Intifada dhe procesi i paqes

50 views
Skip to first unread message

ajni sinani

unread,
Aug 10, 2013, 3:05:50 PM8/10/13
to alb muslimnews, alb-muslimstudents, kosova...@yahoogroups.com, Feja...@yahoogroups.com, cam...@yahoogroups.com, shqi...@yahoogroups.com, fjala...@googlegroups.com


Intifada dhe procesi i paqes
 Ajni Sinani 
1- Intifada e Parë (1987-1993)
Intifada është fjalë arabe që do të thotë “Heqje qafe”. Termi i referohet kryengritjes palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Gaza. Shfaqja e saj ishte reagimi i dyshimit se çështja palestineze nuk ishte më problemi kryesor i qeverive arabe dhe se palestinezët në territoret e pushtuara duhet t’i merrnin vetë punët e tyre në duar. Çështja ishte kjo: Çfarë të drejte do të kishin palestinezët e Bregut Perëndimor dhe të Gazës – të drejtën e vetëvendosjes, të autonomisë, të drejtën për të krijuar shtetin e vet apo, në fund të fundit, këto territore do të bëheshin pjesë e shtetit të Izraelit?[1] Intifada e Parë (gjithashtu “lufta me gurë”) ishte një kryengritje popullore palestineze kundër sundimit izraelit që filloi në kampin refugjat Xhabalia dhe u përhap me shpejtësi në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Tiparet e kësaj lëvizjeje ishin: aksionet në shkallë të gjerë; hedhja e gurëve mbi forcat ushtarake izraelite; ngritja e barrikadave në rrugë; dorëheqja masive nga postet; demonstratat në rrugë me pjesëmarrjen e të gjitha kategorive të popullsisë; bojkotimi i mallrave izraelite; refuzimi i pagimit të taksave, mbyllja e shkollave, si dhe grevat, veçanërisht nga palestinezët që punonin në Izrael. Ishte vendosur që intifada të zhvillohej në formën e mosbindjes civile të rezistencës pasive, prandaj ishte ndaluar përdorimi i armëve. Intifada e rriti mobilizimin politik të palestinezëve.[2] Intifada nisi si reagim ndaj një aksidenti të planifikuar me makinë, që shtypi 4 punëtorë palestinezë, në 8 dhjetor të vitit 1987. Kjo intifadë, që zgjati 6 vjet (1987-1993), e tronditi themelin e pushtuesve sionistë që ndodheshin në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Intifada arriti të bindë shumicën e izraelitëve se vazhdimësia e pushtimit ishte e pamundshme.[3]
Gjatë Intifadës së parë vlerësohet të jenë vrarë 1.100 palestinezë nga forcat izraelite dhe 160 izraelitë nga palestinezët. Përveç kësaj, vlerësohet se 1.000 palestinezë janë vrarë nga vetë populli i tyre si bashkëpunëtorë të supozuar, ndonëse më pak se gjysma e tyre ishte provuar se kishte pasur kontakt me autoritetet izraelite.[4]    
Prej fryteve më të rëndësishme të Intifadës, pa dyshim, ishte se edhe izraelitët kishin filluar ta kuptonin se ajo ishte një formë e luftës çlirimtare dhe e lëvizjes rezistuese palestineze. Intifada arriti ta thyente bllokadën mediatike që i ishte imponuar popullit palestinez dhe rezistencës së tij. Ajo përcolli mesazhin për të gjithë popujt e botës dhe bëri që zërat e zemëruar të ngrihen jo vetëm në rrugët e botës arabe, por edhe në qendra të ndryshme botërore.[5]
Pamundësia për ta shtypur Intifadën, ndërmjet viteve 1987-1993, në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, e detyroi Izraelin që të pranonte një formë ndarjeje të dy komuniteteve, që do të thoshte pranimin e krijimit të një entiteti palestinez që do të rezultonte në një shtet. Ajo bëri që Izraeli të pranonte më në fund bisedimet e drejtpërdrejta me palestinezët në Procesin e Paqes të Madridit, dhe pastaj të njihte edhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës si partnere për bisedime (1994). Intifada ndikoi në ndryshimin e qëndrimeve të vendeve të tjera dhe bëri që çështja palestineze të merrej më seriozisht, jo vetëm nga qeveritë arabe, por edhe nga shtetet e fuqishme.
2 – Shpallja dhe deklarata e pavarësisë së shtetit të Palestinës (1988)
Në vitin 1988, njëzetenjë vjet pas pushtimit të Bregut Perëndimor nga forcat izraelite filloi Intifada I dhe mbreti Husein Ibn Talal i Jordanisë hoqi dorë nga pretendimet që Jordania kishte ndaj Bregut Perëndimor, që nga viti 1950, kur kishte bërë aneksimin e tij.[6]
Ai i bëri thirrje OÇP që të merrte funksionet administrative të braktisura nga Jordania. Kështu, Jaser Arafati, më 15 nëntor të vitit 1988, shpalli ekzistencën e shtetit palestinez në Bregun Perëndimor[7] (që përbënte 5.878 km2 katrorë, ose 21. 77% të sipërfaqes së përgjithshme të Palestinës)  dhe në Gaza (363 km2 ose 1.34%) dhe e shpalli veten president të këtij shteti.[8]
OÇP e kishte kuptuar se nuk do të luante asnjë rol përderisa të mos shkonte në linjën e Amerikës, që në fakt ishin kushtet e saj: pranimi i Izraelit si partner në bisedime dhe pranimi i rezolutave të Këshillit të Sigurimit të KB.[9] Bashkëjetesa e negociuar mes popullsisë izraelite dhe palestineze u  shfaq si opsion i vetëm funksionues për Izraelin, sepse nëse Izraeli do t’i përfshinte arabët e Bregut Perëndimor brenda tij, kjo do ta shkatërronte karakterin hebre të shtetit.[10]
 
-Njohja e shtetit të Palestinës nga OKB-ja (më 1988) dhe rezoluta 43/177
Më 13 dhjetor të vitit 1988, në fjalimin e mbajtur para KB, Arafati deklaroi se OÇP e njihte të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar. Ai foli për të drejtën e të gjitha shteteve të rajonit të Lindje së Mesme për të bashkëjetuar në paqe.  Arafati bëri me dije se OÇP i pranonte rezolutat 242 dhe 338 të KB dhe deklaroi se ajo heq dorë nga rezistenca e dhunshme. Si rezultat i kësaj, SHBA pranoi që të kishte marrëdhënie me OÇP. [11]  Kështu OKB, me rezolutën 43/177 të 15 dhjetorit të vitit 1988, njohu shpalljen e shtetit të ri të Palestinës.[12]


[1] Iain McLean, op. cit., f. 212-213.
[2] Llambro Filo & Gëzim Sala, op. cit., f. 342.
[3] Tanja Reinhart, Israil\Filistine, Subul Inha Harb, 1948 Bejne Istratigjiat Et Tedmir ve Evham Es Selam, Darul Fikr, Dimeshk, 2004, f. 29.
[5] Dr. Abdul Vehab El Mesiri, Min El Intifada ila Harbi Et Tahrir El Filistin, Darul El Fikr, Dimeshk, 2002, f. 105-106.  
[6] Iain McLean, op. cit., f. 213.
[7] Ibid, f. 213.
[8] Deklarata e Pavarësisë së Palestinës
Algjer, 15 nëntor, 1988
Shteti i Palestinës është një shtet arab, është një pjesë integrale dhe e pandashme e kombit arab. Ai është një me këtë komb në trashëgimi dhe civilizim, si edhe në aspiratën e tij për liri, progres, demokraci dhe unitet. Shteti i Palestinës pohon obligimin e tij për t’iu bindur Kartës së Ligës së Shteteve Arabe, me anë të të cilës koordinimi me shtetet arabe me njëra-tjetrën do të fuqizohet. Ai i fton bashkatdhetarët që të konsolidojnë dhe të nxjerrin në pah daljen në realitet të shtetit tonë, që të mobilizojnë potencialin dhe të intensifikojnë përpjekjet, synimi i të cilave është çlirimi nga pushtimi izraelit. Shteti i Palestinës pohon angazhimin e tij për parimet dhe qëllimet e KB dhe për Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ai pohon angazhimin e tij si edhe parimet dhe qëllimet e Lëvizjes së Paangazhuar.
Ai e deklaron veten të jetë një shtet paqedashës, në përkrahje të bashkëjetesës paqësore. Ai do të bashkohet me të gjitha shtetet dhe popujt me qëllim që të sigurojë një paqe të qëndrueshme që bazohet në drejtësi dhe në respektimin e të drejtave, ashtu që potenciali për mirëqenën e njerëzimit të mund të sigurohet, një konkurrencë serioze për përsosuri të mund të mbrohet dhe në të cilën besimi për të ardhmen do të eliminojë frikën për ata që janë të drejtë dhe për ata, për të cilët drejtësia është i vetmi shpëtim.
Në kontekst të betejës së tij për paqe në Tokën e Dashurisë dhe Paqes, Shteti i Palestinës i kërkon KB që të mbajë përgjegjësinë e veçantë për popullin arab palestinez dhe atdheun e tij. Ai i fton të gjithë popujt dhe shtetet paqedashës dhe liridashës që ta përkrahin atë në arritjen e qëllimeve të tij, që të sigurojnë siguri dhe të shmangin tragjedinë e popullit të tij, dhe që ta ndihmojnë atë që t’i japë fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze.
Shteti palestinez deklaron se ai beson në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale dhe ndërkombëtare me anë të mënyrave paqësore, në përputhje me Kartën dhe rezolutat e KB. Pa cenuar të drejtën e tij të natyrshme  për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij territoriale, ai heq dorë nga kërcënimi apo përdorimi i forcës, dhunës dhe terrorizmit kundër integritetit të tij territorial apo pavarësisë politike,  si edhe ai e mohon përdorimin e tyre kundër integritetit territorial të shteteve të tjera...  Shih:  http://www.al-bab.com/arab/docs/pal/pal3.htm (me datë 24. 08. 2008.)  
[9] Henry Kissinger, A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme?, op. cit., f. 276.
[10] Kur Kissingeri e kishte pyetur Arafatin, në vitin 1994, se pse izraelitët duhet ta besonin atë, ai ishte përgjigjur: “Sepse sauditët na hoqën nga lista, jordanezët po përpiqen të na dobësojnë, kurse sirianët kërkojnë të dominojnë”. Henry Kissinger, A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme?, op. cit. f. 259-260.
[11] Iain McLean, op. cit., f. 393.
[12] OKB, rezoluta 43/177
15 dhjetorit 1988
Çështja e Palestinës
 Asambleja e Përgjithshme,
-Duke marrë në konsideratë –paragrafin e titulluar “Problemi i Palestinës”
-Duke kujtuar rezolutën e saj 181 (II) të 29 nëntorit të vitit 1947, në të cilën, ajo kërkon krijimin e një shteti arab dhe e një shteti çifut  në Palestinë,
-E vëmendshme për përgjegjësinë e veçantë të KB për të arritur një zgjidhje të drejtë për çështjen e Palestinës, e vetëdijshme për proklamimin e Shtetit të Palestinës nga Këshilli Kombëtar Palestinez në përputhje me rezolutën 181 (II) të Asamblesë së përgjithshme dhe në zbatim të të drejtave të patjetërsueshme të popullit palestinez,
-Duke afirmuar nevojën urgjente për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të përgjithshme të Lindjes së Mesme, që siguron një bashkëjetesë paqësore për të gjitha shtetet në rajon,
-Duke kujtuar rezolutën e saj 3237 (XXIX) të 22 nëntorit të vitit 1974 mbi statusin e vëzhguesit të OÇP dhe rezolutat relevante  të mëvonshme,
1. Njeh shpalljen e shteti të Palestinës nga Këshilli Kombëtar Palestinez në 15 nëntor të vitit 1988;
2. Pohon nevojën për t’i bërë të mundur popullit palestinez që të ushtrojë sovranitetin e vet në territoret e pushtuara që nga viti 1967;      
  3. Vendos që, duke hyrë  në veprim që nga 15 dhjetori i vitit 1988, emërimi “Palestinë” do të përdoret në vend të “Organizatës për Çlirimin e Palestinës” në sistemin e KB, pa cenuar statusin e vëzhguesit dhe funksionet e OÇP brenda sistemit të KB, konform me rezolutat përkatëse të KB
4. I kërkojmë Sekretarit të Përgjithshëm që të kryejë veprimet  e nevojshme për të implementuar rezolutën e tashme. Shih:http://www.mfa.gov.il/MFA/Foreign%20Relations/Israel%20and%20the%20UN/Selected%20resolutions/UN%20GA%20Resolution%20A-RES-43-177-%20Question%20of%20Palesti (me datë 12. 08. 2008.) 
 
 
 
 




Reply all
Reply to author
Forward
0 new messages