Emir Sulltani

17 views
Skip to first unread message

Hamdi Nuhiju

unread,
Feb 27, 2013, 6:39:51 PM2/27/13
to Shqiprim Arifi, Gazeta Shqiperia, cameria, kosova...@yahoogroups.com, fjala...@googlegroups.com, Alb Students, Hamdi Nuhiu

Këtë javë do të njihemi me simbolin e qytetit Bursa, Emir Sulltanin, i cili në jetë dhe pas saj ka qenë gjithnjë ambasador i idesë së bashkimit dhe solidarizimit.

Deti i diturisë së Anadollit 08
Postuar më 27.02.2013 13:32:40 UTC
Përditësuar më 27.02.2013 14:07:19 UTC

           Nëse me mua është zemra juaj,

           Je pranë meje edhe në Jemen qofsh.

           Nëse s’është me mua zemra juaj,

           Je larg meje edhe në afër qofsh.

           Historia e njerëzimit është një histori e ndarjeve dhe bashkimeve. Zemrave të dashuruara herë-herë u duhet të ndahen nga njëra-tjetra. Dhe kur vjen koha e përshtatshme, pengesat mes tyre eliminohen e të gjitha zemtat bashkohen në një të vetme.

           Ekzistojnë disa njerëz, puna e vetme e të cilëve është të ndërtojnë këtë bashkim. Ata nuk entuziazmohen kurrë më shumë se sa nga mendimi i bashkimit të njerëzimit. Ata e shpenzojnë të gjithë jetën e tyre duke zhdukur farat e këqija të përçarjes e grindjes dhe duke mbjellë në zemra e njerëzve lulet e bukura të miqësisë, bashkimit e harmonisë. Ata bëhen aktivistë e ambasadorë onorarë të paqes, shpëtimit, mirëqenies dhe jetës së moralshme; këtë mesazh ua përcjellin të gjitha vendeve, në të cilat shkelin.

           Një nga këta ambasadorë të bashkimit mund të takohet në çdo qytet të Anadollit. Sepse historia e qyteteve të Anadollit konsiderohet njëkohësisht edhe si historia e këtyre njerëzve të zemrës, evliave, pra njerëzve të dashur të Perëndisë. Haxhi Bajram Veliu në Ankara, Mevlana Xhelaledin Rumiu në Konja, ose Ejup Sulltani në Stamboll...

           Dhe simboli i unitetit e solidaritetit të qytetit Bursa: Sejid Emir Buhari, i njohur ndryshe si Emir Sulltani...

           Këtë javë, në serialin tonë të titulluar “Deti i diturisë së Anadollit”, do të njihemi me Emir Sulltanin, i cili në jetë dhe pas saj ka qenë gjithnjë ambasador i idesë së bashkimit.

           Emir Sulltani, emri i vërtetë i të cilit është Shemsedin Muhamed, është lindur në Buhara të Turkistanit, një nga qendrat më të mirënjohura të dijes. I ati i tij ishte një poçar nga Buharaja dhe quhej Emir Kulal. Edhe ky poçar i thjeshtë, ashtu si evliatë e Anadollit, për të cilët u kemi folur në pjesët e mëparshme të programit, ishte një njeri i brumosur me dituritë dhe edukatën e Horasanit. Po ashtu të birin ai e kishte rritur me një përkujdesje të jashtëzakonshme dhe me edukatën e urtësisë.

           Ja çfarë i këshillonte ai gjithnjë të birit:

           “Biri im, kur të shohësh apo takosh miqtë e Allahut, duaji ata më shumë se nënën dhe babanë. Mos u mburr me fisin tënd dhe mos nxirr fjalë të rreme nga goja. Çdo ditë të jetës tënde kaloje sikur të ishte e fundit. Mos u sill kurrë me përtaci për të mësuar dituritë. Mos hyr kurrë në mesin e njerëzve pa i përshëndetur ata. Jeta është një shkollë me çdo aspekt të saj, prandaj në këtë shkollë vrapo pas mirësisë dhe largoju të keqes!”

           Shemsedin Muhamedi u rrit me këto këshilla të babait dhe kur u bë një djalë i ri, iu vu rrugëve për të kërkuar diturinë e vërtetë. Ky djalë i ri, që në zemër ushqente vetëm një dëshirë, atë për të kaluar një jetë fetare, një ditë prej ditësh shikon një ëndërr të çuditshme. Këtu duhet të theksojmë se njerëzit e zemrës u kushtojnë rëndësi tepër të madhe ëndrrave. Ata mendojnë se prej tyre mund të merren shumë mësime dhe mesazhe kuptimplota. Dhe Shemsedini në ëndërr kishte parë se duhet të shkonte drejt Anadollit. Me besimin se ëndrra e tij ishte realitet, ai bëri të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe nisi udhëtimin.

           Përgjatë gjithë rrugëtimit atë e ndriçuan tri qirinjtë, që kishte parë në ëndërr. Dhe në këtë mënyrë ai la pas qytete si Karamani, Nideja dhe Kytahja. Me të mbërritur në Bursa drita e qirinjve në fjalë u shua dhe Shemsedin Muhamedi e kuptoi ky ishte vendi, në të cilin ai duhet të qëndronte.

           Populli i këtij qyteti, ku ai mbërriti në moshën 22-vjeçare, e pranoi dhe u miqësua menjëherë, që në shikim të parë, me këtë njeri të veçantë. Kurse Shemsedin Muhamedi, falë diturisë dhe edukatës së tij rrallë, solli në këtë qytet begatinë, zhvillimin dhe miqësinë. Gjithashtu ai në Bursa u martua dhe krijoi një familje shembullore me Hundi Fatma Hatunen, një nga vajzat e Sulltan Bajazitit të Rrufeshëm.

           Pak më lart thamë se ëndrrat kanë një rëndësi të veçantë për evliatë. Dihet që ëndrrat kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në martesën e Emir Sulltanit me vajzën e Perandorit Osman. Si Hundi Fatma Hatuneja ashtu edhe Emir Sulltani kishin parë në ëndërr se ishin lidhur me njëri-tjetrin me një martesë hyjnore, gjë të cilën ia kishin përcjellë njeri-tjetrit dhe kishin vendosur të krijonin familje. Nga ana tjetër, edhe Sulltan Bajaziti i Rrufeshëm kishte krijuar përshtypje jashtëzakonisht të mira për Emir Sulltanin dhe ishte miqësuar shumë me të. Në fakt edhe titulli “sulltan”, që Emiri, apo Shemsedin Muhamedi mori më pas, buron nga marrëdhëniet e tij farefisnore me Pallatin Perandorak Otoman.

           Pas vdekjes së Bajazitit të Rrufeshëm, ky njeri i dashur i Zotit është respektuar shumë edhe nga dy sulltanët vijues të dinastisë perandorake osmane, Mehmeti I dhe Murati II, madje për këta dy prijës të mëdhenj ai ka drejtuar ceremonitë e kurorëzimit.

           Por Emir Sulltani, pavarësisht marrëdhënieve të ngushta me dinastinë osmane, politikisht ka mbrojtur gjithmonë idenë e bashkimit. Asokohe otomanët kishin krijuar një epërsi politike të caktuar ndaj principatave të tjera në Anadoll. Megjithatë disa familje të tjera turke, si Artukët, Karamanët dhe Germijanët, vazhdonin t’i bënin qëndresë të fortë otomanëve. Emir Sulltani është përpjekur gjithnjë t’i bashkonte këto principata, që kishin të njëjtën fe dhe mënyrë jetese. Kështu ai nuk ka bërë shërbime të mëdha vetëm në fushën shpirtërore, por edhe në atë politike e shoqërore.

           Dëgjo sa bukur Zoti ka thënë.

           Në Zebur Daudin e ka urdhëruar.

           Bëhu armik më parë i epshit tënd,

           Më ndiq mua për t’i shpëtuar.

           Kështu shprehet Emir Sulltani në një strofë të vjershave të tij duke i këshilluar njerëzit që të dëgjojnë thirrjen hyjrore, që i është bërë Profetit Daud. Ky apel kërkon fillimisht eliminimin e egos, të cilën ai e quan adrallë. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të hapen portat e të vërtetës.

           Eja, tani edhe ti bëhu armik i epshit,

           Të humbur quaje gjithçka ai kërkon,

           Në arrin dyfytyrësinë këtu ta flakësh,

           Evliatë quaji udhërrëfyes përgjithmon(ë).

           Egoja i paraqet njeriut kërkesa të pafundme. Merr këtë, edhe këtë tjetrën, kërko gjithçka, zotëro çdo gjë! Këto 3-4 fjali janë sekreti i egos dhe epshit. Për të gjithë ata, që mendojnë se këto fraza janë fjalëkalimi, që do të hapë të gjitha dyert e jetës para tij, shekuj më parë Emir Sulltani ka dërguar një sinjal paralajmërues. Ai u bën thirrje atyre që të rebelohen kundër epsheve. “Bëni të kundërtët e asaj, që u kërkon egoja”, thotë Shemsedin Muhamedi. Ja pra, kështu do të eliminohet çdo lloj hipokrizie në zemrat tuaja dhe do të hapen deri në fund portat e të vërtetës.

           Në më kupton kështu vepro,

           Nga ligësia e epshit ti shpëto,

           Synimit të egos largoju.

           Pre e saj në bie, djallit mos iu afro.

           Sipas gojëdhënave, Emir Sulltani i pëshpëriste vazhdimisht këto vargje. Dhe kjo e vërteton shumë mirë se ai kërkonte fillimisht të nxirrte mësime për vete dhe t’i vinte ato vathë në vesh, pastaj tua këshillonte ato të tjerëve. Sepse ai nuk ishte kurrsesi nga ata, që thonë: “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë.” Ato që ua këshillonte të tjerëve, Emir Sulltani ia urdhëronte së pari epshit të tij. Ai nuk hoqi kurrë dorë së edukuari egon e tij teksa  përpiqej të edukonte njerëzit e tjerë.

           Vërtetësia e fjalëve të Emir Sulltanit dhe sinqeriteti i karakterit të tij vinin si rezultat i këtyre përpjekjeve të jashtëzakonshme.

           Sot, tyrbeja ku prehet Emir Sulltani, konsiderohet një vend i shenjtë dhe ka një numër të madh vizitorësh. Njerëzit që përmendin vazhdimisht emrin e Allahut, ata që kërkojnë të shkëlqejnë zemrat e tyre me rrezatimin e të vërtetës, vizitojnë tyrben e tij dhe mundohen të përfitojnë nga atmosfera e atjeshme shpirtërore. Tyrbeja e Emir Sulltanit është simbol i Bursës dhe në pranverë arrin kulmin e numrit të vizitorëve, pasi atje krijohet edhe një parajsë e vërtetë nga ngjyrat dhe aroma e luleve të jorgovanit. Kjo është një traditë rreth 500-vjeçare. Këtë periudhë disa e quajnë “koha e jorgavanit”, disa të tjerë “festa e jorgovanit”. Kështu Emir Sulltani vazhdon t’i bashkojë njerëzit edhe pas vdekjes.

Reply all
Reply to author
Forward
0 new messages