Luftërat arabo-izraelite (2)

88 views
Skip to first unread message

ajni sinani

unread,
Mar 2, 2013, 12:48:57 AM3/2/13
to fjala...@googlegroups.com

Luftërat arabo-izraelite (2)
Ajni Sinani

4 - Lufta e qershorit e vitit 1967
Disfata e shteteve arabe përballë Izraelit në luftën e vitin 1948 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Rodosit më 1949, që i mundësuan Izraelit të përvetësonte 77 % të tokave të Palestinës në vend të 56 % sa i qe caktuar sipas planit të ndarjes nga OKB, kishin shkaktuar pakënaqësi tek masat e gjëra arabe. Shtete arabe prisnin rastin e volitshëm që të fillonin luftën për ti kthyer ato toka.
Egjipti e kishte lënë të hapur për lundrim ndërkombëtar ngushticën e Tiranit në gjirin e Akabes, që ishte dalja e vetme për Izraelin në Detin e Kuq. Shumë vende arabe e kritikuan Egjiptin për këtë. Kështu që ai mori vendim për mbylljen e tij.[1] Më 17 maj të vitit 1967 Egjipti kërkoi largimin e forcave paqësore të KB nga Sinai, kurse më 23 maj të vitit 1967 shpalli ndalimin e lundrimit në gjirin Akaba. Në këtë kohë, Izraeli i lajmëroi zyrtarisht të gjitha qeveritë se këtë akt  egjiptian e cilësonte si casus belli, duke theksuar se me këtë u  ndërpre lidhja e tij vitale me Afrikën.[2]  
Kështu, duke i bllokuar Izraelit portin e Elat-it që ishte dalja e vetme e tij në Detin e Kuq, Egjipti filloi luftën duke detyruar tërheqjen e forcës së Kombeve të Bashkuara, që ishte vendosur në pjesën egjiptiane të kufirit ndërkombëtar, qysh prej krizës së Suezit të vitit 1956.[3] Izraeli arriti të aneksonte pjesën e mbetur nga Palestina brenda një kohe mjaft të shkurtër, prej gjashtë ditësh, që përfshinte Bregun Perëndimor (5878 km katror)[4] dhe Rripin e Gazës (363 km katror)[5]. Ai, gjithashtu, pushtoi shkretëtirën egjiptiane të Sinait (61.198 km katrorë) dhe lartësinë siriane të Golanit (1.150 km katrorë). Në këtë konflikt u shkatërrua 80 % e armatimit egjiptian dhe u vranë 10.000 egjiptianë, 6.094 jordanezë dhe 1.000 sirianë. Po ashtu 33.000 palestinezë u dëbuan nga trojet e tyre.[6] Izraeli e kapi në befasi aviacionin egjiptian në mëngjesin e 5 qershorit. Aviacioni izraelit arriti të shkatërronte armatimin ajror të Egjiptit, derisa ai ishte në tokë, gjë kjo që ia lehtësoi misionin e shkatërrimit të armatimit ajror në Siri dhe në Jordani. Prej shkaqeve të disfatës të arabëve ishte mangësia e të dhënave, mungesa e njohjes precize të armikut dhe mungesa e një strategjie arabe me qëllime të qarta dhe synime të caktuara.[7]                  
Kur më 7 qershor të vitit 1967 filloi pushtimi i pjesës arabe të Jerusalemit, ushtria izraelite kishte përpunuar një plan me rituale fetare. Në front ishte Rabini i madh i ushtrisë izraelite. Disa minuta më pas, ndërkohë që në pjesët e tjera të qytetit zhvilloheshin luftime të ashpra, dëgjohej zëri i burisë rabine, që për izraelitët kishte domethënien: “Jerusalemi është për ne qyteti kryesor, i pandarë përgjithmonë.” Përkrah Rabinit të madh dhe ushtarëve, që puthnin me fanatizëm gurët e murit perëndimor të tempullit të Sulejmanit të shkatërruar në vitin e 70-të të epokës sonë, qëndronte gjenerali Moshe Dajani dhe themeluesi 70 vjeçar i shtetit të Izraelit, Ben Gurioni. “Kemi ardhur dhe nuk do të largohemi më kurrë. Ëndrra jonë mijëvjeçare është realizuar. Jerusalemi i bashkuar është pjesë përbërëse e Izraelit. Këtë nuk mund ta ndryshojë më askush ”.[8]   
 Në atë kohë, Izraeli përdori taktikën e tij të preferuar duke tentuar të paraqitet në konflikt si palë e mjerueshme, së cilës i duhet ndihmë dhe së cilës i është bërë padrejtësi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Johnson, luajti një rol të rëndësishëm pasi egjiptianët e mbyllën gjirin e Akabes gjë që çoi deri te disfata e arabëve.[9] Lufta e qershorit të vitit 1967 u përmbyll me marrëveshjen për ndërprerjen e zjarrit në tre fronte: në frontin jordanez, egjiptian dhe sirian. Kurse Libani deklaroi se për kufijtë e tij  vazhdonte ende marrëveshja e armëpushimit të vitit 1948. Ndërprerja e zjarrit këtë herë nënkuptonte pajtueshmërinë me okupimin e pjesëve të tjera të tokës palestineze, të quajtura Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës, si edhe pajtueshmërinë për okupimin e Sinait deri te Kanali i Suezit dhe rrafshnaltave të Golanit në tokën siriane.
Gjenerali Moshe Dajan dhe politikanët e tjerë çifutë, pas luftës 6 ditore, ishin bindur se ajo ishte vetëm faza e parë e “luftës më të vështirë të popullit izraelit” dhe se duhej të përgatiteshin për “konfliktet e reja që, me siguri, do të ishin të gjata dhe të vështira.” Këtë bindje e kishin pothuaj të gjithë izraelitët, pa përjashtim. Ata ishin edukuar me urrejtje dhe frikë ndaj arabëve dhe nuk besonin aspak se mund të jetonin në paqe me fqinjët. Për izraelitët ishte normale dhe logjike që të flisnin pa ndërprerë se ata e dëshironin sinqerisht paqen, edhe pse ata ishin të parët që fillonin luftën.[10]
Pas luftës së vitit 1967, kemi një ndryshim të politikës arabe rreth çështjes palestineze, përpjekjet e regjimeve arabe dhe të pjesës dërmuese të lëvizjeve palestineze u fokusuan në rimarrjen e tokave të pushtuara në vitin 1967, të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës që përbënin rreth 23 % të tokës së përgjithshme të Palestinës. Ata i harruan dhe i neglizhuan tokat e tjera palestineze që u humbën në vitin 1948. Ato ushtruan presion ndaj OÇP, në mënyrë që edhe ajo ta pranonte këtë formulë në programin e saj politik të vitit 1974.[11]     
Pas luftës së vitit 1967, politika e ndjekur nga Sharoni bëri që 160 mijë palestinezë ta lëshonin Jerusalemin Lindor dhe të shndërroheshin në refugjatë. Teknika e tij e ndëshkimit përfshiu bombardimin e shtëpive, përdorimin e buldozerëve për shkatërrimin e kampeve të refugjatëve, burgosjen dhe torturimin e mijëra të rinjve pa kurrfarë shkasi. Gjatë kohës që Sharoni ishte përgjegjës për sigurinë në Rripin e Gazës, u vranë e u burgosën dhe u internuan me mijëra palestinezë.[12] Pjesa më e madhe e palestinezëve e braktisën atë rajon dhe shkuan në vendet fqinje.
         
5 - Rezoluta 242 e OKB-së për Palestinën (1967)
Vendet arabe, edhe pse ishin kundër agresionit, nxitën ndërkohë luftën e armatosur palestineze duke shpresuar se ajo do të bënte presion te Izraeli dhe te Shtetet e Bashkuara që të pranonin kthimin e tokës së pushtuar në vitin 1967.
Në nëntor të vitit 1967, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën nr. 242[13] sipas së cilës Izraeli duhej të tërhiqej prej tokave që kishte pushtuar në luftën e vitit 1967. Gjithashtu, sipas saj: duhej të ndalej lufta ndërmjet arabëve dhe Izraelit; duhej të respektohej sovraniteti dhe tërësia territoriale e çdo shteti si dhe e drejta e tyre për jetë të qetë brenda kufijve të garantuar dhe të pranuar; duhej të garantohej liria e lundrimeve nëpër rrugët detare ndërkombëtare; dhe duhej të gjendej një zgjidhje e drejtë për çështjen e refugjatëve.[14]
Disa vende arabe e përkrahën Rezolutën 242 në mënyrë të hapur, disa në mënyrë të nënkuptuar, kurse disa të tjera e refuzuan plotësisht.[15]
 
6 - Organizata e Konferencës Islamike (OKI-1969)
Djegia e xhamisë El Aksa nga ana e çifutëve, më 21 gusht të vitit 1969, çoi në formimin e Organizatës së Konferencës Islamike në shtator të vitit 1969 në të cilën u anëtarësuan të gjitha vendet muslimane. Kjo Konferencë nxori shumë rezoluta në mbështetje të çështjes palestineze dhe të luftës politike, financiare dhe ekonomike të palestinezëve.
Edhe përkundër premtimeve të mëdha nuk pati ndonjë rezultat vendimtar sepse në instancë të fundit, barra kryesore iu la vetë palestinezëve. Në fund, ky konflikt u kufizua brenda kufijve kombëtarë palestinezë dhe dimensioni mbarë arab i luftës filloi të pushojë.[16] 
 
7- Plani i Sekretarit Roxhers në vitin 1969
Për të mos rrezikuar ndonjë luftë të mundshme me Bashkimin Sovjetik, SHBA bllokoi çdo qëndrim arab që kishte përkrahje ushtarake sovjetike ose që mund të shkaktonte ndonjë kërcënim ushtarak sovjetik. Dhe për t’i bërë për vete qeveritarët arabë, SHBA e morën vetëm në dorë procesin e paqes. Prandaj, në vitin 1969, Sekretari Roxhers paraqiti një plan që më vonë mori emrin e tij, në të cilin mbështeste kufijtë e Izraelit të vitit 1976, me korrigjime “të vogla”, në shkëmbim të një marrëveshjeje të përgjithshme paqeje. Izraeli e hodhi poshtë, duke mos pranuar përcaktimin e kufijve. Edhe vendet arabe e refuzuan këtë plan.[17]   


[1] Anvar El– Sadat, op. cit., f. 150.
[2] Vojimir Sobajić, op. cit., f. 207.
[3] Henry Kissinger, A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme, op. cit., f. 255.
[4] http://en.wikipedia.org/wiki/West_Bank (me datë 5 nëntor 2008).
[5] http://en.wikipedia.org/wiki/Gaza_Fip (me datë 5 nëntor 2008).
[6] Shih: Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 67.  
[7] Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 124-125.
[8] Dara Janeković, op. cit., f. 16-17. 
[9] Sadati tregon se Johnson kishte bërë një fushatë mashtrimi duke i sugjeruar Naserit që ose Humphrey, nënpresidenti i atëhershëm i SHBA-së të vizitonte Kajron, ose ndonjë nënkryetar egjiptian të vizitonte Vashingtonin. Naseri ishte përgjigjur se do të dërgonte njërin nga zëvendësit e tij në Uashington që të bisedonte për rastin e gjirit të Akabes, në të cilin situata po përkeqësohej gjithnjë e më shumë. Naseri dhe Johnsoni u morën vesh zyrtarisht që një nënkryetar egjiptian të vizitonte Johnsonin në Uashington, të mërkurën më 7 maj. Ndërkohë Johnsoni e nxiti Izraelin të sulmonte Sinain duke e furnizuar me fotografitë më të reja satelitore që tregonin pozitën dhe zhvillimin e forcave egjiptiane në Sina. Ai kishte kërkuar nga Izraeli që ta fillonte sulmin para se nënkryetari egjiptian të arrinte në Uashington. Izraeli – thotë Sadati – veproi sipas këshillës së Johnsonit, prandaj më 5 maj, pra dy ditë para se të arrinte nënkryetari egjiptian në Uashington, ai filloi sulmin. Shih: Anvar El- Sadat, op. cit., f. 238.
[10] Dara Janeković, op. cit., f. 15-16.
[11] Shih: Masonizmi në: Dosja Kuds ... op. cit, f. 68.  
[12] Në shtator të vitit 1982 ndodhi masakra e Sabrës dhe Shatilës në Bejrut. Shih: Harun Yahya, op. cit., f. 67.
[13] Rezoluta 242 e Këshillit të Sigurimit
22 nëntor 1967. 
Këshilli i Sigurimit,
-Duke shprehur shqetësimin e tij të vazhdueshëm për shkak të seriozitetit të situatës në L.M,
-Duke shprehur papranueshmërinë e fitimit të territoreve përmes luftës, si dhe nevojën e veprimit për arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme që çdo shtet në territorin e vet të mund të jetojë në siguri,
- Duke vënë në dukje faktin se të gjitha vendet anëtare, duke pranuar Kartën e KB, kanë marrë për obligim që të sillen në përputhje me nenin 2 të Kartës,
1. Vërteton se respektimi i parimeve të Kartës kërkon vendosjen e paqes së drejtë dhe të vazhdueshme në Lindjen e Afërt, që do të duhej të përfshinte dhe të ngërthente parimet vijuese: Tërheqjen e forcave ushtarake izraelite nga territoret e okupuara në konfliktin luftarak pak kohë më parë, ndërprerjen e të gjitha pretendimeve territoriale, gjendjes së luftës, si dhe respektimin dhe pranimin e sovranitetit, e integritetit territorial dhe pavarësisë politike të çdo shteti dhe të drejtën e tyre që të jetojnë në paqe në kuadër të kufijve të sigurt dhe të njohur, pa kërcënime dhe përdorim force... Shih: Vojimir Sobajić, op. cit, f. 420; http://en.wikipedia.org/wiki/United_Nations_Security_Council_Resolution_242#Text_of_the_Resolution (me datë 17. 08. 2008.)
[14] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 124.
[15] Mounir Chafiq, op. cit., f. 141-142.
[16] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 76.
[17] Henry Kissinger, Diplomacia, op. cit., f. 738.




Reply all
Reply to author
Forward
0 new messages