Eshrefollu Rumiu “Qiriu i Perandorisë Osmane”.

20 views
Skip to first unread message

Hamdi Nuhiju

unread,
Feb 27, 2013, 6:37:36 PM2/27/13
to Shqiprim Arifi, Gazeta Shqiperia, cameria, kosova...@yahoogroups.com, fjala...@googlegroups.com, Alb Students, Hamdi Nuhiu

Porti ynë i ri në Detin e diturisë së Anadollit do të jetë Eshrefollu Rumiu, i cilësuar nga teologu i kohëve moderne, Mustafa Kara, si “Qiriu i Perandorisë Osmane”.

Deti i diturisë së Anadollit 07
Postuar më 27.02.2013 13:36:04 UTC
Përditësuar më 27.02.2013 14:04:25 UTC

            Sekreti i fuqisë dhe jetëgjatësisë së shtetit, që u formua nga osmanët dhe mbisundoi për qindra vite me radhë në Anadoll e hapësirat gjeografike përreth tij, ka ngjallur gjithnjë kureshtje të madhe. Disa historianë e lidhin këtë fakt me strukturën shoqërore të turqve, disa të tjerë me konjukturën historike, ndërsa të tjerë me traditat e tyre shtetërore. Dhe në të vërtetë secila prej të gjitha këtyre renditen mes arsyeve, që shpjegojnë fenomenin në fjalë. Por në thelb, ajo që i ka ndikuar më shumë dhe i ka bërë më të fuqishëm otomanët, është flaka ndriçuese e zjarrit të diturisë, që kanë ndezur evliatë e Anadollit. Dijetarët e mëdhenj, që i kanë ngarë pas dijes dhe të vërtetës, janë bërë qirinj për osmanët dhe iu kanë garantuar atyre frymën, dritën e mendimit, që i ka ushqyer ata në marshimin e tyre galopant historik.

            Porti ynë i ri në Detin e diturisë së Anadollit do të jetë një nga këta qirinj të urtësisë: Sot do të njihemi me Eshrefollu Rumiun.

            Eshrefollu Rumiu, të cilin teologu i kohëve moderne Mustafa Kara e cilëson si “Qiriu i Perandorisë Osmane”, ishte një dijetar fetar, sufist dhe poet, që ka jetuar në fund të shekullit të 15-të.

            Eshrefollu ishte një person, që deri në moshën 40-vjeçare kishte marrë një arsim mbi standardet e asaj kohe dhe konsideroj si një autoritet i lartë e kompetent i zoti veçanërisht në fushën e të drejtës fetare. Gjatë periudhës që vijonte studimet dhe e kalonte thuajse të gjithë kohë mbi libra voluminozë, në zemrën e këtij ashiku të dijes kishte rënë edhe një tjetër zjarr: Ishte dashuruar me “misticizmin islam”. Ai kishte filluar të ushqente përbrenda vetes një ndjenjë dashurie për filozofët islamë, pasi ata kishin një stil të veçantë, me të cilin u drejtoheshin njerëzve dhe arrinin të pushtonin shumë shpejt zemrat e tyre. Dhe me të mbushur 40 vjeç Eshrefollu i dha fund plotësisht arsimimit të tij shkencor për t'iu vënë rrugëve në kërkim të një mjeshtri, që do t'i hapte atij portat e diturisë së vërtetë, asaj më mistikes, më tërheqëses dhe padyshim më të vështirë.

            Fillimisht Eshrefollu ka vizituar për periudha jo shumë të gjata disa qendra të ndryshme sufizmi, por më në fund është lidhur me Haxhi Bajram Veliun, është bërë nxënës i tij dhe nuk i është ndarë këtij dijetari të madh për një kohë të gjatë. Ai i ka shërbyer Haxhi Bajram Veliut deri në moshën 50-vjeçare.

            Pa kaluar shumë Eshrefollu Rumiut, i cili mësime rreth filozofisë islame ka marrë edhe nga emra të tjerë, i erdhi radha që t'i ushqente vet ai njerëzit nga arteriet e Detit të diturisë së Anadollit. Dhe ai, i veshur me petkun e një mësuesi të madh, do të fillonte t'u shpjegonte njerëzve të fshehtat e të vërtetës, domosdoshmëritë e qenies njerëzore, sekretet e nevojshme për të arritur pjekurinë shpirtërore.

            Faktikisht, për një kohë relativisht të gjatë Eshrefollu nuk ka pasur shumë dëshirë për t'u përzierë mes njerëzve e për t'u përcjellë atyre njohuritë e tij. Sepse atij i pëlqente jashtë mase vetmia dhe mundësia, që ajo i krijonte për ta ndjerë Perëndinë sa më afër. Por punët ndryshojnë kur ai kapet dhe robërohet nga një fshatar në majat e një mali, ku ishte ngujuar vetëm për t'iu shmangur njerëzve, që kishin dëgjuar famën e tij. Fshatari kujtonte se kishte shtënë në dorë një keqbërës dhe donte t'ia dorëzonte atë forcave të rendit. Megjithëse në fund të aventurës fshatari e kuptoi të vërtetën dhe i kërkoi ndjesë këtij dijetari të madh, kjo ngjarje e çuditshme e detyroi Eshrefollu Rumiu të rikthehet në mesin e njerëzve. Këtej e tutje Eshrefollu, i cili zbriti nga majat e maleve, do të bëhej një banor i përhershëm i zemrave të njerëzve.

            Edhe pse ishte i rrahur me një disiplinë rigoroze akademike, Eshrefollu Rumiu kishte një karakter, që nuk pasqyronte as më të voglën shenjë nga vrazhdësia dhe ftohtësia e atëhershme e shkencës. Përkundrazi, romanticizmi i tij letrar e shtynte atë drejtpërsëdrejti në prehrin e poezisë. Dhe në fakt nuk ka asnjë pikë dyshimi që radhët e para në letërsinë botërore të poezisë lirike i zënë poetët sufistë. Madje me akumulimin e ndjenjave dhe intensitetin shpirtëror të letrarëve sufistë nuk mund të krahasohen as poetët më të suksesshëm të dashurisë në Perëndim dhe Lindje.

            Eshrefollu e dinte më së miri që poezia është rruga më e përshtatshme për t'iu drejtuar natyrës së njeriut dhe për ta nxjerrë shpirtin në shesh me gjithë lakuriqësinë e tij. Ai ishte një nga ata dijetarë, që në udhëtimin e tyre shpirtëror kishin arritur me sukses t'i kuptonin sa të ngushtë janë kufijtë njerëzorë dhe të fluturonin përtej tyre. E padyshim vetëm poezia mund t'i përshtatej këtij dimensioni pa kufij, kësaj pafundësie.

            Poezitë e Eshrefollu Rumiut nuk ngjasojnë me ato plot ankthe dhe shqetësime të përditshme të poetëve perëndimorë. Ato nuk devijojnë në stacione tragjike dhe nuk paraqesin skena dramatike. Sepse ky dijetar i madh, që ashtu si tërë sufistët e tjerë kishte përvetësuar Krijuesin si të vërtetë të vetme, ishte i ngopur me filozofi të rreme. Pena dhe fjala e tij ishin nën urdhrin e dashurisë hyjnore. Ai ishte dehur me këtë ndjenjë:

            Dashuria më ka rrëmbyer mendjen,

            Prandaj ti mos më pyet për mua,

            Unë s'po mund të gjej as veten,

            E si mund të të them çfarë dua?

            Falë veprave të tij të shumta, më e njohura prej të cilave është libri me titull “Muzekkin-Nufus” (Pastrus i Egove), Eshrefollu Rumiu është bërë për qindra vjet me radhë një burim, që trajtëson kujtesën e popujve të Anadollit. Gjuha e thjeshtë dhe e natyrshme, që ai ka përdorur, por edhe entuziazmi i pafund i ndjenjave, që përcjellin sot e kësaj dite vjershat e tij, kanë bërë që atë ta duan një numër mjaft i madh njerëzish. Këtu duhet të theksojmë se disa nga vargjet, që e shpjegojnë më mirë dashurinë në poezinë turke, mbajnë pikërisht firmën e Eshrefollu Rumiut.

            Dijetarët, që vrapojnë pas sevdasë, duket se sa më shumë që u shtohet dashuria për Zotin aq më shumë u venitet ekzistenca. Ashtu si në shembullin e Eshrefollu Rumiut, atyre u rrëmbehet egoja. E drejtë, të urtët lejojnë që t’u rrëmbehet egoja, por pasuria, që ata fitojnë më pas, është shumë më e madhe. Në këmbim të egos, që ata e shkelin me këmbë, evliatë fitojnë shpirtin. Kështu ata zotërojnë nga një shpirt të çliruar, të bërë njësh me natyrën dhe Perëndinë. Madje mund të thuhet se çdonjëri prej tyre është ekzistenca vet.

            Si çdo sufist tjetër edhe Eshrefollu Rumiu e përjetonte, ndjente Krijuesin brenda zemrës së tij dhe shkrihej e bëhej njësh me Të. Por as kjo nuk i mjaftonte atij. Ai kërkonte gjithnjë më shumë, sepse dashuria hyjnore ishte e pafund sipas sufistëve.

            Çdo gjë që sytë u shikonin dhe veshët u dëgjonin ata e konceptonin si një shenjë nga Zoti. Ata e konsideronin gjithçka si të lidhur me njëra-tjetrën nëpërmjet një sekreti hyjnor. Ja pra, një ndjenjë e tillë është edhe “Bashkimi i Ekzistencës” (Vahdet-i Vuxhud), e cila është njëkohësisht ideja parësore e metafizikës sufiste. Të jetosh larg kësaj ndjenje, është tortura më madhe e mundshme për ta.

            Njeriu është një lloj robi i egos së tij që nga lindja deri në vdekje. Të gjithë dijetarët e Anadollit kanë sjellë në popull një valë rebelimi kundër këtij robërimi tinëzar. Dhe qindra-mijëra njerëz, që nuk kanë dashur të bëhen robër të egos së tyre, i kanë çliruar shpirtrat e tyre duke iu përmbajtur këshillave të këtyre dijetarëve.

            Për Eshrefollu Rumiun lënda djegëse esenciale e rebelimit në fjalë ishte dashuria, ajo hyjnore dhe e vërtetë, Edhe ai, njësoj si Junus Emreja dhe Mevlana, ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij përvëlimit në këtë zjarr.

            Eshrefollu Rumiu ishte plotësisht i vetëdijshëm se dashuria, edhe pse mundëson bashkimin e më shumë se një palëve, në fakt eliminon ndarjet dhe i unifikon palët në një trup të vetëm. Prandaj theksi, që vet Eshrefollu Rumiu dhe të gjithë dijetarët e tjerë të Anadollit vendosin mbi dashurinë, në thelb është një apel për bashkim.

            Dhe për çdo njeri, që kërkon të plotësohet, të arrijë pjekurinë dhe bashkimin e ekzistencës, ka vetëm një mënyrë të vlefshme veprimi:

            “... të jetosh vetëm si një ashik dhe të zhytesh pa frikë në detin e pafund të dashurisë...”

Reply all
Reply to author
Forward
0 new messages