Mevlana Xhelaludin Rumi

86 views
Skip to first unread message

Hamdi Nuhiju

unread,
Feb 12, 2013, 3:04:48 PM2/12/13
to Shqiprim Arifi, Gazeta Shqiperia, cameria, kosova...@yahoogroups.com, fjala...@googlegroups.com, Alb Students, Hamdi Nuhiu

DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 06

Këtë javë do të njihemi me Mevlana Xhelaledin Rumiun, një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm dhe evliatë më të famshëm anadollas në botë.

http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=f6d84ca2-e219-456a-ab45-244fc97e115f

Deti i diturisë së Anadollit 06
Postuar më 11.02.2013 09:50:52 UTC
Përditësuar më 11.02.2013 09:50:52 UTC

            Turkistani është një nga burimet më të mëdha të urtësisë, që derdhen në Detin e diturisë së Anadollit. Drita e zjarrit, që kanë sjellë nga ato vise njerëzit e zemrës dhe dijes, të cilët ndryshe njihen edhe si “Ushtarët e Horasanit”, vazhdon ta ndriçojë edhe sot Anadollin.

            Një nga “Ushtarët e Horasanit”, që u ra rruga nga Anadolli në shekullin e 13-të, është edhe Bahadin Veledi. Ky dijetar i madh, që asokohe njihej më tepër me epitetin “Sultan'ul-Ulema” e që në shqip përkthehet “Mbreti i Dijetarëve”, krahas bagazhit të tij mjaft të madh të njohurive, solli me vete në Anadoll edhe një dhuratë të rëndësishme. Dhurata e çmuar në fjalë ishte i biri, Mevlana Xhelaledin Rumiu, i cili përmendej që në moshë të re si “Oqeani i Dijeve”.

            Periudha, në të cilën jetoi ai, ishte një epokë ku detet e diturisë kishin ngrirë e ishin kthyer në akuj. Njohuritë rridhnin drejt deteve në trajtën e lumenjve të mëdhenj teksa diçka sikur mbetej mangët. Kjo gjë, mungesa e të cilës ndihej padyshim, ishte dashuria. Pa ndjenjë dhe dashuri dituritë ishin krejt të ftohta dhe të ngurta.

            Ja pra, Mevlana Xhelaledin Rumiu u bë një nga evliatë anadollas, që shkrinë akujt e diturisë. Dhe ne këtë javë do të njihemi pikërisht me këtë njeri të jashtëzakonshëm.

            Mund të themi padyshim se në botë pothuajse të gjithë kanë dëgjuar apo lexuar diçka për Rumiun. E cila na qenka ajo fjalë e re, që nuk është përdorur më parë për të shprehur madhështinë e tij? Ai, mbi të gjitha, është ngrohtësia e dashurisë. Dhe pavarësisht se i zotëronte të gjitha shkencat e asaj kohe, Mevlana fliste me gjuhën e ndjenjave. “Ne jemi lindur nga dashuria... Dashuria është nëna jonë”, thoshte ai. A nuk dinte edhe Rumiu të shkruante disa libra akademikë e të mburrej me njohuritë e tij?! Por jo, ai kishte zgjedhur oratorinë e ndjenjës, atë që buronte nga zemra dhe shpirti. Në vend të largimit, izolimit nga jeta, ai këshillonte pushtimin, përqafimin e saj me plot dashuri. Mevlana nuk u ngjante aspak dijetarëve, që uleshin mënjanë gjithë përtaci. Ai shëtiste brenda jetës sikur vallëzonte, madje rekomandonte që jetës dhe dashurisë t'i jepej haku.

            Një ditë, duke shëtitur në një nga çarshitë e Konjës, ai ndaloi papritur përpara dyqanit të farkëtarit dhe nisi të dëgjojë me vëmendje të madhe zërat, tingujt e tjerë, që vinin nga pazari. Sa i përsosur ishte rendi ritmik dhe harmonia, me të cilën jeta vazhdonte?! Sa më fortë që godiste çekani i farkëtarit, aq më thellë e ndjente në zemër Mevlana ritmin e jetës. Dhe atje ku ndodhej, ai ia dorëzoi veten këtij ritmi. Filloi të rrotullohej rreth vetes me dashuri. Ja pra, kjo ngjarje është edhe pikënisja e valles hyjnore, të famshmes “sema”. Rumiu e kishte mbërthyer jetën nga zemra.

            Vallja rituale e dervishëve rrotullues, e shoqëruar me tingujt e fyellit (nej), është mjet i të njohurit frymëzues, i cili e ringjall shpirtin dhe tejkalon kohën aktuale duke paraqitur vdekjen para vdekjes fizike. Ekstaza mistike e riaktualizon parakrijimin me flakjen e gjendjes ëndërruese dhe botës së epsheve, në të cilën është i mbytur besimtari me natyrën e vet trupore, përkatësisht ndodhet në gjendjen e shpërfilljes (gaflet).

            Ky dijetar, poet dhe filozof i shquar, që veprën e tij të famshme “Masnavi” e emërtonte si “dyqani i bashkimit”, në atë çast arriti “bashkimin”, sekretin e jetës. Dhe gjatë gjithë jetës pulsi i tij rrahu gjithnjë me entuziazmin e këtij “bashkimi”. Ishte pikërisht kjo ndjenjë “bashkimi” ajo, që i lidhte ngushtë ndjekësit e tij me të dhe vet atë me gjithësinë.

            Padyshim që numri i nxënësve, ndjekësve të tij ishte tepër i madh. Rumiun e donin si sulltanët, ashtu edhe bujqit; atë e admironin qoftë intelektualët e artistët, qoftë edhe të pashkollët. Parimet e tij frymëzuan shumë dijetarë, rapsodë, poetë, muzikantë, piktorë dhe skulptorë. Madhështia e Mevlanës nuk kuptohet vetëm nga veprat e tij, por edhe nga masat që vazhdojnë ta ndjekin edhe qindra vite më vonë.

            Rumiu, siç e dini edhe ju, njihet si poeti i dashurisë. Dashuria hyjnore nënkupton dashurinë e dyanshme: Dashurinë e Perëndisë ndaj njeriut dhe të njeriut ndaj Tij. Afërsia dhe gjithëprania e Zotit ndaj robit dëshmohet në Kuran. Mevlana thotë: “Dashuria është veti e Krijuesit, prandaj s’ka mangësi – hija që hedh mbi tjetër gjë, nuk duhet marrë për dashuri. Të tjerët bukurinë e kanë si të bukurën inxhi: Nga jashtë shkëndija rrezaton, por brenda ka veç tym e hi”.

            Një dashuri e këtillë, e dyanshme, ndërmjet Perëndisë (mashuk) dhe njeriut (ashik), ka një natyrë të përbashkët, ajo është dritë që ndriçon gjithkund dhe gjithmonë, ajo paraqet dritën e sinqertë të ekzistencës dhe të ftesës për ekzistencë në realitet. Dashuria e Perëndisë ndaj njeriut në literaturën sufiste shprehet me simbolin e verës.

            Mevlana ishte dijetar i lartë, që u shndërrua në poet, prej poetit kaloi në shkallën e të sprovuarit, më pas u deh për mos t'u zhdehur nga vera e kulluar e burimit të dashurisë, në fund ishte shpirt i ndritur, i cili u tret në verën e dritës për të ndriçuar rrugëtimin e të dashuruarve. Duke falënderuar fuqinë transfigurative të dashurisë, çdo krijesë në vete  mbart dëshirën e papërmbajtur, që të gjithë qenien e vet ta shkrijë në burimin prej nga edhe ka zanafillën, kur i dashuri dhe i dashuruari kanë qenë një. Gjendja parakrijuese ka qenë ideale në krahasim me gjendjen e ekzistencës, të cilën njerëzit e kanë fituar me aktin e krijimit. Larmia e formave të krijimit, perceptohet si vet zbulim hyjnor.

            Nuk ka vend as për më të voglin dyshim se Mevlana Xhelaledin Rumiu ishte një mysliman i devotshëm. Ai nuk ishte thjesht një humanist, si mundohen ta paraqesin disa, që hiqen për të mençur. Por edhe koncepti i tij fetar nuk shkonte kurrë deri në fanatizëm. Po, ai vërtetë bënte thirrje për “sheriat”, por atë që shpjegonte, Mevlana e quante “sheriati i dashurisë”. E drejta dhe rruga e ashikëve ishte Perëndia, përtej kësaj nuk kishte asgjë. Sipas Rumiut, rrugët, që të çojnë te Krijuesi, janë të hapura për të gjithë ata, që përpiqen mjaftueshëm. E vetmja gjë që duhet bërë është të flaken tutje thesaret e kësaj bote për t'u pasuruar me dashurinë e Hyjit. Ashtu siç ai theksonte gjithmonë, njeriu ka nevojë për dy gjëra: “Dashuri dhe dy sy të përlotur.”

            “U mërzita nga këta shokë qullashë”. thoshte ai. Dhe padyshim ajo që Mevlana linte të kuptohej ishin personat, që përpiqeshin të bëheshin dijetarë pa u lodhur aspak. Mirëpo vallë a mund të bëhesh dijetar vetëm duke ngrënë, pirë dhe fjetur? Kjo është një punë mundi, përpjekjeje dhe dashurie. Dashuria; pra një çështje besnikërie dhe vetësakrifikimi... Bota nuk është as një vend statik! As jeta nuk është e tillë. Ka gjithnjë një lëvizje, një krijim. Dhe Rumiu e dinte shumë mirë këtë gjë. Prandaj u vu në kërkim të sekreteve të gjenezës dhe ato, që arriti t'i zbulojë, ua transmetoi edhe njerëzve...

            Mevlana u bë shërim për zemrat dhe melhem për hidhërimet.

            Meqenëse e dinte shumë mirë prirjen e njeriut për ty zhytur në gjumin e shpërfilljes, Rumiu ka përdorur gjithnjë një stil tronditës. Çdo fjalë e tij është një shpatë “plot perla ribashkimi”. Një shpatë kjo që i ringjallë njerëzit.

            Ai i fton të gjithë “të vdesin përpara vdekjes fizike”. Ja pra, në këtë thënie fshihet një nga inxhitë më rrezatuese dhe një nga temat më të thella të Detit të diturisë së Anadollit. Sepse ai, që e vret në zemrën e tij botën, e cila nuk është gjë tjetër veçse një fushë loje, do të lejë në një jetë krejtësisht të re. “Kjo botë është një zindan (burg), thyeji prangat dhe çliroje veten”, thotë Mevlana. Njeriu do të rizgjohet dhe do të fitojë gjallërinë e vërtetë vetëm kur të ketë mposhtur nefsin, pra botën e tij të brendshme. E thënë ndryshe, njeriu që fiton betejën me botën e tij të brendshme, do të ketë një diell, që do të ndriçojë me risi botën e vjetër.

            Kjo thënie nuk është një fjalë boshe; prova e saj është vet Mevlana.

            Pas një jete relativisht të gjatë dhe jashtëzakonisht të frytshme në fushën e edukimit të nxënësve të tij, e mbi të gjitha pas një prodhimtarie të begatshme të veprave të shkruara në prozë dhe poezi, Mevlana Xhelaledin Rumiu më datë 17 dhjetor 1273 kaloi në amshim, e cila në tërë botën njihet si Shebi Arus-Nata e Martesës. Ai u varros në Konja dhe varri i tij mban emrin Tyrbja Jeshile, ashtu si edhe xhamia pranë. E megjithatë, saktësisht siç e kishte parashikuar ai vet, thëniet e tij nuk mbetëm vetëm si fjalë. Ato u bënë çelësa, që hapin porta të panumërta në Lindje, Perëndim, Veri dhe Jug. Hartat, paralelet dhe meridianët e humbasin vlerën kur dëgjohet një fjalë e tij. Sot, si në Lindje të Mesme ashtu edhe në Amerikën Veriore, brenda librave më të lexuar ka gjithnjë vepra të tij. Madje disa vargje të tij kumbojnë edhe në veshët e atyre, që nuk e kanë njohur fare Rumiun:

“Eja, prapë eja, përsëri eja,
Si do që të jesh,
I pafe qofsh, zjarradhurues qofsh,
Njëqind herë në ke bërë pendim,
Njëqind herë në e ke prishur pendimin,
Kjo nuk është portë e pashpresës,
Si do që të jesh, ashtu eja!...”

Reply all
Reply to author
Forward
0 new messages