Pse njeriu?
Hamdi Nuhiju
Ndonjëherë pikëpamjeve të njeriut për njeriun i japim aq shumë rëndësi sa që do të kishim dëshirë që të mos ishim krijesa të këtij lloji, por të transformoheshim në diçka më shumë se njeri. Njeriu është një krijesë aq e thjeshtë dhe njëkohësisht aq komplekse sa që të gjitha orientimet e kësaj bote do të ishin të pavlefshme po të mos ekzistonte ai. Dikur mendja harrohej nga preokupimet e shoqërisë së vrazhdë dhe meskine përballë njeriut. Gjithmonë do e gjejmë këtë qenie përballë, dhe asnjëherë mbrapa fotografisë së mendimeve dhe karizmës së ndjenjave. Ai, pra njeriu është një përbërje në mes të baltës dhe ‘Zotit’. Qysh më krijimin e tij ai morri shpirt nga ‘fryma’ e Zotit dhe prandaj edhe u shndërrua në njeri. Kështu rrëfen mendimtari Ali Sheriati rreth konceptit të njeriut.
Njeriu si një mikrokozmos i cili nuk njihet, por dëshirohet, nuk pranohet, por ndjehet është i detyruar që të ndjek rrugën e cila është e vizatuar prej Krijuesit e tij. Ky detyrim në vete nuk përfshin dhunën dhe konceptin e dënimit në këtë botë, ngaqë Mëshira e Allahut e tejkalon Hidhërimin e Tij. Në konceptin e teologjisë, ose të religjionit, filozofia e nënshtrimit ndaj Allahut ka të bëjë me dashurinë dhe mëshirën, dhe jo me privimin tonë nga të drejtat. Njeriu nuk privohet nga e drejta e pasurisë në këtë botë, por e drejtë e tij nuk është pasuria përmes rrugës që dëmton të tjerët. Ai, nuk privohet as nga kënaqësitë në këtë botë, por ai, nuk guxon që të quaj të drejtë kënaqësinë dhe mbi këtë parim të shkel mbi normat e njerëzimit dhe të hidhet nëpër të gjitha skajet e dalldisë njerëzore duke u shndërruar në diçka tjetër, më të ulët se njeriu.
Njeriu është ukë për njeriun, kështu shprehet Hobsi. Ai e percepton njeriun si një kafshë të rrezikshme e cila e cenon integritetin dhe jetesën e tjetrit. Por, në realitetin e zemrave dhe shpirtrave pikëpamja e këtillë bie poshtë. Njeriu për njeriun mund të jetë ukë nëse shikon me sytë e ujkut, ose edhe nëse e mendon këtë botë si të pafundme, materiale dhe të domosdoshme për të konsistuar në të.
Ndonjëherë njeriu do të donte që të kthehej në esencën e tij, e që është balta ose dheu. Nga pikëpamjet e këtilla që njeriu të shikohet si ukë nga i cili gjithmonë duhet pasur frikë se është i pabesë dhe gjithmonë i etur për gjah, njeriu do të dëshironte që të kthehej në dhe, ose baltë. Aristoteli njeriun e definoi si një ‘kafshë politike’ dhe as më shumë e as më pak. Përngjasimet e këtilla në terme mund të duken më shumë si tentim për ta larguar njeriun nga esenca sesa largimin e esencës nga njeriu.
Më e mira e të mirës do të ishte zbutja e këtij koncepti përballë kësaj blasfemie.
Në Kur`an gjejmë këtë ajet:” Ne ua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për një dënim të afërt, në ditën kur njeriu (besimtar) shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: “Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhe"! “( Kur`an, 78:40)
Në këtë ajet fshehën shumë urtësi. Por, njeriu duhet që ti deshifroj ato nëse dëshiron që ta kuptoj natyrën e njeriut. Ai nuk mund të ekzistoj në këtë botë pa kuptuar natyrën e njeriut. Ndoshta do të arrijë që ti zbusë shumë kafshë, por nuk do të arrije asnjëherë që të përballet me realitetin e quajtur njeri. Edhe pse vet është nga esenca e njëjtë, kanë nisjen në këtë botë në rrugën e njëjtë, prapë se prapë ai nuk arrin të kuptoj. Në këtë ajet kur`anor shihet dëshira e jobesimtarëve për tu shndërruar në dhe. Besimtarët nuk e kanë këtë dëshirë, sipas fjalëve të Zotit të shprehur në Kur`an. D.m.th. paska një dallim midis njeriut dhe njeriut. Por, baza e dallimit nuk është esenca në vetvete, e as pikëpamja mbi krijimin.
Lexuesit të vëmendshëm do i bie në sy pikëpamja mbi krijimin. Ai mund të kundërshtoj këtë konstatim dhe të thotë se njerëzit dallojnë edhe nga pikëpamja mbi krijimin. Do të kenë mundësi të përmendin Darvinin se si krijoi një teori mbi krijimin e njeriut. Ka ose nuk ka baza në shkencë dhe fe, ai krijoi një teori dhe pas vetes la ndjekës të asaj teorie. Por, edhe vet Darvini si krijesë njerëzore është e krijuar ndërmjet baltës dhe ‘Zotit’. Këtë mundet të mos e pranojë gjatë tërë jetën ndonjë njeri tjetër, por realiteti është i tillë. Ai mund të bëjë propagandë kundër esencës së krijimit, në fakt, do të bie në kundërshtim me vetveten.
Pse njeriu? Është një pyetje komplekse. Do të thoni ai u krijua për të adhuruar Allahun dhe as më shumë e as më pak. E saktë! Nuk do të gaboni aspak. Por, pse mu njeriu u krijua për këtë mision dhe jo ndonjë krijesë tjetër? Përsëri do të gjeni përgjigje në Kur`an duke na aluduar në bartjen e përgjegjësisë nga ana e njeriut dhe jo nga ana e njeriut. Kjo pyetje sjellët me shekuj e me mileniume në mendjet e njerëzve. Dhe si duket do të vazhdoj ekzistencën e saj në kokën e njeriut deri në Ditën e Llogarisë.
Për në fund, Resulullahu s.a.v.s. shpeshherë preferonte që të bënte këtë dua:“O Zoti im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam besuar, në Ty jam mbështetur, te Ti jam kthyer dhe në emër Tënd hasmohem. O Zoti im, i mbështetem madhërisë Tënde, nuk ka zot tjetër përveç Teje, të më ruash nga lajthitja. Ti je i gjallë që nuk vdes, kurse xhinnët dhe njerëzit vdesin”.