Elbasani u themelua nga turqit osman në të njëjtin vend në shekullin
XV. Pas disfatës që pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, sulltan
Mehmeti II, rindërtoi në kthim në vitin 1466 kalanë e vjetër, për ta
pasur si pikë mbështetje të mëvonshme. Kalaja u ndërtua për vetëm 25
ditë dhe në ndërtimin e saj ndihmuan 150,000 njerëz.
Në hyrje të kalasë, mbi një pllakë, sulltani shkroi në turqisht: "Eli-
Basan, es Sulltan, ibni Sulltan, Fahati Sulltan, Mehmet thani
han." (Vura dorë, unë sulltan bir sulltanësh, sulltan triumfues,
Mehmeti, mbret i madh."). Pra, Elbasan do të thotë "vura dorë".
Me kalimin e kohës rreth Kalasë u zhvillua qyteti i Elbasanit.
Në dokumentacionin e kohës dëshmohet se në mesin e shekullit XVII
Elbasani kishte 2000 shtëpi dhe 900 dyqane. Punoheshin lëkura, leshi,
mëndafshi, metalet e sidomos argjendi. Pas pushtimit turk Elbasani u
shndërrua në qendrën e Islamit në Shqipëri. Për shkak të pozitës shumë
të favorshme në rrugën Egnatia, Elbasani u kthye në një qendër tregtie
shumë të rëndësishme. Përkrah tregtarëve vendas dhe turq në qytet
ishin ngulitur edhe tregtarë grek dhe sllav.
Prodhimet e qytetit të Elbasanit gjenin treg shitjeje si brenda ashtu
edhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti që Turqia në dy ekspozita
ndërkombëtare, njëra në Paris në vitin 1867 dhe tjetra në Çikago në
vitin 1894, krahas artikujve të tjerë të artizanatit ekspozoi edhe
pushkë, pistoleta dhe silahe të prodhimit shqiptar të Shkodrës,
Elbasanit, Prizrenit, etj. E rëndësishme është se Elbasani shquhet për
organizimin e panaireve. Panairi i parë është ai i vitit 1381 i pasuar
nga të tjerë në periudha të mëvonshme.
Në këtë kohë Elbasani shquhet si qendër e fuqishme arsimore dhe
kulturore me përpjekjet që bënë Bugomili (anonimi i Elbasanit),
Dhaskal Todri për përhapjen e gjuhës e të shkrimit shqip. Në epokën e
Rilindjes Kombëtare Shqiptare zë një vend të rëndësishëm Kostandin
Kristoforidhi, autor i abetares shqipe, fjalorit gegërisht dhe
toskërisht, i cili konsiderohet si babai i gjuhës shqipe. Në etapën e
fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare veçojmë Elbasanin si përhapës
të mendimit përparimtar arsimor e kulturor. Pas shpalljes së
Hyrijetit, Kushtetutës Xhonturke, u krijuan një sërë shoqërish dhe
klubesh nga patriotët elbasanas, të cilët detyrë kryesore kishin
përhapjen e gjuhës dhe shkrimit shqip.
Më 2-9 shtator 1909 u thirr Kongresi i Elbasanit ndër vendimet më
kryesore të të cilit qe hapja e shkollës Normale, e cila u realizua më
1 dhjetor 1909 dhe krijimi i Shoqërisë Përparimi, e cila do të
mbështeste financiarisht këtë shkollë. Kjo shkollë ka qenë e para
shkollë e mesme e arsimit kombëtar shqiptar.
Qyteti i Elbasanit konsiderohet si një nga vatrat më të rëndësishme të
luftës për liri dhe çlirim kombëtar. Si pika kulmore përmendim aktin e
shpalljes së pavarësisë së Elbasanit më 25 Nëntor 1912, si i pari
qytet i Shqipërisë, pjesëmarrjen aktive në Luftën e Vlorës në vitin
1920, në Lëvizjen Demokratike Antifeudale të vitit 1921 - 1924, si dhe
në Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë periudhës 1924 -1939 qyteti i Elbasanit arriti një zhvillim të
ndjeshëm në disa drejtime si p.sh. në infrastrukturë kryesisht me
ndërtimin e rrugëve që lidhnin Elbasanin me Tiranën, Durrësin, Korçën,
Gramshin, Dibrën, etj, ndërtimin e ujësjellësit të qytetit dhe
ndërtimin e centralit elektrik. Gjatë kësaj periudhe mori zhvillim
edhe ekonomia me ngritjen e disa objekteve si: fabrika e alkoolit,
duhan-cigareve, vaj-sapunit duke vazhduar punën artizanale
tradicionale. Në këtë kohë kemi ngritjen e degëve të bankave shqiptare
dhe të huaja, të cilat nxisnin prodhimin bujqësor e industrial të
Elbasanit.
Në vitin 1945 në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Si të gjithë
qytetet e tjerë të Shqipërisë edhe Elbasani vuajti për 45 vjet
represionin e egër komunist që donte ta privonte qytetin nga prirjet e
tij demokratike dhe kulturore. U persekutuan personalitetet më të
shquara të qytetit të Elbasanit. U vu dorë mbi institucionet e kultit
duke i transformuar sipas "ideologjisë së re". Në proceset demokratikë
të vitit 1990 edhe qytetarët e Elbasanit morën pjesë aktive në to.
Personalitetet më të shquara të shekullit të kaluar për qytetin e
Elbasanit janë: Aqif Pashë Elbasani, Aleksandër Xhuvani, Lef Nasi,
Ahmet Dakli, Et'hem Haxhiademi, etj.
Banja e vjetër turke, që ndodhet në qendër të qytetit është restauruar
dhe përdoret sot si restorant.