ISRAJA E MIRAXHI DHE POROSITË E TYRE
Falënderimet i takojnë All-llahut xh.sh., Krijuesit të gjithësisë, Udhëzuesit të njerëzimit, kursepërshëndetjet mbi Muhammedin a.s. i cili është dërguar si mëshirë për mbarë njerëzimin!
Në vitin e 12-të të pejgamberisë, i dëshpëruar nga vdekja e xhaxhait-Ebu Talibit dhe
bashkëshortes së tij-Hatixhes dhe i lodhur nga refuzimet e mundimet që ia bënin mushrikët e Mekkes e të rrethit të saj, Muhammedi a.s. qetësohet e ngushëllohet me ftesën që ia bëri Allahu xh.sh. për t’u takuar me të në hapësirat e larta qiellore. Kjo është njëra prej muxhizeve (ngjarjeve të jashtëzakonshme) të Muhammedit a.s., krahas muxhizes më të madhe të tij që ishte shpallja e Kur’anit fisnik, i cili ka qenë e do të mbetet i paarritshëm e i papërsëritshëm. Sipas shumicës së historianëve, kjo ngjarje ka ndodhur në natën e 27-të të muajit Rexhep, një vit para se Muhammedi a.s. të shpërngulej prej Mekkes për në Medine. Kjo ngjarje, e cila quhet Isra (udhëtim nate prej Mekkes deri në Mesxhidul Aksa, Jerusalem) dhe Miraxh (ngjitje në sferat e larta qiellore), përmendet si në Kur’an ashtu edhe në hadithet e Pejgamberit a.s. Në Kur’an një kaptinë e tërë quhet el-Isra, në ajetin e parë të së cilës All-llahu xh.sh. thotë: “Pa të **** është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi”.
Në këtë ajet përmendet vetëm njëri udhëtim, Israja, kurse për Miraxhin flitet në suren en-
Nexhm, ajetet 1-18:
“Pasha yllin kur bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhamedi që ju e njihni) nuk ka
humbur, e as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga dëshira e tij. Ai (Kur'ani) nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet. Atë ia mësoi, Ai fuqiforti (Xhibrili). Që ka mendje precize dhe që u përqendrua në formën e vet (reale). Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë (nga lindja). Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kute) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy). A po I bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhennetul Me'va (kopsht strehimi). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.”
Ndërsa nga tradita e Muhammedit a.s. kemi këtë rrëfim:
Enesi r.a. rrëfen prej Malik ibnu Sa’sa’as r.a., i cili i ka përcjellë fjalët e Pejgamberit a.s. që I ka shprehur kur ai u ka treguar atyre për natën e Israsë dhe Miraxhit, duke thënë: “Derisa isha në Hatim (pjesë pranë Qabes) - sipas një transmetimi thuhet edhe kjo: në një gjendje midis gjumit e zgjimit - më erdhi njëri dhe ma çau (gjoksin) prej këtu e deri këtu (duke bërë me shenjë prej zgavrës së fytit e deri ku mbijnë qimet në fund të barkut). Ma nxori zemrën dhe e sollën një enë floriri të mbushur me iman-besim, ma lanë, ma mbushën (me iman) dhe ma kthyen në vend. Pastaj ma sollën një kafshë të bardhë që ishte më e vogël se mushka e më e madhe se gomari. Ky ishte Buraku, i cili merrte rrugë duke i vënë këmbët e para atje ku mbërrinte shikimi. Më hipën mbi të. Më mori me vete Xhibrili a.s. dhe mbërritëm deri te qielli i dunjasë. Lypi leje për t’u hapur dera. I thanë (melekët mbrojtës të qiellit): ‘Kush është?’ U tha: ‘Xhibrili’. I thanë: ‘Kush është me ty?’ U tha: ‘Muhammedi a.s.’ I thanë: ‘A i qenka dërguar ftesa për miraxh?!’ U tha: ‘Po’. Thanë: ‘Mirë se vjen! Na gëzon ardhja e tij!’ U hap dera dhe sapo hyra brenda e pashë Ademin a.s. Xhibrili më tha: ‘Ky është babai yt, Ademi. Përshëndete!’ Unë e përshëndeta. Ma ktheu përshëndetjen (selamin) dhe më tha: ‘Mirë se vjen, o bir dhe pejgamber i mirë!’ Pastaj Xhibrili a.s. më ngjiti më lartë derisa mbërritëm te qielli i dytë. (Përsëritet biseda e Xhibrilit a.s. me melekët e tjerë). U hap dera dhe sapo hymë brenda e pashë Jahjanë dhe Isain a.s., të cilët ishin djem tezeje. U përshëndetëm ...Pastaj Xhibrili më ngjiti deri te qielli i tretë. (Përsëritet biseda e Xhibrilit a.s. me melekët e tjerë). Na u hap dera dhe sapo hymë brenda, kur ja e pashë Jusufin a.s. U përshëndetëm...Pastaj Xhibrili a.s. më ngjiti më lartë derisa mbërritëm te qielli i katërt. (Përsëritet biseda e Xhibrilit a.s. me melekët e tjerë). U hap dera dhe sapo hymë brenda e pashë Idrisin a.s. U përshëndetëm...Pastaj Xhibrili a.s. më ngjiti më lartë derisa mbërritëm te qielli i pestë.
(Përsëritet biseda e Xhibrilit a.s. me melekët e tjerë). U hap dera dhe sapo hymë brenda e
pashë Harunin a.s. U përshëndetëm...Pastaj Xhibrili a.s. më ngjiti më lartë te qielli i gjashtë.
(Përsëritet biseda e Xhibrilit a.s. me melekët e tjerë). U hap dera dhe sapo hymë brenda e
pashë Musain a.s. U përshëndetëm...Kur e kalova atë, ai filloi të qajë. E pyetën: ‘Përse
qanë?’ U tha: ‘Qaj, ngase pas meje do të vijë një pejgamber i ri, ummeti i të cilit më tepër do të hyjnë në Xhennet sesa ummeti im’. Pastaj Xhibrili a.s. më ngjiti deri te qielli i shtatë.
(Përsëritet biseda e Xhibrilit a.s. me melekët e tjerë). U hap dera dhe sapo hymë brenda e
pashë Ibrahimin a.s. U përshëndeta edhe me këtë... Pastaj më ngjitën në Sidretu’l-Munteha. Frutat e saj ishin të mëdha si hidet (xinxifet) e Hexherit (qytezë në Jemen), kurse gjethet I kishte si veshët e elefantit. Xhibrili më tha: ‘Kjo është Sidretu’l-Muntehaja’. Aty pashë katër lumenj: dy të jashtëm e dy të brendshëm. I thash: ‘Ç’janë këta, o Xhibril?’ Më tha: ‘Këta të brendshmit janë dy lumenj në Xhennet, kurse të jashtmit janë Nili dhe Eufrati’. Pastaj më ngjitën në Bejtu’l-Ma’mur. Pastaj më sollën një enë me verë, një me qumësht dhe një me mjaltë. Unë e mora atë me qumësht. Xhibrili më tha: ‘Kjo është ajo natyrorja (fitrah), në të cilën gjendesh ti dhe ummeti yt’. Pejgamberi a.s. në vazhdim tha: Pastaj mu bënë farz 50 kohë namaz. U ktheva prapë dhe kalova pranë Musait a.s. Ai më pyeti: ‘Ç’të porositi Zoti?’ I thashë: ’50 kohë namaz gjatë ditës dhe natës’. Më tha: ‘Ummeti yt nuk do të mund t’i falë 50 kohë namaz për çdo ditë. Vallahi, unë i kam provuar njerëzit më parë se ti. I kam provuar Beni Israilët me mënyrën më të rëndë (e nuk pata sukses). Kthehu te Zoti dhe lute t’ia lehtësojë ummetit tënd!’ U ktheva e luta Zotin, m’i pakësoi 10. U ktheva te Musai. Më pyeti: ‘Ç’të porositi?’ I thashë: ‘M’i hoqi 10’. Ma tha të njëjtën dhe kështu vazhdoi derisa u urdhërova me 5 kohë namaz. Edhe për këtë Musai ma tha të njëjtën fjalë. I thashë: ‘I jam lutur Zotit aq shumë sa turpërohem më ta lus. Pajtohem me kaq dhe i nënshtrohem këtij urdhri’. Sapo e kalova Musain, një zë më tha: ‘Tanimë e kam përcaktuar farzin tim dhe ua kam lehtësuar robërve të Mi’. (Në një transmetim tjetër thuhet edhe kjo): ‘Ato janë 5 sa 50 për çdo ditë. Ky vendim nuk ndërrohet më!’ (Transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Ky ishte citati i Buhariut).
Pasi Xhibrili a.s. e kthen sërish në Mekke Muhammedin a.s. në po të njëjtën natë, të
nesërmen në mëngjes Muhammedi a.s. i lajmëron shokët e vet po edhe kurejshitët që nuk I besonin. Tregimi i kësaj ngjarjeje, për muslimanët plotësisht të bindur ishte edhe një shkas plus për t’i besuar akoma më tepër Muhammedit a.s., për muslimanët e luhatshëm ishte një shkas për t’u larguar nga Islami, kurse për mosbesimtarët shkas për t’u thelluar akoma më tepër në mosbesim. Kur këta mosbesimtarë e dëgjuan këtë rrëfim menduan se më në fund gjetën një arsye për t’u tallur e për të mos i besuar atij dhe filluan ta pyesnin për Mesxhidi Aksanë se sa dritare e dyer kishte e të tjera gjëra që ata i njihnin. Pejgamberi a.s. rrëfen: “Kur më përgënjeshtruan kurejshitët (jobesimtarë) për Isranë dhe Miraxhin, dola në Hixhër dhe All-llahu ma paraqiti (përfytyroi) Bejtu’l-Makdisin. Duke shikuar në të fillova t’i lajmëroja ata për shenjat e asaj (Xhamie)”, (Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu).
Vetë përgënjeshtrimi i kurejshëve që ia bënë Pejgamberit a.s. lidhur me këtë tregon se
Isranë dhe Miraxhin ai i ka përjetuar edhe me shpirt edhe me trup dhe se kjo nuk është ndonjë ëndërr që mund ta kishte parë Pejgamberi a.s., sepse po të ishte ëndërr, ose vetëm ndonjë udhëtim shpirtëror, nuk do të shkaktonte kaq reagime të mëdha te jobesimtarët e Mekkes, ngase ëndrra të tilla ose të përngjashme mund të shihte çdokush. Për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje transmetohen edhe mjaft prova të tjera që Pejgamberi a.s. ua ka ofruar
jobesimtarëve, siç është përshkrimi i qytetit të Jerusalemit dhe xhamisë el-Aksa ashtu siç ia përfytyroi All-llahu xh.sh. kur njerëzit që nuk i besonin kërkuan prej tij t’ua përshkruante këto; pastaj rrëfimi për hollësitë e pozitës së karvanit që ishte nisur prej Shami drejt Mekkes, të gjitha këto e të tjera të përmbledhura në koleksionet e haditheve autentike. Për më tepër lexoni ndonjë përmbledhje hadithesh, si për shembull Sahihul Buhari në gjuhën shqipe si dhe ndonjë libër që flet për jetën e Muhammedit a.s. Abdullah bin Mes’udi r.a. ka thënë: “Kur Pejgamberi a. s. ka qenë në Isra, atë e kanë çuar madje edhe deri në Sidretul munteha. Kjo është në qiellin e gjashtë. Deri këtu mbërrin gjithçka që ngrihet prej toke dhe këtu pranohet. Deri në Sidre lëshohet gjithçka që lëshohet prej më lart se kjo dhe këtu pranohet. Pastaj e lexoi ajetin: “Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi” (en-Nexhm:16). Për këto ka thënë se kanë qenë dyshekë ari. Atëherë Pejgamberit a.s. i janë dhënë tri gjëra: pesë kohët e namazit, ajetet e fundit të sures el-Bekara dhe i është dhënë premtimi se do t’i falen mëkatet secilit prej ummetit të tij që nuk bën shirk-politeizëm”, (Transmeton Muslimi).
Hadithi i lartpërmendur ka të bëjë drejtpërdrejt për Miraxhin e Pejgamberit a.s., hapësirën deri ku ka arritur ky Pejgamber i nderuar me miraxh, mrekullitë që All-llahu xh.sh. në suren el- Isra thotë se do t’ia tregojë robit të tij dhe përfundimisht tregon porositë bazë që All-llahu xh.sh. ia shpall Muhammedit a.s. në këto çaste.
eshtë për të menduar, a thua përse All-llahu xh.sh. të gjitha ajetet, suret dhe parimet e tjera të Kur’anit i shpall nëpërmjet Xhibrilit a.s. duke e dërguar atë në tokë, atje ku jetonte e banonte Muhammedi a.s., kurse këto tri porosi bazë ia shpall atij duke e ftuar atë në qiell që atje t’ia kumtojë çështjet me rëndësi.
Megjithëse nuk mund t’i përngjajë fjalë për fjale, por po e marrim si shembull këtë: Kur një kryetar shteti apo kryeministër dëshiron t’i kumtojë diçka me rëndësi një ambasadori apo përfaqësuesi të tij diplomatik, nuk dërgon postier për t’ia kumtuar këtë, porse e fton
drejtpërdrejt në rezidencën e tij dhe pasi t’ia pyesë hallet e ta disponojë paksa, ia shpalos
çështjen. Kjo ndodh kështu ngase kjo është tejet me rëndësi. Biseda sy më sy ose kundruall njëri-tjetrit ka më tepër efekt sesa biseda me mjete bisedimi ose me ndërmjetësues të tjerë.
Kjo është një e vërtetë psiko-sociologjike.
Po ç’janë këto porositë bazë dhe kaq të rëndësishme që All-llahu xh.sh. ia kumton
Pejgamberit a.s. në këtë mënyrë? Në hadithin e lartpërmendur ceken:
1. Falja e pesë namazeve ditore,
2. Dy ajetet e fundit të sures el-Bekara, dhe
3. Përgëzimi për ummetin (ndjekësit) e Muhammedit a. s. se, përderisa ata nuk bëjnë
shirk – shok All-llahut xh.sh., do të jenë të falur.
Sipas kësaj ngjarjeje, ndodh që ndonjëherë njeriu të bëhet shumë i afërt me Zotin e vet, madje në njëfarë trajte edhe fizikisht, e lëre më shpirtërisht ku ata e përjetojnë thellë në shpirt afërsinë e Zotit, Krijuesit të vet. Raste të këtilla kemi mjaft në historinë e sufizmit
(misticizmit) islam, ku një Hal-laxh el-Mansur e ndjen veten të detyruar të thotë “Unë jam e vërteta”, çka pason me heqjen e kokës së tij nga ana e atyre formalistëve e
literalistëve që nuk mundën ta kuptonin përjetimin e tij shpirtëror për afërsinë me Zotin.
Megjithëkëtë, edhe përskaj kësaj afërsie fizike e shpirtërore, prapë Zoti mbetet Zot e njeriu njeri, prapë Hal-laxhi vdes ngase ishte i vdekshëm, kurse Muhammedi a.s. kthehet sërish në tokë ngase i takonte tokës. Ai nuk ishte i përcaktuar nga Zoti të ngjitej në qiej e të mbetej atje përgjithmonë, duke i përjetuar edhe më tej ato që i përjetoi e shijoi. Jo, jo. Misioni i tij ishte tjetër. Ai erdhi ta marrë fjalën e Zotit e t’ia bartë njerëzimit. Ai, duke e braktisur jetën që e gëzonin melekët në qiej, i kthehet vendlindjes, i kthehet tokës, i kthehet rrëmujës e zhurmës së jetës tokësore, i kthehet shoqërisë njerëzore ku haste njerëz të ndershëm e të pandershëm, besimdrejtë e përgënjeshtrues, të devotshëm e zullumqarë... Ai duhej ta drejtonte e administronte këtë shoqëri. Duhej ta dëlirte prej ndyrësive që e kishin kapluar. Misioni i tij ishte në tokë e jo në qiej. Zotin duhej lutur në tokë njerëzit e në qiej melekët. Biri i birit të tokës duhet që në tokë t’i lutet Krijuesit të tokës dhe të gjithçkaje tjetër. Ligji i Zotit i ngulitur në gjithësi është që njeriu të jetë i ngjitur për toke, të mos mund të shkëputet aq thjesht prej saj, të jetë i tërhequr prej saj me fuqinë që e ka caktuar Zoti. Po përjashtime a nuk ka?
Gjithsesi, një i këtillë është miraxhi i Muhammedit a.s., të këtilla sot i ke fluturimet kozmike. Por ama, përfundimisht të gjithë i kthehen tokës, i kthehen zhurmës së jetës tokësore, paqes e luftës, marrëveshjeve e mosmarrëveshjeve, besnikërive e tradhtive...Thamë se njeriu duhet t’I lutet Zotit në tokë, atje ku e ka vendlindjen. A nuk thotë Muhammedi a.s. se “Miraxhi I ummetit tim është namazi i tij”? A nuk thotë ai se “Njeriu më afër Zotit është kur ai bie në sexhde për Zotin”? Këto fjalë, a nuk e tregojnë këtë të vërtetë të madhe e të pamohueshme, se Zoti duhet të lutet e duhet falur për të mu në udhëkryqin e kundërshtive të kësaj bote, mu në mesin e dëshirave e tekeve të shumëllojshme dhe mu në mesin ku kundërshtohet ekzistimi I Zotit?
Po ç’përmbajnë dy ajetet e fundit të sures el-Bekara? ا’ka tjetër, pos esencës së Islamit? Allahu xh.sh. thotë:
“I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, si dhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde, o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë. ( ) All-llahu nuk ngarkon askë përtej mundësive të veta, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata para nesh! Dhe Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqiat, na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!” (el-Bekara, 2: 285, 286).
A nuk është kjo pasqyra e besimit të Muhammedit a. s. dhe të muslimanëve, ndjekësve të tij, se këta të gjithë i besojnë All-llahut xh.sh., melekëve të Tij, librave të Tij, pejgamberëve të Tij, se nuk bëjnë asnjë dallim midis këtyre pejgamberëve, sepse të gjithë janë vëllezër të njëritjetrit për nga misioni e vëllezër për nga prejardhja, që të gjithë bij të pejgamberit të pare Ademit a.s. A nuk e tregon kjo përkushtimin e plotë të këtyre njerëzve ndaj Zotit të tyre, kur thonë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde, o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë”? A nuk tregon kjo se kjo fe nuk është rëndesë e tepërt për njerëzimin, porse një lehtësim, se çdokush do të jetë përgjegjës për veprat e veta, qofshin të mira ose të këqija. A nuk tregon kjo lirinë që e gëzon njeriu në jetë e në të vepruar, se ai mund të jetë besnik po edhe tradhtar, se mund të jetë musliman po edhe jomusliman, madje edhe munafik..? Akoma më pas, a nuk të mëson vetë All-llahu xh.sh. se pas kësaj lirie që e gëzon njeriu mund të gabojë e të jetë gjynahqar dhe se menjëherë pas këtyre të ligave ai mund dhe duhet të pendohet e të kërkojë falje për mëkatet që i ka bërë nga harresa ose nga pahiri, të kërkojë të mos i sprovojë Zoti me obligime e fatkeqësi të rënda sikur i kishte sprovuar popujt para tij, të kërkojë që Zoti tekefundit të mos e ngarkojë aq sa s’mund të durojë, aq sa s’mund të bartë..?
Po mirë, a ka mundësi që Zoti, ashtu siç thotë Ebu’l-A’la el-Mewdudi, t’ia mësojë njeriut si bëhet duaja, si t’i lutet Zotit dhe Zoti të mos ia pranojë këtë dua e lutje? A mund të
paramendohet një kundërshti e këtillë?! Zoti të të thotë “kështu e kështu lutmu!”, ti t’i lutesh e pastaj Ai të të thotë “Jo, nuk ta pranoj këtë lutje”?!
E ç’është me premtimin dhe përgëzimin (myzhden) që Zoti ia shpreh Muhammedit a.s. lidhur me ummetin e tij? Një musliman i përkushtuar plotësisht ndaj All-llahut xh.sh. dhe një musliman që u përmbahet parimeve bazë të përmbledhura në dy ajetet e fundit të sures el-Bekara, që nënkupton një njeri që nuk adhuron tjetër përpos All-llahun xh.sh., a ka mundësi të jetë banor Xhehennemi? A ka mundësi Zoti ta dënojë atë pse ai i lutet me lutjet që ia kishte mësuar Zoti vetë? Kontradiktat e këtilla mund të paramendohen e të hasen vetëm në mesin e njerëzve... All-llahu është larg këtyre cilësimeve e mangësive. “I lavdëruar qoftë All-llahu, pa të **** është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi”
Rejhan Neziri