterizuar botën në 100 vitet e fundit.
Por, jo shumë gjëra të mira u ndodhën shqiptarëve në vitet që
shtatëshen e kishin në fund. Se në çfarë rrethanash kanë jetuar dhe
çfarë kanë përjetuar ata në vitet 1917, 1927, 1937, 1947, 1957, 1977,
1977, 1987, 1997, 2007 dhe 2017, këto mund t’i mësoni apo kujtoni edhe
njëherë përmes shkrimit të mëposhtëm.
1917: FILLIMI I FUNDIT I LUFTËS SË MADHE
Bota vazhdon të jetë në luftë. Por, këtë herë rrjedhat e luftës
ndryshojnë në dobi të Antantës së Madhe, sepse shteteve rreth
koalicionit anglo-francez i bashkohen edhe Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Ndryshim i politikave – kryesisht neutrale – të jashtme
amerikane, erdhi pas zbulimit të të ashtuquajturit Telegrami
Zimmermann. Fjala është për komunikimin sekret mes Gjermanisë dhe
Meksikës. Ky zbulim ishte triumf i madh i inteligjencës britanike që
dëshmon se sa e rëndësishme është informata.
Telegrami Zimmerman (i koduar)
Se informata është e rëndësishme, e sidomos mënyra se si duhet të
plasohet ajo, dëshmon fakti se po këtë vit, më 4 qershor, jepet për
herë të parë Çmimi i Parë Pulitzer i Gazetarisë. Ky çmim nderon emrin
e gazetarit dhe të botuesit që ka bërë revolucion në gazetari dhe në
përgjithësi në botën e informimit, Joseph Pulitzer.
Joseph Pulitzer dhe pushteti i mediave (ilustrim i realizuar në kohën
e tij)
Kështu, më 6 prill 1917, amerikanët do të futen në luftë dhe kjo do të
shënojë fillimin e fundit të Perandorisë Gjermane dhe Perandorisë
Austro-Hungareze.
Shkatërrimi i Perandorisë Austro-Hungareze nuk do të jetë lajm i mirë
për shqiptarët e copëtuar e të rrethuar me armiq. Pos kësaj, një
ngjarje tjetër do të ndikojë jo mirë te shqiptarët. Në mars 1917 nisin
trazirat sociale në Rusi që detyrojnë perandorin Nikolai i II-të të
abdikojë, e që do të kulmojnë në tetor me revolucion komunist.
Komunizmi do të triumfojë mes rusëve, duke shënuar kështu një epokë të
re në rrjedhat e historisë së shekullit XX. Pas Luftës së Dytë
Botërore – që shpërthen më 1939 e përfundon më 1945 – pos Bashkimit të
Republikave Socialiste Sovjetike, komunizmi do të jetë sistem
shtetëror në tërë Evropën Juglindore, përfshirë tokat ku jetojnë
shqiptarët. Dhe, me komunizmin e fuqishëm në Evropë, do të nisë epoka
e njohur si Lufta e Ftohtë.
Rrugët e Moskës, në tetor 1917
Në këtë vit ka lindur këngëtarja Dame Vera Margaret Lynn. Për
padrejtësitë që do të ndodhin me përfundimin e Luftës së Parë
Botërore, do të shpërthejë Lufta e Dytë Botërore. Vera atëherë do ta
këndojë këngën “Do të takohemi sërish” – këngë kjo që ngjallte
optimizmin e ushtarëve se do të kthehen gjallë tek më të dashurit e
tyre! “A e mban mend dikush Vera Lynnin, kur tha se do të takohemi
sërish, në një ditë me diell. Vera, çfarë ndodhi me ty? A ndjen dikush
tjetër këtu, ashtu siç ndjej unë?”, është kënga e vitit 1979, e rok
grupit anglez, Pink Floyd. Kënga është kompozuar nga Roger Waters,
babai i të cilit vdes në Itali më 1944. Për të “mesazhi” i Verës ishte
veç një mashtrim!
Vera Lynn
Më 29 maj 1917 do të lind John Fitzgerald Kennedy, presidenti i 35-të
amerikan. Më 22 nëntor 1963, ai do të vritet dhe vrasja e tij do të
jetë një nga misteret më të mëdha të shekullit XX. Ndërsa, më 6
shtator do të lind Philipp von Boeselager, që ka mundur t’i japë kah
tjetër historisë, nëse ai me grupin e tij, më 20 korrik 1944 do t’ia
dilte ta vriste diktatorin gjerman, Adolf Hitler. Po këtë vit, pra më
1917, do të arrestohet dhe ekzekutohet valltarja ekzotike holandeze,
një nga spiunet më të mëdha të Luftës së Parë Botërore, Margaretha
Geertruida “Margreet” MacLeod – e njohur si Mata Hari.
John Fitzgerald Kennedy (foto e vitit 1918)
Më 26 qershor 1917, në Tupallë të Luginës së Preshevës do të lind një
nga albanologët më të mëdhenj shqiptarë, Idriz Ajeti. Ndërkaq, një
ditë më vonë, në Shkodër do të lind kompozitori i madh, Prenk Jakova,
autori i operës së parë shqiptare, “Mrika”. Më 16 shtator 1969, në
kohën kur komunizmi sundonte Shqipërinë, ai do të vendosë t’i japë
fund jetës së tij.
Prenk Jakova
Kur është fjala te shqiptarët, ata në këto rrjedha ishin pothuajse të
parëndësishëm. Për këtë vit vlen të përmendet se vazhdon të
funksionojë Republika Autonome Shqiptare e Korçës, nën kontrollin
francez, dhe se u hap Liceu Kombëtar Shqiptar (Liceu Kombëtar i Korçës
ose Liceu Francez), që përhapte kulturën franceze dhe vlerat
evropiane. Në këtë shkollë do të mësojë komunisti më i madh shqiptar,
Enver Hoxha, që do të sundojë me dhunë Shqipërinë që nga viti 1944 e
deri me vdekjen e tij më 1985. Nën pushtetin e tij, më 1974 do të
ekzekutohet komunisti dhe bashkëpunëtori i tij që ka lindur më 14
shkurt 1917, Beqir Balluku.
Kartolinë franceze: Korça e vitit 1917
Më 1917, shqiptarët do ta humbin intelektualin dhe luftëtarin e madh
të çështjes kombëtare, korçarin Themistokli Gërmenji. Ai ishte prefekt
i Korçës, por me intriga të grekomanëve dhe bashkëpunëtorëve
shqiptarë, do të arrestohet dhe do të dërgohet për gjyq në Selanik, ku
do të pushkatohet. Në letrën e fundit që do t’ia dërgojë gruas (para
pushkatimit të tij më 7 nëntor 1917, në Selanik), do të thotë: “E
dashura ime Evdhoksi, rashë dëshmor i çpifjeve… Dijeni që vdes i
pafajshëm… Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam
bërë ndonjë të ligë pa dashur” (sic.)!
Oficeri francez në Korçë
Në këtë vit, nga emrat tjerë të rëndësishëm të historisë shqiptare, do
të vdesin: Preng Doçi – një nga themeluesit e shoqërisë “Bashkimi” dhe
bashkëhartues i alfabet me bazë latine; Nikollë Kaçorri – prift
katolik, politikan, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së
Shqipërisë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e
Ismail Qemalit; si dhe Stathi Melani – prift ortodoks shqiptar që ka
marrë pjesë në Kongresin e Manastirit.
Nikollë Kaçorri
Më 4 mars 1917, Woodrow Wilson do të japë betimin për mandatin e dytë
si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai do të njihet si
mik i madh i shqiptarëve, i cili do të mbrojë ekzistencën e shtetit
shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, një vit më vonë. Ndërsa, më
20 korrik 1917, Parlamenti i Finlandës me shumicën socialdemokrate
shpall pavarësinë. 100 vjet më vonë, Finlanda do të jetë një nga
shtetet më të zhvilluara në botë, me nivel ndër më të lartët të
edukimit dhe të jetesës.
Woodrow Wilson
1927: VDIQ SHOTA, VDIQ SEFERI…
Në vitin 1927, Shqipëria nën Ahmet Zogun ishte në dilema të mëdha: të
mbante anën e Jugosllavisë ose të Italisë. Zogu zgjedh Italinë, gjë që
e hidhëron Jugosllavinë që e kishte ndihmuar të kthehej në pushtet më
1924. Por, kushtet e bashkëpunimit me Italinë ishin aq të këqija sa që
thuhet se pushtimi italian i Shqipërisë nuk ndodh më 1939 po më 1927.
Fjala është për zbatimin e Traktatit me këto pika: “1. Shqipëria dhe
Italia pranojnë se shqetësimi i çfarëdolloj ndaj status quo-së aktuale
politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim
me interesat politike të palëve; 2. Në mënyrë që të mbrohen interesat
e sipërpërmendura, palët nënshkruese ndërmarrin t’i japin
njëra-tjetrës mbështetje dhe bashkëpunim të përzemërt të ndërsjellë,
dhe të mos nënshkruajnë me Fuqi të tjera politike apo ushtarake që
kanë paragjykime ndaj interesave të palës tjetër kontraktuese të
përcaktuar në këtë traktat; 3. Palët e larta kontraktuese marrin
përsipër t’i nënshtrojnë një procedurë paqëtimi apo arbitrimi
çështjeve që mund t’i përçajnë ato dhe që mund të kenë mbetur pa
zgjidhur përmes metodave të zakonshme diplomatike. Format dhe
procedurat e zgjidhjeve paqësore do të përcaktohen në një konventë të
posaçme që do të përfundohet pa vonesa; 4. Kohëzgjatja e Traktatit
aktual do të jetë për pesë vjet dhe mund të denoncohet ose rinovohet
një vit para skadimit”.
Siç do të thotë historiani dhe gazetari anglez Henry Wickham Steed, në
një raport të 5 prillit 1927 – për Institutin Mbretëror për Çështje
Ndërkombëtare – pala shqiptare nuk e ka ditur mirë se çfarë po
nënshkruan.
Romë, 24 qershor 1927: Ratifikimi i Traktatit me Italinë
Shqipëria ishte aq e pazhvilluar, me zona të tëra të lëna pas dore, sa
që nis të shndërrohet në atraksion për gazetarët, historianët apo
antropologët e huaj – gati siç janë sot fiset e harruara të Amazonës
apo të Afrikës. Kështu, gazetari Joseph Roth, gjatë një vizite që bën
në kryeqytetin e Shqipërisë, do të thotë: “Tirana është një minierë
subjektesh sensacionale: rrugët janë me kalldrëm, komplikacionet
politike janë të shumta dhe vendi i ngjan një ‘molle sherri’”. Ndërsa,
për Shqipërinë në përgjithësi do të thotë: “Shqipëria është pikërisht
në gjysmë të udhës, midis gjakmarrjes dhe Shoqatës së Kombeve”.
Tregu i Shkodrës (1927)
Edhe këtë vit funksiononte në Shqipëri, Banka Serbo-Shqiptare, e cila
qëllim të vetëm kishte futjen e të gjithë shqiptarëve nën varësinë
ekonomike të Serbisë. Serbia moti kishte synim për të hapur këtë
bankë, por këto plane i realizuan përmes Zogut. Fatmirësisht, Zogu u
vetëdijesua për këtë gabim. Kështu, më 1927 mbyllet në Shkodër filiali
i bankës qëllimkeqe – me humbje të mëdha.
Të njëjtën kohë, Zogu lëshon në qarkullim bankënota dhe monedha me
portretin e tij. Ai ishte edhe president e edhe kryeministër i vendit,
ndërsa armiqtë që do ta rrezikonin pushtetin e tij, veç ishin
rralluar.
10 Franga Ar (1927)
Teksa Zogu kujdesej se si do të dukej në franga, më 3 korrik 1927, një
nga simbolet e rezistencës shqiptare, luftëtarja Shote Galica, do të
japë shpirt në varfëri në Fushë Krujë. Shota kishte kërkuar më parë
ndihmë nga Zogu, përmes një letre me këto fjalë: “Unë jam Shote
Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kacake të Kosovës.
Gjindem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me
vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vram për clirim të Kosovës. Jam e
shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me
fëmijët jetim” (sic.).
Shote Galica
Po këtë vit vdiq edhe atdhetari Iriz Seferi. Thuhet se kur dha shpirt,
ia la këto fjalë trashëgimtarëve (përmes gruas, Bahtijes): “Thueju
djemve, amanet Kosovën”!
Idriz Seferi (në rreshtin e parë, djathtas): Mendohet që kjo foto të
jetë bërë në hyrje të Ferizajt pas Betejës së Grykë së Kaçanikut
kundër ushtrisë turke të Shefqet Dërgut Pashës
Ndërkohë, më 1927 formohet Klubi Futbollistik Vëllaznimi në Gjakovë
(atëherë quhej “Shpata e Kosovës”). Themelues ishte Faik Dushi. Në
këtë vit vazhdon eksodi i dhunshëm i shqiptarëve të Kosovës për Turqi.
Sipas statistikave, më 1927 u larguan 5,197 nga ta, apo 316 familje
shqiptare.
Simboli i KF “Vëllaznimi”
Në këtë vit lindi edhe një politikan, i cili do të vritet më 1986 në
rrethana ende të panjohura. Fjala është për kryeministrin suedez Olof
Palme. Të njëjtin vit e në të njëjtin shtet, do të formohet kompania e
automobilave, Volvo, që do të nis një standard të ri në sigurinë e
udhëtarëve.
Më 1927 do të lindin edhe: shkrimtari dhe nobelisti kolumbian, Gabriel
Garcia Marquez; Papa Benedikti i XVI – i katërti Papë në historinë
2000-vjeçare të krishterimit që do të tërhiqet nga ky titull; aktorja
e njohur italiane, një seks simbol i viteve ’60 të shekullit të
kaluar, Gina Lollobrigida; aktori Roger Moore që do të luajë rolin e
agjentit më të njohur të letërsisë dhe kinematografisë, James Bond; si
dhe dramaturgu dhe nobelisti gjerman, Gunter Grass.
Gina Lollobrigida
Më 1927 lindin dy komunistë të njohur: Në Dibër të Madhe do të lind
Hibe Palikuqi, së cilës do t’i këndojnë shumë këngë shqiptarët në
Jugosllavinë komuniste, meqë thuhet se luftoi dhe ra heroikisht si
pjesë e Brigadës së XVIII-të Sulmuese, duke çliruar Kërçovën nga
forcat nazifashiste. E, në Lubinjë të Poshtme të Prizrenit u lind
funksionari i lartë komunist i Kosovës, Ilaz Kurteshi. Kurteshi
dyshohet se ishte goran, por me vepra tamam njeri e tamam përfaqësues
i interesave shqiptare. Ai ishte një nga hartuesit e Kushtetutës së
vitit 1974 dhe, me vendimin e presidentit Ibrahim Rugova, edhe anëtar
i delegacionit të Kosovës që – në prag të bombardimeve të NATO-së – ka
nënshkruar në Paris të ashtuquajturën Marrëveshje e Rrambujes.
Ilaz Kurteshi
Ndërkohë, në Shkodër, 10 vite pasi lindi kompozitori i madh Prenk
Jakova, do të lind një tjetër kompozitor i madh shqiptar, Çesk Zadeja,
që jo veç si krijues po edhe si pedagog do të japë kontribut në
zhvillimin e artit muzikor ndër shqiptarë.
Ne rreshtin e parë (ulur), të kësaj fotoje të bërë në Shkodër, janë
tre fëmijë që më vonë do të jenë ndër kompozitorët më të mëdhenj
shqiptarë. I pari është Çesk Zadeja, i pesti është Tish Daija dhe i
dhjeti në rresht është Tonin Harapi
1937: ELABORATI FAMËKEQ: “NËSE E TOLERON KËTË, FËMIJËT E TU DO TA
PËSOJNË NESËR”
Shkrimtari Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), një shoku ia kishte uruar
vitin e ri 1937, me këto fjalë: “Shok i dashtun, unë përgjithësisht
nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për
ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato
ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të
gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të
shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt
asgja. Por kësaj here due të hyj në rradhen e njerëzve korrekte dhe
t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.
– Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh
si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as
britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e
Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa
për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj
dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të
dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë,
zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu
gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se
mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i
dashtun.
– Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të
jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në
sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta
Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore
(desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta
kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe
pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se
gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të
çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e
shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke
të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon
dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.
Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e
bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të
të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet
botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të
qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të
hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë
në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht” (sic.).
Migjeni
Por, viti 1937 nuk do të jetë i mirë për shqiptarët…
Në Klubin Kulturor Serb në Beograd, bëhet projekti fatal për
shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve prej Kosovës dhe Maqedonisë –
për në Shqipëri dhe në Turqi. Fjala është për elaboratin famëkeq të
Vasa Çubriloviqit (pjesëmarrës në atentatin e Sarajevës, ku vritet
trashëgimtari i fronit austriak, Franz Ferdinand, që qe shkak i Luftës
së Parë Botërore), i cili sugjeroi se mënyra për zgjedhjen e
“problemit shqiptar” është spastrimi etnik masiv.
“Arnatutët është e pamundur t’i shtypësh vetëm me kolonizim gradual…
Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm është dhuna brutale e një qeverie
shtetërore”, thoshte ai.
Çubriloviqi kërkonte dhunë ndaj shqiptarëve, dënime, arrestime, gjoba,
forca paramilitare çetnike e shkatërrime të pronave, siç kishin bërë
serbët më 1878-1878 me shqiptarët e Nishit, Kurshumlisë, Toplicës…
Vaso Çubriloviq, në vitin 1914, nën arrestin e policisë
austro-hungareze
“Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe
Rusia mund të zhvendosë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në
tjetrën, dëbimi i disa qindra-mijëra shqiptarëve nuk do të çojë në
shpërthimin e një lufte botërore”, shtonte ai. “Nëse shteti dëshiron
të intervenojë në dobi të popullit të tij në luftën për tokë, do të
ketë sukses veç duke vepruar brutalisht”.
Këtë elaborat e ka mbështetur edhe shkrimtari kroat, nobelisti Ivo
Andriq që punonte kundër interesave edhe të popullit të tij e në dobi
të Serbisë.
Për të zbatuar elaboratin, Qeveria e Beogradit veç kishte organizuar
formacione paramilitare të çetnikëve të udhëhequr nga Kosta Peçanci,
Miliq Krstiq, Jovan Babunski, Vasilije Trbiq etj. që organizonin
ekspedita dhune, terrori dhe plaçkitje të organizuara. Të njëjtat
skena dhune e terrori do të përsëriten gjatë luftës së fundit në
Kosovë, më 1998-99.
Ilustrim: Hekurudha e Ferizajt (Foto e bërë nga Franz Baron Nopcsa më
1903)
Teksa këto tmerre ndodhnin në Kosovë, shumë shqiptarë i ishin
bashkëngjitur Luftës Civile në Spanjë, që për tri vite (1936-1939) do
të vrasë afro një milion të vrarë. Këtë vit nëpër Evropë do të
përhapet posteri i quajtur, “If You Tolerate This Your Children Will
Be Next” (Nëse e toleron këtë, fëmijët e tu do ta pësojnë nesër). Ky
ka qenë slogani që nxiti edhe vullnetarët nga Uellsi i Britanisë së
Madhe, t’ju bashkohen forcave republikane e ta luftojnë regjimin e
gjeneralit Francisco Franko në Spanjë. Në poster ishte fotografia e
një fëmije të vrarë nga bombardimet. Një nga vullnetarët e dikurshëm
që shkoi në Spanjë, ishte një katundar uellsian sipas të cilit “nëse
mund t’i vras lepujt, atëherë mund t’i vras edhe fashistët”! Kaq e
thjeshtë ishte të vrasësh atëherë! Të inspiruar nga kjo ngjarje, më
1998, grupi uelsian Manic Street Preachers do ta këndojnë këngën “If
You Tolerate This Your Children Will Be Next”, që nënkupton vrasjen e
idealizmit, të fëmijërisë e të rinisë. Pra, vrasjen e së ardhmes!
Posteri i tmerrit i vitit 1937
Më 1937, Pablo Picasso përfundon edhe kryeveprën e tij “Guernica”. Po
këtë vit, Hermann Goering ishte shef i forcave ajrore gjermane. Moment
ideal për ta testuar aviacionin gjerman ishte mbështetja e Francos
duke bombarduar qytetin Guernica – kryeqytetin shpirtëror të baskëve.
Bombardimi ishte i tmerrshëm, me shumë shkatërrime e me shumë viktima.
Nga këtu Picasso inspirohet për kryeveprën e tij.
Guernica pas bombardimit
Pas pushtimit nazist të Francës, Picasso nuk u largua nga Parisi. Por,
nuk bënte ekspozita, meqë shqetësohej shpesh nga oficerët nazistë të
Gestapos gjermane. Gjatë një kontrolli që këta të fundit ia bënë atij
në banesë, një oficer gjerman e sheh fotografinë e pikturës
“Guernica”. “E ke bërë ti?”, e pyet ai Picasson. “Jo, ti e ke bërë!”,
i përgjigjet Picasso.
“Guernica” e Picassos
Ngjarjet që shënuan botën janë inaugurimi i mandatit të dytë të
presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt; zhdukja e aviatores Amelia
Earhart; nisja e Luftës së Dytë Sino-Japoneze mes Japonisë dhe Kinës
që la deri 22 milionë viktima; tragjedia e Hindenburgut – eksplodimit
të zepelinit gjerman; si dhe filmi i parë i vizatuar i metrazhit të
gjatë nga Walt Disney, “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”.
Ky është viti kur lindën artistët e mëdhenj, si mikja e Kosovës,
aktorja Vanessa Redgrave. Familja e saj është në librin e rekordeve
Guinness, sepse ka dhënë më së shumti aktorë. Aktorë tjerë të mëdhenj
që linden më 1937 janë edhe Warren Beatty, George Takei, Jack
Nicholson, Morgan Freeman, Bill Cosby, Dustin Hoffman, Jayne Fonda dhe
një nga regjisorët më të mirë në historinë e kinematografisë, Ridley
Scott.
Në këtë vit lindën edhe dy politikanë, fatet e të cilëve do të
ndërlidhen: lideri I Irakut Saddam Hussein dhe sekretari amerikan i
Shtetit, Colin Powell. Gjatë mandatit të Powellit, shteti i Saddamit
dhe pushteti i tij do të bien në duar të amerikanëve.
Colin Powell
Në vitin 1937 do të vdesin dy kompozitorë të mëdhenj, George Gershwin
dhe Maurice Ravel. Do të vdesë edhe një prej shkencëtarëve më të
mëdhenj të shekullit XX, nobelisti Guglielmo Marconi, që mbi të gjitha
njihet si zbuluesi i radios dhe radio-telegrafisë (të cilat thuhet se
para tij i kishte zbuluar NikolaTesla, por që nuk ka ditur t’i
materializojë), që do të ndryshojnë botën e mediave përgjithmonë. Më
1937 do të vdesë një nga njerëzit më të pasur në historinë e
njerëzimit, John Rockefeller. Sipas revistës Forbes, pasuria neto e
tij kishte vlerën e 392 miliardë dollarëve të vitit 2016. .
John Rockefeller
Antropologu gjerman, Raimer Shulc, në vitin 1937 merr pjesë në një
ekspeditë gjermano-italiane në Theth të Dukagjinit. Gjatë qëndrimit
merr pjesë dhe dokumenton varrimin e Ujk Vuksanit, si dhe të
ashtuquajturën “Gjama e burrave” – traditë e lashtë, sidomos në veri
të Shqipërisë. Në ritual marrin pjesë të paktën 10 burra. Sa më i madh
të jetë numri i tyre, aq më i madh është respekti për të vdekurin.
Historiani shqiptar, Pjetër Marticanaj, ka thënë se kjo traditë është
e lidhur ngushtë me vdekjen e Skënderbeut. Nga mërzia thonë se princi
Lekë Dukagjini kishte bërtitur me të madhe, rrihte gjoksin, këpuste
flokët dhe gërvishte fytyrën e tij.
Gjama e burrave në varrimin e Ujk Vuksanit
Më 17 prill 1937 ndodh njohja kanonike e Autoqefalisë së Kishës
Ortodokse të Shqipërisë nga Patriarkana Ekumenike në Stamboll. Ndërsa,
gazeta franceze “L’Intransigeant”, në mars 1937 boton një shkrim në
lidhje me vendimin e Zogut për heqjen e ferexhesë. Në të ndër të tjera
thuhet: “Mysliman besnik, por sundimtar modern, Mbreti Ahmet Zogu, në
fakt, ka adoptuar nga Parlamenti një ligj që urdhëron gratë e
Mbretërisë së tij të heqin dorë nga ferexheja, një zakon i vjetër i
imponuar në shekullin e XV-të nga turqit, kur ata pushtuan Shqipërinë
pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Ky vendim ka
ngjallur gëzim të madh në të gjithë Shqipërinë: tek gratë së pari, të
cilat janë, si të gjitha bijat e Evës, të lumtura që admirohen, dhe
tek të gjithë të rinjtë. Tirana është bërë papritur një qytet i
lumtur… Të qeshurat dhe rinia ndriçojnë të gjitha fytyrat… Dhe, të
huajt, të kënaqur, zbulojnë bukuritë…”!
Zogu me motrat e tij
Në fillim të vitit 1937, në Grazhdanik të Prizrenit do të lind një nga
emrat më të shquar të letrave shqipe, Anton Pashku, që sjell një frymë
krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Ndërsa, në Korçë
do të lind regjisori Viktor Gjika (që njihet për filmat: “I teti në
bronz”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”,
“Komisari i dritës”…).
Më 1937 lindi edhe nobelisti finlandez, Martti Ahtisaari, sipas planit
të të cilit do të shpallet pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Anton Pashku
1947: MIQËSIA DHE ARMIQËSIA ME JUGOSLLAVINË
Në maj shpërthen Lufta Civile në Greqi. Komisioni i Kombeve të
Bashkuara konkludon se Shqipëria, Bullgaria dhe Jugosllavia po
mbështesin guerilët komunistë grekë.
OKB merret edhe me një temë tjetër, me incidentin në ngushticën e
Korfuzit kur dy anije britanike bien në mina. Në një rezolutë kërkohet
formimi i një komisioni që të hetojë rastin, e në një tjetër që rasti
të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ky incident ndodhi më 22 tetor 1946. Nga minat vdesin 45 oficerë dhe
detarë britanikë. 42 të tjerë u plagosën. Por, se kush i vuri minat
dhe cili ishte qëllimi që një shtet i vogël të futet në konflikt me
një fuqi botërore, kjo ende saktë nuk dihet.
Koçi Xoxe në burg
Në korrik, Shqipëria e varfër refuzon të jetë pjesë e Planit Marshall
të zhvillimit, të projektuar nga amerikanët. Në vend instalohet modeli
sovjetik ekonomik. Fjala është për shtetëzimin e industrisë. Kështu,
shteti komunist shqiptar zotëron afro 89 për qind të prodhimit
industrial të vendit. Mbeti pa u shtetëzuar prona e vogël zejtare e
tregtare, për të cilën u ndoq si fillim rruga e kooperimit socialist.
Procesin e shtetëzimeve shteti e bazoi në tri kritere: Shpronësim pa
shpërblim, me forcë e ritme të shpejta.
Në të njëjtën kohë, Jugosllavia synonte të fuste në varësi ekonomike
shtetin shqiptar, me kreditë dhe përpunimin e lëndës së parë.
Jugosllavia e përfaqësonte Shqipërinë në Kominternë e edhe në takimet
për zhvillim ekonomik të shteteve të Lindjes. Madje, ata që e
kundërshtuan varësinë e tillë ekonomike, u arrestuan. Nako Spiru, nga
presionet u detyrua të bënte vetëvrasje më 1947. Dyshohet se prapa
kësaj loje qëndronte vllahu – zyrtari i lartë komunist i Shqipërisë –
Koçi Xoxe, i cili pas prishjes së raporteve me jugosllavët, do të
arrestohet dhe do të ekzekutohet më 1949 nga regjimi i Enver Hoxhës.
Homazhe për Nako Spirun
Më 1947, otorinolaringologu kroat, Branimir Gushiq, bën një vizitë në
Shqipëri, nga veriu në jug. Gjatë kësaj vizite ai realizon shumë
fotografi, që dëshmojnë zymtësinë dhe varfërinë e vendit.
“Shqipëria në vitin 1947 ishte ekonomikisht dhe shpirtërisht e
shkatërruar pas luftës civile (1943-1944) dhe pas ngjarjeve të Luftës
së Dytë Botërore (1939-1944). Pushtetarët komunistë të vendit kishin
ndërprerë pothuajse tëra marrëdhëniet me Perëndimin. Edhe për këtë
arsye, fotografitë e Branimir Gushiqit të vitit 1947 janë unike dhe të
rëndësishme”, ka shkruar për fotot e tij, albanologu Robert Elsie, që
do të vdesë më 2017.
Foto e Gushiqit: Gjirokastra, më 1947
Ndërkohë, shqiptarët e Kosovës i kishin punët keq me komunistët
jugosllavë e edhe me ata të Shqipërisë që ishin në miqësi të madhe me
zyrtarët e Jugosllavisë. Në Kosovë do të marrë fund edhe Lëvizja
Nacional-Demokratike shqiptare (NDSH), që luftonte kundër komunizmit,
për bashkimin e tokave shqiptare. Eksponentët kryesorë të kësaj
lëvizjeje do të vriten nga komunistët më 1946, përfshirë Gjon
Serreqin.
Hillary Clinton
Në vitin 1947 u lind Valter Deshpali, çelist dhe profesor në Akademinë
e Muzikës në Zagreb. Po këtë vit u lindën edhe shkrimtarët Primo
Shllaku dhe Xhevahir Lleshi.
Viti 1947 ishte vit i ardhjes në jetë të rokerëve të mëdhenj, si:
David Bowie, Elton John, Iggy Pop, Brian May, Marc Bolan dhe Brian
Johnson. Po ashtu, u linden dy kandidatë për president të SHBA-ve:
Mitt Romney dhe mikja e madhe e shqiptarëve, Hillary Clinton.
Më 1947 vdiq Victor Emmanueli i III-të i Italisë që në vitet (1939–43)
kishte edhe titullin e mbretit të shqiptarëve, si dhe mafiozi më i
famëkeq në histori, Al Capone, i cili ka thënë se qëllimit ia arrin më
lehtë “me fjalë të mira e me armë, se veç me fjalë të mira”!
Al Capone
1957: ÇASHTJET…
Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë ishte Haxhi
Lleshi e kryeministër Mehmet Shehu. Enver Hoxha ishte “veç” Sekretar i
Parë Partisë së Punës.
Në këtë vit nisin të acarohen edhe më shumë raportet me Bashkimin
Sovjetik. Kjo prishje nisi më 1955, kur në Beograd shkon lideri
sovjetik, Nikita Khruschev, dhe pasi më 1956 po i njëjti denoncon
politikën e Josif Stalinit.
Hoxha, këtë vit, në plenumin e Komitetit të Qendror mbrojti
trashëgiminë e Stalinit.
“Me nxirjen e Stalinit, armiqtë nuk janë të shqetësuar për të si një
person, por qëllimi i tyre është të diskreditojnë Bashkimin Sovjetik,
sistemin socialist dhe lëvizjen komuniste ndërkombëtare e, për
rrjedhojë, të minojnë besimin e punëtorëve në socializëm”, ka thënë
Hoxha.
Mehmet Shehu, Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi
Ky fjalim s’i ka pëlqyer fare Khruschevit i cili e fton lidershipin
shqiptarë në Moskë. Sipas Hoxhës, lideri sovjetik i ka kërkuar atij që
t’i rregullojnë raportet me Jugosllavinë, por ky i kishte thënë se nuk
u beson jugosllavëve, sepse “ata po flasin kundër sistemit socialist
të shtetit tonë dhe janë kundër themeleve të marksist-leninizmit”.
Hoxhës i pengonte po ashtu edhe pse jugosllavët nuk po e thonë asnjë
fjalë kundër imperializmit dhe pse nuk po i kuptojnë devijimet që po i
bëjnë.
Raportet u acaruan edhe më shumë kur Tito këtë vit refuzoi të jetë
pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Partive Komuniste. Në këtë takim,
shqiptarët me kinezët miratojnë deklaratën ku dënojnë revizionimin si
rrezik të botës komuniste.
Sovjetikët u nervozuan, por nuk ia dolën t’i bëjnë për vete shqiptarët
që të rrinë urtë as kur ua dhanë një kredi prej 160 milionë dollarëve
e as kur ua falën borxhin prej 105 milionëve.
Tito dhe Khruschevi
Në vitin 1957, albanologu i njohur Wilfried Fiedler ishte në Shqipëri,
si pjesë e ekspeditës së përbashkët etnografike gjermano-shqiptare të
etnologëve Erich Stockmann dhe Ramadan Sokoli. Pas kësaj ekspedite, në
Gjermani u botua studimi “Këngët e Çamëve”. Po këtë vit ishte edhe një
ngjarje me rëndësi: themelimi i Universitetit të Tiranës. Për dallim
nga sot, ky institucion arsimor kishte kritere dhe zinte vend më të
rëndësishëm në rangimin botëror sesa sot.
Kavaja më 1957 (Foto e bërë nga Wilfried Fiedler)
Ndërkohë, në Kosovë vazhdon shkelja e shqiptarëve. Serbët dominojnë në
nomenklaturën e Kosovës, sepse ata kanë mbështetjen e famëkeqit
Aleksandar Rankoviq. Shef i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës ishte Fadil
Hoxha, ndërsa Ismet Shaqiri ishte kryetar i Kuvendit.
Këtë vit në Prishtinë ishte një takimi i “gjuhtarëve për caktimin e
disa çashtjeve t’ortografis së gjuhës shqipe”. “Në kët Mbledhje muerën
pjesë, pothuejse, gjithë gjuhtarët e Kosovë-Metohís, personeli
mësimuer i Seminarit Albanologjik të Fakultetit të Beligradit,
gjuhtarët e Republikës Popullore të Maqedonís dhe shum arsimtarë dhe
dashamirë të gjuhës shqipe” (sic.). Pra, atëherë dialekti geg jo veç
që flitej po edhe shkruhej.
Këtë vit, poeti i madh, Ali Podrimja, botoi poezinë e parë në revistën
“Jeta e Re”. Kryeredaktor i kësaj reviste me rëndësi për shqiptarët,
ishte një tjetër poet i madh shqiptar, Esad Mekuli.
Ali Podrimja
Muzika rock do të nis të ndryshojë botën. Elvis Presley përdridhet vet
e me veten dridh Amerikën dundke marrë sërish pjesë në emisionin “The
Ed Sullivan Show”. Ndërsa, në Liverpul lind miqësia e tandemit më të
madh të historisë së muzikës rock: John Lennon dhe Paul McCartney. Tri
vite më vonë këta dy do ta formojnë grupin “The Beatles”.
Në këtë vit, Gana do të jetë shteti i parë i Afrikës koloniale që do
të pavarësohet (nga Britania e Madhe). Kur Gana bëhet shtet,
presidenti Komla Agbeli Gbedemah viziton SHBA-të, por në një restorant
atij i refuzohet shërbimi.
Në këtë vit ndodhë një tjetër risi në botën e teknologjisë: sovjetikët
dërgojnë në orbitë satelitin “Sputnik 2”, me qenin Laika. Ndërsa, IBM
shet kompjuterin e parë me gjuhën programuese “Fortran”.
Qeni Laika që ngordhi në orbitë
Më 1957 u lind këngëtari austriak Falco, që me gjuhë gjermane do të
bëjë famë botërore në vitet ’80 të shekullit të kaluar, si dhe Osama
bin LadenI – një nga terroristët më të mëdhenj të historisë.
Po këtë vit lindën aktorët Melanie Griffith, Steve Buscemi dhe Daniel
Day-Lewis, fituesi i vetëm i tri çmimeve Oscar për rolin kryesor në
filmat “My Left Foot” (1989), “There Will Be Blood” (2007) dhe
“Lincoln” (2012). Ky është aktori që ka refuzuar më së shumti role,
meqë për 20 vite – nga 1997 e deri më 2017 – do të luajë në vetëm
shtatë filma.
Më 1957 vdiqën edhe dy aktorë të njohur, Humphrey Bogart dhe Oliver
Hardy.
Oliver Hardy
1967: ATEIZMI DHE KUNDËRKULTURA
Më 6 shkurt 1967, Enver Hoxha mban një fjalim mediokër përpara disa
organizatave bazë të partisë në Tiranë. Fjalimi do të botohet të
nesërmen te gazeta “Zëri i Popullit”, me pompozitet e me titullin:
“Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, trajton
temën: ‘Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit’”! Më
8 shkurt, po në këtë gazetë, del si kryeartikull iniciativa e të
rinjve durrsakë të gjimnazit “Naim Frashëri”, që kërkonin mbylljen e
kishave e të xhamive. Kështu nisi një histeri kundër fesë duke e bërë
Shqipërinë shtetin e parë e të vetëm ateist në botë. Kjo zyrtarizohet
edhe me Kushtetutën e vitit 1976, nenin 37 i cili thoshte: “Shteti nuk
njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për të
rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”!
Si rezultat i kësaj ndërmarrje të çmendur, e sipas një raporti të
përpiluar nga komunistët, mbyllen e shkatërrohen 740 xhami, 608 kisha
ortodokse e manastire, 157 kisha katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame
etj.
Rinia në aksion antifetar
Në një raport të kohës, për këto zhvillime thuhet: “Në mbështetjeve të
masave të rëndësishme që ka marrë partia për revolucionarizimin e
mëtejshëm të jetës, në të gjithë vendin shpërthyen inisiativa të
shumta revolucionare, si rezultat i të cilave ideologjia e vjetër
feudo-borgjeze ka pësuar dhe po pëson goditje të rënda. Fjalimi
programatik i 6 shkurtit që mbajti shoku Enver ishte një faktor tjetër
frymëzues që i armatosi masat për ta intensifikuar dhe ngritur në një
shkallë më të lartë këtë luftë, ku janë inkuadruar të mëdhenj e të
vegjël, gra e burra. Në kuadrin e kësaj lufte të ashpër klasore,
goditje të fuqishme po pësojnë mënyra e vjetër dhe borgjeze e jetesës,
doket e zakonet prapanike dhe veçanërisht ideologjia fetare, e cila
prej shekujsh jo vetëm që ka helmuar ndërgjegjen e njerëzve, por ka
hyrë thellë në jetën e tyre të përditshme, duke i shoqëruar në çdo
moment.masat e gjera punonjëse dhe në mënyrë të veçnatë rinia, kanë
marrë zotime që të heqin dorë nga të gjitha festat dhe ceremonitë
fetare, nga zakonet e vjetra dhe prapanike dhe të festojnë festat tona
dhe zakonet e reja socialiste. Mirëpo kjo nuk mund të bëhet menjëherë”
(sic.).
Marshi i çmendur kundër besimit
Këtë vit Shqipëria kaplohet edhe nga tërmetet nga të cilat, vetëm në
zonën Dibër-Librazhd shkatërrohen 177 fshatra. 12 veta vdiqën dhe 174
të tjerë u plagosen. Para këtij tërmeti, një aeroplan jugosllav kishte
shkelur hapësirën ajrore të Shqipërisë. Fjala ishte për një bombardues
të tipit F-84G, që humbi orientimin. Ai u mundua të kthehej, por nga
Rinasi ngritën tre MiG-19 që e bllokojnë nga të gjitha anët dhe e
detyrojnë të ulet.
Shqipëria kishte shumë të meta, por një gjë nuk duhet mohuar: ishte
tamam sovrane!
Kartolinë nga Tirana
Ndërkohë, në botën ma normale, një frustrim i akumuluar rinor do të
shpërthej më 1967 në San Francisko. Në lagjen Haight Ashbury të këtij
qyteti, do të mblidhen radikalët, të braktisurit, artistët, bitnikët,
mistikët, rebelët, rockerët… të cilët do ta tronditin Perëndimin me
një eksperiment të madh politik, shoqëror dhe kulturor, pasojat
pozitive dhe negative të të cilit edhe sot vërehen. Lëvizja e tyre do
të njihet me emrin: Hipi (Hippy)
Në këtë dekadë, më shumë se kurrë rinia kundërshton gjeneratat e
vjetra, duke krijuar madje kundërkulturën si opozitë e vlerave të
klasës së mesme amerikane. Rinia fillon të sfidojë institucionet,
barrierat politike dhe ekonomike, luftën në Vietnam, diskriminimin
racor dhe gjinor.
George Harrison në Haight-Ashbury
Haight Ashbury ishte si një republikë autonome psikodelike, me një
mënyrë krejt tjetër të jetesës, me kulturë, gazeta dhe shërbimet unike
publike. Banorët e këtij qytet-shteti mendonin se këtu zëvendësohet
konformizmi me kreativet, represioni me liri emocionale dhe seksuale,
lufta me dashuri dhe paqe.
Ata mendonin të mundshmen dhe rruga drejtë të mundshmes – pos
Rock’n’Roll-it – ishte edhe droga dhe seksi: haptas, kudo dhe me këdo.
Këtu nuk vlente kontrata martesore, sepse lumturia individuale ishte
kryesorja. Mu për këtë, disa e cilësojnë këtë dekadë si burim të
degjenerimit moral, pasojat e të cilit vërehen çdo ditë e më shumë me
shkurorëzime, devijime seksuale dhe abuzime me drogë.
Devijimet e tilla bënë që më 6 tetor 1967, vargani me një arkivol me
lule, të përshkojë rrugët në Haight Ashbury. Ngjarja u quajt: vdekja e
hipive. Ëndrra utopike u shkatërrua nga tejdoza me drogë. Lëvizja
kërkonte alternativa tjera, për çka formohet fraksioni Jipi (Yippi) që
mendon se për ndryshime pozitive duhet të përdoren edhe metodat më
radikale.
“Vdekja e hipive”
“Të gjashtëdhjetat na treguan mundësitë dhe përgjegjësitë që ne i
kemi. Jo përgjigjet. Ato na drejtuan shikimin drejtë së mundshmes”, do
të thotë John Lennon më vonë (ditën e vrasjes së tij, më 8 dhjetor
1980).
Hipikët ishin ëndërrimtarë. Shpresonin të realizonin një revolucion
shpirtëror pas të cilit të gjithë njerëzit do të jenë të lumtur dhe të
barabartë. Ata proklamonin paqen, dashurinë dhe lirinë individuale,
ndërsa urrenin korrupsionin, autoritetin e pushtetit politik dhe
ekonomik të “Vëllait të Madh”.
Bill Clinton dhe Tony Blair, pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje. janë
shembull për këtë. Por, edhe Steve Jobes dhe Steve Wozniak,
themeluesit e gjigantit “Apple”; Steward Brand (ideologu i
internetit), pastaj Ken Kesey, Neal Cassady, Del Close etj. Synimi i
hipikëve ishte që të barazohet individi me institucion. Ata ia dolën.
Marsh paqësor në San Francisko
Këtë vit publikohen disa nga kryeveprat e muzikës rok: “Sgt. Pepper’s
Lonenly Heats Club Band” (The Beatles), “Disraeli Gears” (Cream), “The
Piper At The Gates Of Dawn” (Pink Floyd ), “The Who Sell Out” (The
Who), “The Doors” (The Doors), “Surrealistic Pillow” (Jefferson
Airplane), “Are You Experienced” (The Jimi Hendrix Experience)… që
dëshmojnë se muzika më nuk është profesion i njerëzve me pedigre apo
shkollim profesional. Muzika, dhe në përgjithësi arti, është produkt i
të gjithë njerëzve që e duan dhe që sakrifikohen për të.
Ndërkohë, shqiptarët në Jugosllavinë komuniste, pas rënies nga
pushteti të Rankoviqit, do të shohin ditë më të mira. Në Kosovë
shtohen rock grupet e shqiptarëve dhe rocku bëhet pjesë e
përditshmërisë.
Në vitin 1967 vdiq J. Robert Oppenheimer, që njihet si babai i bombës
atomike, ndërsa vritet revolucionari më i njohur komunist, Ernesto
“Che” Guevara
Pink Floyd
1977: LAMTUMIRË KINË
Viti 1977 ishte vit i teknologjisë digjitale. Më 1970, Intel do të vë
në shitje mikroprocesorin e parë “Intel 4004”. Brenda tij ishin 2300
transistorë. Ky zbulim do ta ndryshojë botën më shumë se kurrë. Ëndrra
për kompjuterët personalë, tash është realitet. Më 1977 dalin në
shitje këta modele: TRS-80 nga Tandy Corporation; Commodore PET nga
Commodore; Atari VCS nga Atari; dhe Apple II nga Apple. Nga këto
kompani mbijetoi vetëm kjo e fundit që sot, sipas revistës Forbes,
vlerësohet me 752 miliardë dollarë.
Një nga modelet më të suksesshme, Apple II – i projektuar nga Steve
Wozniak
Viti 1977 është vit i muzikës punk – degë e zhurmshme e rockut, me
vija të paqarta melodike, por që do të bëjë rininë për vete e do të
ndikojë në rrjedhat e mëvonshme muzikore. Sinonim i kësaj muzike do të
jetë grupi Sex Pistols dhe kënga e tyre e lansuar më 1977, “God Save
the Queen” (Zot ruaje Mbretëreshën), që sulmon bindjen dhe respektin
anglez ndaj kurorës.
Por, megjithatë, suksese më të mëdha arrijnë grupet tamam rock, si
Fleetwood Mac me albumin e lansuar këtë vit, “Rumours”, që do të
shitet në afro 40 milionë kopje. Ndërsa, Led Zeepelin do të thyejnë
rekord kur në Pontiak të Miçiganit do të mbajnë koncert para 76,229
personave.
Bota këtë vit po përjetonte një tjetër fenomen: muzikën disco.
Promotor i kësaj muzike u bënë filmi “Saturday Night Fever” (Ethet e
së shtunës mbrëma), me aktorin John Travolta, dhe kolona zanore e
grupit australian, Bee Gees.
Kur është fjala te muzika, këtë vit vdesin këta emra: rockeri Mark
Bolan; operistja Maria Callas; rekorderi i disqeve të shitura, Bing
Crosby; dhe mbreti i Rock’N’Roll-it, Elvis Presley.
Led Zeppelin (pamje nga koncerti i vitit 1977, në stadiumin
“Silverdome”)
Ndërkohë, në Jugosllavinë komuniste nis shembja e shtetit. Më 18 janar
1977, në rrethana të dyshimta mbytet në një aksident ajror,
kryeministri jugosllav Xhemal Bijediq, gruaja e tij dhe gjashtë
persona të tjerë. Versioni zyrtar thoshte se moti i keq ishte shkaktar
i aksidentit, por dyshimet më të mëdha janë se gjithçka ishte
orkestruar nga Serbia për të eliminuar rivalët politikë dhe për të
marrë kontrollin në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos. E, Bijediqi
shihej si një nga trashëgimtarët. Ndaj, thuhet se gruaja e Titos,
serbja Jovanka Broz, kishte gisht në këtë ngjarje. Trashëgimtarët e
Bijediqit shprehen se ajo e orkestroi këtë krim së bashku me oficerët
e lartë të Armatës Popullore të Jugosllavisë, Nikola Lubiçiq (më vonë
mbështetës i Sllobodan Millosheviqit) dhe Bllagoje Axhiq, bashkë me
kryetarin e Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të
Jugosllavisë, Petar Graçanin.
Xhemal Bijediqi me gruan e tij
Ndërkohë, në Shqipëri do të vdesë Ibrahim Ibrahim Biçakçiu (i biri i
Aqif Pashë Elbasanit), kryeministër i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Pas futjes së komunistëve në Shkodër, ai do të arrestohet e
do të dënohet me burg të përjetshëm. Më 1962 do të lirohet dhe do të
detyrohet të punojë si pastrues i tualeteve.
Në BRSS, ish-shtetin mik të Shqipërisë, jepet një urdhër për të
shkatërruar shtëpinë “Ipatiev”. Kjo ishte shtëpia ku i vra cari
Nikolai i II-të i Rusisë me tërë familjen e tij më 1918. Arsyeja ishte
se shtëpia nuk ka vlerë historike. E, për ta zbatuar këtë urdhër,
Politbyroja sovjetike cakton Boris Yletsinin që do të udhëheq Rusinë
pas shkatërrimit të BRSS-së dhe përmbysjes së komunizmit.
Nga e majta: Kapiteni Hendrik Reimers, Ibrahim Biçakçiu (10 vjeç),
Aqif Pashë Biçakçiu dhe Ali Agjah Bej Biçakçiu
Kur është fjala te Shqipëria, pas vdekjes së Mao Zedongut, liderit
komunist të Kinës, nisin ca reforma të kryesuara – me shumë
kundërshtime – nga Deng Xiaoping. Më 1977 Tito do të shkojë në Pekin
dhe kjo vizitë do të irritojë edhe më shumë Enver Hoxhën (më shumë se
vizita e presidentit amerikan Richard Nixon, më 1972).
Gjashtë vite më parë, Shqipëria inicion një Rezolutën 2758, ku kërkon
në OKB të mos përfaqësohet Republika e Kinës (Tajvani) e Chiang
Kai-shekut, po Republika Popullore e Kinës s Mao Zedongut. Dhe, ia
doli! Madje, në një seminar të mbajtur në Tiranë, ku të pranishëm
ishin edhe studiues nga Kosova, në fjalën përshëndetëse u tha: “I
përshëndesim vëllezërit kinez, e miqtë kosovarë”. Por, kjo dashuri
tash po shuhet. Kështu, më 1977, shumë zyrtarë e ushtarakë të
Shqipërisë eliminohen pas të ashtuquajturit “Konspiracioni kinez”.
Dashurisë shqiptaro-kineze po i vjen fundi…
Rezoluta që e bëri Kinën faktor botëror
Në Kosovë këtë vit nis ndërtimi i Pallatit të Rinisë, “Boro e Ramizi”.
Emrin e merr duke u bazuar në ideologjinë e vëllazërim-bashkimit në
Jugosllavi, simbol i së cilës ishin dy partizanë: shqiptari i Pejës,
Ramiz Sadiku, dhe serbi i Bratsigovës së Bullgarisë, Boro Vukmiroviq.
Në prill 1943, Boroja kapet në Landovicë nga ushtarët e Ballit
Kombëtar. Thuhet se Ramizi e kishte shansin të dilte i gjallë, si
shqiptar, por vendosi të ekzekutohet bashkë me Boron. Në momentet e
ekzekutimit, ata e përqafuan njëri-tjetrin dhe bërtitën slogane
komuniste.
Ramizi dhe Boro
Nga viti 1977, më shumë njerëz të mëdhenj vdesin sesa që lindin. Në
këtë vit p.sh. vdiq shkencëtari që dërgoi amerikanët në Hënë, Wernher
von Braun. Si dhe, gjeniu i papërsëritshëm i aktrimit dhe
kinematografisë, Charlie Chaplin. Ndërsa, u lind këngëtari
koreanojugor, Park Jae-sang, i njohur si PSY, që në fakt do të jetë
sinonim i budallallëkut që shndërrohet në fenomen global – pikërisht
si rezultat revolucionit digjital që nis më 1977. Pos tij, këtë vit
lindi presidenti i tashëm francez, Emmanuel Macron, që u pa si një
shpresë kundrejt populizmit djathtist në Evropë. Por, për rezultatet e
tij si president, pak mund të flitet sot.
Emmanuel Macron
1987: NGRITJA E MILLOSHEVIQIT
Ajo që ndodh sot në Korenë e Veriut, ka ndodhur më 1987 në Shqipëri.
Këtë vit mbahen zgjedhjet parlamentare, të fundit në komunizëm. Fronti
Demokratik – organizatë e Partisë së Punës – ishte e vetmja forcë që
merr pjesë në zgjedhje, duke fituar që të 250 ulëset. Të drejtë vote
kishin 1,830,652 shqiptarë dhe që të gjithë ata votuan. Nga këto vota,
veç njëra doli e pavlefshme.
Për këto zgjedhje, trashëgimtari i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, te “Zëri
i Popullit” ka thënë: “Besimi i popullit është nder dhe përgjegjësi.
Deputetët duhet të punojnë sa më shumë që ta justifikojnë këtë besim,
të punojnë që t’i hapin rrugë të gjerë luftës e përpjekjeve të
popullit, t’u përgjigjen me vëmendje e kujdes dëshirave të zemrës së
madhe që ai ka”.
Ballina e “Zërit të Popullit”, për zgjedhjet e 1 shkurtit 1987
Shqipëria ishte në mjerim ekonomik. Ishte vendi më i izoluar në botë,
siç është sot Koreja e Veriut. Më nuk kishte ndihma nga BRSS e as nga
Kina, ndërsa shansi gjerman i vitit 1985 u humb pa asnjë arsye.
Një reporter i huaj viziton këtë vit këtë shtet, ku realizon disa
foto. Për këtë vizitë ai thotë: “Ishte errësirë dhe binte shi. Pasi
lamë pas dritat e kufirit jugosllav, përpara na u shfaq një rrugë me
ndriçim të zbehtë. Po hynim në Shqipëri. Në mes të rrugës u shfaqën
rojet kufitare që dolën nga shkurret. Të veshur me uniforma të
gjelbra, kapele me një yll të kuq, syze të errëta dhe me armë në krah.
Nuk buzëqeshin. Ishte viti 1987, komunizmi dhe ‘lufta e ftohtë’”!
Tirana e vitit 1987
Serbët e Fushë Kosovës nisin lëvizjen antishqiptare që do ta sjell në
pushtet kriminelin e luftës, Kasapin e Ballkanit – Sllobodan
Millosheviq. Askush në botë nuk shqetësohej për këtë. New York Times,
më 26 prill 1987, kështu do ta përshkruaj një moment fatkeq të
historisë së Ballkanit: “Mijëra serbë që kërkojnë trajtim më të mirë
në rajonin e pakicës shqiptare të Jugosllavisë, në Kosovë, qëndruan
tërë natë zgjuar pas përleshjeve etnike. Kjo ndodhi pas një incidenti
të së premtes që nxiti tensione mes shqiptarëve të rajonit dhe grupeve
tjera etnike. Përleshjet gjithashtu ishin goditje tjetër ndaj qeverisë
Jugosllave, e cila tashmë përballet me probleme ekonomike dhe trazira
të punës, në prag të përvjetorit të parë të Qeverisë së kryeministrit
Branko Mikulliq. Në këtë incident, një turmë prej 15 mijë serbësh dhe
malazezësh hodhën gurë tek policët, pasi ata përdorën shkopinj gome
për t’i ndaluar për t’u futur në qendrën kulturore të Fushë Kosovës.
Trazirat ndodhën pasi Sllobodan Millosheviqi, shefi i Partisë
Komuniste të Serbisë, po takohej me një delegacion të serbëve dhe
malazezëve vendas për të diskutuar ankesat e tyre. Agjencia e lajmeve
Tanjug citoi sot z. Millosheviq duke thënë se do të disiplinohen ata
që urdhëronin përdorimin e shkopinjve”.
Fjala është për vizitën e tij më 24 prill 1987, ku ai turmave do t’ju
drejtohet me fjalët që më vonë do të cilësohen si fillimi i fundit i
Jugosllavisë komuniste dhe tmerrit ballkanik: “Kurrkush s’ka me guxu
me ju rreh”!
Kryetare e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës ishte Kaqusha Jashari, e
cila bashkë me Azem Vllasin do të eliminohet politikisht nga
Millosheviqi. Jashari ishte një nga politikanet më të guximshme, që as
dorën për përshëndetje, në një takim, nuk ia ka dhënë Millosheviqit.
Nga kjo kohë nga serbët lind termi “Shqiptar i ndershëm”, që nënkupton
shqiptarët luajalë ndaj politikave të Millosheviqit. Dhe, në pushtet
ata i vendoste pushteti serb.
Millosheqi dhe Vllasi në Fushë Kosovë (1987)
Derisa Millosheviqi këtë vit niste një marsh të çmendurisë që do të
shkaktojë luftë në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në
Kosovë (10 vite më vonë), presidenti amerikan, Ronald Reagan, po
ndërmerrte politikat që do ta bëjnë botën vend më të sigurt.
Më 12 qershor, gjatë një vizite në Berlin, ai mban një nga fjalimet më
të fuqishme të dekadës, teksa i drejtohet liderit sovjetik, Mikhail
Gorbachev, me këto fjalë: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbachev, nëse
kërkoni paqe, nëse kërkoni prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe
Evropën Lindore, nëse kërkoni liberalizim: Ejani në këtë portë! Z.
Gorbachev, hapeni këtë portë! Z. Gorbachev, shembeni këtë mur”!
Me sovjetikët ai do të nënshkruajë një traktat që do të eliminojë
raketat nukleare dhe ndezësit në domenin prej 500 -1,000 dhe
1,000-5,500 kilometrave. Deri më 1991 do të eliminohen 2,692 raketa të
tilla.
Reagan në Berlin
Më 7 nëntor, pushtetin në Tunizi do ta merr Zine El Abidine Ben Ali.
Me përmbysjen e tij më 2011, do të nisë vala e kryengritjeve që do të
njihet si “Pranvera arabe”. Shtetet që i prek ky ndryshim më shumë
janë, pos Tunizisë, edhe Libia, Egjipti, Jemeni, Bahrejni dhe Siria
(që vazhdon të jetë në një luftë të brendshme të përgjakshme).
Këtë vit do të vdesin aktorët e njohur, si: Rita Hayworth, Fred
Astaire, John Huston, Lee Marvin dhe Mary Astor. Do të vdesë po ashtu
edhe pop-artisti më i njohur, Andy Warhol, i cili gjatë një ekspozite
të tij, më 1968 në Stoklohm të Suedisë, do ta thotë këtë fjalë
“profetike”: “Në të ardhmen, secili do të jetë i famshëm për 15
minuta”.
Kjo thënie e tij ka sot vlerë më shumë se kurrë.
Andy Warhol
1997: KAOS NË SHQIPËRI, LUFTË NË KOSOVË
Më 1997, shteti shqiptar ra. Një lëvizje antiqeveritare do të nis në
Lushnjë më 24 janar, e do të përfundojë më 24 korrik me dorëheqjen e
Sali Berishës nga posti i presidentit. Shkak ishte falimentimi i
skemave piramidale që treti 1.2 miliardë dollarë kursime të
shqiptarëve.
Thuhet se të parën skemë piramidale në Shqipëri e instaloi më 1991,
shqiptari i Kosovës, Hajdin Sejdia. Meqë ai fitoi, modelin e tij e
ndoqën 24 kompani tjera. Shqiptarët ranë lehtë në grackë, nga lakmia
për pasurim të shpejtë dhe të madh. Fjala është për dhënien e një
sasie parash e marrjen e një sasie më të madhe nga përqindjet e larta
të kthimit. Ndonëse Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkonte të mbylleshin
këto skema, Qeveria e Aleksandër Meksit e lejoi këtë veprimtari. E,
kur kompanitë falimentuan dhe paratë humbën, vendi u zhyt në kaos.
Ushtri nuk kishte, as polici. Shteti ra nën kontrollin e bandave.
Shqipëria nën sundimin e rrugaçëve (Banda e Cërrikut, Banda e
“Mandelës”, Banda e “Kakamit”, Banda e “Çobenëve”, Banda e “5
Dyqaneve”, Banda e Rrugës së Kavajës, Banda e Lushnjës, Organizata e
Dritan Dajtit, Organizata “Hakmarrja Për Drejtësi”, Organizata e
Kinostudios, Banda e Altin Dardhës, Banda e Fisit “Kola”, Banda e
Fisit “Dedja”, Organizata e Gjergj Gushalit, Banda e Tan Kateshit,
Banda e Zani Caushit, Organizata e Lul Berishës, Grupi “Kokaina”,
Banda e Jaupëve, Banda e Otllakut, Grupi i e Nehat Kullës, Grupi i
“Malokut”, Banda e Lul Cakës, Banda e “Loshit Të Karbunarës”, Grupi i
Rrugës “Myslym Shyri”, Gripi i emiljano Shullazit).
Më 1997, fjala që u përdor është “rebel”. Kështu quheshin shqiptarët
që shkatërronin shtetin e që në fakt në mars vendin e sollën në
gjendjen e luftës civile. Në këtë kaos vdesin afro 4,000 shqiptarë.
Bashkim Gazidede, shef i SHIK-ut, akuzoi shërbimin sekret amerikan
CIA, atë grek Asphalia dhe atë jugosllav UDB se kishin nxitur dhe
financuar rebelët.
Fatos Nano dhe Bashkim Fino
Me 9 mars formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar me në krye Bashkim
Finon, kryetar i deriatëhershëm Gjirokastrës. Më 11 mars krijohet
Komiteti i Jugut që kërkon dorëheqjen e Berishës dhe shpalljen e
Vlorës kryeqytet të vendit. Vlora në fakt ishte në duar të kriminelit
Zani Çaushi. Aq i paaftë ishte shteti, sa që Çaushit i besohet
mbrojtja e kryeministrit italian, Romano Prodi, gjatë vizitës që i
bëri Vlorës më 13 prill të këtij viti.
Më 13 mars lirohen nga burgu Fatos Nano e Ramiz Alia. Më 28 mars
Kombet e Bashkuara miratojnë Rezolutën 1101 për ndihmë humanitare ndaj
Shqipërisë. Të njëjtën ditë do të ndodhë edhe ajo që njihet si
Tragjedia e Otrantos. Më 28 mars, nga brigjet e Vlorës drejt Italisë
nisen 115 persona, me anijen që kishin rrëmbyer rebelët, të quajtur
“Kateri i Radës”. Anija u fundos pas një goditjeje nga një anijeje
luftarake italiane, në ujërat e Otrantos. 81 vetë u mbytën. Shumica në
anije ishin njerëz familjarë që donin të iknin nga tmerri që kishte
kapluar Shqipërinë.
Më 15 prill, misioni ndërkombëtar Alba, me afro 7,000 ushtarë, arrin
në Shqipëri për të rikthyer rendin dhe ligjin në vend. Zgjedhjet e 29
qershorit të cilat u zhvilluan në kushte jonormale, u fituan nga
Partia Socialiste. Berisha dha dorëheqjen dhe Kuvendi i ri zgjodhi
president Rexhep Mejdanin i cili mandatoi Nanon si kryeministër të ri.
Simbol i rebelëve u bënë tre gishta (si të serbëve)
Në këtë vit krize, Leka Zogu, i biri i Ahmet Zogut, kthehet në
Shqipëri. Në Tiranë defilon me uniformë ushtarake. Ai kërkon
referendum popullor për kthimin e monarkisë në vend. Por, kur dy të
tretat votojnë kundër, e organizon një demonstratë ku akuzon për
manipulime të rezultatit. Nga përplasja e demonstruesve me policinë,
pesë persona mbeten të vrarë. Leka iki sërish nga Shqipëria.
Leka Zogu në Tiranë
Anarkia në Shqipëri thelloi edhe më shumë ndarjet veri-jug, gegë e
toskë. Kësaj i kontribuoi politika, duke e identifikuar veriun me
Partinë Demokratike dhe jugun me Partinë Socialiste. Shkrimtari Ismail
Kadare, për këtë situatë atëherë ka thënë: “Ora e Shqipërisë ishte
kthyer prapa në luftën civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në
vitet 1943-44”. Ndërkaq, akademiku Rexhep Qosja e ka quajtur:
“Revolucion i vonuar demokratik”!
Nga kaosi në Shqipëri, veriu mbeti praktikisht i pakontrolluar. Dhe,
nga kjo pjesë e Shqipërisë, do të bëhet furnizimi më i madh me armë
për luftën që do të nis në Kosovë.
Anija “Kateri i Radës”
Më 31 janar, në një pritë nga forcat serbe bien dëshmorët e parë të
luftës së fundit çlirimtare në Kosovë, Zahir Pajaziti, Hakif
Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Pajaziti ishte duke udhëtuar nga
Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, bashkë me Zejnullahu dhe Hoxhën.
Forcat serbe u kishin vënë pritë në fshatin Pestovë. Në vitin 2008, në
11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ua akordoi
atyre dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i
Kosovës.
Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj, bashkë me vëllain Ramushin, me
Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin
Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush
Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur për të
kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit.
Atë ditë forcat serbe u kishin zënë pritë. Luani, i cili u printe
bashkëluftëtarëve, vritet pa i mbushur 24 vjet. Me këtë rast plagoset
rëndë Rafet Rama, e më lehtë Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.
Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha
Kosova ishte nën pushtim klasik. Mësimi mbahej nëpër shtëpi. Për të
kundërshtuar këtë gjendje dhe për të kërkuar të drejtën për t’u kthyer
në objektet universitare, organizohet një protestë paqësore e
studentëve. Protesta nis në lagjen “Velania” të Prishtinës. Kjo lagje
atë ditë ishte e rrethuar nga forcat policore. Forcat e tilla ishin në
çdo kryqëzim të Prishtinës. Veç në “Velani” thuhet se ishin mbi 400
policë. Numri i studentëve thuhet të ketë qenë mbi 15 mijë. Por,
marshi drejtë objekteve të Universitetit do të ndërpritet dhunshëm nga
forcat policore serbe.
Këto protesta, tok me aktivitetet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
(UÇK), do të shënojnë një moment kthese në historinë e Kosovës. Për
këto zhvillime, New York Times në tetor 1997 do ta botojë artikullin
me titullin: “Shkëndija e rrezikshme në Kosovë”. “Uashingtoni që ka
premtuar t’i mbajë sanksionet ekonomike ndaj Serbinë derisa të
rikthehen të drejtat e Kosovës, ka bërë mjaft për të ndihmuar, por kjo
nuk është e mjaftueshme. Një vit më parë, z. Millosheviq u pajtua me
reformat arsimore që do të lejonin mësimin në gjuhën shqipe. Asgjë nuk
ka ndodhur. Uashingtoni duhet të shtojë presionin mbi Beogradin për të
realizuar këtë dhe reformat e tjera, veçanërisht duke i dhënë fund
burgjeve arbitrare dhe rrahjeve. Nuk ka pothuajse asnjë prani të huaj
në Kosovë. Vëzhguesit janë të nevojshëm, si dhe një i dërguar i
posaçëm amerikan në Kosovë”, thuhet në këtë artikull.
Pamje nga protesta e 1 tetorit 1997: Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli,
rektori Ejup Statovci, Driton Lajçi dhe Albin Kurti
Më 1996, javorja britanike “The European” botoi artikullin e një
eksperti ushtarak francez që thotë se “shërbimi inteligjent, civil dhe
ushtarak gjerman, është përfshirë në trajnimin dhe pajisjen e
kryengritësve me qëllim për të shtuar ndikimin e Gjermanisë në
Ballkan… Lindja e UÇK-së më 1996 koincidon me emërimin e Hansjoerg
Geigerit në krye të BND-së (shërbimi sekret gjerman)”. Po këtë vit,
përfaqësuesit e UÇK-së thuhet se takojnë pjesëtarët e shërbimeve
sekrete të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës. The Sunday Times
do të shkruaj se “agjentët amerikanë kanë pranuar se kanë trajnuar
UÇK-në para bombardimeve të NATO-s më 1999”.
Në fakt, UÇK kishte ndërmarr aksione kundër stacioneve policore serbe.
Duket e çuditshme, po kur mediat serbe i transmetonin lajmet për këto
sulme, shumica e shqiptarëve besonte se këto janë inskenime të
Serbisë. I tillë ishte perceptimi edhe për, p.sh., shpërthimin e
veturës të rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës,
antishqiptarit Radivoje Papoviq, më 16 janar 1997 (Papoviqi i mbijetoi
atentatit).
Emblema e UÇK-së (në fillim është përdorur emblema e Ushtrisë
shqiptare)
Këtë vit do të arrestohet dhe dënohet Nait Hasani me 48 vite burg.
Por, meqë sipas ligjit penal te Jugosllavisë së atëhershme dënimi
maksimal ishte 20 vjet, Hasani dënohet me 20 vjet burg të rëndë. Në
qershor 1998, në qelinë e burgut në Prishtinë atij i vjen për vizitë
ministri serb i Drejtësisë që e pyet. “Çfarë mendon të bësh pas 20
viteve?”, thuhet ta ketë pyetur serbi. Naiti i përgjigjet: “Jo pas 20
viteve, por pas një kohe shumë të shkurtër unë do të jem i lirë e ju
do të jeni të burgosur”. Në mesin e të dënuarve ishte edhe Bislim
Zogaj (në mungesë, meqë nuk mund ta arrestonin, u dënua edhe Adem
Jashari).
Më 16 tetor 1997, në Kliçinë do të vritet pjesëtari tjetër i UÇK-së,
Adrian Krasniqi. Ai vritet gjatë një sulmi në stacioni policor. Në
këtë sulm, bashkë me të kanë qenë edhe Mujë Krasniqi, Ilir Konushevci
dhe Qerim Kelmendi. Adriani ishte i veshur me uniformë ushtarake.
Pamje nga gjykimi i Nait Hasanit
Serbia ushtronte dhunë e terror në Kosovë. Njerëzit rriheshin,
arrestoheshin dhe dënoheshin në mënyrë arbitrare. Mijëra e mijëra
marrin rrugën e kurbetit. Ndërsa, ata që rrinin, shumica prej tyre
jetonin në varfëri të madhe, meqë pjesa dërrmuese e shqiptarëve ka
kohë që ishte pushuar nga puna në organizatat dhe kompanitë
shtetërore. Mbijetesa varej nga ndihmat e mërgatës. Ndaj, pos
rezistencës paqësore që përfaqësohej nga Ibrahim Rugova, tash si
opsion tjetër shpëtimi shihej edhe lufta e armatosur.
Kështu, më 25 nëntor 1997, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt. Të nesërmen, më 26
nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të
motorizuara u drejtuan për në ketë fshat. Pas katër orë luftimesh,
forcat serbe u tërhoqën. Në tërheqje e sipër, filluan të qëllojnë. Në
shkollën e fshatit Llaushë, plumbat e tyre do të vrasin mësuesin Halit
Geci.
Në varrim të Gecit, në emër të LDK-së e Ibrahim Rugovës, do të marrë
pjesë edhe Fatmir Sejdiu. Ai aty do të thotë: “Pavarësisht
intensitetit dhe dhunës dhe terrorit, nuk mund të na ndalin në rrugën
pavarësisë, të cilën e kemi filluar dhe këmbëngulim se do ta
realizojmë… Ju thërras që të këmbëngulim rrugën e filluar”!
Pamje nga varrimi i Halit Gecit
Varrimi i mësuesit Halit Gecit do të mbahet mend për diçka tjetër:
daljen publike të UÇK-së. Në fshatin Aqarevë, një ditë më parë është
marrë ky vendim. Qëllimi ishte që turmave t’ju dedikohet një fjalim që
do të ishte si një thirrje për mobilizim dhe përgatitje për luftë.
Kështu, para masave dolën Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë
Krasniqi. Fjalimin që e mbajti Selimi – që kishte maskë në fytyrë –
ishte ky:
“Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë
Halit Gecaj!
Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të
sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar
në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka
provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga
pushtuesit serbë.
Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira
të popullit tonë të pambrojtur.
Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e
mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha, si dhe vrasja
barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e
terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj,
mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.
Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e
Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe
aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e
kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që
jetën ia kushtuan lirisë.
UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e
Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër
pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij
shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i
forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr
guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë.
Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në
bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte
edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati
dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej
kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të
pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.
Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e
shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të
popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë
me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë
do t’ju mallkojë historia!
Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve
rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në
luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin
dritën e lirisë.
Lavdi të rënëve për liri!”.
Dalja e parë publike e UÇK-së: Daut Haradinaj, Rexhep Selimi dhe Mujë
Krasniqi
Më 1997 do të lind fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai,
ndërsa do të vdesë fituesja e çmimit të njëjtë, shqiptarja Gonxhe
Bojaxhiu – Shën Tereza e Kalkutës.
Në Kinë do të vdesë politikani që nisi reformat ekonomike me të cilat
e hapi shtetin e tij ndaj botës, Deng Xiaoping. Po ashtu, këtë vit do
të vdesin: përfaqësuesi kryesor Bit Gjeneratës, Allen Gingsberg;
këngëtarët Jeff Buckley, Michael Hutchence dhe John Denver;
eksploruesi i madh, Jacques Cousteau; aktorët Robert Mitchum, James
Stewart dhe Toshiro Mifune që ka shkëlqyer në filmat e regjisorit të
madh, Akira Kurosawa; si dhe Princesha e Uellsit, Diana, varrimi i së
cilës do të ndiqet nga dy miliardë njerëz në botë.
Më 1997 Steve Jobs kthehet në kompaninë që kishte themeluar, Apple,
ndërsa Microsoft do të blejë 150 milionë dollarë aksione të kësaj
kompanie që ballafaqohej me probleme të mëdha financiare.
Muzikanti francez, Jean Michel Jarre, në Moskë do të thyejë rekordin e
vet me 3.5 milionë njerëz në koncert. E, në Maqedoni, pas bashkimit të
Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore,
formohet Partia Demokratike Shqiptare. Lider i saj bëhet Arbër
Xhaferi.
Tony Blair, Madeleine Albright dhe Bill Clinton
Këtë vit në Britani të Madhe dhe në SHBA do të bëhen emërimet në poste
të njerëzve që do ta shpëtojnë popullin shqiptar të Kosovës. Pas 18
vitesh, në Britani të Madhe pushtetin e marrin laburistët, me Tony
Blairin si kryeministër. Ndërsa, në SHBA, Bill Clinton do ta japë
betimin e mandatit të dytë si president, e Madeleine Albright do të
jetë e para femër në postin e sekretarit të Shtetit. Këta tre emra do
të jenë vendimtarë për lirinë e Kosovës.
Po ashtu, më 1997 ishte përvjetori i parë i ngjarjes që shihej si
shpresë për shpëtimin e shqiptarëve: hapjes së Zyrës Kulturore
Amerikane, shef i së cilës ishte Michael McClellan. Për këtë ngjarje
Rugova ka thënë: “Sot e kemi një shtëpi të bukur amerikane në Kosovë.
Tash kemi festuar ditëlindjen e parë të saj”.
Michael McClellan
2007: KOSOVA NË PRAG TË PAVARËSISË, BOTA NË PRAG TË EPOKËS SË RRENAVE
Më 24 janar, Asambleja e Këshillit të Evropës miraton Rezolutën 1533
në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Disa nga nenet e
projektrezolutës u hoqën për shkak se disa shtete votuan kundër. Njëri
nga nenet ishte dhe ai për pavarësinë, ku thuhej se Kosova duhet të
merr pavarësi për të siguruar paqe në Ballkan. Rezoluta që u miratua
nuk përmbante fjalën pavarësi, por thoshte se një zgjidhje e negociuar
preferohet nga ky këshill dhe nëse kjo zgjidhe nuk arrihet atëherë
është nevojshme që zgjidhja përfundimtare të imponohet.
Më 2 shkurt, Martti Ahtisaari prezanton draft-planin e tij në
Prishtinë dhe në Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës.
Plani i tij përfshinte masa për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të
bashkësive the anëtarëve të tyre, decentralizimin dhe mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore e fetare. Për më tepër, marrëveshja përshkruan
masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie të cilat synojnë të
kontribuojnë në zhvillimin e një Kosove shumetnike. Një element i
rëndësishëm është mandati që i jepet një prezence ndërkombëtare civile
dhe ushtarake në Kosovë, për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes dhe
për të ndihmuar autoritetet kompetente kosovare në sigurimin e paqes
dhe stabilitetit në gjithë Kosovën. Dispozitat e Marrëveshjes do të
kenë përparësi mbi të gjitha dispozitat e tjera ligjore në Kosovë.
Martti Ahtisaari dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon
Më 10 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje organizon protestë në Prishtinë
kundër Pakos së Ahtissarit. Policia u përgjigj me dhunë ndaj
protestuesve. Dhjetëra të nga ta u lënduan. Dy persona kanë vdekur nga
plagët që morën prej plumbave të shkrepur nga policët rumunë të
UNMIK-ut. Të vdekurit ishin Arben Xheladini (1972) nga Prishtina dhe
Mon Balaj (1976) nga Besiana. Më 12 shkurt, ministri Brendshëm i
Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje. Ai thotë se ndjen përgjegjësi
morale edhe pse policët e UNMIK-ut nuk ishin nën kontroll të tij. Më
14 shkurt 2007 jep dorëheqje edhe Stephen Curtis, shef i policisë
ndërkombëtare në Kosovë, pas kërkesës së kryeadministratorit Joachim
Ruecker.
Më 10 mars përfundojnë negociatat në Vjenë, meqë pala shqiptare e ajo
serbe kanë qëndrime të kundërta. Më 15 mars, bashkëpunëtori i Martti
Ahtisaarit, Albert Rohan, ia dorëzon OKB-së propozimin për statusin e
Kosovës. Ndërsa, më 26 mars, Ahtisaari ia dërgon raportin përfundimtar
Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në raport thuhet se Kosova duhet të
bëhet e pavarur. Propozimi i Ahtisaarit do të aprovohet nga Kuvendi i
Kosovës më 5 prill. Pro pavarësisë flasin shtetet më të fuqishme në
botë: SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Më 15 maj,
sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, në Moskë do të
thotë: “Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Kjo është e
pamundur”!
Pamje nga protesta e 10 shkurtit 2007
Më 13 qershor, Ekipi i Unitetit shpall konkursin 15-ditor për flamurin
dhe stemën e Kosovës, ku thuhet se “secili propozim duhet t’i
përmbahet frymës dhe përmbajtjes së propozimit gjithëpërfshirës për
zgjidhjen e statusit të Kosovës”. Më pas thuhet se nuk duhet të
përdoret cilindo simbol shqiponje dhe se nuk duhet përdorur ngjyrat
kuq e zi (për shkak të flamurit të Shqipërisë).
Pavarësia e Kosovës nis të quhet rast unik në botë, apo sui generis!
Këtë vit, më 17 nëntor 2007, në Kosovën mbahen zgjedhjet parlamentare.
Rezultatet ishin këto: Partia Demokratike e Kosovës fiton 196,207 vota
(34.3 për qind); Lidhja Demokratike e Kosovës fiton 129,410 vota (22.6
për qind), Lidhja Demokratike e Dardanisë fiton 57,000 vota (10 për
qind), Aleanca Kosova e Re fiton 70,165 vota (9.6 për qind) dhe
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fiton 54,611 vota (9.6 për qind).
Qeveria e ardhshme do të formohet nga PDK dhe LDK.
Takimi i UNMIK-ut me ambasadorët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Më 8 janar, presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kritikon klasën
politike që nuk merrej vesh për zgjedhjet lokale, me këto fjalë: “Me
një sjellje të pashembullt, që reflekton sa papërgjegjshmëri dhe
arrogancë, aq edhe mungesë vullneti dhe besimi reciprok, klasa
politike ka dështuar në gjetjen e konsensusit”.
20 janari si datë për zgjedhjet, do të zhvendoset më 18 shkurt.
Vëmendja përqendrohet në betejën për Tiranën, ku ballafaqoheshin
socialisti Edi Rama dhe demokrati Sokol Olldashi. Rama fiton për të
tretën herë në Tiranë.
Problem tjetër ishte edhe zgjedhja e presidentit të ri. Me ndihmën e
Fatos Nanos, president zgjidhet nënkryetari i Partisë Demokratike,
Bamir Topi.
Por, ngjarja më e madhe e Shqipërisë, dhe në përgjithësi për
shqiptarët, ishte vizita që më 10 qershor bëri në Shqipëri, presidenti
amerikane George W. Bush. Gjatë vizitës ai tha në mënyrë të qartë se
çështja e Kosovës do të mbyllet me pavarësinë e saj. “Pavarësia është
qëllimi. Kjo është ajo që populli i Kosovës duhet ta dijë”, ka thënë
Bush me këtë rast.
Bushi në Shqipëri
Lufta në Irak ishte ndër temat kryesore për vitin 2007, si dhe dërgimi
i 30 mijë trupave tjera amerikane atje. Kjo luftë amerikane ishte
objekt debatesh si brenda ashtu edhe jashtë SHBA-ve. Sepse, Iraku
ishte shndërruar në një nga vendet më të rrezikshme në botë. Veç më 3
shkurt, kur një kamikaz hedh në erë një kamion të mbushur me një ton
eksploziv në një lagje shiite të Bagdadit, do të vriten 130 persona e
305 do të plagosen.
Më 2007 pati luftime mes grupeve rivale palestineze, që në thelb
shkaktuan ndarjen më dysh të territoreve: Hamasi kontrollonte Rripin e
Gazës, ndërsa Fatahu e kontrollonte Bregun Perëndimor. Ndërsa, në
Pakistan, presidenti Pervez Musharraf më në fund pranon të largohet
nga posti i shefit të Ushtrisë. Këtë vit do të vritet
ish-kryeministrja pakistaneze, Benazir Bhutto, bashkë me 20 persona
tjerë gjatë një tubimi elektoral.
Benazir Bhutto
Në Birmani kishte protesta kundër juntës ushtarake. Protestat ishin të
udhëhequra nga murgjit budistë dhe ato u shtypën dhunshëm. Emisari i
OKB-së, Ibrahim Gambari, përpiqet vendosë dialogun mes ushtarakëve dhe
opozitares Aung San Suu Kyi. Kjo e fundit, fituese e çmimit Nobel për
Paqe, më 2017 është kryeministre e Birmanisë që do të hesht për krimet
e pushtetit ndaj myslimanëve rohingia.
Në Rusi, Vladimir Putin tregoi se kur të largohet nga posti i
presidentit në muajin mars, dëshiron që vendin e tij ta zë
zëvendëskryeministri i parë, Dmitry Medvedev. Në anën tjetër, Medvedev
tha se do të dëshironte që Putini të jetë kryeministër.
Dhuna në Sudan mbetet një nga shqetësimet më të mëdha humanitare.
Rajoni i Darfurit vazhdon të jetë i dërrmuar nga konfliktet. Gjatë
katër viteve të fundit, të paktën 200 mijë njerëz kanë vdekur dhe
miliona të tjerë kanë mbetur pa strehë.
Darfur, 2007
Më 2007, ICQ ishte platforma (Messenger) më e popullarizuar për
komunikim në internet. Nga ky vit nis përdorimi masiv i rrjeteve
sociale, ndërsa platforma WordPress lejonte secilin të krijonte shumë
lehtë një faqe interneti. Mu për këtë, më 2007 thuhet se nis epoka e
re e lajmeve të rreme. Kësaj i ka ndihmuar edhe përdorimi i telefonave
të zgjuar, sidomos pas 29 qershorit 2007 kur Steve Jobes prezanton
gjeneratën e parë të produktit iPhone.
Steve Jobes me iPhone në dorë
2017: ZGJEDHJE PA ZGJIDHJE
Pushtetit të njeriut që sundoi për 37 vite në Zimbabve, Robert Mugabe,
i erdhi fundi i turpshëm në pleqëri kur tanket e Ushtrisë dolën
rrugëve të Harares. Teksa vendin e la në varfëri, paga e tij mujore
ishte afro 19 mijë dollarë amerikanë, më e madhe se e liderëve të
shteteve të zhvilluara, si Holanda, Sllovenia, Irlanda, Hungaria,
Finlanda…
Në vitin 2017, në Birmani po ndodhin krime të tmerrshme. Rohingiat e
besimin mysliman shkelen më shumë se çdo pakicë tjetër në botë.
400,000 nga ta u detyruan të lënë tokat e tyre e të ikin në
Bangladesh. Vetëm në gusht e shtator janë vrarë afro shtatëmijë nga
ta.
Refugjatët rohingia
E 2017-ta shënon fillimin e fundit të grupit terrorist të njohur si
Shteti Islamik (ISIS), ndërsa në Arabinë Saudite nisin reforma nga
princi Mohammad bin Salman që për qëllim kanë eliminimin e
korrupsionit dhe modernizimin e shoqërisë.
Një nga rrezikuesit më të mëdhenj për paqen në botë ishte Koreja e
Veriut me kërcënimet e saja për përdorimin e armëve bërthamore. Në
anën tjetër, ishte vendosmëria amerikane për kundërpërgjigje ndaj
sulmeve eventuale, deri në zhbërje të këtij shteti. Raportet e mediave
dhe të analistëve thoshin se bota kurrë më afër një lufte nukleare nuk
ka qenë. Pos këtyre zhvillimeve, bota po ngrohet edhe më shumë, e
fuqia më e madhe në botë, SHBA-të, nuk bën gjë për ta “ftohur”. Në
fakt, lideri i këtij shteti, Donald Trump, anulon pjesëmarrjen në
Marrëveshjen e Klimës të Parisit, ndërsa nxit tensione tjera në
Lindjen e Afërt kur pranon Jerusalemin si kryeqytet të ri të Izraelit.
Disa ngjarje të mëdha shënuan Evropën më 2017. Britania e Madhe nis
procesin e largimit nga BE-ja, në Francë fiton Emmanuel Macron, e në
Gjermani sërish Angela Merkel. Këtë vit marrin çdo herë e më shumë
pushtet forcat e ekstremit të djathtë, ndërsa në Spanjë mbahet
referendumi për pavarësinë e Katalunjës me çka pushteti qendror reagon
duke caktuar zgjedhje të reja regjionale dhe duke shkarkuar qeverinë e
duke anuluar autonominë e regjionit.
Mbështetësit e referendumit në Katalunjë
Në vitin 2017, Maqedonia hyri me një krizë politike, për shkak të
vështirësisë për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme
parlamentare të 11 dhjetorit 2016. Më 27 prill, për herë të parë
kryetar i Parlamentit të Maqedonisë do të emërohet një shqiptar, Talat
Xhaferi. Nga emërimi i tij u tërbuan anëtarët e iniciativës të
ashtuquajtur “Për Maqedoni të përbashkët”, duke sulmuar Kuvendin e
duke u lënduar afro 100 persona. Më 17 maj, presidenti i Maqedonisë,
Gjorge Ivanov, ia dorëzoi mandatin Zoran Zaevit, liderit të Lidhjes
Social-Demokratike të Maqedonisë (LSDM) për të formuar qeverinë e re
në Maqedoni. Më 2 nëntor ndodh dënimi i 37 të akuzuarve për luftimet
në maj 2015 në Kumanovë. Ata morën dënim me burg prej 12 deri në 40
vjet.
Talat Xhaferi
Ndërkohë, më 18 shkurt, opozita në Shqipëri e udhëhequr nga Partia
Demokratike, nisi protestën që zgjati tre muaj në çadrën e vendosur në
Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Kërkesa e tyre ishte
dorëheqja e Qeverisë së Edi Ramës, krijimi i një qeverie teknike dhe
organizimi i zgjedhjeve parlamentare.
Më 28 prill, Ilir Meta zgjidhet president i vendit. Më 25 qershor
mbahen zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste e Shqipërisë fiton
duke siguruar 70 deputetë. Partia Demokratike fitoi 43 mandate; Partia
Lëvizja Socialiste për Integrim – 19 mandate; Partia Drejtësi,
Integrim dhe Unitet – tri mandate; dhe Partia Social Demokrate – një
mandat. Më 9 shtator, Gramoz Ruçi i Partisë Socialiste zgjidhet
kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. E, më 13 shtator, Edi Rama merr
votëbesimin e deputetëve për mandatin e dytë qeverisës.
Më 27 nëntor, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës
kanë mbajtur mbledhjen e katërt të përbashkët në qytetin e Korçës,
ndërsa në përfundim të saj u nënshkruan disa marrëveshje dhe
protokolle bashkëpunimi të cilat kurrë nuk po japin ndonjë zbatim e as
rezultat.
Pamje nga protesta e opozitës në Shqipëri
Viti 2017 ishte me shumë të papritura në Kosovë. Më 4 janar, kryetari
i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndalohet
nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të
lëshuar në vitin 2004. Ai do të lirohet 27 prill.
Më 14 janar ndodh një provokim: nga Serbia niset një tren, me qëllim
të lansimit të linjës hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Ky veprim u
vlerësua nga pala kosovare si një provokim i rëndë, meqë në tren
kishte shënime se Kosova është Serbia. Treni nuk hyri e të gjithë në
Kosovë nisën të shtyhen se e ndalën trenin. Por, e vërteta është se
treni u ndal nga… makinisti! Edhe më 4 shkurt nisi një tjetër “betejë”
për merita: shembja e një muri ilegal në veri të lumit Ibër. Ç’është e
vërteta, çdo ditë trenat vijnë nga Serbia në veri të vendit, ndërsa ai
muri nuk është se u zhduk krejt!
Provokimet nga Serbia nuk kanë të ndalur – i ashtuquajturi “Treni rus”
Më 7 mars, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inicioi
projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK),
i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në
Ushtri të Kosovës. Por, u tërhoq, sepse ndërkombëtarët thanë që
Ushtria duhet të formohet me ndryshime kushtetuese.
Më 10 maj bie Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa. Kosova u fut në
valë të re zgjedhjesh.
Më 11 qershor mbahen zgjedhjet e parakohshme të Përgjithshme në
Republikën e Kosovës, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti
politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë.
Rezultatet ishin këto: Koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) fitoi 33,74 për
qind të votave (39 deputetë); Lëvizja Vetëvendosje fitoi 27,49 për
qind të votave (32 deputetë); koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa)
fitoi 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë
janë nga partitë e minoriteteve.
Vendi u fut në një ngërç të ri i cili zgjidhet tek më 7 shtator kur
Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, u zgjodh kryetar i Kuvendit të
Kosovës. Ndërsa, më 9 shtator, Ramush Haradinaj mezi zgjedhjet
kryeministër – me 61 vota pro. Qeveria e re e Kosovës, më e brishta
deri sot u formua nga koalicioni i këtyre partive: Partia Demokratike
e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA për
Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lista Serbe.
Transformimi i FSK-së do të jetë temë edhe e vitit 2018
Më 22 tetor u mbajtën zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në
këto zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një
koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë
të pavarur. Pas balotazhit të mbajtur më 19 nëntor, rezultati ishte
ky: LDK fiton tetë komuna (Pejë, Lipjan, Fushë Kosovë, Viti, Gjilan,
Istog, Podujevë, Vushtrri), AAK fiton shtatë komuna (Deçan, Junik,
Gjakovë, Klinë, Obiliq, Suharekë, Rahovec), PDK fiton pesë komuna
(Drenas, Dragash, Kacanik, Shtime, Ferizaj), Vetëvendosje fiton tri
komuna (Prishtinë, Prizren, Kamenicë), Nisma fiton në Malishevë, AKR
në Mitrovicën e Jugut, ndërsa dy kandidatë të pavarur fitojnë në
Skenderaj (Bekim Jashari) dhe Han të Elezit (Refki Suma). E, Lista
Serbe fiton nëntë komuna.
Madagaskari dhe Bangladeshi njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, në
dhjetor, Kosova rrezikon raportet me miqtë ndërkombëtar nga një nismë
për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Vendi po ashtu nuk e ka zgjidhur
çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Në prag të 10-vjetorit të
pavarësisë, Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë e me
perspektivën më të zymtë si rezultat i papunësisë e nivelit të lartë
të korrupsionit.
Ekonomia globale ka shënuar rritje këtë vit, ndërsa risi ishte rritja
e vlerës së kripto-valutave.
Më 2017 vdiqën aktorët Jerry Lewis dhe Roger Moore (i cili në vitet
1973-1985 luajti në gjashtë filma të James Bondit), muzikantët Chuck
Berry, Fats Domino dhe Tom Petty, publikuesi i revistës Playboy, jetën
e të cilit shumëkush e ëndërronte – Hugh Hefner; regjisori Jonathan
Demme; diplomatët Zbigniew Brzezinski dhe njeriu që bashkoi
Gjermaninë, Helmut Kohl; albanologu Robert Elsie; aktorët e Kosovës,
Hadi Shehu dhe Blerim Peci; shkrimtarët Ramiz Kelmendi, Dritëro Agolli
e Murteza Xajë Nura…
Pamjet e shpeshta të kërkuesve të vizës, para ambasadave perëndimore
në Prishtinë
2027: MUGABE?
Emrat që përmenden më 1997, dominuan skenën politike të Kosovës deri
më 2017. Mugabe, i lindur më 1924, tashmë është i vdekur. Kjo është e
sigurt! Mbase…!?
Agron Shala