Kineastët: Imazhi i vendit tonë nuk mund të jetë vetëm kontrabanda
"Shpëtoni filmin, shpëtoni festivalin!". Kjo është thirrja që më shumë
se 160 kineastë dhe dashamirës të filmit, shqiptar e të huaj, i
drejtojnë ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli
Pango, i cili ende nuk i ka kthyer një përgjigje zyrtare, 3 javë para
se festivali të nisë, kërkesës së organizatorëve të Tirana
International Film Festival, për mbështetje financiare. TIFF bën këtë
vit edicionin e pestë. Gati pa e kuptuar festivali i filmit me metrazh
të shkurtër u kthye në një traditë dhe pjesë e kalendarit kulturor të
Tiranës dhe të Ministrisë së Kulturës. Ndodh që pikërisht në këtë 5-
vjetor, TIFF nuk gjen mbështetje financiare tek MTKRS, që der më sot
ka qenë ndër partnerët kryesorë. Në këto kushte organizatorët e
festivalit i dërgojnë një peticion ministrit, Ylli Pango. Ata i
kujtojnë edhe një herë historikun e shkurtër të këtij aktiviteti dhe
rëndësinë që ka në promovimin e kulturës shqiptare në botë. "Gushtin
që shkoi kemi patur një takim me ministrin Pango. Ishte si një monolog
me veten. Më tha: "Ke ardhur të marrësh lekë tek unë? Nuk kemi." Po
shkonim për të gjetur partnerë dhe jo për të kërkuar lekë. Në këto 4
vite ministria na ka mbështetur me një fond mesatar prej 4 milionë
lekësh. Ministri nuk denjoi të na dëgjojë. Dhe në bazë të rregullores
së brendshme të ministrisë duhej të na kthehej një përgjigje zyrtare
brenda 30 ditëve, sepse ne e kemi çuar kërkesën tonë po në rrugë
zyrtare. Prisnim që projekti ynë të kalonte ashtu si gjithë të tjerët
në bordin e projekteve të MTKRS, por përgjigjen e morëm aty për aty
nga vetë ministri", - shpjegon ecurinë e ngjarjeve drejtori i
festivalit, Ilir Butka. "Nëse ministri i Kulturës paguan për një spot
të turizmit shqiptar në CNN 360 mijë euro, besoj me këtë festival
tonin e kemi bërë kundrejt pa kësi shpenzimesh reklamën për vendin
tonë. Tani nuk më mbetet veçse të them u dorëzova. U dorëzova, jo u
lodha. Lodhja është tjetër gjë. Por ky është ofendim që i bëhet
vlerave që kemi sjellë dhe kemi pretenduar të sjellim në këto 4 vite
në Shqipëri dhe të japim një imazh me po kaq vlerë të vendit tonë
jashtë. Jam i dëshpëruar dhe më vjen keq të them që vitin që vjen nuk
do të ketë më një festival ndërkombëtar të filmit të shkurtër të
Shqipëri", - tha dje për "Shekullin" drejtori i TIFF. Se ç'do të thotë
të japësh 4 milionë lekë për një festival si ky i referohemi vetëm dy
të dhënave: Ministria në fjalë jep 4 milionë lekë për një nga katër-
pesë festivalet e teatrit, që mbahen çdo vit në Shqipëri, festivale me
plot kuptimin e fjalës lokalë; ndërsa sa për kinemanë i fundit
festival shqiptar filmi i bë vitin që shkoi pas më shumë se 6 vite
mungesë, ndërsa TIFF është e vetmja ngjarje e përvitshme për kinemanë,
pa llogaritur tregun e përditshëm komercial të atyre pak kinemave.
Peticioni drejtuar Pangos është firmosur deri nga dhjetëra kineastë,
mes të cilëve mund të përmendet regjisori i njohur anglez, Ken Loach,
për të vijuar me Milos Kostovski, Cecilie Bolvinkel, Giulia Ricci,
Jaksa Boric, JayField, Flaminia N'Guyen, Mikhail Sebastian, Pedro
Touceda, Bertrand Shijaku, Evgeny Ruman, Cecilia Lidin, drejtore
artistike e Odense Int. Film Festival, Danimark, Kari Lounela drejtore
ekzekutive e edicionit të 38-të të Tampere Film Festival në Finlandë,
Ulla Jacobsen, Alexei Dmitriev, Zoltán Füredi drejtor i Dialektus
Festival Hungari, Till Passoë, etj, etj. Shumë prej tyre përveçse kanë
shënuar emrat, i kanë lëshuar edhe një mesazh personal ministrit
shqiptar. Njëri prej tyre është Alexandre Rockëell. "Jam një regjisor
i cili beson në rëndësinë ndërkombëtare të Festivaleve të filmave. Pa
këtë rrjedhë të mrekullueshme të kinemasë botërore kultura jonë fimike
do të vuajë shumë. Një festival ndërkombëtar si ai i Tiranës është një
nga shkëmbimet më të rëndësishme mes kulturës shqiptare dhe asaj
botërore".Për të vijuar me Stefan Laudyn: "I dashur ministër, si
drejtor i Ëarsaë International Film Festival dhe anëtar bordi i
European Film Academy do të doja të shprehja mbështetjen për miqtë
tanë të Tirana International Film Festival. Jemi në kontakt prej
fillimeve të ekzistencës së TIFF-it dhe mund t'ju them që ata po bëjnë
një punë të pamasë, duke prezantuar gjithë kinemanë evropiane e
botërore në Shqipëri dhe kulturën shqiptare në Evropë. TIFF është
pjesë e familjes filmike evropiane. Festivalet e filmave janë shumë të
brishtë dhe pa mbështetjen tuaj bujare ata mund të rreshtin së
ekzistuari". Firmëtarë të tjerë si Robert Aliaj Dragoti, Petro Vasili,
Petraq Papa, etj. i bëjnë thirrje ministrit të mos merret vetëm me
politikë e propagandë, por të kuptojë se cila është reklama më e mirë
për Shqipërinë. Imazhi i vendit tonë nuk mund të jetë vetëm
kontrabanda.
Alma Mile
10-11-2007
http://www.shekulli.com.al