You do not have permission to delete messages in this group
Copy link
Report message
Show original message
Either email addresses are anonymous for this group or you need the view member email addresses permission to view the original message
to Arbër Krasniqi
Është me të
vërtetë për të ardhur keq që shqiptarët e sotëm njohin kaq shumë nga
bota që ata i rrethon por njohin shumë pak nga vetvetja. Nëpër faqet e
shtypit tonë herë pas here ne mund të gjejmë artikuj që flasin për
jetën e këtij pape apo atij prifti, këtij shkencëtari apo atij poeti
perëndimor, por rrallëherë ne mësojmë mbi njerëzit me famë që ne i kemi
dhuruar botës. Një nga personat më me famë që ne i kemi dhuruar botës
së shekullit të 20të nuk ka qënë Aleksandri i Madh. As Skënderbeu apo
Nënë Tereza e Kalkutës, por një shkodran i quajtur Nasirudin dhe i
mirënjohur në orient si Nasirudin Al-Albani. Mbiemri i tij të lë të
kuptosh fare qartë se ai nuk ishte anonim për kombësinë e tij
Shqiptare, gjë që mund të çojë ndonjë antishqiptar të spekullojë për
origjinën e tij. Ai nuk u njoh kurrë si Nasirudini i Kalkutës apo i
Rijadit, por si Shejh Albani, apo në shqip Zotnia Shqiptar. Ai ishte aq
krenar për identitetin e tij kombëtar saqë atë e pllakosi në mbiemrin e
tij Al-Albani që në shqip nga arabishtja përkthehet ‘shqiptari’.
Emri
original i Shejh Albanit për të cilin ky shkrim flet, ishte Nasirudin
Nuh Nexhati. Ai u lind në Shkodër në vitin 1914 në një familje të
varfër muslimane shkodrane. Babai i tij quhej Haxhi Nuhu. Ai kishte
studiuar për disa vite me radhë në Stamboll përpara se të kthehej në
Shkodër. Gjatë qëndrimit në Shkodër Haxhi Nuhu u morr me edukimin
fetar. Por shpejt ai, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të kohës së tij
u detyrua të largohet nga vendlindja. Familja e Haxhi Nuhut emigroi në
Damask të Sirisë, gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën rregjimin e
Zogut. Në këtë qytet Haxhi Nuhu i Shkodrës rriti një djalë të quajtur
Nasirudin i cili në të ardhmen do të bëhej me famë. Nasirudini i vogël
kaloi fëmijërinë dhe kreu shkollën fillore në Damaskun e famshëm, mes
rrënojave të të kaluarës Bizantine, Emevite, Abaside dhe Otomane të
këtij qyteti me famë të botës Islame ku jetoi Gjon Pagëzori dhe
themeluan kryeqytetin Kalifët e famshëm Emevij. Duke qenë një student i
zellshëm dhe ndikuar nga dijet fetare të të atit, te Nasirudin Albani
shpejt do të lindte gjeniu i ardhshëm i shkencës fetare të hadithit për
botën muslimane të shekullit të 20të.
Nasirudin Albani
mbahet në botën moderne islame si rilindësi i shkollës se studimit të
kronolgjisë së hadithit / apo kronologjisë së historisë profetike.
Interesi i Nasirudin Nexhatit për shkencën e hadithit lindi kur ai
ishte 20 vjeç nga një artikull i revistës "Menar". Shkrimi në fjalë
merrej me një analizë të librit "Ringjallja e diturive fetare" të
filozofit të madh musliman, Imam Gazaliut. Analiza rreth gabimeve dhe
arritjeve të Imam Gazaliut ishin ato që do ta shndërronin Nasirudin
Albanin në studiuesin dhe kritikun më gjenial të shkencës së historisë
profetike islame të shekullit të 20të. I kredhur në studime nga 8 deri
12 orë në ditë në bibliotekat e Damaskut të famshëm Emevit ku fshihen
pasuritë e së kaluarës së famshme të botës arabe, Albani i hyri rrugës
së vështirë të riekzaminimit dhe revizionimit të shkencës së hadithit –
apo historisë profetike islame. Revizionimit të vërtetësisë shkencore
të sa e sa shkrimeve mbi historinë profetike të islamit të cilat ndër
shekuj kishin kaluar mes shumë njerëzish, rracash dhe rregjimesh që
Dar-Al-Islami historik ka përjetuar.
Duke ngulmuar me
këmbëngulje shkencëtari Sheh Albani arriti të analizonte sa e sa
hadithe nga e kaluara islame; të vërtetojë apo rrëzojë saktësinë dhe
kronologjinë e tyre, të analizonte zinxhirin e transmetimit të hadithit
nga dishepujt e hershëm të Islamit të cilët në shumë raste përdornin
analogji gojore për të rregjistruar historitë e së kaluarës. Duke
përdorur një talent historiani të paepur Albani arriti deri aty sa të
rivlerësoj historianët e hershëm të Islamit, saktësinë e transmetimit
të tyre dhe ndërthurjen e drejtë të bazave shkencore të kësaj historie
të shenjtë. Puna kolosale e Shejh Albanit e cila për nga ana shkencore
gërmonte në dokumentat më të hershme të historisë islame e bën atë të
përsërisi punën ngulmuese që vetëm klasikët e Islamit si Bukhari,
Muslimi dhe Tirmidhi mbahet mënd të kenë bërë gjatë shekullit të 9të.
Shejh
Nasirudin Al-Albani ishte revolucionar i shkencës hadithike islame të
shekullit të 20të. Ai pati guximin intelektual që t’iu hapi shkollarëve
musliman dyert e Ixhtihadit / apo mendimit alternativ dhe riekzaminimit
të dogmave fetare, të cilat qëndronin të mbyllura nga ortodoksia sunite
prej shekujsh. Si rrjedhojë e famës dhe dijeve shkencore që kishte,
Shejh Albani u thërrit në Arabinë Saudite si lektor i shkencave te
hadithit në Universitetin Islamik të Medines. Ai lektoroi aty për rreth
3 vjet për tu kthyer sërisht më pas në Damask. Jeta e Shejh Albanit e
pa atë të jetojë në Jordani, Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe
finalisht në kryeqytetin e Jordanisë në Aman, në të cilin edhe ndërroi
jetë më 2 Tetor 1999.
Duke qënë ndjekës i shkollës Saudite
të Islamit, asaj Selefije, Shejh Albani shihet si një nga dijetarët më
kryesor të kësaj shkolle gjatë shekullit të 20të. Së bashku me muftiun
e Arabisë Saudite, Sheh Ibn Baazin, Albani ka qënë një nga autoritetet
kryesore të shkollës Saudite të shekullit të kaluar. Fetvatë (gjykimet
fetare) të Albanit kanë patur forcë të bindin muslimanët nga Maroku e
deri në Çeçeni, nga Indonezia e deri në Bosnje. Duke qënë se shkolla
‘selefite’ e islamit pa bumin e saj më të madh gjatë revolucionit
ekonomik që nafta i solli vendeve arabe në vitet 80’, fama e Albanit
ishte gjithashtu pjesëmarrëse e këtij revolucioni ideologjiko –
ekonomik të botës Arabe të Gjirit. Megjithatë guximi revolucionar i
Albanit për të riekzaminuar themelet e historiografisë Islame e bën atë
në shumë raste pre të sulmeve nga sektarët.
Për ndjekësit e
shkollës selefite Shejh Albani ngelet një nga autoritetet më të
rëndësishme të tyre, ndoshta pas vetë Muhamed Ibn Abdul-Vehabit që e
reformoi këtë shkollë Islame gjatë shekullit të 18të. Historia e tre
mbretërive Arabo Saudite, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite të sotme
është jashtëzakonisht e lidhur dhe ndërtuar mbi shkollën selefite apo
siç ajo njihet nga armiqtë e saj Vehabite. Për arsyen e lartpërmendur
Shejh Albani është një nga personalitetet më të dashura dhe njohura në
mbretërinë Saudite, në botën arabe dhe ndjekësit e shkollës Saudite
nëpër botë.
Shejh Nasirudin Al-Albani nuk jetoi në Kalkuta për
të ushqyer të varfërit e as nuk pushtoi Indinë si Aleksandri i Madh.
Por ai arriti të pushtojë zemrat e miliona muslimanëve anembanë globit,
të cilët kur dëgjojnë emrin e tij luten me rrespekt ndaj Krijuesit të
Madh që ti dhurojë mëshirë shqiptarit me famë. Më 2 Tetor 1999 kur
Hoxha me famë shkodran ndërroi jetë e gjithë bota muslimane shkroi për
këtë shqiptar me famë. Që nga Sarajeva e deri në Xhakarta muslimanët
përkujtuan këtë kolos të madh që po i largohej botës së shkencave
Islame. Këtij revizionisti që pati guximin intelektual të riekzaminojë
kronologjitë historike të të kaluarës Islame.
I vetmi vend
në të cilin asnjë gazetë nuk u kujtua të shkruaj për Shejh ALBANIN
ishte padyshim atdheu i tij: Shqipëria. Ky shkrim mundohet të mbuloj
këtë turp historik tonin me këtë përpjekje modeste. Kujtimi i tij qoftë
i gjallë përjetë dhe historia pastë mëshirë për ne, popullin që nuk
kemi mësuar kurrë të vlerësojme vetveten dhe historinë tonë.