Gazeta Express : Fatva e Prokurorise

0 views
Skip to first unread message

Naim Berisha

unread,
May 10, 2008, 1:23:07 PM5/10/08
to Pena Islame, Fjala e Bukur, ALB GRUPI
Gjylekarë,Viti, 9 maj
      Me urdhër të prokurorit komunal të Gjilanit, policia ka shkuar në Shkollën e Mesme “Kuvendi i Lezhës” në Viti dhe ka arrestuar për disa orë drejtorin Bajram Jahirin.Arsyeja është se drejtori ka përjashtuar nga shkolla nxënësen Dashurie Emini, e cila rreth tre muaj më parë, ka vendosur të mbulohet me shami. Padinë kundër drejtorit në Gjykatë e ka paraqitur prindi i vajzës, ndërkohë që sipas vetë drejtorit, kryetari i Prokurorisë publike në Gjilan i ka treguar se për këtë përjashtim të nxënëses, bazuar në Ligjin Penal dhe konventave evropiane, ai mund të dënohet deri me shtatë vjet burg. “Unë zbatoj vetëm ligjin dhe rendin e brendshëm shtëpiak. Asgjë tjetër. Le të thotë me shkrim Ministria e Arsimit se vajza mund të vazhdojë shkollën e mbuluar, unë jam i gatshëm në çdo moment të pranoj”, thotë drejtori Bajram Jahiri për Express. Drejtori  Bajram Jahiri ndjen keqardhje dhe turp që është detyruar që pas më shumë se 40 vjet pune në arsim, në sy të nxënësve, të hyjë në veturën e policisë. Sipas tij, është edhe më shumë për keqardhje ky fakt, ngase është arrestuar për disa orë për arsyen e vetme ngase ka zbatuar dhe vazhdon të zbatojë ligjin. Por familja Emini mendon ndryshe. Sipas tyre, nëse deputeti rom, Zylfi Mërxha, mban terlemen në kokë brenda Kuvendit të Kosovës dhe nuk ofendon asnjë nga 119 deputetët me këtë gjest, përse një vajzë nuk mund të mbajë shaminë në shkollë!? Kjo është njëra nga arsyetimet kryesore që jep Halil Emini, babai i nxënëses Dashurie Emini nga fshati Gjylekarë i Vitisë, pas përjashtimit të së bijës nga shkolla e mesme. “Kjo nuk është e drejtë. Ajo nuk ofendon askënd me shaminë e saj dhe nuk provokon askënd”, thotë Halili për Express, i cili e pranon se ka paraqitur padi private për këtë çështje në organet përkatëse, kundër drejtorit të shkollës, Bajram Jahiri. Me këtë dosje është duke u marrë prokurori Sabit Maliqi. Për të sqaruar dhe kërkuar ndihmë për rrugëdalje, drejtori i shkollës i ka nisur një letër dy ditë më parë Ministrisë së Arsimit në Prishtinë, ku përmes saj sqaron tërë ngjarjen. “I kam shkruar se kam zbatuar Ligjin e arsimit dhe rregullat e rendit shkollor të miratuara nga Kuvendi komunal. Prokuroria ka punë me organet e larta arsimore, e jo me mua. Kurse ai mund të ankohet deri në ministri”, citon drejtori i shkollës Bajram Jahiri, fjalët që i ka shkruar në letrën drejtuar të mërkurën Ministrisë.
 
Vendimin e drejtorit për përjashtimin e vajzës së mbuluar e mbështesin edhe zyrtarët komunalë të arsimit në Viti, të cilët sqarojnë se për këtë rast janë në pritje të vendimit nga ana e Ministrisë së Arsimit. “Ne jemi për zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve. Presim vendim nga Ministria e Arsimit. Ministrisë ka rreth dy muaj që iu kemi drejtuar me shkresa”, thotë Feri Qerimi, drejtor për Arsim në Komunën e Vitisë. Por Dashuria, e cila tashmë jetën e saj e ndan në periudhat para dhe pas mbulimit të kokës me shami, thotë se vendimi për të mbuluar kokën ka qenë thjesht një inspirim dhe caktim nga Zoti. Për më tepër, datën dhe momentin e shkuarjes së kësaj vajze në shkollë me shami, përveç familjes, e mbajnë në mend edhe vetë arsimtarët. Ditën e parë të shkollës pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt, Dashuria thjesht është paraqitur në shkollë e mbuluar,
ndërkohë që dy ditë më parë, ajo ishte e veshur njësoj sikurse të tjerët nxënës. “I kam kryer obligimet e tjera dhe jam falë, por mbulesën nuk e kisha e pastaj vendosa ta vendos edhe shaminë. Më herët nuk e kam ditë vlerën e shamisë, prandaj nuk e kam vendosur”, thotë Dashuria për Express. Për këtë nxënëse edhe drejtori i shkollës e pranon se është vajzë e sjellshme dhe shumë e mirë në mësime, ndërkohë që vetë Dashuria nuk e ka idenë se çfarë do të bëhet me arsimimin e saj tash e tutje. “E kam menduar të ardhmen, por nuk e kam menduar se do të ndodhë kështu, sepse unë kam
parë edhe në shkollat e tjera nxënëse të mbuluara dhe nuk kam menduar se do të ketë problem”, thotë ajo për Express. Në fakt arsyetimi tjetër i drejtorit të shkollës për largimin e Dashuries nga shkolla është edhe përkatësia e ndryshme fetare e nxënësve
të tjerë. “Ne këtu kemi nxënës katolikë dhe myslimanë. Ata shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. As atyre nuk iu lejohet bartja e kryqeve, së paku jo mbi rroba, që të
duken”, thotë drejtori i shkollës. Por, një gjë e tillë kundërshtohet nga nxënësja e tij, e cila pohon se përveçqë ka nxënës që shpesh i bartin kryqet edhe mbi rroba dhe kjo nuk e pengon askënd, janë vetë ata që kanë nënshkruar peticion për lejimin e Dashuries
për të vijuar mësimin. Babai i Dashuries, Halili, thotë se dymbëdhjetë nxënës të besimit
katolik e kanë nënshkruar një peticion duke treguar se nuk iu pengon nëse kjo vajzë vijon mësimin e mbuluar me shami. “Por këtë peticion nuk e ka pranuar shkolla”, thotë ai, i bindur se për këtë çështje duhet të gjendet një zgjidhje. Pavarësisht se është e përjashtuar nga shkolla e mesme, vetë Dashuria thotë se do të vazhdojë të studiojë dhe se nuk beson se në fakultet do të ketë problem për shkak të shamisë. “Kam shumë motra myslimane që janë të mbuluara në fakultet dhe nuk kanë probleme”, thotë ajo derisa pret në shtëpi, pa e ditur se çfarë do të bëhet.
 


Be a better friend, newshound, and know-it-all with Yahoo! Mobile. Try it now.

Reply all
Reply to author
Forward
0 new messages