Shkruan: Saimir LLESHI
Nën strehën e heshtjes së shpirtit tim, vështroja minutat rinorë, që iknin në autostradën e kohës. Kishin lënë pas kujtime të vetmuara, të mbetura në pragje hijesh në një diell të fjetur kah mot. Po sikur Zoti, të më rikthente në kohë, e ta vështroja edhe një herë atë film që luhej thellësive të mendimeve të mia. E në s’mundej, kishte të tjera kohë për të vrapuar me shpirtin e zhveshur, në asfaltin e ftohtë të mbrëmjeve vetmitare. U shtriva lehtë, në atë të rëndë mendim, në atë të zjarrtë mall, që kishin pranguar sekuencat e ritmeve të jetës. Ndjeva se një erë e lehtë, frynte në atë shkretëtirë të ftohtë, duke iu dhënë shkëlqim syve të ndjenjave. Por si në petalet e një lule maji, rrëshqiti, oshtima e një zemre që rrihte fort, e të trokiturat e saj, hapën një e nga një në të gjitha dritaret e historive të shkuara. Pashë se nuk mund t’i përballoja ato vështrime të gjata që linin pas doza melankolie. Pashë fytyra të ngrysura, të njerëzve të shkuar. Ata kishin ikur si të gjithë vdekatarët, e porsi lundërtarët, ishin ngjitur në të tjera dallgë historie. Qëndrova diku aty i hutuar, e sigurisht një lot i fortë u derdh brendive, por sytë nuk mi pushtoi. Mora frymë thellë, për të nxjerrë prej andej atë flakë ndjenjash, që po digjej si zhiva brenda cipëzës së zemrës sime. U ula pa krenari, si një i moshuar që nuk i ka mbetur tjetër për të provuar në këtë jetë. Nuk isha pesimist. Një lloj ndjesie përzihej si tajfun, duke më përkëdhelur në vuajte, e duke më dhuruar prej andej, copëza poezish, thënie ikjesh, e ditë të humbura kot në skutat e boshatisura të kohës. Më ndjej o Zot!-thashë në atë çast, duke braktisur për një moment botën time të harrimit. Njerëz pa fund kalonin përbri, e unë i hutuar e mendja ime ishte shpërndarë si grimca baruti pas një shpërthimi. Qëndroja në një njërën prej dritareve, ku me siguri kisha parë më shumë nga bota ime, e asaj bote që qëndron mister, e fshehur përtej shpirtit tonë, përtej mundësive tona. Duke lozur me shpirtin e erës, ndjeva ikjen e kohës, braktisjen, lamtumirën. Lamtumirën e asaj dite, që ma kishte turbulluar atë muzikë të qetë të gëzimit tim. Më në fund po flisja për gëzimin. Po kacavirresha në atë pëlhurë të vjetruar, e ardhur nga kohët e pafajësisë. U përplasa atje, njësoj si era mbi mure, ashtu pa mëshirë për të mos shkundur pjalmin e dashurisë së luleve. Janë të gjata ato momente ku lulet e vogla të dashurisë, shpërthejnë si në bjeshkë të mallkuara me ftohtësinë e përjetshme. Jam atje, ku lulet dinë vetëm të dashurojnë, e nuk njohin marrëzi njerëzore. Jam atje, për të flijuar ndjenjën time, pa marrë asnjë shkëmbim, duke iu dorëzuar i tëri Zotit. Atje riktheva dashurinë e ardhur, mbi çatinë e një shtëpie të zhurmshme, dilemash, që bënte qytet brenda shpirtit. Kuptova se diçka brenda meje, ishte e ngrohtë, kuptova se një ndjenjë malli më pushtonte shpesh herë, duke më bërë të dashuroj edhe më shumë. Po sikur Zoti, t’ua falte ndjenjën time njerëzve, e me të, të jetonin përgjithmonë të lumtur?! E në s’duhet, e mbaj brenda vetes, duke më shkaktuar vuajte herë pas here. Edhe dashuria është vuajtje. Vuajtje, kur kujton të shkuarën e artë, vuajtje kur tenton të dhurosh shumë dashuri, e s’mundesh. Qëndroj ende në atë dritare, duke parë përrallën e jetës. Atje shoh se si jeta luan me ndjesitë e mia, duke i mykur brenda meje. Të kapërcej përtej nuk mundem. Nuk mundem as të lëviz, por vetëm të shoh se si luhet kumar ndjesia e shpirtit tim. Më ndjej o Zot, kam shpresuar gjithmonë se vetëm Ti mundesh të kuptosh atë që gjendet brenda asaj bote që rrotullohet tek unë, duke më sjellë stinë. Atje robërojnë kohët e mia, brengat e mia, e vetëm Ti o Zot, mi qetëson plagët e një zhgënjimi të fortë që më shkakton tërmet në të gjithë ndërtesën time.