Hamdi Nuhiju Skena politike në vend është bërë teatër.
Po jo teatër aktrimi profesional. Njerëzit mendojnë se kanë arritur
suksese të mëdha në karrierat e tyre politike me mashtrimin e disa
masave të caktuara.
Të tjerët shpresojnë se do të thellojnë
hendekun e veprimeve dhe mashtrimeve të njëpasnjëshme politike. Të
tretët lundrojnë në ëndrrën vetjake pa mos përmendur oazën e shpëtimit.
Vijëzimi i këtillë do të vazhdonte nga njëri skaj i botës e deri në
skajin e fundit të mendimeve.
Në këtë krizë identiteti e lirie,
njeriu detyrohet që të mendoj për të mos menduar. Ai detyrohet që të
veproj për të qëndruar në vend. Dhe detyrimi detyrohet që të humb
kuptimin e tij. Bota sillet rrotull. Para disa vitesh kishte kuptim
qëndrimi në krah të një mendimi dhe përkrahja e tij për shkak të bërjes
së padrejtësisë. Sot ka marr kuptim zhgënjimi i pjesës dërmuese të
popullatës shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Dalja nga ky qorrsokak
sa i vështirë të jetë, po duket edhe i pamundshëm.
Lapsi i
publicistit në vend që të ngjallë shpresa dhe optimizëm po detyrohet që
të shpreh zhgënjimin e kritikën. Për të mos u linçuar nga kërbaçi
politik, e gjuajmë gurin dhe fshehim familjen. Kjo është bota e
monopolit ku të gjithë kanë të drejtë, por vetëm njëri jeton.
Edhe
pse ekziston ‘ Deklarata universale e lirive dhe të drejtave të njeriut’
ajo është e pavlefshme për qytetarët shqiptarë e maqedonas kur është në
pyetje mbrojta e tyre prej monopolit të energjisë elektrike. Deklaratën
në fjalë askush nuk e mohon, ndërsa në vepër respektohet vetëm kur janë
në pyetje interesat e ndonjë grupi të caktuar.
Edhe pse ekziston
Organizata e Kombeve të Bashkuara e cila duhet të veproj njëjtë për të
gjitha shtetet, ajo bëhet shurdhe dhe memece karshi krimeve sioniste në
Palestinë. Burgu më i madh i tragjedisë njerëzore, ai në Gaza, prej në
2006 mbulon mbi 2 milion njerëz të cilët nuk gëzojnë asnjë të drejtë që
gëzojnë njerëzit normal në botë, ndërsa OKB, organizata që detyrohet për
të drejtat e popujve në botë, bëhet e shurdhër dhe memece para
kërkesave të tyre.
Në Siri po përjetohet një tragjedi njerëzore
ku për çdo ditë po vriten e masakrohen fëmijë, vajza, gra, pleq e të
rinj, ndërsa organizatat ndërkombëtare nuk po e shohin të arsyeshme të
veprojnë njëjtë ashtu siç vepruan në Gjeorgji. Invazioni i Francës në
Mali, në vend që të gjykohet dhe pengohet nga organizatat ndërkombëtare,
ai po amnistohet bile edhe po përkrahet në mënyra të ndryshme direkt e
indirekt.
Bota nuk është ashtu si duket, nga që ne, njerëzit, po e
bëjmë që të duket ashtu si duam ne. Në vend që të krenohemi me vlerat e
vërteta njerëzore ne thirremi në principe dhe rregulla që çojnë kah
degjenerimi.
Omer ibën Abdulazizi ka thënë:” Shpirti im është i
etur. Kur i jepet diçka prej kësaj bote, etet për diçka që është më e
madhe se e mëparshmja.”
Njëri prej probleme thelbësore i shoqërisë
njerëzore është edhe korrupsioni. Varfërimi i njerëzve është si rezultat
i vjedhjes së njerëzve të pasur dhe marrjes së hakut ndaj njerëzve të
varfër. Shtetet po korruptojnë shtetet, popujt po korruptojnë e po
vjedhin popujt e caktuar, njerëzit po i vjedhin njerëzit e caktuar,
grupet e interesit po vjedhin grupet e interesit. Aq shumë është
shtresuar kjo dukuri fatkeqe saqë është shndërruar në sëmundje. Pasojat e
saj janë të vështira.
Paramendoni shoqërinë multietnike në Maqedoni,
ku një djalosh i ri, shqiptar mysliman, 13 vjeçar, detyrohet që të puth
kryqin vetëm pse ligjet i bën më i forti dhe nuk japin siguri edhe për
më të dobëtin? Edhe pas puthjes ai rrihet brutalisht nga huliganët
maqedonas.
Këto ditë u arrestua një polic maqedonas me burg të
përjetshëm për shkak të vrasjes së dy të rinjve shqiptar. Ky lajm pati
jehonë të madhe triumfalizmi në të katër anët e shqiptarisë. Mendoj se
duhet të kishte jehonë frikë dhe tmerri. Në këtë shtet të padrejtë t`i
si shqiptar mund të vritesh në çdo kohë dhe në çdo moment, dhe vetëm
nëse vritesh, mund të ndërgjegjësohet shteti, përndryshe deri në pesë
minuta para vdekjes e ke shtetin kundër teje.
Me plot të drejtë
mund të më akuzoni për termin morfium identiteti të përdorur në titull
të këtij shkrimi. Askush nuk ka të drejtë t`ua mohoj këtë të drejtë edhe
nëse do të ishte qasje ndryshe.
Identiteti maqedonas, ose edhe
identiteti politik, ekonomik, social, kulturor e kombëtar në këtë shtet
të popujve nëse nuk fshihet pas termit morfium që nënkupton
varshmërinë, atëherë me plot të drejtë do ta qaj vetën. Ky identitet
është i varur edhe i lidhur pas korrupsionit të skajshëm, pas premtimeve
boshe, pas honorarëve të këtij shteti ku pagesa e tyre zgjat me vite,
pas punës se marrjes së rrogës duke qëndruar në shtëpi, etj.