Marrë pa leje, per perdorim te drejte.
30 KORRIK 1998
- QËNDRIME TË UÇK-së
- AKTUALITETE
- NË FOKUS
- SHËNIM DITE
- REPORTAZH
- HISTORIOGRAFI
- INTERVISTA
- OPINIONE
____________________
30 KORRIK 1998
QËNDRIME TË UÇK-së
DREJTORIA INFORMATIVE E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
- për mjetet e informacionit publik
Deklaratë politike nr. 5
Që nga mesi i muajit korrik në pjesën më të madhe të Kosovës, pushteti
okupues i Beogradit ka ndërmarrë ofansivën më të madhe ushtarake të pas
Luftë së Dytë Botërore. Qëllimi parësor i saj është eliminimi nga skena
politike i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjunjëzimin e saj para
elementëve të ashtuquajtur të moderuar, me gjasë edhe në bashkërendim me
këta të fundit, që popullit shqiptar në përgjithësi, e atij të Kosovës në
veçanti, t‘i imponohet një zgjidhje tjetër e parëndësishme dhe shumë
nënshtruese. Dhe kjo shoqërohet me një angazhim të një arsenali të madh
ushtarak. Në këto luftime armiku ka angazhuar mbi 150 tanke, transporterë,
mjete të blinduara, e mjete tjera të motorizuara si dhe artileri të rëndë,
duke përfshirë këtu edhe të ashtuquajturat Kaçusha. Kjo makineri kudo ku
shkel prapa le gjurmët e veta të barbarisë mesjetare. Kudo djegë,
shkatërrim, rrënim. Përkundër gjithë kësaj, edhe pse me armatim më të
lehtë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po i përgjigjet me një vendosmëri të
pashoqe në fushëbetejat e luftës. E themi se nga këto luftime Ushtria
Çlirimtare e Kosovës do të dal edhe më e fortë, edhe më funksionale se deri
më tani dhe për këtë do të binden të gjithë. Armiku si edhe herave tjera
kudo është duke treguar qyqarllëkun e tij. Ai duke qenë i pafuqishëm për
t‘u ndesh me Ushtrinë tonë granaton nga largësia, djeg të lashta e shtëpi,
vret gra e fëmijë e pleq të pambrojtur. Populli dhe ushtria e jonë po
qëndrojnë dhe do të qëndrojnë me stoicizëm. Përdorimi i makinerisë së rëndë
nga okupatori e shtyri Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që t’i vëj në
përdorim dy taktika të nevojshme në këtë fazë të luftës; ngadhnjimin në
mbrojtje aktive dhe tërhqjen e popullësisë nga vendbanimet e rrezikuara nga
granatimet serbe. Është e vërtetë se në këto luftime kemi pasur edhe të
vrarë në frontin e luftës, ashtu siç bien dëshmorët e lirisë. Por humbjet e
armikut edhe pse ai i minimizon kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mëdha,
si në aspektin njerëzorë edhe në teknikë të luftës. Në këto luftime veç
shumë të tjerëve është vrarë edhe komandanti i njësisë ndëshkuese ushtarake
të Rahovecit te i cili është gjetur material i rëndësisë së veçantë
ushtarake, si dhe janë konfiskuar sasi të konsiderueshme në armatim.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është garanci e fortë se fatit tragjik të
popullit tonë po i vjen fundi. Luftëtarët tanë me heroizëm dhe vetëflijim
po tregojnë se si mbrohet e nderohet atdheu. Popullsia jonë civile e prekur
nga flaka e luftës së bashku me djemt dhe vashat e tij po qendrojnë përkrah
bijëve e bijave, vëllezërve e motrave ushtarë, dhe për asnjë moment nuk po
ndahet nga luftëtarët e lirisë, në mbrojtje të vatrave tona shekullore.
Secili në mënyrën e vet është kthyer në ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, ndërsa flaka e luftës shikohet e gjëmimet e topave ndëgjohen edhe
në kryeqendren tonë, atje ende jetohet e mendohet sikur krejt kjo po ndodhë
në një fis afrikan, duke u munduar e përpjekur më tepër për pushtet nën
pushtetin okupator. Edhe njëherë nga fushëbetejat e luftës, thërrasim të
gjithë pjesën profesionale, politike, intelekutale e ushtarake, që për hirë
të ardhmërisë që mund të ekzistojë vetëm në liri të plotë e të cilën kurrë
më pranë se kemi pasur, t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe
frontit të saj kombëtar që do të krijojë e të ikë përfundimisht nga
hardupatllëqet e teatrit të kukullave që sot luhet në ne dhe me ne dhe që
po na kushton rëndë si komb. Kërkojmë nga qeveria jashtë atdheut që djersën
dhe mundin e popullit t’i jep për liri e çlirim kombëtar, e kalkulimet
karrieriste-meskine t’i lërë për kohë më të mirë. E thërrasim bashkësinë
ndërkombëtare që t’i tërheqë vërjetje serioze e jo deklarative Beogradit që
mos të dëmton popullsinë civile, të përkrah luftën tonë të drejtë e
çlirimtare, e cila edhe mbrohet me të gjitha konventat ndërkombëtare të
paqës e të luftës dhe njëkohësisht, të dënohet politika fashiste e regjimit
të Beogradit i cili kupton çdo gjuhë tjetër veç asaj të civilizimit dhe të
qytetrimit. Thërrasim popullin shqiptarë kudo që jetonë e punonë që të jap
kontributin e tij në të mirë të luftës sonë çlirimtare, t’i vëjë të gjitha
mundësitë kombëtare në shërbim të lirisë dhe të ardhmërisë, në shërbim të
nderit e dinjitetit kombëtar. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës ka besim edhe nga kjo ofanzivë e përmasave të gjëra që ka
ndërmarrë armiku do të dalim edhe më të fortë e më të përgatitur dhe do t’i
japim grushtin përfundimtar barbarisë së armikut. Ushtria Çlirimtare e
Kosovës do ta vazhdojë luftën për liri dhe do të fitojë.
Lavdi të gjithë atyre që ranë në mbrojtje të lirisë e të atdheut.
Prishtinë 27.7.1998
SHTABI I PËRGJITHSHËM
I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
**********************************
AKTUALITETE
Zhvillimet luftarake dhe "politike" në Kosovë
KOSOVA DHE UÇK NË NJË FAZË TË RE LUFTE
UÇK-ja po flet e do të flasë vetëm me gjuhën e institucionit të pushkës
Derisa ca nga politikxhinjtë tanë secilin moment e më tepër po tkurren në
kornizat e një komoditeti të tepruar "institucional" në kohën kur Kosova me
të madhe luftëzohet, pra po hyn në një fazë të re të luftës me të gjitha
karakteristikat e saj, e bashkësia ndërkombëtare po e bën veshin shurdh,
Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ia jep vulën e vet një epoke të re. Krahas
kthimit të dinjitetit kombëtar dhe vetbesimit, UÇK-ja që po e mbulon çdo
ditë e më tepër Kosovën, po i jep leksion okupatorit serb në këtë
fundshekull. Shqiptarët janë ata që dinë të luftojnë për mbrojtjen e
krenarisë kombëtare dhe lirisë së tyre, kurse përralla për durimin e viteve
të fundit do të mbetet vetëm një kujtim i hidhur për ditët e mashtrimit të
përhirtë dhe shpinës së kërrusur.
Ernest LUMA/Muhamet MAVRAJ
<Picture>Në dhjetëditëshin e fundit të korrikut, në Kosovë dhe rreth saj,
patëm të bëjmë me zhvillime të intensitetit të lartë si gjithkah fronteve
të luftës, ashtu edhe në zyrat zhurmëshuma e punëhiqe të "liderëve" të
jetës politike kosovare. Karakteristikë, tanimë e zakonshme, që e përshkoi
këtë fundmuaj, edhe më tej mbetet mosuniteti dhe pamundësia e rënies në
ujdi e krerëve të jetës politike në Kosovë, gjë që fatkeqësisht shkon në
përpjestim të zhdrejtë dhe në diskontinuitet të rrjedhave dhe vetë luftës,
të cilën me vetmohim dhe sakrificë të pashoqe po e përqafon populli martir
i Kosovës. Ndërkaq, shikuar përgjithësisht, çarjet ndërmjet subjektit
politik të Kosovës dhe inferioritetin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj
zhvillimeve të këtushme, po e shfrytëzon kasapi i Ballkanit, Sllobodan
Millosheviq, për të bërë masakra në popullsinë civile, në njërën anë dhe
për ta luftuar me të gjitha forcat Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në anën
tjetër.
Gjendja në front - çfarë flet ajo?
Sikurse edhe vikendin e kaluar në Rahovec, kësaj here, makineria
ushtarake-policore serbe ndërmori ofensiva të gjera anekënd fronteve të
Kosovës, duke e përdorur pothuaj të gjithë arsenalin e mundshëm luftarak
kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit që po e mbështet atë.
Këtë fundjavë, qendër e koncentrimit të sulmeve barbare serbe ishte Gryka e
Llapushnikut, në të cilin luftë arsenali i armikut kishte angazhuar
pothuajse të gjitha llojet e armëve, përveç atyre ajrore (ndër të tjera
edhe mbi 150 tanke). Ndonëse, armata serbe kishte epërsi të lartë në
armatim, deklarata e fundit e zëdhënësit të UÇK-së, prof.Jakup Krasniqi,
dëshmoi për rezistencë të lartë të forcave të UÇK-së, edhe pse me armë më
të lehta. Luftime të rrepta pati edhe në fshatin tjetër strategjik të
Kosovës, në Kijevë, qendër të cilën "buldozheri" i diplomacisë amerikane,
Hollbruk, kohë më parë e cilësoi si "vendin më të rrezikshëm në Evropë".
Vlen të theksohet se në luftën e Kijevës, një numër i madh policësh dhe
civilësh të armatosur serbë (disa qindra sish) që gjenden të rrethuar tash
e sa kohë nga forcat e UÇK-së, këto ditë kanë kërkuar përforcime dhe
ndihmë, në të kundërtën, së shpejti janë të detyruar ta ngrisin flamurin e
bardhë dhe t'u dorëzohen forcave shqiptare. Edhe pse përballë një armiku më
të fortë ushtarakisht, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, morali i lartë
luftarak dhe ndjenja e zjarrtë e lirisë, po e bën të ngadhnjejë në 95% të
betejave që po zhvillohen në gati gjysmën e territorit të Kosovës. Këtë më
së miri e ilustron fakti se viktimat në anën e armikut dhe shkatërrimet e
arsenalit të tij luftarak janë në numër dhe masë shumë më të madhe sesa që
e publikojnë mediat serbe dhe zëdhënësit e MPB-së së Serbisë e të "AJ"-së.
Moralin e lartë luftarak të pjesëtarëve të UÇK-së kudo nëpër Kosovë, e
tregojnë edhe rëniet heroike të tyre dhe gatishmëria për veprim praktik me
të gjitha forcat, vetëm e vetëm për ta thyer armikun. Vdekje madhore në
këto luftime ishte edhe ajo e ushtarit Habib Berisha, nga Gurabardhi, i
cili si një Vojo Kush ra heroikisht derisa e shkatërroi në pozicionin e
afërt e të ballëpërballshëm një tank të ushtrisë serbe, në mbrojtje të
fshatit Astrazub, gjatë tentimit të forcave armike për të hyrë në
Malishevë, qendër kjo e cila çdo ditë e më tepër po bëhet model se çfarë do
të jetë Kosova së shpejti - e lirë. "Dështoi ofensiva serbe për të hyrë në
Malishevë", ishte një nga titujt me të cilët gdhiu njëra nga gazetat e
përditshme këtu, në mëngjesin e së dielës.
Njëherëpërnjëherë, nuk kemi të bëjmë me luftime të intensitetit të lartë në
disa fshatra të lira të Anadrinisë, e cila sikur edhe pjesë të tjera të
Kosovës po e tregon heroizmin e saj.
Kurse, luftimet në zonën veriore të Kosovës, dita-ditës po zgjerohen.
Raporti i fundit nga terreni bën fjalë për luftime të ashpra në mes forcave
tona çlirimtare dhe atyre okupatore edhe në Shalë të Bajgorës, ndërkaq
forcat serbe poashtu pësuan humbje në njerëz dhe teknikë luftarake edhe në
pjesë tjera të Drenicës, si në disa fshatra të Skënderajt dhe Klinë të
Epërme. Forcat mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me stoicizëm të
lartë po i bëjnë ballë dhe po e zbrapsin makinerinë ushtarake-policore
serbe. Pothuaj në të gjitha anët e kësaj pjese të Drenicës, pozicionet e
UÇK-së nuk janë tërhequr për asnjë pëllëmbë. Ndërkaq, bëhet fjalë për
krijim zonash tjera të lira dhe mbajtje të mëtutjeshme dhe zgjerim të
kontrollit të magjistrales Mitrovicë - Pejë nga forcat e UÇK-së. Tani
këputja është në postbllokun policor në Runikë, përballë postbllokut tonë
po aty që kur për dy kilometra u zmbraps postblloku nga qendra e Runikut,
afër ish stacionit policor. Runiku është kufi i Istogut dhe Skënderajt.
Vetë fakti se në shumë fshatra të komunës së Klinës ushtria serbe, tash e
sa ditë me radhë po granaton prej disa kilometrash largësi, tregon frikën
dhe ngurrimin e ushtarëve e policëve serbë për t'u ballafaquar
drejtpërdrejt me luftëtarët trima të UÇK-së, tanimë të njohur për
shpartallimin dhe mposhtjen e njësiteve armike.
Suhogërllë, Padalishtë, Çitak e fshatra të tjera të pjesës që e lidhë
Drenicën me komunën e Istogut, edhe këto ditë ishin caqe të granatimeve të
parreshtura të forcave serbe, mirëpo jo të fitoreve serbe. Në zonën e
Deçanit, gjithashtu, pati luftime të rrepta. Në këtë kuadër, më i theksuar
qe fshati më i madh i Kosovës, Juniku, në të cilin rezistenca shqiptare po
tregohet gjithnjë e më e pathyeshme. Nën udhëheqjen e UÇK-ës, junikasit
(sikur edhe në të kaluarën, pra në kohën e Serbisë së vjetër) po tregohen
në sytë e okupatorit serb të pathyeshëm dhe përherë kryengritës. Forcat
serbe për asnjë moment nuk e kanë bërë as edhe një hap përpara në këtë
front, përballë heroizmit të luftëtarëve të UÇK-së. Ndërkaq, granatimet nuk
prajnë as sot e katër-pesë muaj edhe mbi fshatrat, Baballoq, Shaptej,
Gramaqel e fshatra tjera të Komunës së Deçanit, që heroizmin e tyre po e
dëshmojnë çdo ditë e më tepër. Është sulmuar edhe fshati Loxhë e disa
fshatra të tjera në rrethin e Pejës. Nuk kanë pushuar granatimet, por nuk
ka lëvizur as vija e frontit në këto anë, sikurse edhe në fshatrat e
Malësisë së Gjakovës, ku luftimet nuk kanë të ndalur. Luftimet e këtyre
anëve për më tepër po bëhen spektakël heroizmi e pathyeshmërie i popullsisë
së tyre. Caqe të granatimeve serbe këto ditë ishin edhe fshatrat Jezerc e
Nerodime e Epërme të Ferizajt, ky i fundit, sipas informacioneve të
tashpërtashme, u rrethua mbrëmë (e hënë) në të katër anët nga forca të
mëdha ushtarako-policore serbe dhe druhet për masakra masive ndaj civilëve.
Ndërkaq, luftime të ashpra pati edhe në Shtime, Carralevë e fshatra të
Suharekës, fronte këto në të cilat forcave policore-ushtarake të
okupatorit, iu shkaktuan humbje të konsiderueshme në njerëz dhe në pajisje
luftarake.
Vlen për potencuar edhe dëshminë se bilanci i të vrarëve në mes pjesëtarëve
të UÇK-së dhe atyre nga radhët ushtarako-policore e paramilitare serbe
është 1:10 në disfavor të forcave armike. Pra, dhjetë serbë të vrarë
përballë një luftëtari të UÇK-ës, është përpjestimi karakteristik i gjatë
pesë muajve lufte të deritashme në Kosovë, gjë që e dëshmon edhe arsyen se
për çfarë policët dhe ushtarët serbë dezertojnë dhe nuk kanë moral për të
luftuar këtu. Ditë më parë, para se të sulmohej me tërë arsenalin e rëndë
ushtarako-policor Rahoveci, një komandant policor, flasim me gojëdhënën e
një drenicari, dëshmitar okular në tregun e Malishevës, u arrestua në
veshje civile në tregun e Malishevës. Ai po shetiste nëpër çdo skutë të
Malishevës duke vëzhguar sekretet e qytetit të lirë. Posa ai futet në
hapësirën e tregut të qytezës, kur edhe ishte ditë tregu, njihet nga një
shqiptar vigjilent që kishte kaluar nëpër duart e këtij armiku, dosido të
guximshëm, përderisa mori guxim të hyjë "i lirë" në territorin e
kontrolluar totalisht nga UÇK-ja. Në shpejtësi u lajmëruan mbajtësit e
rendit publik të UÇK-së të cilët vajtën dhe e arrestuan në masë komandantin
policor. Për fatin e tij dhe rëndësinë e arrestimit (lexo më poshtë)
rrëfehet ndoshta së shpejti.
Ndërkaq, në deklaratën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të
transmetuar nga zëdhënësi Jakup Krasniqi, bëhet e ditur se gjatë luftimeve
në Rahovec, ndër të tjerë "është vrarë komandanti i njësisë ndëshkuese
ushtarake të Rahovecit te i cili është gjetur material i rëndësisë së
veçantë ushtarake, si dhe janë konfiskuar sasi të konsiderueshme në
armatim".
Një polic serb këto ditë i bëri të ditur gazetës serbe "Dnevni Telegraf"
disa nga arsyet se pse refuzojnë të luftojnë në Kosovë ai dhe 30% e
policëve. "Paga e ulët, vetëm 70 dinarë në ditë (nëse luftojmë) dhe ato
duke mos na i dhënë me kohë, mosaftësia e oficerëve dhe paniku për t'u
ballafaquar me "terroristët", lënja e të plagosurve dhe të vrarëve në
fushëbetëjë gjatë ikjes, presioni nga familja për të mos shkuar në luftë…,
bëjnë që ta refuzojmë thirrjen për të luftuar atje", i kishte deklaruar
polici serb nga Beogradi gazetës në fjalë.
Në Kumanovë (së katërti herë, pas tri shpërthimeve të javës së kaluar në
IRJ të "Maqedonisë"), ndodhi një shpërthim bombe këto ditë. Është ky një
tregues koke i shkëndijave të para të konfliktit për çlirim edhe në këtë
pjesë të Ballkanit ku 50% të territorit dhe të popullsisë e përbëjnë
shqiptarët etnikë. Derisa edhe në "Maqedoni" ipen sinjale konfliktuoze,
kurse Kosova veç po e përqafon gjithnjë e më tepër luftën, Christofer Hill
deklaron se për Kosovën nuk ka zgjidhje ushtarake - por vetëm politike.
Madje, ky Hill (se Hill-a kemi shumë, dhe që të gjithë nga një nënë dhe
babë, dhe po që të gjithë cullak proserbë, për fat të keq), tha se nuk
është mendim vetëm i tij ky, por edhe i "bashkëbiseduesve të tij Rugova dhe
Millosheviq"!!!(Sipas shtypit ditor në Kosovë).
Lojërat nëntokësore të liderëve kosovarë dhe heshtja e bashkësisë
ndërkombëtare - hapësirë veprimi për Beogradin
Vetë fakti i heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj masakrave serbe mbi
popullsinë civile shqiptare, tregon të anuarit për një luftë jo "fer" në
Kosovë. Derisa Beogradi manifeston në Kosovë masakra të cilat në fillim,
siç thuhej, e kishin "tronditur" bashkësinë ndërkombëtare (Likoshani,
Qirezi, Prekazi, Deçani…), po kjo bashkësi vazhdon edhe më tutje të
vendnumërojë duke murmuruar aty-këtu njëfarë kapitulli të shtatë të Kartës
së Kombeve të Bashkuara, të cilin Beogradi thuajse e ka harruar tërësisht.
Vetëm pas luftës në Rahovec dhe fshatrat rreth tij në fundjavën e kaluar,
dhjetëra-mijëra qyetarë të kësaj ane u zhvendosën në Malishevë, në qytezën
e lirë, apo në çerdhen e kryengritësve shqiptarë, siç e cilësojnë gazetarë
dhe reporterë të huaj. Po kështu, zhvendosje të popullsisë pati edhe në
pjesë tjera të Kosovës, numri i përgjithshëm i të cilëve, deri më tani kapë
shifrën rreth 250.000. Pra, 250 000 njerëz të shpërngulur nga vatrat e
tyre, duke lënë pas shtëpi të djegura prej granatimeve, grunaja nën flakë,
të vrarë e të plagosur. Duke u manifestuar kështu e tërë kjo në sytë e asaj
tek e cila i kishte varur shpresat pjesa më e madhe e lidershipit kosovar,
pra në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, po bën që pjesa më e madhe e atyre
që janë të aftë për pushkë, t'i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
forcës së vetme në të cilën populli i ka varë shpresat. Pra, derisa
bashkësia ndërkombëtare hesht apo nuk tregon gatishmëri që të ndërhyjë në
Kosovë, kurse udhëheqja politike e Kosovës me anë të lojërave nëntokësore
tenton ta minojë luftën çlirimtare duke e injoruar apo duke tentuar ta fusë
nën kontroll e duke shkaktuar kështu nisma të rrezikshme, Millosheviqi po
gjen hapësirë ta luftojë UÇK-në në mënyrën më të vrazhdë.
Kërkesa për futje të UÇK-së nën të ashtuquajturat "institucione" të
Republikës së Kosovës si tendencë për margjinalizimin e saj
Sadokudo, kjo edhe është në pika të shkurtëra pasqyra e zhvillimeve në të
gjitha frontet në Kosovë e për Kosovën. Në bazë të kësaj, mësojmë se rreth
50% të territorit të Kosovës është në luftë, pesë muaj më pas që kur ishin
dhënë shkëndijat e saj në Drenicën martire. Ndërkaq, derisa në Kosovë
ndodhë me të vërtetë luftë, pra rrënjësisht ka ndryshuar gjithçka, në
barakën "presidenciale" me vetëm ca metra katrorë, pothuaj nuk ka ndryshuar
asgjë qe 7-8vjet. Ata të barakës thonë se po e bëjnë njëfarë shteti duke i
ngritur disa "institucione" dhe tani pas parlamentit po e lansojnë edhe
krijimin e qeverisë. Kryeplaku i barakës, Ibrahim Rugova, thotë se nuk e ka
ndryshuar qëndrimin e tij ndaj UÇK-së. Për të, kjo forcë reale në Kosovë
mbetet edhe më tej ajo që ishte: "grup të frustruarish" (e, ndoshta ende
edhe "lojë serbe") e jo forcë reale ushtarake e politike që i kushtëzon
rrjedhat në Kosovë, siç e kanë kuptuar tanimë edhe të huajt. Ndërkaq, për
Agën e dytë të barakës (Aganin), përveç UÇK-ës që po ua kundërshtoka klanin
e tyre, ekzistuakan edhe grupe të armatosura që po e përkrahkan
parlamentin, qeverinë, QIK-un e institucione e klane tjera që kanë bërë e
s'po lënë gjë pa bërë, vetëm e vetëm për ta "ndëshkuar" UÇK-në që po ua
prishë punët. Punët dhe planet. Kurse, telalli mustaqedredhur i barakës (i
QIK-ut) dhe i Ibrahimit, nuk pranë së dhëni habere rreth gjithçkaje që
ndodhë në barakë - kush hyri e kush doli nga ajo, apo edhe kush po ia
lëshoka nga një zë andej prej ndonjë zone lufte, prej forumeve a prej
degëve të partive gjoja në përkrahje të krijimit të "institucioneve" falso.
Po ky telall, nuk përton të transmetojë gjithçka në atë farë QIK-un e tij
ditën dhe dez"Informatorin" natën (reklamohet në logo si "gazetë e
mbrëmjes") për fjalët dhe muhabetet që i kanë bërë dy-tre vetë, ku temë ka
qenë futja e UÇK-së nën ombrellën e këtyre "institucioneve" që po u dashka
gjithsesi të bëhen. Aga i madh, javën e kaluar nxori prej goje një
deklaratë të shtrigavtë. Ai tha se po angazhohet "për kthimin e rendit
demokratik dhe qetësisë në Kosovë". NO COMMENT!
Në anën tjetër, derisa bashkësia ndërkombëtare po heshtë ndaj Kosovës,
kurse nga baraka e "institucioneve" zhurmohet rreth temave që më tepër
fusin defetizëm, huti e konfuzion në masë, kasapi i Ballkanit vazhdon ta
luftojë me të madhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosvës. Kjo nuk është një
koincidencë rasti dhe që duhet shikuar kalimthi.
Futja e UÇK-së nën ombrellën e këtyre farë "institucioneve", sigurisht do
të thoshte margjinalizim i kësaj force për të mos vepruar më kurrë, ashtu
siç nuk kishin vepruar e që nuk ishin formuar qe një dekadë shpalljeje të
pavarësisë as këto "institucione".
Ndërkaq, derisa ca nga politikxhinjtë tanë secilin moment e më tepër po
tkurren në kornizat e një komoditeti të tepruar "institucional" në kohën
kur Kosova me të madhe luftëzohet, pra po hyn në një fazë të re të luftës
me të gjitha karakteristikat e saj, e bashkësia ndërkombëtare po e bën
veshin shurdh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ia jep vulën e vet një epoke
të re. Krahas kthimit të dinjitetit kombëtar dhe vetbesimit, UÇK-ja që po e
mbulon çdo ditë e më tepër Kosovën, po i jep leksion okupatorit serb në
këtë fundshekull. Shqiptarët janë ata që dinë të luftojnë për mbrojtjen e
krenarisë kombëtare dhe lirisë së tyre, kurse përralla për durimin e viteve
të fundit do të mbetet vetëm një kujtim i hidhur për ditët e mashtrimit të
përhirtë dhe shpinës së kërrusur.
Është ëndërr e perënduar se ndonjërit nga politikanët tanë, ndoshta e të
madhit Agë, një ditë të shohim t'i kthehet buzëqeshja e të mendojë me vete
duke i parë shqiptarët të penduar nga pasojat e luftës të thonë: "më mirë
paska qenë me DURIMIN". Mund të krijohen edhe miliona institucione, por
UÇK-ja, sigurisht që kurrë s'do të hyjë më në institucionin e durimit për
hir të tjetrit, për hir të robërisë. UÇK-ja po flet e do të flasë vetëm me
gjuhën e institucionit të pushkës. Këtë së paku e thotë gjendja faktike në
vijat e frontit.
____________________________________________
PAS VENDIMIT TË PROKURORISË FEDERALE ZVICERANE PËR BLLOKIMIN E KONTOS SË
FONDIT "VENDLINDJA THËRRET"
Agush Buja: Unë pres dhe kërkoj nga organet gjegjëse zvicerane tërheqjen e
vendimit
Ju jeni në njohuri me fushatën e mediave që është bërë gjer më tani në
Zvicër e më gjer kundër Fondit, kuptohet me insistimin e Serbisë. Është e
njohur se përmes mjeteve të informacionit zvicëran, për shembull gazeta
"Die Weltwoche", ka shkruar para dy muajsh për mbylljen e kontos së
mëparshme dhe thotë se një gjë e tillë është bërë me insistimin e
drejtëpërdrejt të qeverisë serbe, në këtë rast përmes përfaqësuesit të
konsullatës së saj në Zürich.
Këtu qëndron shkaku pse po na bëhen këto pengesa në punën tonë, në
mbarëvajtjen e Fondit "Vendlindja thërret", në rastin konkret në Zvicër.
ZiK: Duke pasur parasysh faktin se ju sot që nga ora 7, 30 deri në orën
16.30 keni qenë i arrestuar nga policia a u është kumtuar me këtë rast se
si do të rrjedhë çështja më tutje, konkretisht a është hapur ndonjë
procedurë hetimore ndaj jush apo ndaj përgjegjësve të tjerë të Fondit
"Vendlindja thërret"?
A.BUJA: Sipas njoftimeve që kemi dhe deklaratave të organeve gjegjëse
zvicerane është hapur procedurë hetimore si ndaj meje ashtu edhe ndaj dy
përgjegjësve të tjerë.
ZiK: Cila është baza dyshuese sipas prokurorisë federale apo cili është
motivi kryesor që ka çuar në hapjen e procedurës hetimore?
A.BUJA: Ju jeni në njohuri me fushatën e mediave që është bërë gjer më tani
në Zvicër e më gjer kundër Fondit, kuptohet me insistimin e Serbisë. Është
e njohur se përmes mjeteve të informacionit zvicëran, p.sh. gazeta "Die
Weltwoche", ka shkruar para dy muajsh për mbylljen e kontos së mëparshme
dhe thotë se një gjë e tillë është bërë me insistimin e drejtëpërdrejt të
qeverisë serbe, në këtë rast përmes përfaqësuesit të konsulatës së saj në
Zürich.
Këtu qëndron shkaku pse po na bëhen këto pengesa në punë tonë, në
mbarëvajtjen e Fondit "Vendlindja thërret", në rastin konkret në Zvicër.
ZiK: Me rastin e bastisjes së banesës suaj a është gjetur diçka nga
materiali që mund të cilësohet si inkriminues?
A.BUJA: Përveç dokumentacionit për administrimin e Fondit, gjë që s’është
material inkriminues, nuk është gjetur asgjë tjetër. E njëjta gjë ka
rezultuar edhe me rastin e kontrollit të banesave të Shaban Mujës dhe
Mehmet Bislimit.
ZiK: Cili është komenti juaj për këtë hap që merr qeveria zvicerane ndaj
Fondit "Vendlindja thërret" dhe konkretisht ndaj veprimtarëve kryesor të
këtij fondi. Si e komentoni çfarë reflektimesh do të ketë një gjë e tillë
në situatën e përgjithshme në Kosovë?
A.BUJA: Në bisedë me organet gjegjëse zvicerane e kam potencuar se nëse
Zvicra nuk është në gjendje që ta ndihmojë popullin shqiptar për ta
përballuar këtë gjendje të rëndë ngase ai është në luftë për jetë a vdekje,
atëherë të na lërë rehat që së paku të japim kontributin tonë nga këtu, për
aq sa mund ta japim, për vendlindjen tonë, për atdheun tonë, për prindët
tanë, fëmijët tanë, që atje po shkilen me tanke nga ana e policisë dhe
ushtrisë serbe çdo ditë e çdo orë përmes ofansivës së madhe që ka ndërmarrë
Serbia me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës.
ZiK: Cili ishte reagimi i tyre pas kësaj?
A.BUJA: Ata thoshin se edhe ne besojmë se populli zvicëran e përkrah
popullin shqiptar në trojet e okupuara po ja që ne kështu e kemi murdhërin
dhe duhet ta zbatojmë.
Unë prapë e kam ripotencuar se lufta që po bënë populli ynë është një luftë
çlirimtare, është një luftë për jetë a vdekje, është luftë për ekzistencë
fizike dhe kombëtare, ngase Serbia në Kosovë është duke bërë pastrim etnik
dhe se këtë janë duke e thënë edhe shumë analistë dhe qarqe politike
evropiane, prandaj një rezistencë e tillë na është imponuar para se Serbia
të na zhdukë nga faqja e dheut.
ZiK: Çfarë ka qenë sjellja e policisë zvicerane gjatë kontrollit të banesës
dhe arrestimit tuaj?
A.BUJA: Fillimisht kur më kanë ardhur në banesë janë sjellur me arrogancë.
I kanë rënë ziles disa herë, kanë filluar ta shqelmojnë dhe ta grushtojnë
derën. Thjeshtë kam menduar se do ta thyejnë. Kam vrapuar dhe e kam hapur.
Sjelljet e mëvonshme kanë qenë pak më korrekte.
ZiK: Shtrohet pyetja çka mbas mbylljes së kontos së Fondit "Vendlindja
thërret"? Si do të veprojnë mërgimtarët, si do të vejë puna më tutje në
mbështetje të mbijetesës së popullit tonë në Kosovë?
A.BUJA: Unë pres dhe kërkoj nga organet gjegjëse zvicerane tërheqjen e
vendimit. Për bashkatdhetarët do të japim informacione me kohë se si dhe
çka duhet të veprohet në përputhje me rrethanat që do të na krijohen.
Atyre që po na pengojnë dua t’u them se është e drejt e jona që si popujt
tjerë edhe ne të jetojmë të lirë. Mendoj se nuk është humane që të pengohet
një popull që përdorë të gjitha mjetet, që janë të lejuara edhe me konventa
ndërkombëtare, për realizimin e lirisë së tij.
ZiK: Juve nuk u është kumtuar ende se jeni të lirë, apo...?
A.BUJA: Në fakt më është kumtuar se nuk jam i burgosur por duhet të jesh në
dispozicionin tonë, thonë ata. U kamë thënë se unë jam në dispozicionin
tuaj pas një jave, pas konsultimit që do ta kem me avokatin tim personal,
të cilin njëherit mendojë që ta angazhojë edhe për rastin e mbylljes së
kontos. Njihem me të gjatë kohë dhe ai si qytetar zvicran ka dhënë
kontributin e vet në përkrahje të popullit tonë.
ZiK: Zoti Agush, ju sot në mëngjes (27.7.'98) jeni arrestuar nga policia
federale zvicërane. A na thuani se cili ishte motivi i arrestimit tuaj?
A.BUJA: Sot në mëngjes, diku rreth orës 7.30 jam arrestuar pa e pasur të
qartë në fakt as vetë motivin e këtij arrestimi. Më vonë gjatë marrjes në
pyetje është kuptuar se kjo bëhej për shkak të kontos së Fondit "Vendlindja
thërret", më konkretisht, sipas tyre kjo konto po financuaka dhunën në
Kosovë, përkatësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe nuk qenka në
shërbim të qëllimit humanitar.
Sipas njoftimit paraprak që na ka ardhur me shkrim me datë 25 korrik, banka
na njofton se prokuroria federale ka marrë vendim dhe ka bllokuar konton e
Fondit "Vendlindja thërret".
------------------------------------------------------------------------
Lëvizja për çlirim drejt luftës popullore
Prej një periudhe më shumë se dyjavore lëvizja çlirimtare në Kosovë ka hyrë
në një fazë të tretë, që është cilësisht më e lartë. Tani mund të thuhet se
në Kosovë zhvillohet një luftë e vërtetë popullore. Nuk bëhet luftë thjesht
për të mbrojtur pragun e shtëpisë, kullat dhe arat, pasuritë vetjake,
lagjen dhe fshatin, fisin dhe të njohurit. Zhvillohet një luftë që ka
ngritur më këmbë të madh e të vogël dhe që ka për kryefjalë himnin
kombëtar. Zhvillohet një luftë në emër të Kosovës. Me Ushtrinë Çlirimtare
të Kosovës bashkohen çdo ditë qindra e qindra të rinj, që vijnë nga zonat e
lira e ato të pushtuara, nga brenda dhe jashtë Kosovës, nga Europa e
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lufta popullore nuk mund të lërë askënd
mënjanë. Herët a vonë gjithësecili do të ketë vendin e tij.
Shaban SINANI
Ajo që po ndodh në Kosovë tashmë e ka kaluar fazën e veprimeve fragmentare
të grupimeve të kufizuara kundër regjimit të pushtimit.
Një vështrim prapavajtës do të lejonte të konkludohej se lëvizja çlirimtare
në Kosovë i ka kaluar dy faza të rëndësishme në rrugën e vështirë drejt
rritjes:
1. Deri në fillim të shkurtit kishte kryesisht veprime episodike, me
njësite të vogla, që kishin për qëllim t’i tregonin Beogradit dhe botës se
jo të gjithë në Kosovë janë në një mendje për rrugën e zgjedhur nga Rugova
për arritjen e qëllimeve politike: për rrugën e nënshtrimit paqësor të
popullit ndaj regjimit të pushtimit.
2. Në të hyrë të pranverës e këndej faza e veprimeve episodike u tejkalua.
Lëvizja çlirimtare hyri në një etapë të re. Kjo është koha e veprimeve të
koordinuara, me përhapje të gjerë thuajse në gjithë territorin e Kosovës. U
bë e qartë për të gjithë se shqiptarët ishin të vendosur të zhvillonin një
luftë të organizuar, me komandë dhe shtab, që rritej e përparonte me një
koncept të qartë perspektiv. Filloi lufta për krijimin e zonave të lira:
kjo do të thotë se tashmë ajo mund të quhej me të vërtetë lëvizje
çlirimtare.
Pse UÇK-ja është moralisht superiore
Është për t’u vënë re se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke hyrë në këtë
fazë të re të lëvizjes çlirimtare, njohu ligjet e kohës së luftës dhe i
respektoi me një ndershmëri fanatike ato. Veprimet e saj nuk u drejtuan në
asnjë rast kundër popullsisë civile, siç veproi milicia serbe me
shqiptarët, por vetëm kundër forcave ushtarake që përfaqësonin krahun e
armatosur të regjimit të pushtimit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi një
epërsi të padiskutueshme morale dhe edukatë të vërtetë lufte me qendrimin e
saj shembullor ndaj robërve që ranë në duart e saj nga një betejë në
tjetrën dhe që, sipas disa burimeve që mund të besohen, kanë arritur në
qindra. Ky qendrim është argumenti më i rëndësishëm për të treguar para
botës se kjo ushtri nuk ka asgjë të përbashkët jo vetëm me terrorizmin, por
madje as me lëvizjen guerriliere, e cila mbështetet në atentatet, pritat
dhe likuidimet individuale.
Forca morale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen nga motivimi pozitiv i
veprimeve të saj. Ajo është një ushtri vullnetare që shkon drejt rrezikut
duke i dhënë kuptim të lartë jetës dhe vdekjes. Përballë ka një ushtri që
lufton për të justifikuar rrogën që merr nga regjimi i pushtuesit.
3. Prej një periudhe më shumë se dyjavore lëvizja çlirimtare në Kosovë ka
hyrë në një fazë të tretë, që është cilësisht më e lartë. Tani mund të
thuhet se në Kosovë zhvillohet një luftë e vërtetë popullore. Nuk bëhet
luftë thjesht për të mbrojtur pragun e shtëpisë, kullat dhe arat, pasuritë
vetjake, lagjen dhe fshatin, fisin dhe të njohurit. Zhvillohet një luftë që
ka ngritur më këmbë të madh e të vogël dhe që ka për kryefjalë himnin
kombëtar. Zhvillohet një luftë në emër të Kosovës. Me Ushtrinë Çlirimtare
të Kosovës bashkohen çdo ditë qindra e qindra të rinj, që vijnë nga zonat e
lira e ato të pushtuara, nga brenda dhe jashtë Kosovës, nga Europa e
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lufta popullore nuk mund të lërë askënd
mënjanë. Herët a vonë gjithësecili do të ketë vendin e tij.
Lëvizja çlirimtare në Kosovë po rritet me një shpejtësi të jashtëzakonshme
drejt luftës popullore. Madje rritja është aq e shpejtë, saqë ritmi i
shtimit të radhëve të UÇK-së duket se herë-herë është më i shpejtë se ai i
rritjes së aftësisë organizative dhe komanduese të shtabeve. Të gjithë po e
shohin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk lufton as për poste shtetërore
dhe as për përfitime vetjake. Përpjekjet për ta copëzuar atë, duke
fabrikuar gjithfarë kriteresh ndarës ("ka dy apo tri UÇK", "kemi UÇK-në,
por kemi edhe FARK-un", "UÇK-ja dhe Rugova nuk mund të bëjnë pa
njëri-tjetrin"), duket se tashmë janë tejkaluar. Populli në Kosovë po sheh
me sytë e vet veprimet e luftëtarëve të lirisë dhe fjalët nuk i kanë dobi.
Kush don të luftojë për Kosovën, e di ku e ka vendin e vet.
UÇK-ja është një ushtri e armatosur dhe e vetëdijshme për misionin e saj.
Lufta në Kosovë ka karakterin e një lufte popullore
Shndërrimi i lëvizjes çlirimtare të Kosovës në luftë popullore ka nxjerrë
nevojën e thellësisë së luftës. Tani askush nuk e pranon të jetë i vonuar.
Shqiptarët po vërshojnë nga të gjitha drejtimet për të zënë vijën e
frontit. Por lufta nuk është vetëm vija e frontit. Suksesi i një lufte
popullore varet shumë nga prapavija e saj. Askush nuk ka pse ta ndiejë
veten si të dorës së dytë nëse vendi i tij nuk është në vijën e parë. Sot
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është rritur në një shkallë të tillë që e ka
siguruar ripërtëritjen e vetvetes. Por fitorja duhet garantuar duke i dhënë
qetësi ushtarit të frontit, duke e garantuar se detyra e tij është të
luftojë për të zgjeruar zonën e lirë, kurse për gjithçka tjetër ka kush
mendon.
Karakteri popullor i luftës çlirimtare të Kosovës është i përcaktuar prej
qëllimit përfundimtar të saj: çlirimit të vendit. Me kohë ka qenë e qartë
se shumë i shpejtë do të kapërcehej karakteri vetëmbrojtës i kësaj lufte.
Në Kosovë nuk luftohet më "dy duar për një kokë". Dita-ditës Ushtria
Çlirimtare e Kosovës po e zgjeron hapësirën që ka nën kontroll. Ditët e
fundit në zonën e lirë u fut edhe qyteti i parë: Rahoveci. Zgjerimi i zonës
së lirë edhe me qendra urbane, ku rendi i pushtimit është më i fortë dhe më
i qendrueshëm, flet për një cilësi të re të luftës çlirimtare. Kjo ka bërë
që populli vetë të dijë si të zgjedhë. Rruga e vetme për të mos e lënë
shansin kombëtar të rrëshqasë nga duart dhe për të qenë në lartësinë e
momentit historik është bashkimi me UÇK-në.
Kosova nuk mund dhe nuk do të çlirohet nga foltoret e "institucioneve
paralele". Se çfarë "rreziku" përfaqësojnë për regjimin e Beogradit këto
"institucione", mjafton të përmendet vetëm një fakt: në disa rajone të
Kosovës organet lokale të pushtetit i kanë mbledhur e organizuar me
iniciativën e tyre veprimtarët lokalë të "rrugës paqësore" dhe u kanë
kërkuar të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për të mbajtur qetësinë, duke i
siguruar se milicia serbe në këtë rast do t’i ketë në vëmendje dashamirëse.
Votës i vjen radha pas lirisë
Mbërritja deri tek faza e karakterit popullor të luftës çlirimtare po bën
të qartë se tashmë nuk ka shumë rrugë për t’u ndarë me nder para së
ardhmes: njëra është rruga e bashkimit me luftën dhe tjetra ajo e
bashkëpunimit me pushtuesin. Në kushtet e luftës pluralizmi i ideve mbetet
diçka dytësore. Është demagogjike ta shtrosh problemin se, përveç rrugës së
zgjedhur nga UÇK-ja dhe asaj të "institucioneve paralele", ka edhe njëqind
apo njëmijë rrugë të tjera. Kjo është njësoj si të duash t’ia hedhësh
vetes. Pluralizmi i takon kohës që vjen, kur Kosova të jetë e lirë, të ketë
shtetin e vet. Lufta ka filluar dhe në luftë vota nuk ka më vlerë. Por vjen
shpejt edhe koha kur vendin e luftës me armë e zë "lufta" me vota. Pas
shtetit vjen pushteti, pas fitores së luftës vjen konkurrenca me votime.
Ishte me një domethënie politike të rëndësishme vendimi personal i
deputetit socialist të Shqipërisë shtetërore S. Braho, i cili pikërisht
këto ditë u shpreh publikisht se vendi im është në frontin e luftës, se të
gjithë bijtë e ish-partizanëve duhet të ndjekin shembullin e tij. Kjo
ndodhi pikërisht në kohën kur "parlamentarët" e Kosovës zgjodhën si rrugën
më të drejtë jo bashkimin me luftën, por thirrjen e një seance plenare për
t’i dhënë "karakter kushtetues" institucionit.
Iniciativa e deputetit Braho, sido që përfaqëson një akt individual, kërkon
një lexim të thellë politik. Ndoshta Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me
rreptësinë që ka treguar për të mos lejuar asnjë veprim implikues të
Shqipërisë shtetërore në luftën e saj, mund të thotë se Braho e kreu
detyrën e tij dhe nuk është e nevojshme të rreshtohet fizikisht në radhët e
saj, sepse fati i një lufte nuk varet nga një individ. Por leximi politik i
kësaj nisme ka një kuptim të thellë: Braho e kishte parlamentin dhe shprehu
gatishmërinë e tij për t’u bashkuar me luftën, pikërisht në kohën kur
deputetët e Kosovës e kishin nëpër këmbë luftën dhe iu shmangën asaj, duke
kërkuar "legjitimitetin e institucioneve".
Në Tiranë deputeti lë parlamentin dhe zgjedh luftën, në Prishtinë deputetët
lënë luftën
Nuk është e rastit gjithashtu që deputeti Braho e motivon nismën e tij edhe
me faktin që është djalë i një familjeje partizane. Kam vënë re se tek një
grupim shqiptarësh "pacifistë" të ardhur nga Kosova në Tiranë, duke
përfshirë edhe gazetarë, analogjia e luftës së sotme të UÇK-së shkakton një
nervozizëm të papërmbajtshëm. Ata e quajnë të rrezikshme, tejet të
rrezikshme, të bëhen krahasime ndërmjet luftës çlirimtare në Kosovë dhe
luftës antifashiste nacionalçlirimtare në Shqipëri (e ndoshta edhe në
Kosovë). Madje janë përmendur edhe projekte për "demaskimin publik" të
këtyre analogjive, të cilat, sipas tyre, jo vetëm që nuk qendrojnë, por
"janë provokative".
Kush i trembet krahasimit me luftën antifashiste
Krahasimi dhe relativizmi është një nga shpikjet më të mëdha të mendjes
njerëzore. Krahasimit dhe relativizimit të problemeve i shmangen vetëm ata
që gjenden nën sundimin e mendësive totalitare. Në këtë kuptim, ata që
tremben nga krahasimi i lëvizjes çlirimtare të Kosovës me luftën
antifashiste dhe nacionalçlirimtare në Shqipëri nuk bëjnë gjë tjetër veçse
identifikojnë vetveten. Krahasimit, në këtë rast, mund t’i shmangesh vetëm
nga pozitat e kolaboracionizmit. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që
nuk e durojnë përqasjen e dy luftërave janë kolaboracionistë, në kuptimin
terminologjik të fjalës. Por mendësia e tyre pa dyshim është zënë peng
brenda një logjike kolaboracioniste.
Pse është e nevojshme të mbahet parasysh përvoja e luftës
nacionalçlirimtare?
Së pari, sepse vetë situatat kanë ngjashmëri evidente;
Së dyti, sepse lufta antifashiste nacionalçlirimtare është e vetmja luftë e
fituar nga shqiptarët qysh nga koha e Skënderbeut;
Së treti, sepse antifashizmi është një vlerë planetare (botërore), para së
cilës përulen me respekt politikanë e personalitete, popuj e bashkësi, nga
e gjithë bota;
Së katërti, sepse kjo është përvoja më e afërt, prej së cilës mund të
përfitohet jo vetëm për të përsëritur vlerat, por edhe për të vënë nën
kontroll mangësitë.
Ka edhe shumë arsye të tjera që jo vetëm nuk e bëjnë të tepërt, por e
theksojnë si të dobishëm analogjinë e luftës popullore në Kosovë me luftën
nacionalçlirimtare në Shqipëri. Duhet ditur se çdo nervozizëm në këtë rast
vjen vetëm nga pozitat e identifikimit të kolaboracionizmit, të hapur apo
të fshehtë, aktiv apo pasiv, të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm.
Rrugë e vështirë drejt rritjes strategjike
4. Lëvizja çlirimtare në Kosovë ka përpara edhe faza të tjera të rritjes.
Qysh sot ajo i ka dhënë të gjitha shenjat e përgatitjes formale dhe
përmbajtësore për të kaluar në një luftë me karakter profesional, në
kuptimin e kalimit prej vullnetarizmit në rregull e disiplinë, prej
bashkimit nga poshtë në veprime strategjike të komanduara me zotësi
teknokratike. UÇK-ja ka sot uniformën e vet, himnin dhe betimin e vet, ka
marrshet luftarake dhe këngët rreshtore, ka shtabet dhe komandën qendrore,
ka zëdhënësin, ka organizimin e brendshëm ku ndërthuren vetëveprimi me
centralizmin. UÇK-ja ka tashmë frontin dhe prapavijën e vet, repartet dhe
flamurët e vet luftarakë.
Perspektiva e shndërrimit të luftës popullore në Kosovë në një luftë të
organizuar edhe në pikëpamjen profesionale ushtarake duket e hapur, ndonëse
kjo është një rrugë e vështirë, sepse në këtë proces do të jetë e
domosdoshme të zgjidhen një varg detyrash, të cilat nuk kanë të bëjnë me
një a dy njerëz apo shtabe, por me të gjithë. Shndërrimi i një ushtrie
vullnetare, të përbërë kryesisht nga të rinj, që s’kanë bërë shërbim
ushtarak dhe nuk e njohin as përdorimin e armës; nga një popull i ngritur
në këmbë që duhet të bindet se nuk mjafton vetëm vullnetarizmi, por duhet
pranuar edhe disiplina (e cila nuk është aq e dashur); krijimi i
logjistikës, i infrastrukturës, i shërbimeve të specializuara, i rrjetit të
informacionit dhe i teknikës që bën të mundur funksionimin e njësuar të
gjithë njësive që përbëjnë Ushtrinë Çlirimtare, është rruga nëpër të cilën
detyrimisht do të kalojë ajo për të arritur në një fazë më të lartë
veprimtarie dhe pjekurie, pas së cilës qendron fitorja.
Ushtritë pushtuese një luftë popullore mund t’i trondisë, por jo t’i vërë
përpara dhe t’i thyejë përfundimisht. Duke zhvilluar sot një luftë
popullore dhe të prirur drejt rritjes dhe zgjerimit përgatitet faza
përfundimtare. Kjo fazë mund të konsiderohet e arrritur atëherë kur
përfaqësuesit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jenë në një ekuilibër të
ri, në një ekuilibër të atillë që t’u lejojë të diktojnë kushtet dhe
vullnetin e popullit shqiptar, duke e vazhduar edhe më tej luftën apo duke
bërë të detyrueshme pranimin e tyre.
------------------------------------------------------------------------
Ra heroikisht luftëtari i UÇK-së Agim Çelaj
Gjatë luftës për mbrojtjen e Rahovecit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës më
21/22 korrik, ra heroikisht Agim Çelaj.
Agim Çelaj ishte i lindur më 6.12.1961 në Pejë. Ai kishte të mbaruar
akademinë ushtarake dhe një kohë ka shërbyer në ish-armatën jugosllave deri
në shkatërrimin e saj. Në kohën kur u largua nga kjo armatë kishte gradën e
kapitenit. Ishte ekspert i njësive artilerike-raketore. Pas braktisjes së
armatës jugosllave u strehua në Gjermani ku luajti një rol të rëndësishëm
në organizimin e bashkatdhetarëve dhe mobilizimin e tyre shpirtëror me
luftën e UÇK-së. Ishte kryetar i klubit shqiptar "Kosova" në Singen. Ai
njihej si njeri i afërt me të gjithë.
Që nga dalja në skenë e UÇK-së ishte vullnetar për inkuadrimin në radhët e
saj. Ai iu bashkangjit radhëve të UÇK-së në fillim të Prillit të këtij
viti. Ishte shumë i vendosur në rrugën e tij. Ai ra si burrat duke dhënë
shembullin sublim se për lirinë e atdheut vetëm një rrugë ka: rruga e
luftës çlirimtare.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Agim Çelajt!
Lulëzim ETEMAJ
________________________________
DEKLARATË E LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS, DEGA JASHTË VENDIT, ME RASTIN E
BLLOKIMIT TË FONDIT "VENDLINDJA THËRRET" NGA ORGANET ZVICERAN
Me parë se të bëhen bllokime të pajustifikueshme, Zvicëra duhet të ngrejë
zërin e protestës për politikën e shfarosjes
Që prej disa ditësh, hordhitë pushtuese serbe, të mbështetura nga qindra
tanke, mjete të blinduara, avionë luftarakë dhe artileria e shumëllojtë,
kanë filluar një ofensivë të egër shfarosëse ndaj popullsisë shqiptare në
Kosovë, sidomos në ato vise që banohen në shumicë të lartë ose krejtësisht
nga shqiptarët. Ata po sulmojnë me forca të përqendruara për të shuar
rezistencën e armatosur të popullit shqiptar, për të mposhtur shpresën e
Lirisë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të ngjallur frikë dhe panik tek
banorët vendas që jetojnë në trojet e tyre. Ata mendojnë se me këtë
ofensivë do të fitojnë, por janë të gabuar. Ata, ndoshta edhe në
bashkëpunim me segmentë të veçantë të politikës legale shqiptare, kërkojnë
shuarjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kjo nuk do të ndodhë kurrë.
Lëvizja Popullore e Kosovës denoncon dhunën dhe terrorin serb dhe i bënë
thirrje popullit shqiptar që në këto momente të provës së madhe të
heroizmit, të bashkohet me shumë se kurrë rreth UÇK-së për të përballuar
agresorët. Ajo i bën thirrje botës diplomatike dhe i kërkon që të ndërhyjë
sa nuk është vonë. Askush të mos mendojë se do të mund të shkelë mbi gjakun
e vuajtjet e popullit shqiptar. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se jemi të
gatshëm për çdo sakrificë, edhe për sakrificën sublime, për të fituar
lirinë dhe pavarësinë tonë.
Lëvizja Popullore e Kosovës, Dega jashtë vendit, vëren me shqetësim se
dhuna dhe terrori serb me përmasa gjenocidale, nuk i ka përfillur dhe nuk i
përfill kërcënimet e grupit të Kontaktit dhe masat gjysmake të diplomacisë
botërore, të cilat u harruan para se të fillonin të viheshin në jetë.
Përkundrazi, heshtja dhe indiferentizmi i botës perëndimore dhe përkrahja e
politikës legale shqiptare, e kanë shtuar dhunën dhe terrorin.
Perëndimi nuk duhet të harrojë se janë pikërisht terroristët serb ata që
filluan luftën në Slloveni, në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë. Ata duhet
ta kenë të qartë se nuk është terrorist një popull që lufton për lirinë e
tij dhe është detyrë humanitare e dinjitoze të ndihmosh një popullsi të
rrezikuar nga shfarosja. Ata nuk duhet të harrojnë se dikur, në një të
kaluar jo të largët, pikërisht nga këto vende financoheshin pikërisht ata
njerëz që sot po gjykohen ose kërkohen si kriminelë lufte, dhe jo të marrin
masa për bllokimin e fondit "Vendlindja thërret" siç po ndodh në Zvicër.
Lëvizja Popullore e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë se një popull si
është ai zvicëran, që jeton prej shekujsh në liri, duhet të kuptojë
dëshirën e ligjshme të një populli tjetër për jetuar i lirë. Nëse nuk
munden ta ndihmojë, të paktën të mos e pengojë, sepse është detyrë nderi
dhe qëndrim atdhedashurie i secilit shqiptar që jeton në perëndim të
ndihmojë vllezërit e motrat, prindërit dhe të afërmit që po vriten nga
maskarimet serbe. Me parë se të bëhen bllokime të pajustifikueshme, ata
duhet të ngrejnë zërin e tyre të protestës për politikën e shfarosjes. Me
heshtjen, bllokimet dhe indiferencën e treguar deri më tash ata po e
pengojnë popullin shqiptar në rrugën e tij drejt mbijetesës dhe lirisë.
Lëvizja Popullore e Kosovës shpreh besimin se bota perëndimore duhet të
këtë mësuar diçka nga përgjakjet ballkanike të viteve të fundit por duhet
të kenë mësuar tashmë dhe të vërtetën se populli shqiptar është i gatshëm
për çdo lloj sakrifice për të fituar lirinë e tij. Ai nuk është ngritur as
për autonomi dhe as për të qenë republikë e tretë e dikujt, çfarë mund të
synohet të arrihet, por është ngritur për të qenë i liirë dhe i pavarur-
ashtu siç janë edhe vetë shtetet perëndimore.
Lëvizja Popullore e Kosovës i bën thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të
forcojnë rradhët rreth Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës. Ajo i bën thirrje për herë të fundit asaj që quhet qeveri e
Kosovës që të mos spekullojë me gjakun e dëshmorëve, që të mos guxojë të
marrë nëpër këmbë dinjitetin e luftëtarëve të lirisë, sepse është momenti i
fundit për t’iu përgjigjur thirrjeve të Shtabit të Përgjithshëm për
çbllokimin e mjeteve. Në të kundërten ajo do të mbajë përgjegjësi jo vetëm
para historisë, por edhe para njerëzve të cilët po i mashtron.
Lëvizja Popullore e Kosovës fton të gjithë bashkatdhetarët për bashkim në
luftë kundër pushtuesit serb
17 korrik 1998
LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS
DEGA JASHTË VENDI
******************************
NË FOKUS
Përse nuk e njeh LPK konstituimin e «Parlamentit»
Tashmë kushdo e pranon se Kosova është në luftë dhe se përballë njëri
tjetrit janë vënë ushtarët pushtues serbë dhe forcat çlirimtare shqiptare.
Raste të tilla të kundërvënies mes pushtuesve dhe çlirimtarve historia
botërore ka njohur me mijëra, sepse kudo është bërë luftë çlirimtare. Dhe
në të gjitha rastet krijimi i një «asambleje» apo i një qeverie nën pushtim
është quajtur qeveri kolaboracioniste dhe dihet tashmë se cila ka qenë
përgjigja e popujve kundër një qeverie të llojit të tillë. Sepse është e
natyrshme të pyetet se çfarë do të bëjë sot, në kushtet e luftës, ky
„parlament" i mbledhur nën «hijen» e çetnikëve serbë, cilat ligje të tij
mund të futen në fuqi, kujt mund t‘i shërbejnë ligjet e tyre.
Bedri ISLAMI
Si është bërë e ditur tashmë, edhe me një Deklaratë të veçantë, Lëvizja
Popullore e Kosovës, Dega jashtë vendit, nuk e njeh të ashtuquajturin
parlament të Kosovës, si institucion të ligjshëm dhe e ka denoncuar
krijimin e tij si një veprim që bie ndesh me dëshirën për liri dhe të
ardhmen e popullit tonë drejt bashkimit kombëtar; si një akt i shëmtuar i
mashtrimit dhe i përçarjes së popullit shqiptar. Në Deklaratë janë dhënë
edhe shkaqet e këtij denoncimi, megjithatë është e nevojshme, që për
bashkatdhetarët, edhe më gjerësisht se kufijtë e një Deklarate, të jepen
shkaqet, përse LPK - ja nuk e njeh këtë "konstituim". Kjo bëhet edhe më e
rëndësishme për vetë peshën politike që ka marrë sidomos kohët e fundit LPK
- ja, për mbështetjen e fuqishme, që ajo si forcë çlirimtare po i jep UÇK -
së, dhe për besimin gjithnjë e në rritje të bashkatdhetarëve në devizën e
saj, se mbi gjithçka është atdheu.
Pyetja e parë që mund t’i bëhet gjithsecilit prej veprimtarëve të LPK - së
do të jetë, nganjëherë me mirëdashje për të ditur më shumë, e nganjëherë
qëllimkeqe, se edhe Serbia nuk e ka njohur parlamentin, edhe ju nuk po e
njihni, duke dashur ose të heqin dyshimin, (në rastet kur janë për
mirëdashje), ose të vënë shenjën e barazimit mes LPK - së, forcave të tjera
politike dhe agresorit (në rastet qëllimkëqija).
Duhet thënë se tashmë kjo është një pyetje naive, të cilës i ka dalur
kallaji me kohë. Megjithatë do një përgjigje. Së pari nuk dihet nëse Serbia
e toleron ose jo këtë parlament. Janë të gjitha mundësitë që më e
interesuara tashmë për këtë «konstituim» të jetë Serbia. Asaj i intereson
ky akt sepse i jep mundësinë edhe një herë të paraqitet tolerante,
pikërisht në ato ditë kur në fushat e minuara të saj vriteshin dhjetra
shqiptarë. Asaj i intereson të dëshmohet tolerante, sepse e di se ky
«parlament» nuk ia shkurton jetën asaj, përkundrazi i shton ditët e saj në
tokat shqiptare të pushtuara në Kosovë, sepse ajo i ka provuar legalistët
dhe legalucët për afro një dekadë. Ajo e di më mirë se disa bashkatdhetarë,
se rruga pacifiste për të është rruga e nënshtrimit dhe problemin e vërtetë
ajo e ka me forcat çlirimtare.
Nga ana tjetër, edhe organizata apo parti të tjera politike nuk e kanë
njohur këtë parlament, dhe në këto organizata janë edhe njerëz të dëshmuar
për atdhedashuri. Nuk e ka njohur këtë «parlament» edhe Ushtria Çlirimtare
e Kosovës, me përjashtim të ndonjë renegati, i cili në vazhdën e lojës së
flliqur përçarëse, nganjëherë edhe mund të thirret në emër të UÇK-së dhe e
gjen portën e hapur në TVSH - pikërisht sepse i shërben interesave të një
klase pacifiste. Nuk mund të thuhet se mosnjohja e një «faktori» nuk është
e drejtë e secilit që është për një rrugë tjetër - por tashmë çdo gjë është
e qartë. Çdo gjë është në dritën e diellit. Binjakëzimi që duan të bëjnë
mes luftëtarëve të lirisë dhe dështakëve pacifistë është i destinuar të
dështojë, sepse aktualisht ata përfaqësojnë jo vetëm rrugë të ndryshme, por
edhe synime të ndryshme kombëtare.
LPK-ja nuk e njeh këtë «konsituim» sepse në të janë ata që kanë qenë e janë
për shuarjen e vrullit politik dhe të luftës çlirimtare
E përse nuk e njeh LPK-ja, Dega jashtë vendit, këtë «konstituim»?
Tashmë kushdo e pranon se Kosova është në luftë dhe se përballë njëri
tjetrit janë vënë ushtarët pushtues serbë dhe forcat çlirimtare shqiptare.
Raste të tilla të kundërvënies mes pushtuesve dhe çlirimtarve historia
botërore ka njohur me mijëra, sepse kudo është bërë luftë çlirimtare. Dhe
në të gjitha rastet krijimi i një «asambleje» apo i një qeverie nën pushtim
është quajtur qeveri kolaboracioniste dhe dihet tashmë se cila ka qenë
përgjigja e popujve kundër një qeverie të llojit të tillë. Sepse është e
natyrshme të pyetet se çfarë do të bëjë sot, në kushtet e luftës, ky
„parlament" i mbledhur nën «hijen» e çetnikëve serbë, cilat ligje të tij
mund të futen në fuqi, kujt mund t‘i shërbejnë ligjet e tyre. Edhe në
«konstituimin» e tyre, ata nuk gjetën kohë të përshëndetin luftën
çlirimtare në Kosovë, të nderojnë gjakun e dëshmorëve, sepse ky nuk ishte
qëllimi i tyre. Të paktën ky nuk është qëllimi i atyre që e kanë emëruar
këtë „parlament", sepse njeriu ndjen keqardhje kur mëson se në këtë lojë,
ndoshta me qëllimin e mirë për të bërë diçka janë futur edhe figura të
nderuara, mes tyre edhe profesor I. Ajeti. Dhe një „parlament", i mbledhur
nën tutelën e pushtuesit, që zakonisht quhet kolaboracionist nuk ka se si
të njihet nga një organizatë e tillë e dëshmuar për atdhedashuri, si është
Lëvizja Popullore e Kosovës.
LPK-ja nuk e njeh këtë «konsituim» sepse në të janë përfaqësuesit e emëruar
të atyre forcave politike, të cilat deri tash, por ne mendojmë se edhe më
tej, kanë qenë e janë për shuarjen e vrullit politik dhe të luftës
çlirimtare. Tani, kur i gjithë populli shqiptar në Kosovë, nuk kërkon asgjë
tjetër veçse bashkim rreth UÇK-së dhe mjete luftarake për të përballuar
armikun, këta përfaqësues deri më tash janë prononcuar për kahje të tjera
të rrugës çlirimtare. Pra është e pamundur që fryma liridashëse dhe e
qëndresës të shkojë nëpërmes këtij „parlamenti", i cili është thirrur,
qoftë para 22 marsit, qoftë pas 22 marsit. Ata, në fund të fundit, janë
përfaqësuesë të atyre forcave politike që kanë qenë edhe kundër shpalljes
së Kushtetutës së Kaçanikut. Kjo është e dëshmuar nga njëri prej ish
themeluesve të LDK-së, Mehmet Kraja, në librin e tij publicistik.
LPK-ja nuk e njeh këtë «konstituim» sepse aty nuk janë të përfaqësuara
idetë që mbron dhe që mbart UÇK-ja dhe forcat e tjera çlirimtare. Aty janë
tubuar përfaqësuesit e atyre forcave, që jo shumë kohë më parë, forcat
çlirimtare i kanë quajtur terroriste, i kanë quajtur vegla të Arkanit, kanë
thirrur Interpolin për zbulimin e tyre apo kanë shkuar edhe në denoncime të
tjera politike. A është e mndur të besohet se ky lloj „parlamenti", që
qenka i përmalluar nga fjala e Rugovës të ketë harruar se jo shumë kohë më
parë, pikërisht ky Rugovë deklaronte se në rast sulmi serb, shqiptarët nuk
qëndrojnë as dy ditë, duke dashur të mbjellë panikun dhe disfatën. Kudo në
botë, cilido që i thotë vetes prijës i një populli, aq më shumë i një
populli të robëruar, duhet të largohet përfundimisht nga skena politike
sepse ai nuk i beson njerëzve të vet, pikërisht atyre njerëzve që i kanë
besuar. Duke mësuar këtë fakt të kujtohet një citim i Volterit, kur thotë
se „nuk ka asgjë më tragjike se besimi i popullit tek ata njerëz, të cilët
nuk besojnë tek populli». A mund të presë populli shqiptar në Kosovë, që ky
„parlament" i ngritur mbi strategjinë e nënshtrimit dhe të disfatës të
ndërtojë tashmë strategjinë e qëndresës. Është e pamundur. Sepse ata që
janë munduar të shuajnë çdo grimasë të qëndresës, nuk mund të jenë tashmë
zëdhënës të asaj që janë e kundërta e saj. A mund të besohet se ky
„parlament" do të nxjerrë ligje të tilla atdhedashurie si është për
shembull çbllokimi i fondeve nga „Qeveria" për luftën çlirimtare, çka në
fund të fundit është edhe një detyrim i qëndresës? Përfaqësuesit e këtij
klani politik, që janë grumbulluar në këtë «konstituim» deri disa kohë më
parë endeshin kudo që ishte e mundur për të denigruar luftën çlirimtare,
dhe, kur nuk ia dolën ballas, kërkojnë, që në emër të institucioneve
fiktive të përçajnë dhe të mashtrojnë. Nuk do t'u ecë.
LPK-ja nuk e njeh këtë „parlament" sepse ai një nga qëllimet e tij të para
do të ketë bllokimin e mëtejshëm të luftës çlirimtare - Rugova deklaroi se
kjo forcë çlirimtare, UÇK-ja, është një pakicë njerëzish, që nuk kanë besim
e përkrahjen e popullit shqiptar në Kosovë. Megjithëse ishte një deklarim
jashtë realitetit, i gënjeshtërt, për të mos thënë ndonjë epitet tjetër më
të saktë dhe më të denjë, ai shprehte një mendim politik. Tani këtë mendim
politik, pikërisht kthimin e UÇK-së në një forcë pa përkrahje, do të
mundohet të bëjë Rugova dhe klani i tij. Sepse është e natyrshme pyetja:
përse për gjashtë vite, në kohë paqeje dhe në kohën e krijimit të
institucioneve «paralele», në kohën kur deklaronte se ishin shteti më i
zhvilluar në Europën Juglindore, pra përse atëherë doktor Rugova nuk e bëri
konstituimin e „Parlamentit", megjithë kërkesat e shumta të
bashkatdhetarëve, e mes tyre edhe të kërkesave të LPK-së? Ne e kërkonim
atëherë këtë konstituim sepse duke e parë rrugën e rrezikshme të Rugovës
dhe përbërjen më dinjitoze se tani të parlamentit, kishim besim se do të
ndikonim në bllokimin e disa proceseve autonomiste dhe të përshtatjes me
pushtimin. Rugova nuk e bëri atëherë, sepse asgjë nuk e rrezikonte Serbinë,
por edhe se asgjë nuk e lëkundte pushtetin e tij. Tani është një situatë
tjetër. Pushteti i Rugovës është i lëkundur deri në rënie. Besimi i
popullit ndaj tij është lëkundur deri në këputje. Besimi i diplomacisë
botërore është mëdyshas edhe ai. Takimet e para të përfaqësuesve të vërtetë
të Drejtorisë Politike të UÇK-së me diplomatët amerikanë ishte sinjali i
fundit për Rugovën. Ai provoi që me anë të njerzve të tij, të siguronte
Amerikën se e kishte edhe UÇK-në nën kontroll, por nuk i eci. Në këto
kushte, kur gjendja është e acaruar, kur bëhet thjeshtë luftë e jo
konferenca shtypi, Rugova, për më pak se një orë «konstituon» parlamentin.
Kushdo është i lirë të pyes: Përse tani? Kur paska qenë kaq e lehtë në kohë
lufte, përse nuk u bë më heret? Çfarë e shqetësoi Rugovën?
Nuk është hera e parë që shqiptarët ndeshen me krijesa mjerane që thirren
në emërin e parlamenteve apo të asambleve
E gjithë kjo ka një përgjigje: rritja e autoritetit, e forcës dhe e
veprimit politik të UÇK-së e detyruan Rugovën të bënte farsën e
konstituimit të „parlamentit". Dhe këtë nuk e bëri për t‘i dhënë shtytje
luftës çlirimtare, por për ta frenuar dhe për ta minuar luftën çlirimtare.
Dhe duke qenë të qartë për një veprim të tillë, nuk kemi pse të njohim
krijimin e këtyre fiktiviteteve, që shpien nga negativja.
Aktualisht dëshira e vërtetë e shqiptarëve është bashkimi. Këtë thirrje e
bëjnë drejtuesit e luftës në front, e bëjnë njerëzit e thjeshtë e të
zakonshmëm, e bëjnë telekronistët e luftës e në fund të fundit kjo është
thirrje e dëshirë e kohës. «Parlamenti» u mblodh sipas urdhërit partiak dhe
bindjeve partiake, kur është një kohë që më së paku Kosovës i duhen bindje
të tilla, kur forcat e vërteta çlirimtare kanë lëshuar thirrjen e
shqiptarizmit si flamur bashkimi. Kush është në këtë „parlament"? Janë
përfaqësues të LDK-së, e krijuar në mënyrë tashmë jo të dyshimtë, por të
ditur mirë se me nismën e organizmave të Lidhjes Komuniste të Kosovës, si
vazhdim i saj, në kushtet e reja të krijuara. Edhe programi fillestar i saj
është bërë në zyrat e kësaj krijese famëkeqe të diferencimit. Megjithatë e
drejta e ndryshimit i njihet kujtdo, nëse bëhet ky ndryshim. Por nxënësi
nuk ka ndryshuar nga mësuesit. Ata krijuan parcializmin, ose diferencimin e
mëtejshëm të popullit. Duke patur në duar, si më parë mjetet e
informacionit, ata krijuan rishtas bindjen, se kush nuk është me LDK-në,
është kundër Kosovës. Sidomos këtë e krijuan kundër forcave çlirimtare
ilegale, kundër ish të burgosurve politikë dhe një brezi të tërë
politikanësh, që ishin mësuar të shohin përtej perdes së mjegullt që kishte
vendosur LDK-ja: bëjnë pjesë në këtë parlament edhe përfaqësues të bijzave
të LDK-së, si liberalët e «liberalit» Deda apo kristianodemokratët e
Krasniqit. Asnjëherë këto partiza nuk kanë mundur as të «teshtijnë» kundër
frymës partiake të LDK-së, e as të mos guxojnë t'i thonë «shëndet» prijësit
lëdëkëist, edhe për gafat politike të tij. A mund të pritet burrëri dhe
dinjitet nga këta partiakë të bindur, a mund të pritet që idetë e qëndresës
të mbarten prej tyre? Atëherë përse duhet ky «parlament»? Për të mbajtur
brekushet e konferencave të shtypit të Rugovës të cilat po përsëriten si
notat kineze të protestave? Mos qoftë e thënë që dinjiteti shqiptar të
zvarritet, qoftë edhe në formë institucionale.
LPK-ja nuk i ka njohur dhe ka qenë kundër zgjedhjeve të 22 marsit. Jo vetëm
se ato bëheshin nën pushtim, por edhe pse në atë kohë Kosova ndodhej në
momentin e kthesës së madhe historike, kur tashmë do të vendosej e ardhmja
jo thjeshtë e shqiptarëve në Kosovë, por edhe probleme madhore të kombit
tonë. Ato u bënë, jo vetëm kur nuk duhej të bëheshin, por edhe mbi bazën e
manipulimit politik. Si të tilla ato ishin të pa pranueshme për forcat
çlirimtare. Dhe ishin të tilla jo se u mënjanuan disa figura të ish të
burgosurve politikë, të cilët vitet e fundit, nën mantelin e legalistëve e
kishin humbur shumë militantizmin e tyre, por edhe sepse idetë e vërteta të
çlirimit nuk përkonin me ato zgjedhje farsë. Nga njëra anë bëheshin
zgjedhje, në ato zona që quheshin të lira, por që në fakt ishin dhe janë të
pushtuara, kurse nga ana tjetër mënjanoheshin ato zona ku ideja e lirisë
ishte më e fuqishme se kurrë edhe që në fakt sot janë zona të lira.
Ka edhe arsye të tjera që LPK-ja nuk i njeh këto inskenime parlamentare,
por gjithkush duhet të jetë i bindur se asnjëri prej këtyre shkaqeve nuk
është për arsye meskine, por për çështja madhore, me të cilat lidhet e
sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë.
Shqiptarët nuk është hera e parë në historinë e tyre që ndeshen me krijesa
mjerane që thirren në emërin e parlamenteve apo të asambleve. Gjithashtu
historia është dëshmuese se cila ka qenë përgjigja e popullit ndaj këtyre
krijesave famkeqe. Dhe jemi të bindur se tashmë njerëzit po ecin në një
rrugë tjetër, që është rruga e nderit dhe e dinjitetit. Ne përkrahim
pikërisht këtë rrugë dhe gjithçka që kemi, deri edhe jetën, e vemë
pikërisht në shërbim të këtij ideali. Ndaj edhe nuk i njohim krijesat
parlamentare që sjellin përçarjen.
------------------------------------------------------------------------
Kujt i duhet qeveria kuislinge në Kosovë?
Pushtuesve, fuqive të mëdha dhe kuislingëve shqiptar duhet t’u jetë e qartë
se UÇK-ja është një dhe e pandarë dhe kushdo që mundohet të fut përçarje do
të thyej kokën e tij, se populli i pushtuar shqiptar është i lidhur si
mishi me kockën me Ushtrinë Çlirimtare dhe nuk do t’i ndahet deri në
fitoren përfundimtare. «Ofanziva e madhe serbe», siç po quhet nga mjetet e
huaja të njoftimit, dhe çfarëdo ofanzive tjetër do të dështojë me turp
përballë unitetit dhe vendosmërisë së luftëtarëve dhe luftëtareve trime të
UÇK-së dhe popullit të bashkuar rreth saj. Kuvendi dhe qeveria kuislinge do
të jetojnë për aq kohë sa të jenë pushtuesit.
Xhevat BISLIMI
Për të zezën e shqiptarëve dhe për të mirën e pushtuesve, muajve të fundit,
qysh se Lufta Çlirimtare mori përmasa të gjera në Kosovë, krykuislingu
Rugova dhe pasuesit e tij po tregohen fort të vendosur në qëndrimet e tyre.
Përderisa Kosovës i shkonte flaka e tymi në qiell dhe përderisa kufomat e
të vrarëve dhe të maskaruarve qendronin mbi dhe, Rugova shpalli «zgjedhjet
e lira». UÇK-ja u deklarua kundër tyre. Përveq saj, edhe partitë kryesore
legale dhe shoqatat e ndryshme i kundërshtuan ato zgjedhje dhe nuk morën
pjesë në to. Po ku pyet Rugova dhe pasuesit e tij?! Mjafton ta kenë
miratimin e Beogradit. Menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, ai paralajmëroi
themelimin e kuvendit. Megjithë kundërshtimet e vendosura dhe të shumta që
vinin nga çdo anë, Rugova i mblodhi një pjesë të «deputetëve» të tij dhe
brenda një gjysmë ore e shpalli të themeluar «kuvendin». Menjëherë, u
njoftua opinioni se së shpejti do të krijohet qeveria e përbër edhe më
përfaqësuesit e partive «joparlamentare».
Sonte (27.7.98, ora 21°°) radioja Francë Internacional njoftoi se sipas
deklaratës së Fehmi Aganit ideologut dhe arkitektit të grupit kuisling,
qeveria do të formohet pasnesër. Po sipas Aganit në këtë qeveri do të
«përfaqësohet» edhe UÇK-ja. Më tej Agani, gjithmonë sipas kësaj radioje,
deklaron se «Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dy krah: krahun që e përkrah
Rugovën dhe LDK-në dhe krahun tjetër që është kundër Rugovës dhe LDK-së».
Krijimi i kuvendit dhe qeverisë kuislinge, por veçmas përpjekjet për
përçarjen e UÇK-së provojnë për të satën herë se ky lloj insanësh janë të
vendosur në rrugën e tyre të tradhëtisë dhe të bashkëpunimit me pushtuesit
dhe miqtë e tyre të fuqishëm. Veprimet dhe përpjekjet e tyre të muajve të
fundit dëshmojnë se ata e kanë lidhur fatin e tyre pazgjidhëshmërisht me
pushtuesit tanë shekullor.
Pas dështimit të tyre të turpshëm për krijimin e FARK-ut, me ndihmën e
Bukoshit dhe të Xhaferit, këta maskarenjë e kundërshqiptar përpjekjet e
tyre i drejtuan në futjen e njerëzve të tyre brenda radhëve të UÇK-së. Janë
pikërisht këta njerëz që bëjnë përditë biseda me gazetarë të gazetave të
ndryshme, që japin njoftime dhe bëjnë paraqitje të ndryshme publike, duke u
munduar të krijojnë bindjen se në UÇK ka shumë ushtarë e «komandantë» që
përkrahin politikën e Rugovës dhe të LDK-së. Këta elementë kundërkombëtar
zakonisht paraqiten si «përfaqësues» të UÇK-së.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i ka dënuar dhe i dënon këto paraqitje
publike të paautorizuara dhe të papërgjegjësi. Qendrimet e UÇK-së dhe të
Shtabit të Përgjidhshëm është i autorizuar t’i paraqes dhe t’i bëjë publike
vetëm zëdhënësi UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Deri më sot, kundër dëshirës së UÇK-së, janë dënuar me vrasje dhe janë
ekzekutuar një numër i bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Këtyre shqiptarëve
tradhëtar, para se të ekzekutoheshin u ishte tërhequr vërejtja dhe u ishte
bërë thirrje disa herë që të heqin dorë nga bashkëpunimi me pushtuesit.
Shtrohet pyetja çfarë të bëhet sot me kuvendin dhe qeverinë kuislinge të
Rugovës dhe Aganit me shokë? Nuk ka dyshim se veprimtaria e tyre është më e
rrezikshmja për fatin e luftës çlirimtare dhe për fatin e çlirimit të
tokave të pushtuara të Shqipërisë. Mirëpo, sido që të jetë, UÇK-ja edhe më
tej duhet që krahas luftës kundër forcave armike të pushtuesve dhe krahas
forcimit të disiplinës ushtarake dhe luftarake në radhët e saj, të gjejë
forcë dhe kohë për t’i shpjeguar dhe bindur masat e gjera të popullit se
rruga dhe shpresa e vetme për çlirimin dhe bashkimin e tokave tona të
zaptuara me dhunë nga serbo-maqedono-malazezët është lufta e armatosur dhe
e papajtueshme deri në tërheqjen e tërësishme të forcave të armatosura
pushtuese. UÇK-ja duhet t’i ikë kurtheve që po i ngritin Rugova dhe Agani
me pasuesit e tyre deri aty ku nuk rrezikohen për vdekje interesat e kombit
dhe të atdheut.
Secilit atdhedashës dhe secilit shqiptar sot i është bërë e qartë se Rugova
dhe grupi i tij kanë për qëllim institucionalizimin e përçarjes e jo të
jetës politike dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare. Krijimi i qeverisë
kuislinge me «përfaqësues» edhe të UÇK-së ka rrezik që këtë përçarje ta
thellojë deri në vëllavrasje. Por, pasojat dhe përgjegjësia historike do të
bijnë mbi vetë kuislingët. Të krijosh kuvend dhe qeveri të miratuar dhe
lejuar nga pushtuesi në një kohë kur dhjetra mijëra djem e vajza të Kosovës
kanë rrokur armët dhe janë rreshtuar në radhët e UÇK-së për t’i dalë zot
pjesës së pushtuar të atdheut do të thotë t’ia fusësh thikën pas shpine
atdheut dhe popullit. Sjellja dhe veprimtaria e tyre kanë gjetur përkrahje
dhe mbështetje të fuqishme edhe të Sali Berisha dhe të fuqitë e mëdha,
qëllimet e të cilëve nuk dallojnë shumë prej atyre të Serbisë. Dëshirë e
përbashkët e këtyre fuqive, u tha sonte në lajmet e stacioneve të huaja,
është shkatërrimi i UÇK-së ose futja e saj nën kontrillin e Rugovës. Të
gjithë analitikët e huaj e pranojnë se ushtria dhe policia e Millosheviqit
nuk mund ta thyejnë UÇK-në dhe popullin e pushtuar shqiptar. Prandaj, të
gjitha shpresat e tyre janë varë te përçarja e shqiptarëve dhe sidomos te
përçarja e UÇK-së nëpërmjet Rugovës, Bukoshit, Aganit dhe grupit të tyre.
Kjo është arsyeja që Bukoshi mbledh para në emër të luftës dhe të UÇK-së
dhe nuk i jep ato, por i mbanë për «ditë të mira»... Mendojmë se për këtë
çështje me rëndësi dhe peshë historike duhet të mbaj qendrim edhe Tirana
zyrtare. Pavarësisht trysnive të fuqishme që i bëhen, qeveria e Tiranës nuk
guxon të bëjë fajin historik dhe t’i mbështes organet kuislinge në
Prishtinën e pushtuar.
Pushtuesve, fuqive të mëdha dhe kuislingëve shqiptar duhet t’u jetë e qartë
se UÇK-ja është një dhe e pandarë dhe kushdo që mundohet të fut përçarje do
të thyej kokën e tij, se populli i pushtuar shqiptar është i lidhur si
mishi me kockën me Ushtrinë Çlirimtare dhe nuk do t’i ndahet deri në
fitoren përfundimtare. «Ofanziva e madhe serbe», siç po quhet nga mjetet e
huaja të njoftimit, dhe çfarëdo ofanzive tjetër do të dështojë me turp
përballë unitetit dhe vendosmërisë së luftëtarëve dhe luftëtareve trime të
UÇK-së dhe popullit të bashkuar rreth saj. Kuvendi dhe qeveria kuislinge do
të jetojnë për aq kohë sa të jenë pushtuesit. Bashkë me thyerjen dhe ikjen
e pushtuesve nga trojet tona do të bien dhe do të ikin edhe kuislingët, të
cilët sot bëjnë kuvend e qeveri në strofullin e armikut, ndërsa bijtë dhe
bijat më të mira të kombit po luftojnë për jetë a vdekje me atë pushtues
dhe me makinerinë e tij ushtarake. Koha do të vërtetojë, siç e ka vërtetuar
sa e sa herë në histori, se nuk mund të ketë institucion më legjitim se
institucioni që themelohet dhe ndërtohet mbi gjakun e një populli që
luftonë për liri dhe bashkim kombëtar.
*************
SHËNIM DITE
Nga cikli: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit"
Mbi të gjitha është Kosova, pastaj fshati dhe pragu i shtëpisë
Kjo është luftë për të mbrojtur pragun e Kosovës, që është në fund të
fundit edhe pragu i shqiptarisë, pragu nga ku Shqipërisë etnike i kanë
ardhur gjithnjë sulmet e pabesa veriore të sllavëve të jugut. Të mbrosh
Kosovën do të thotë në fund të fundit të mbrosh kombin tënd dhe kjo është
një detyrë fisnike shumë më e lartë se të mbrosh thjeshtë pragun e
shtëpisë.
Bedri ISLAMI
Duke qenë se, lufta e tanishme kundër pushtuesit serb, është një luftë e të
gjithëve dhe jo vetëm për një zonë, një krahinë, një fshat, ajo ka marrë
tashmë përmasa të mëdha dhe është njëri nga realitetet më të besueshme në
tërë Kosovën. Qëllimi i shprehur qartas i UÇK-së, për luftë deri në fitore,
dhe mbështetja e këtij besimi nga të gjithë ata që e dinë tashmë se
qëndresa e armatosur ishte më se e domosdoshme- janë të natyrshme në jetën
e shqiptarëve në Kosovë. Bëhën të tilla, pra, gjerësisht të përhapura dhe
thellësisht të ngulitura, vetëm ato dije që përfaqësojnë ëndrrën më fisnike
të popujve, dhe nuk mund të këtë ndjenjë më fisnike se dëshira për të qenë
i lirë, për të qenë një komb i bashkuar, për të qenë zotër në vatrat tona.
Kundër këtij ideali hapur ose fshehtas punojnë vetëm ata që së pari
mendojnë në gjuhën e armikut, vetëm ata që tashmë kanë mohuar kombin.
Është i vërtetë po ashtu fakti se tashmë kudo vlon dëshira për të qenë të
gatshëm për të përballuar armikun. Megjithë barbaritë që bëri pushtuesi
serb në Rahovec, ato nuk e kanë mposhtur popullin shqiptar, nuk ia kanë
ulur dëshirën për liri. Përkundrazi, tashmë këmbëngulja e njerëzve për të
qenë të gatshëm për të përballuar armikun është më e lartë dhe njerëzit po
sakrifikojnë dhe jetën e tyre për të gjetur mjete luftarake.
Qoftë të jetë besimi i lartë, qoftë të jetë dëshira e fortë, nuk janë të
mjaftueshme për të përballuar një armik të tillë si është ai që kemi
përballë. Duhet shumë më tepër se kaq. Duhet edhe organizimi i lartë, edhe
rritja e ndjenjës së përgjegjësisë, edhe zbatimi i urdhërave, edhe
disiplina, e shumë gjëra të tjera që lidhen me luftën.
Shtabi i Përgjithshëm dhe shtabet rajonale që veprojnë në Kosovë, së bashku
me Drejtoritë e ndryshme të krijuara pranë tyre, po bëjnë të gjitha
përpjekjet që lufta e popullit tonë të jetë rreptësisht e përqendruar në
një komandë, me pikësynime të qarta, e aftë për të përballuar sulmet
armike, për t‘i shkaktuar humbje të rënda atij, por edhe që; popullsia
shqiptare të mos dëmtohet ose mundësisht të dëmtohet sa më pak. Pësimet e
humbjeve të mëdha në Bosnje, shumica e të cilave janë rrjedhojë e anarkisë
dhe e pengesave mesboshnjake, nuk duhet të lejohen të ndodhin në luftën
tonë çlirimtare. Nganjëherë ato bëhen me dashje, dhe kundër pengesave të
tilla është e natyrshme që do të veprojë ashpër zëmërimi i popullit.
Nganjëherë ato bëhen pa dashje ose si rrjedhojë e rënies në lojën e
kurdisur dhe ata hapin telashe jo të pakta.
Kur cituam në fillimin e këtij shkrimi se mbi të gjitha është Kosova,
pastaj është fshati e pragu i shtëpisë, nuk e bëmë rastësisht.
Në kohën kur lufta filloi të kishte shtrirje të gjerë, jo rastësisht u
përhap parulla se „shqiptarët po luftojnë për të mbrojtur pragun e
shtëpisë". Ishte një këmbëngulje në përsëritje, e deri në lodhje e mediave
titiste dhe të lidhur me qarqet legaliste për ta paraqitur luftën
çlirimtare si një shpërthim i shthurur, si çdo gjë që vinte rastësisht.
Kishte emisar edhe nga Shqipëria zyrtare që ripërseritën se shqiptarët po
luftokan vetëm për pragun e shtëpisë. Kjo „formulë" synonte ta rikthente
rishtas luftën e shqiptarëve për pavarësi në një luftë kaçakësh, ose në një
paraqitje kaçakësh. Duke u nisur nga fakti se Adem Jashari kishte rënë i
rrethuar në shtëpinë e tij ata mbështetën teorinë se lufta është thjeshtë
për pragjet e shtëpive, duke synuar që shqiptarët të jenë rishtas të
vetmuar. Pra, që secili fshat të luftonte vetëm për fshatin e tij, secila
shtëpi vetëm për shtëpinë e saj, ndërsa për Kosovën- askush. Sepse, duke
patur pikëvështrimin deri tek pragu i shtëpisë, nuk mund të shohësh përtej
kodrës ku mbaron fshati yt. Në të vërtetë, kjo solli edhe disa përpjekje
për riorganizime në bazë fshati, të cilat fatbardhësisht morën fund shpejt,
sepse shtabet rajonale, Shtabi i Përgjithshëm, organizatat çlirimtare të
lidhura ngusht me to, sinjalizuan dhe vepruan për unifikimin e të gjitha
forcave nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm, për heqjen e konceptit se
luftojnë vetëm për pragun e shtëpisë. Sepse, në fakt kjo është luftë për të
mbrojtur pragun e Kosovës, që është në fund të fundit edhe pragu i
shqiptarisë, pragu nga ku Shqipërisë etnike i kanë ardhur gjithnjë sulmet e
pabesa veriore të sllavëve të jugut. Të mbrosh Kosovën do të thotë në fund
të fundit të mbrosh kombin tënd dhe kjo është një detyrë fisnike shumë më e
lartë se të mbrosh thjeshtë pragun e shtëpisë.
Ky koncept tashmë është i kaluar disi, por jo kudo. Është tashmë i
tejkaluar sepse njerëzit në Kosovë e dinë fare mirë se është e pamundur
qoftë edhe praktikisht, që i vetëm, mbështetur në forcat e një fshati, të
mbrosh vatrat stërgjyshore nga hordhitë serbe. Është gjithashtu disi i
tejkaluar sepse njerëzit e kanë tashmë të qartë se vetëm të bashkuar, nën
komandën e UÇK-së mund të mbrohet e gjithë Kosova, e në këtë mes edhe pragu
i shtëpisë. Por, ndërsa është i tejkaluar në vendlindje, ai rishfaqet
mijëra kilometra larg tij, në mërgim.
Si shfaqet në mërgim, pra konkretisht si shfaqet sot e kësaj dite në mesin
e mërgimtarëve tanë?
Duhet thënë se shfaqet me një kontradiktë të dhimbshme mes dëshirës fisnike
për të ndihmuar luftën dhe të vërtetës, se nuk mund të ndihmohet ashtu. Në
një farë mënyre ata janë peng tragjik i së vërtetës se dikush po e pengon
luftën.
Të flasim konkretisht: kohët e fundit të ardhurat në Komisionet e
Emergjencës janë pakësuar, megjithse ende janë të mëdha. Ajo që quhet
qeveri po shfrytëzon të gjitha mjetet e mundëshme për të thithur mjetet
materiale, dhe që ato të mos shkojnë tek UÇK-ja. Ndërsa disa vite më parë
klani Bukoshit u thirr në emër të vetëmbrojtjes, vetëm në gjashtë muajt e
fundit është thirrur së pari në emër të Drenicës, pastaj përmes Këshillave
të Emergjencës dhe tani në emër të Pavarësisë së Kosovës. Por ende nuk
është thirrur dhe as që ka ndër mend të thirret në emër të ndihmës për
luftën çlirimtare. Përmes këtyre „thirrjeve" janë në fondin e „qeverisë" me
miliona e miliona deviza të huaja, prej të cilave janë financuar gjëra të
dobishme, por më shumë gjëra të dyshimta. E të dobishme kanë qenë
financimet humanitare, sepse edhe ato i duhen Kosovës, por të tjerat, të
dëmshmet, kanë qenë e do të jenë objekt i shkrimeve të tjera.
E ndodhur përballë faktit se fondet e Emergjencës po bien, përmes emisarëve
të LDK-së, qeveria po nxit orgnizimin e mbledhjes së ndihmeve në bazë të
fshatit, në bazë të grupeve të fshatarëve. Emisarët e LDK-së herë po
qendrojnë në prapaskenë, dhe herë po veprojnë drjetpërdrejt. Qëllimi është
i njëjtë: kudo le të shkojnë të hollat vetëm te fondi „Vendlindja thërret",
si fond i luftës dhe bashkimit kombëtar, mos të shkojnë.
Dhe nis kështu e dhimbshmja. Njerëzit e thjeshtë fillojnë të shqetësohen,
fillojnë të vetorganizohen. Çuditërisht, qeveria që ka protestuar kundër
çdo forme të mbledhjes së ndihmave, që ka thënë se nuk merr përgjegjësi etj
etj, tani jo vetëm që hesht, por edhe përmes TV satelitor i bën thirrjet e
saj. Thirrjet e fondit „Vendlindja thërret" i hesht. Qeveria e di fare mirë
se përse po mblidhen fshatrat. E di se kjo formë e saboton luftën. Por i
nxit jo vetëm me heshtjen e saj, por edhe me emisarët e saj LDK-istë. E di
qeveria se sa vështirësi ka organizimi i një fshati kokë më vete, sepse
edhe ajo, megjithëse e quan veten qeveri, kur deshti të krijojë linjën e
dytë ushtarake FARK, dështoi. E si mund të veprojë një fshat i vetëm? A nuk
e di qeveria se ky fshat do të bjerë ndesh me dallgët e vështirësive?
Të gjitha i di.
Duhet thënë shqip për bashkatdhetarët: ndihmojeni luftën aty ku duhet.
Vetorganizimet janë të dëmshme. Ju e keni qëllimin fisnik, por pasojat janë
të dëmshme. Dhe janë shumëfish të dëmshme. Sepse ndërsa kërkoni
përqëndrimin e luftës, ju bëni shpërqëndrimin e mjeteve të luftës. Sepse
ndërsa kërkoni komandë unike, çka edhe është në të vërtetë, ju bëni njëmijë
komanda. Sepse ndërsa kërkoni që lufta të jetë e organizuar, ju ndikoni në
çorganizimin e saj. Fondet mund të mblidhen gjithsesi, por, ato kanë një
shtrat ku duhet të derdhen, dhe ky është fondi „Vendlindja thërret". Ju
duhet të mendoni: kur Shtabi i Përgjithshëm i bën thirrje asaj që ju e
besoni qeveri, që fondet t‘i derdhë në fondin „Vendlindja thërret", po ju
të tjerëve çfarë duhet t`ju thotë. Mos e copëzoni luftën. Mos e bëni atë të
denjë për kufijtë e një fshati.
*****************
REPORTAZH
Sprovë për një kronologji retrospektive të ngjarjes së të shtunës, 15
korrik
Vullnetarizëm dhe komandë
Vazhdim i reportazhit të numrit të kaluar
Pranë të plagosurve vazhdimisht gjenden studentë të fakultetit të
mjekësisë, të cilët, me të marrë vesh mbërritjen e tyre, kanë vendosur të
shërbejnë 24 orë non stop vullnetarisht, vetëm për solidaritet, pavarësisht
se të plagosurit thonë se shërbimi i personelit është mjaft i mirë. Një
student 18 vjeç i fakultetit juridik, kur ne iu drejtuam për t’i kërkuar
një fjalë për lexuesin, tha: "Ftoj moshatarët e mi të bashkohen me UÇK-në,
që është e e vetmja garanci për t’u çliruar. Përshëndetje dhe sukese në
front. Do të jemi së shpejti atje!"
Shaban Sinani & Lulëzim Etemaj
Në spitalin ushtarak të Tiranës, ku prej dy javësh gjenden një grup të
plagosurish gjatë kalimit të kufirit në afërsi të piramidës C-2, ne bëmë
disa vizita, për tre-katër ditë radhazi. Përshtypja jonë qe se të
plagosurit, ndonëse ishin të shtruar në pavijonin e traumatologjisë
kirurgjike, në fakt më shumë ishin të rënduar prej traumës psikologjike.
Moti i nxehtë ndikoi për keq në gjendjen e plagëve, sidomos të plagëve të
rënda, kurse trysnia e shtypit ndikoi për keq në gjendjen emocionale të
njerëzve. Duket se gazetarët u nxitën për të qenë më të zellshëm dhe më
këmbëngulës në kontakt me të plagosurit edhe prej faktit që shumica e tyre,
për të mos thënë të gjithë, s’kanë qenë jo më në brendësi të zonës së
luftës, por as në Tropojë, ku gjenden të shpërngulurit me dhunë nga Kosova.
Për ta ishte një rast i mirë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, dr. Bukoshi, gjatë vizitës së tij në spital, në
mënyrë të paparalajmëruar, kishte marrë me vete edhe kamerat televizive.
Një akt me të vërtetë i çuditshëm. Ndoshta Bukoshi nuk kishte aq shumë
hallin që të vizitonte të plagosurit. E rëndësishme ishte që, përmes
kamerave, kryeministri "të vizitonte" familjet shqiptare për t’u treguar sa
më njerëzor dhe i kujdesshëm. Prania e kamerave gjatë vizitës së Bukoshit i
ka dhënë fund rezistencës së të plagosurve për të mos u shfaqur publikisht,
për të ruajtur karakterin konspirativ të veprimeve.
Terror psikologjik përmes (dez)informimit
Miqësia jonë me të plagosurit pak nga pak vjen e bëhet më e afërt (me
krijimin e mirëbesimit të domosdoshëm). Ndërsa faktet që janë përmendur e
vazhdojnë të përmenden në shtyp deri më sot për çfarë ngjau natën dhe ditën
e shtunë deri në mesditë në Padesh janë gjithnjë e më kontradiktorë.
Lajmi i parë i televizionit shtetëror shqiptar bënte fjalë për 80 të vrarë
dhe dhjetëra të plagosur (e shtunë, mesditë).
Lajmi i dytë është dhënë nga nënkryetari i Kuvendit Popullor Namik Dokle, i
cili vizitoi vetë rajonin e goditur nga ushtria serbe bashkë me një
delegacion ekspertësh të BEP-it. Dokle, i cituar me zë në një intervistë,
tha se numri i të vrarëve duhej të ishte ndërmjet 70-ës dhe 90-ës.
Shtypi, ditën e nesërme, me përjashtim të gazetës "Koha jonë", që pati në
kryetitull shifrën 90 të vrarë, përmendi se numri i të vrarëve duhej të
ishte jo më shumë se 30 veta. Ndërsa televizioni shtetëror fiksoi shifrën
në 5 veta.
Mirëpo të hënën dhe të martën shifrat ndryshuan krejtësisht. Ndryshimi ka
ndodhur në përputhje me të dhënat që njoftonte Euro-news në edicionet e tij
informative: shifra u rrit nga 90 në 100, nga 100 në 110, nga 110 në 120 të
vrarë (ditën e mërkurë), pa përfshirë numrin e të vrarëve në Rahovec.
Vëzhguesit e politikës konsiderojnë se të dhënat e Euro-news-it kanë pasur
për referencë vetëm burimin serb. Nuk ka një burim shqiptar të të dhënave.
Në shërbimin e teletekstit të këtij rrjeti televiziv lajmet për Kosovën
zënë vendin e parë. Kishte disa muaj që luftëtarët shqiptarë cilësoheshin
"albanesi indipendentisti", kurse prej së shtunës për ta rregullisht
përdoret emërtimi "albanesi separatisti".
Në shtypin e vendit riqarkullon
informacioni i shërbyer në mediat e perëndimit
Përshtypja e përgjithshme është se rrjeti televiziv Euro-news kohët e
fundit është vënë në funksion të përhapjes së informacionit dhe të
pikëpamjeve të Beogradit. Të dhënat që qarkullojnë në këtë rrjet menjëherë
merren si të konfirmuara nga shtypi dhe televizioni shqiptar, i cili i
ritransmeton ato, ndoshta pa e ditur se çfarë shërbimi bëjnë dhe kujt ia
bëjnë.
Nga mënyra se si funksionon informacioni mbi ngjarjet në frontin e luftës
dhe veçmas për episodin e kalimit të kufirit ditën e shtunë duket qartë se
luftës me armë i është shtuar edhe lufta psikologjike. Beogradi po bën të
gjitha përpjekjet për të krijuar përshtypjen se lëvizja çlirimtare në
Kosovë po pëson disfata të tmerrshme, se pak nga pak Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës po i ngushtohet rrethi dhe se shqiptarët vetëm pësojnë disfatë, pa
mundur t’i shkaktojnë asnjë dëm pushtuesit.
Me një lehtësi të çuditshme shtypi i vendit i merr dhe i riqarkullon të
dhënat që dekurajojnë lëvizjen çlirimtare të Kosovës, pa e marrë mundimin
të verifikojë diçka dhe të kërkojë të dhëna alternative të një burimi
shqiptar. Të mërkurën, për shembull, është bërë fjalë për 450 të humbur.
Shifra është cituar prej gazetës "Shekulli" dhe nga shtypi tjetër. Çdo ditë
që kalon shifrat zmadhohen. Përmenden raste të varjes së shqiptarëve në
shtyllat e telefonit, të djegies së tyre, shifra makabre për vrasje të
grave shtatzana e të tjera, deri në atë shkallë sa njeriu ta ketë të
detyrueshme të pyesë: po nëse ndodhin gjithë këto hatara, përse është
Ushtria Çlirimtare e Kosovës? Çfarë bën ajo? Përse ta përkrahim, përderisa
ushtarët serbë bëjnë ç’të duan dhe nuk pësojnë asgjë?
Shtypi dhe televizioni zyrtar mund të ruhen dhe nuk e përmendin bilancin e
vërtetë të shifrave duke pasur drojtjen se mos në opinionet ndërkombëtare
kjo u vlerësohet si nxitje e luftës. Mirëpo është për t’u habitur pse
shtypi i pavarur bie në të njëjtën pozitë. Ndoshta kjo ka lidhje edhe me
faktin që përgjithësisht shtypi në Tiranë informacionin nuk e ka të
drejtpërdrejtë, por të referuar me burim të ndërmjetëm. Prandaj sundojnë të
dhënat për humbjet.
Ekzagjerime me shifrat për të dekurajuar luftën
Me sa kemi mundur të verifikojmë, gjatë kontakteve me ata që e kanë
vëzhguar gjendjen nga afër (në Tropojë), me të cilët kemi biseduar këto
ditë, qoftë gjatë takimeve në dhomat ku gjenden të plagosurit, qoftë prej
njohjeve individuale, shifrat duket se janë të ekzagjeruara dhe me një
ndikim të dukshëm të medias serbe për të shkaktuar panik dhe për të
dekurajuar lëvizjen çlirimtare. Kjo nuk do të thotë të nënçmohet dhe të
mbetet jashtë vëmendjes ajo që ka ndodhur të shtunën në Padesh, e cila ka
qenë, siç duket, e rëndë.
Bëhet fjalë për 1600 veta, të grumbulluar nga e gjithë Kosova, të cilët
kanë udhëtuar të gjithë së bashku në drejtimin nga Shqipëria shtetërore në
brendësi të Kosovës (sipas një veprimtari shqiptar të një misioni humanitar
që është ndodhur në vendin e ngjarjes). Por sipas bisedës me njërin nga të
plagosurit, që mund të besohet se ka një detyrë eprori, shifra duhet të
luhatet prej 1200-1400 veta. Kjo shifër quhet se është pothuajse e
padiskutueshme. Ka të dhëna, duke përfshirë edhe ato që përmenden nga të
plagosurit e spitalit ushtarak të Tiranës, që ekziston një listë, që
përmban gjithë numrin e të nisurve për në brendësi të Kosovës. Ndërsa
njerëz që kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe që eventualisht
mund të kenë pasur edhe kontakte të drejtpërdrejta me njerëz të UÇK-së,
duke përfshirë edhe veprimtarë të shoqatave humanitare të vendve
perëndimore, bëjnë fjalë për lëvizjen e rreth 2000 vetave. Edhe këta
pohojnë se ekziston një listë, pa përmendur se kush e ka.
"Fatosi", një prej komandantëve të njësiteve të UÇK-së, që pranon të
bashkëbisedojë edhe për shtypin, thekson se numri ka qenë 1200. Ai është
jashtëzakonisht kritik në lidhje me shtypin, i cili i ka dhjetëfishuar
shifrat e të vrarëve, të cilët, sipas tij, nuk janë më shumë se 12-15.
Ngjarja e së shtunës, si vlerësohet
nga një veprimtar i UÇK-së
Ja një version i plotë i ngjarjes së Padeshit, sipas përshkrimit të
"Fatosit":
Vullnetarët e UÇK-së kanë qenë të grumbulluar në Tropojë. Ata janë nisur
për të kaluar kufirin dhe kanë marshuar në njëshkolonë pothuajse gjatë
gjithë natës. Rreth gjysma e vullnetarëve kanë mundur ta kalojnë kufirin pa
asnjë problem. Ata kanë vazhduar rrugën drejt detyrës që kishin marrë.
Befas janë dëgjuar dy të shtëna armësh me pistoletë. Të shtënat kanë qenë
nga brendësia e kufirit.
Pas të shtënës kolona është ndërprerë. Befas kolona është gjendur nën
goditjen e granatave të dorës të ushtrisë serbe, e cila ka qenë fare pranë
dhe në pozicion dhe në gatishmëri të plotë luftimi. Të plagosurit e parë
janë të plagosurit e pritës. (Në fakt, në spitalin ushtarak është një i
plagosur me armë zjarri. Episodi përshkruhet në të njëjtën mënyrë edhe nga
bisedat me të plagosurit në spital).
Pastaj ushtria serbe ka lëshuar një raketë ndriçuese, e cila e ka zbuluar
krejtësisht vendin e kolonës (kjo pohohet edhe nga të plagosurit e
spitalit).
Shifrave e të vrarëve është dhjetë herë më pak
Pas kësaj ka filluar granatimi me artileri. Ka pasur të plagosur, por s’ka
as të humbur dhe as aq të vrarë sa flitet.
- Sa mund të jetë numri i të vrarëve?
- Me emra dihet se janë vrarë 12 veta. Por mund të jenë edhe 2-3 të tjerë.
"Fatosi" flet me një siguri që ia jep njohja e drejtpërdrejtë në terren.
Përmes tij mundemi të vërtetojmë dhe mjaft të dhëna të tjera për gjendjen e
vullnetarëve të UÇK-së dhe për vetë veprimet e saj në mbrojtje të rajoneve
të lira, për zgjerimin e hapësirës së lirë dhe për të mos e lënë popullsinë
civile pa mbrojtje.
- Si është gjendja e shqiptarëve të shpërngulur?
- Pjesa e shqiptarëve të shpërngulur që janë vendosur në rrethet
verilindore të Shqipërisë ka kushte të vështira jetese: për ushqimin dhe
fjejtjen.
- Nëse do të bëhej një krahasim midis rrethanave të jetesës në front dhe në
zonat e përqendrimit të të shpërngulurve, si do të përgjigjeshit?
- Kushtet e jetesës të UÇK-së janë më të mira se ato të të shpërngulurve,
që gjenden në brendësi të kufirit. Është e vështirë të mbahet me furnizim
të rregullt zona e veriut. Popullsia është e varfër. Përtej kufirit na
ndihmon populli me të gjitha mundësitë e tij. Atje gjendja me ushqime është
më ndryshe.
"Fatosi" mendon se disa mungesa kanë të bëjnë me mungesën e fantazisë së
shtabeve rajonalë.
- A është e vërtetë që në Junik nuk ka pasur gatishmëri për t’i ndihmuar me
ushqime djemtë e rinj vullnetarë të UÇK-së? Kjo na është thënë në formë
ankese edhe nga të plagosurit
- Kjo mund të jetë krejt e vërtetë. Në Junik kalojnë çdo ditë 500-600 veta
dhe nuk ua del dot kush me bukë. Ditën që kam udhëtuar unë kisha po kaq
njerëz me vete. Shtabi i Junikut nuk dinte si të bënte për të na ushqyer.
Unë mora një thes miell dhe bëra vetë byrek për gjithë pjesëmarrësit. Bëra
byrek me qepë. Pastaj u bëra një byrek edhe shtabit të Junikut. Dhe u
thashë se kështu duhet të mësoni të bëni edhe ju. Shtabi duhet të dijë edhe
të gatuajë. Nëse shtabi e le ushtrinë pa ushqyer, nuk e meriton të
komandojë.
Sekreti si edukatë e luftës
Njerëzit e UÇK-së kanë një edukatë të rreptë sekreti. Me "Fatosin", me të
cilin kemi një njohje të gjerë dhe të prejkohshme, biseduam gjerë e gjatë
për vështirësitë që kemi pasur gjatë kontakteve me të plagosurit. I treguam
se i kishim pyetur të plagosurit nëse e njihnin "Fatosin" dhe ata jo vetëm
kundërshtuan, por mohimi i tyre ishte shumë i besueshëm. Kurse kur e pyetëm
"Fatosin" nëse e njihte "Sadamin", ai na pohoi se njiheshin shumë mirë.
Ne bëmë një bisedë të dytë dhe pastaj dhe një tjetër me të plagosurit që
gjenden në spitalin ushtarak. Ka një druajtje të dukshme prej tyre për të
treguar për ngjarjen që kanë jetuar. Ata, qysh prej së hënës, kanë qenë
vazhdimisht në kontakt me njerëz të njohur dhe të panjohur. Kanë një
mosbesim të dukshëm tek gazetarët. Janë të trembur nga fjala publike. Nuk
duan ta marrin vesh familjet e tyre se janë plagosur dhe nuk duan t’i
rrezikojnë të afërmit.
Nga të parët që kanë bërë vizitë tek të plagosurit ka qenë Iljaz Ramajli.
Sipas të shtruarve në dhomën 3, ku gjenden edhe personazhet e përmendur në
reportazhin e javës së kaluar, ai vetëm i ka pyetur për shëndetin dhe asgjë
më tepër.
Ruajtja e sekretit për të plagosurit ka një rëndësi shumë të madhe. Për
sekretet ata nuk flasin as me të afërmit e tyre.
Ditën e martë të plagosurit i ka vizituar edhe Azem Hajdari, Vili Minarolli
dhe Genc Pollo. Ata kanë përmendur se në Padesh janë vrarë 110 veta. Këto
janë shifrat e transmetuara për herë të parë nga televizioni i Beogradit,
pastaj nga Euro-news. Shihet një dëshirë e çmendur për të rritur numrin e
të vrarëve. Thua se thellë ndërgjegjes së këtyre njerëzve fle një nekrofili
e tmerrshme.
Dy ditë më pas, ndërsa po bisedonim me të plagosurit, pranë tyre erdhi zoti
Kurt Kola dhe disa veprimtarë të shoqatës së ish-të persekutuarve.
- Ne i kemi shumë borxhe Kosovës, - tha zoti Kurt duke u dhënë dorën
ushtarëve vullnetarë të UÇK-së.
- Dashtë perëndia e i shlyeni sa është rasti tani - përgjigjet një prej
tyre. Pas kësaj zoti Kola e ka të vështirë t’i gjejë fjalët.
Ditën e diel opozita e bashkuar ka zhvilluar në sheshin "Skënderbej" një
miting, me një pjesëmarrje 4-5 mijë veta. Pjesëmarrësit kanë marshuar gjatë
shetitores "Dëshmorët e kombit", duke u prirë nga S. Berisha dhe liderët e
tjerë të së djathtës. Parulla kryesore e manifestimit ka qenë: "O Fatos, o
legen/ Prite UÇK-në se po vjen". Kjo parullë është brohoritur edhe nga
liderët kryesorë.
Sipas pikëpamjes së shtypit mbështetës të së djathtës qeveria e F. Nanos
është duke e inkurajuar lëvizjen çlirimtare në Kosovë, nëpërmjet
aktivizimit të lidhjeve të vjetra me elementë marksistë në Perëndim, të
cilëve u ka hapur rrugën e tregtisë së armëve. Qëllimi i qeverisë është të
influencojë në Kosovë për të ardhur në pushtet një krah ideologjik marksist
dhe enverist, që do t’i siguronte asaj dominancën.
Lufta ndihmohet vetëm
përmes fondit "Vendlindja thërret"
Të mërkurën ne asistuam në një bisedë të të plagosurve me një mërgimtar të
ardhur nga Gjermania. Ai nuk njihte personalisht asnjërin prej tyre, por
kishte ardhur thjesht për njerëzillëk.
- A po ju ndihmon qeveria jonë për ta kaluar këtë gjendje? - pyeti pa të
keq mërgimtari.
Kur të plagosurit iu përgjigjën mysafirit se nuk kishin pritur dhe as
kishin pasur ndonjë ndihmë nga qeveria e dr. Bukoshit, ai mbeti si i mpirë.
- A tani po e merr vesh se vetëm fondi "Vendlindja thërret" e mbështet
luftën tonë? - ia ktheu po me pyetje një i plagosur.
- Deri tani unë kam dhënë për luftën në të dy fondet, edhe në atë të
qeverisë, edhe në "Vendlindja thërret". Por kjo që thoni ju, dhe që unë e
besoj, se ju vini nga lufta, më bën të mendohem dhe të vendos që ndihmën
time ta jap vetëm përmes fondit "Vendlindja thërret".
- Ju do ta ndihmonit luftën tonë edhe në rrugë tjetër, duke u shpjeguar
mërgimtarëve, kudo që janë, se cili fond shkon vërtet për luftën e cili për
përfitime të tjerëve. Kjo është e vërteta.
- Do ta bëj edhe këtë! - premtoi mërgimtari.
Ju japim armë, po të vini shenjën FARK
- Cilat janë çmimet e shitjes së armëve nga privatët?
- Një automatik bën 300 DM.
- Si mendoni ju, pse nuk keni armë sa të doni?
- Qeveria shqiptare nuk e lejon armatosjen e kosovarëve. Dy njerëz janë
arrestuar në Lezhë dhe janë akoma në burg sepse donin të çonin armë në
veri. Kjo e rrit shumë çmimin e armëve në kufi.
- Por rasti i Lezhës ka të bëjë me një kontrabandë të mirëfilltë
spekulative dhe jo me njerëz që duan të ndihmojnë luftën!
- Ne kështu na kanë thënë!
- Një tjetër i plagosur shton:
- Një grup nga të rinjtë kanë ardhur në Tropojë dy javë më parë kanë
udhëtuar pastaj për në Tiranë. Ata janë paraqitur në përfaqësinë e Kosovës.
Aty një nëpunës u ka dhënë fjalën se do t’u jepnin armë, por të nesërmen u
kanë dhënë vetëm uniforma. Kur vullnetarët kanë kërkuar të marrin armë,
sipas fjalës që u ishte dhënë, në përfaqësi u kanë thënë se armë do të
merrnin vetëm nëse do të pranonin të vinin shenjën "FARK". Nëse do ta
pranonin këtë, përfaqësuesi i qeverisë ka garantuar se do të marrin një
rrogë mujore prej 1000 SFR. Por ata nuk e kanë pranuar këtë propozim.
Pastaj nuk i kanë marrë as uniformat.
Kjo e dhënë na u konfirmua edhe nga "Fatosi", i cili shtoi se e njëjta gjë
ka ndodhur edhe në Gllogjan, ku përfaqësues të qeverisë Bukoshi kanë shkuar
dhe kanë ofruar një rrogë prej 1000 DM në muaj, me kusht që të heqin
shenjën UÇK dhe të vendosin shenjën FARK. Por ata jo vetëm s’kanë pranuar,
madje edhe e kanë ofenduar përfaqësuesin.
Keni mbrojtjen tonë,
po të na ndihmoni për të ruajtur rendin
Një e dhënë interesante na u njoftua nga "Fatosi" edhe për bashkëpunimin e
veprimtarëve lokalë proqeveritarë me autoritetet e pushtetit serb. Sipas
tij, në disa qarqe të Kosovës policia lokale ka thirrur për bashkëpunim
këta veprimtarë dhe u ka kërkuar të ndikojnë me gjithë influencën e tyre
për ruajtjen e rendit, duke i siguruar se nuk do të ketë asnjë pasojë për
ta (do të kenë mbrojtjen e policisë).
Ka ndodhur që disa ditë para se të bëhej nisja e tyre për të hyrë në Kosovë
është paraqitur edhe vonesa në ardhjen e ushqimit. Duke dashur të
përfitojnë nga ky rast, njerëzit e "shtabit të qeverisë" Bukoshi kanë
shkuar dhe fillojnë të shpërndajnë bukë për të mbledhurit. Bukën, pa të
keq, e kanë marrë dy-tre veta, ndërsa të tjerët jo. Janë shprehur se ne nuk
na duhet buka juaj, përderisa nuk na jepni armë. Në vazhdën e kësaj, disa
të vetorganizuar kanë shkuar më vonë në këtë "shtab" dhe kanë kërkuar
forcërisht që t’i hapë dyert e depove, në mënyrë që të ardhurve t’u
shpërndaheshin armët. Duke e parë mllefin dhe vendosmërinë e ushtarëve, ata
të "shtabit qeveritar" janë detyruar të veprojnë në përputhje me kërkesat e
shtruara.
Do të jemi së shpejti atje!
Pranë të plagosurve vazhdimisht gjenden studentë të fakultetit të
mjekësisë, të cilët, me të marrë vesh mbërritjen e tyre, kanë vendosur të
shërbejnë 24 orë non stop vullnetarisht, vetëm për solidaritet, pavarësisht
se të plagosurit thonë se shërbimi i personelit është mjaft i mirë. Një
student 18 vjeç i fakultetit juridik, kur ne iu drejtuam për t’i kërkuar
një fjalë për lexuesin, tha: "Ftoj moshatarët e mi të bashkohen me UÇK-në,
që është e e vetmja garanci për t’u çliruar. Përshëndetje dhe sukese në
front. Do të jemi së shpejti atje!"
------------------------------------------------------------------------
COPËZA REPORTAZHI NGA DRENICA
"Ne jemi betuar se do të luftojmë deri sa të mos mbetet as pika e fundit e
gjakut për çlirimin e plotë të Kosovës"
Në Rahovec, forcat policore-ushtarake-paramilitare serbe, përveç granatave,
raketave, kaçushave e helikopterëve, kanë futur në sulm edhe 60 tanke të
tipit- që janë treguar të sukseshme në Gjirin Persik- njoftonte një ushtar
duke përshkruar shkathtësitë dhe pamjen e tyre.
Petrit MUSOLLI
"Nuk është koha e parlamentit e as e partive, por e bashkimit të të
gjithëve në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare", thonin dy ushtarët e
UÇK-së, Gexhë Kodra dhe Tigri, gjatë rrugës që bënim nëpër Prekazin e Ulët.
Vërtet, fjalimet, mendimet, deklaratat e fjalosjet e partive politike të
çonin "tugin" në Drenicë, ishin krejt boshe, të pa bazë, e mëse të pa
ndihmë përballë luftës. Kot, nuk i ndalnin plumbat, raketat, granatat e as
tanket e helikopterët, me të cilët përballeshin drenicasit. Por, as këto të
fundit, nuk i ndalnin luftëtarët e UÇK-së.
„Shiko, ne jemi betuar se do të luftojmë deri sa të mos mbetet as pika e
fundit e gjakut tonë për çlirimin e plotë të Kosovës dhe nuk do të
dorëzohemi kurrë e përjetë" vazhdonin Gexha me Tigrin, duke më kërkuar që
t’i shkruaj (këto) fjalë për fjalë.
Granatat hidhen edhe atje ku fëmijët kullosin bagëtinë
Vetëm për pak i kishin shpëtuar granatës, Liridoni (8), Burimi (12) dhe
Gjyla (14), tek po kullosnin lopët në arat e tyre, të lagjes Fazliaj në
Prekazin e Epërm.
Për fat të mirë, granata e parë kishte rënë më larg tyre dhe tek ata kishin
filluar të vraponin për të lajmëruar se po granatojnë. Siç tregonte i ati i
tyre, Gania, vetëm disa sekonda më vonë granata e dytë bie mu në vendin ku
kishin qenë ata, ndërsa më së afërmi kishte qenë Gjyla, as disa hapa larg,
që as vetë nuk mund të besonin se si kishte shpëtuar. Por, për të kuptuar
më vonë se shpëtimtarë i saj kishte qenë dendësia, ose thënë më mirë
shpeshtia e lisave të cilët kishin ndalë copat e eksplozivit të granatës, e
që trupat e tyre (lisave) i kishte bërë "blozhdë". Mirëpo, këtë fat nuk e
kishin pasur edhe lopët, të cilat i kishte goditur eksplozivi, por
megjithatë kishin pasur fatin e mbijetesës, të cilat i kishin përballuar
copave të granatës e që, edhe pse të lënduara rëndë, vazhdojnë të jetojnë.
Ndërkaq, për fatin e fëmijëve të vet, Gania na fton të gjithëve në darkë.
Dhe, menjëherë të pasnesërmen, (20 korrik) forcat serbe vazhdojnë
granatimet në të njëjtin vend, e njëkohësisht duke u ardhur edhe forca të
reja përforcuese. Po atë ditë granatime dhe luftime kishte pasur edhe në
shumë pjesë tjera të Drenicës, si në Tërnavc, Klinë të Mesme dhe Klinë të
Epërme, e gjithashtu edhe në qytetin e Skënderajt. E që po atë ditë po
zhvilloheshin luftime të ashpra në qytetin e Rahovecit. Sipas
informacioneve që vinin atje, një ushtar më tregon se, siç më njoftonte ai-
në Rahovec forcat policore-ushtarake-paramilitare serbe, përveç granatave,
raketave, kaçushave e helikopterëve, kishte futur në sulm edhe 60 tanke të
tipit - që janë treguar të sukseshme në Gjirin Persik, njoftonte ushtari
duke m'i përshkruar shkathtësitë dhe pamjen e tyre.
Ndërkaq, 20 tanke të asi lloji, dhe katër helikopterë me krah (që nuk jam i
sigurt në quhen Kobra apo Apaçi) kishte përdorur në luftimet e rajonit të
Kievës, tregonte Misini, ushtar udhëheqës i njësitit që kishte bërë
rezistencën.
Kurse kamionët që i sillnin përforcimet në ushtarë ishin të blinduara me
thasë zalli përreth dhe ushtarët në mes, ndërsa të gjithë plumbat (që i
takonin vetëm kalibrit të madh) që vinin nga mitralezët e rëndë të tyre
ishin të llojit "dum-dum".
Shtëpia e dytë, ose vendqëndrimi i Adem Jasharit ishte në mes të malit që
përballej me Çiçavicën
"Ja, a po e sheh atë shtëpi në mal" më tregonte duke bërë me gisht Rrahman
Rama, vëllau i të cilit është i dënuar me njëzet vjet burg. Kurse unë
shihja pothuaj vetëm kulmin e tij, "ajo është shtëpia të cilën ia kam
marrur vëllaut tim, i cili është tashmë në burg, ku rrinin Adem Jashari me
Hamzën, vëllaun tim Besimin e shokët tjerë të tyre". Shtëpia gjendej në
malin e Prekazit të Epërm, mal i cili përballej me malet legjendare të
Çiçavicës. Ndërkaq, më tregonte edhe vendin ku e kishin zënë dhe arrestuar
Besimin, në fushën disa metra larg shtëpisë. "Natyrisht, në atë shtëpi nuk
ka nevojë më të qëndrojë askush, ngaqë i gjithë territori tashmë është zonë
e lirë e kontrolluar nga forcat tona të UÇK-së, siç e sheh edhe vetë",
thoshte Rrahmani.
Ndërsa një djalosh, duke kaluar nëpër rrezik kishte zbritur në Prekazin e
Ulët, për të vajtur kah shtëpia e shkatërruar e Adem Jasharit, dhe kishte
sjellur kajsia nga oborri i Ademit. "Ngutuni kush do kajsia të Adem
Jasharit" thoshte ai duke ofruar ato, përderisa të gjithë vraponin, e të
cilat i shijova edhe unë. "Shpesh shkon për të marrë kajsia atje, edhe pse
është shumë rrezik, ngaqë mund ta sulmojnë nga fabrika e municionit ku janë
të përqëndruara forcat serbe. Shumë herë e kemi këshilluar", thoshte
Rrahmani.
Qeveritarët kërkonin "hazër" komandat e UÇK-së!
Edhe një numër i madh vullnetarësh, përkatësisht ushtarë të „Qeverisë", të
cilët prisnin inkuadrimin në vija të frontit, njëkohësisht duhej të prisnin
edhe "izën" prej „qeveritarëve". Flitej, apo ndoshta edhe dihej se
„Qeveria" e Kosovës kishte mbledhur rreth vete një numër oficerësh, eprorë
ushtarakë të cilët si kusht për të vepruar në zonat e lira të Drenicës
kishin kërkuar kushte të cilat kurrë nuk i kishin pasur ndonjëherë më parë,
jo vetëm ushtarët e UÇK-së, por as komandantët e tyre. Megjithatë, kushti
tjetër të cilin me këmbëngulje e kishin kërkuar eprorët „qeveritarë", ishte
marrja "hazër" e komandave mbi zonat e lira të Drenicës, të cilat me gjithë
dëshmorët e rënë, me gjithë luftrat e mëdha dhe gjithë potencialin e tyre,
UÇK-ja kishte arritur me sukses t'i çlirojë ato duke i dëbuar forcat serbe.
"Ku kishin qenë më herët për të na ndihmuar, për të luftuar edhe ata si ne,
e jo tash kur me gjithë ato vështirësi, madje edhe të sharë e të përlyer
nga vetë "presidentët" tanë, kemi arritur t'i ofrojmë lirinë një cope të
Kosovës, kërkojnë nga ne komanda të gatshme, komandat e atyre që kur.." siç
thoshte ai "… kanë ngënë krymba në malet tona, ata kanë pushuar nëpër
shtretër të butë të Gjermanisë. Pse nuk kërkonin thjesht një bashkëpunim,
për të na ofruar dorën e ndihmës dhe të gjithë së bashku ta dëbojmë
okupatorin nga tokat tona të lara me gjakun e të parëve tanë, që nga
Skëndërbeu e deri te Adem Jashari, e jo menjëherë karrigën, komandat e
atyre që së bashku me Adem Jasharin për dhjetë vjetë rresht kanë punuar dhe
luftuar për çlirimin e Kosovës, kur gjithë të tjerët kanë heshtur"- na
rrëfente një ushtarë në Likovc.
------------------------------------------------------------------------
REPORTAZH: NJË DITË NË QYTETIN "STUDENTI" NË TIRANË
Studentët nga Kosova, vetëm numërojnë ditët se kur do të shkojnë në Kosovë
që të japin provimin e madh – në mbrojtje të Atdheut
Studentët nga Kosova zakonisht janë të vendosur në dhomat afër
njëra-tjetrës dhe gjatë gjithë ditës rrinë bashkë. Biseda kryesore që
zhvillohet midis studentëve është ajo për UÇK-në dhe situatën në Kosovë.
"Cili është opinioni i studentëve në Prishtinë për UÇK-në" – na pyesin. U
tregojmë se shumica e studentëve tashmë janë futur në radhët e UÇK-së.
"Posa të përfundoj provimet do të nisem për në Kosovë" – thotë një student
nga Rugova e Pejës.
Imer MUSHKOLAJ/ Seman SHALA/Tiranë
"Qyteti në Qytet", kështu quhet qyteti "Studenti", i cili gjendet në
kryeqytetin e Shqipërisë. Vite me radhë ky qytet ishte dhe mbetet
"strofulla" e studentëve nga mbarë Shqipëria, e këto vitet e fundit edhe
nga trojet e pushtuara shqiptare. Një numër i konsiderueshëm i studentëve
është pothuajse në të gjitha fakultetet: që nga akademia e arteve e deri
tek shkencat matematiko-natyrore e veterinaria.
Po të bësh një "xhiro" nëpër qytetin "Studenti", s’ke ku e hedh këmbën nga
të rinjtë e të rejat studentë. Të mbledhur grupe-grupe ata bisedojnë me
njëri-tjetrin dhe dëgjojnë muzikë të huaj (muzikë që preferonin ta emetojnë
të gjitha radiostacionet private të Tiranës). "Para disa vitesh, qyteti
"Studenti" ishte i pastër dhe i rregulluar mirë. Tani ka ndryshuar" – thotë
një student. Dhe, me të vërtetë, parqet dikur të gjelbëruara, tashmë ishin
shkatërruar. Mbeturinat e shumta të hedhura nga ndërtesat e shumta e të
hedhura shkujdesshëm, i jepnin qytetit një pamje të shëmtuar.
Në ndonjërën nga ndërtesat e shumta ku banojnë studentët, të zë syri edhe
mbishkrime, si: "Rroftë UÇK-ja!"
"Posa të përfundoj provimet do të nisem për në Kosovë"
Studentët nga Kosova zakonisht janë të vendosur në dhomat afër
njëra-tjetrës dhe gjatë gjithë ditës rrinë bashkë. Biseda kryesore që
zhvillohet midis studentëve është ajo për UÇK-në dhe situatën në Kosovë.
"Cili është opinioni i studentëve në Prishtinë për UÇK-në" – na pyesin. U
tregojmë se shumica e studentëve tashmë janë futur në radhët e UÇK-së.
"Posa të përfundoj provimet do të nisem për në Kosovë" – thotë një student
nga Rugova e Pejës. Të njëjtat fjalë i thonë edhe studentët tjerë. "Na
preokupojnë shumë përçarjet në mes të partive politike në Kosovë" – thotë
një student nga Suhareka. Lajmet që vijnë nga andej kufirit (nga Kosova)
janë shumë tronditëse për ta. "Nuk e di se a janë mobilizuar fshatarët e
mi" – thotë një student nga Opoja. "Megjithatë, unë do të shkoj atje" –
shton ai.
Dhomat e vogla të studentëve nga Kosova, në qytetin "Studenti" shpesh
shërbejnë edhe si vendstrehim i shumë shqiptarëve nga Kosova që ndonjë natë
ngelin në rrugët e Tiranës, pa pasur ku të shkojnë. "Para ca kohe i kemi
strehuar nëntë vetë nga Drenica, të cilët kishin ardhur nga shtetet
perëndimore për të shkuar në Kosovë" – tregojnë disa studentë nga Opoja.
"Ç’mësim mund të bëjmë ne këtu, derisa në Kosovë bëhet luftë" – thonë ata.
Kështu, studentët nga Kosova në Universitetin e Tiranës, vetëm numërojnë
ditët se kur do të shkojnë në Kosovë. Të shkojnë atje, në front, ku janë
edhe kolegët e tyre nga Universiteti i Prishtinës, që të gjithë së bashku
të japin provimin e madh – në mbrojtje të Kosovës.
********************
HISTORIOGRAFI
TRADHTARI NUK BËHET HERO
Radojloviq: „Shërbimet që i ka bërë Esad pashë Toptani popullit serb janë
kaq të shumtë..."
„Shërbimet që i ka bërë Esad pashë Toptani popullit serb janë kaq të
shumtë, sa nuk jam i zoti t’i rreshtoj në këtë copëz letre të vogël. Por
atë mirësi të madhe që ka bërë Esad pasha për serbët do të dijë populli
serb ta shfaqë.
Ç’fitim politik dhe ushtarak kemi pasur me kalimin e ushtrisë sonë në
Shqipëri, të cilën ia dijmë për nder vetëm e vetëm shpirtmadhësisë së Esad
pashë Toptanit, e tregon madhësia e shtetit tonë të sotmë.
Unë do të lë politikën me një anë dhe do të kapërcej menjëherë në çështjen
kryesore. Disa miq të mij dhe unë kemi vendosur të mbartim eshtrat e mikut
të madh serb, Esad pashë Toptanit, prej Parisit në Beograd dhe t’i ruajmë
në Beograd".
Prof.Gazmend SHPUZA
- Po nga pikëpamja e përgjithshme e politikës ballkanike, zoti kryetar:
- O zot, çdo tronditje në Shqipëri nuk ka pse të gëzojë fqinjët e saj. Por
unë jam i bindur që paqja në Ballkan mbështetet në themele të forta,
prandaj nuk trembem fare nga kjo anë.
Sa për regjimin e ardhshëm të Shqipërisë, atë e shoh gjithnjë e më pak të
qëndrueshëm. Ne serbët ishim të mendimit që Shqipërisë t'i jepet autonomia
dhe kështu vendi do të paqësohej i tëri. Esadi përpiqej me të gjitha forcat
e tij në këtë drejtim. Tani...ky qëllim ska si të arrihet".
Të nesërmen gazeta "Le Temps" jepte gjithashtu deklaratën që kryeministri
Vesniç kishte bërë në dhomën e deputetëve lidhur me një pyetje rreth
vrasjës së Esad pashës nëse ajo ishte një gjest hakmarrjeje apo një krim
politik:
"Esad pasha u vra në një vend të qytetruar, ku jeta e njeriut respektohet.
Kam shpresë që qeveria mike franceze, duke pasur parasysh ndihmën që Esad
pasha i dha kauzës së përbashkët aleate gjatë gjithë kohës së luftës, duke
marrë pjesë përbri forcave tona me një repart ushtarak shqiptar në frontin
e Selanikut, ka për të bërë të gjitha përpjekjet për të zbuluar fajtorin e
vërtetë dhe për ta dënuar atë.
Në emër të vendit tim deklaroj që na vjen shumë keq për vdekjen e Esad
pashës, se ai ka qenë mik i sinqert i popullit tonë. Ne u shprehim
ngushëllimet tona familjes së tij dhe gjithë shqiptarëve të vërtetë".
Mund të mendohet se këto deklarata janë shprehje dyftyrëshe të atyre që të
vrasin natën e të qajnë ditën. Porse e kaluara e pashajt dhe qëndrimi i më
vonshëm i shovenistëve serb ndaj kujtimit të tij nuk len shteg për ndonjë
dyshim në këtë drejtim. Si të tillë, dokumentet e cituar më sipër, nuk kanë
nevojë për kurrëfarë komenti. Në prononsimin e Pashiqit bie në sy
parashikimi i saktë që ai bën për, kinse reaksionin që do të shkaktonte në
Shqipëri midis krahinave, fisesve dhe besimeve të ndryshme vrasja e Esadit.
Për këtë qëllim ai ngatrron, jo pa qëllim, përkatësinë fetare të Avni
Rustemit, madje, bënë fjalë për katolik në një trevë ku nuk ka asnjë të
tillë. Vlenë të shtohet që në vendlindjen e Avniut nuk ka as ortodoksë,
para të cilëve mund të mendohet se qendrojnë minoritarë grek. Bie në sy
gjithashtu dhe bindja që shpreh politikani plak serb rreth gadishmërisë së
partizanëve të pashajt, të "shqiptarëve të vërtetë " siç i quan pasardhësi
i tij Vesniç, për të marrë hakun e tij. Kjo gjë nuk ndodhi. Askush nuk qe
në gjendje të vihej në lëvizje për të marrë gjakun e pashajt. Me
veprimtarinë e vet dhe pafajësinë e autorit të atentatit të dhënë nga
drejtësia franceze, miqtë e pashajt u paralizuan dhe Esadi shkoi, siç
thuhet "gjak-hupë".
Pashiqi në të vërtetë, me këto deklarata mbivlerësuese rreth praktikës së
gjakmarrjes në Shqipëri, kërkonte të mbulonte planet e Beogradit për të
marrë vetë hakun e Esadit, si rrugë për të ndezur luftën përqarëse
ndërkrahinore dhe ndërfetare në Shqipëri.
Atdhetari demokrat Hoxhë Kadri Prishtina pasi shpreh gëzimin e tij për
vrasjen e Esad pashës nga Avni Rrustemi, paralajmëron për synimin dhe masat
e qeverisë serbe për t'i marrë hakun mikut të saj. Më 26 qershor 1920 Hoxhë
Kadriu shkruante:
"Si të gjithë bashkatdhetarët edhe mue veçanërisht më ka gëzue lajmi i
vrasjës së Esad pashës, i cili e konsideronte për vetën e tij nji shpërblim
të madh gjithmonë humbjen e atdheut tonë të shenjtë. Lus zotin që
gjykatorja e drejtë franceze ta qesi pa faj heroin Rrustem.Qeveria serbe
asht shumë e shqetësueme për vrasjen e Esadit. Sigurisht e keni pa ndër
gazeta. Jam tue e pa me sy se qeveria serbe ndjek qëllimin me e marrë
gjakun e Esadit. Ju falënderojmë në emën të atdheut, me gjithë shokët e mi,
për shërbimet që jeni tue i sjellë kauzës së atdheut".
Radojloviq: „Shërbimet që i ka bërë Esad pashë Toptani popullit serb janë
kaq të shumtë, sa nuk jam i zoti t’i rreshtoj në këtë copëz letre të vogël"
Letra e Hoxhë Kadriut përçon në ditët tona gjithë atë atmosferë që kishte
mbërthyer shtresat e gjera të popullit shqiptar në mbështetje të aktit
patriotik të Avni Rrustemit dhe në mbrojtje të trimit libohovit. Kjo
provohet në dhjetra e dhjetra dokumente, të cilët nuk e shohim të nevojshme
t’i rreshtojmë këtu. Ajo zbulon njëkohësisht dhe prapamendimin e
deklaratave të Pashiqit në Paris.
Porse planet e serbëve për të marrë hakun e Esad pashës mbetën pa u vënë në
jetë. E para, se nuk ishte e lehtë një gjë e tillë për ta. Nuk gjendej dot
lehtazi, tashmë, një përeson i cili të qiste pushkë për pashën. Së
dyti,vrasja e tij vështirë të jepte rezultatet e pritura për të nxitur në
vend një luftë vëllavrasëse për hir të Esadit. Në Shqipëri në atë kohë nuk
pati asisoj „shqiptarësh të vërtetë", si ata të cilëve Pashiqi dhe Vesniçi
u drejtonin ngushëllimet e tyre.
Për më tepër ndodhi e kundërta e asaj çka parashikonin apo, më mirë të
themi, e kundërta e asaj çka kërkonin të ndillnin serbët. Avni Rrustemin do
ta zgjidhnin deputet në asamblenë kushtetuese në veri-lindje të Shqipërisë
dhe jo në vendlindjen e tij.
Mirëpo vlerësimi, nderimi dhe mirënjohja e serbëve për mikun e tyre Esad
pashën kanë qenë të thella dhe të pashlyeshme, të paharrueshme. Ata e
ndienin veten shumë të detyruar ndaj tij, ose, thënë me një fjalë turqisht,
tepër borxhli. Për t’u bindur për këtë nuk ka nevojë për shumë argumente.
Mjafton të kujtojmë vetëm një fakt. Puna nuk është të hidhet poshtë sajesa
që „Esadin e kanë vrarë serbët", sepse kjo, siç dihet dhe shihet nuk është
një detyrë e vështirë. Problemi është të bëhet e qartë se kjo sajesë synon,
në kundërshtim me faktet, që flasin ashiqare, të hap rrugën për një
vlerësim pozitiv të figurës së pashës. Shkrime të këtij lloji synojnë të
vënë me kokë poshtë kriteret e vlerësimit të patriotizmit shqiptar dhe t’i
hapin rrugë esadizmit sot.
-VIJON-
*********************
INTERVISTA
Intervistë me prof.Fazli Veliun, veprimtar i LPK-së
Çdo luftëtarë që bie shpaguhet me tre ushtarë serbë.
Ne shqiptarët kemi moral të lartë lufte.
Që nga koha e vlerësimeve të Holbruk-ut gjendja dukshem ka ndryshuar.
UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por një ushtri zyrtare. Për ne
është legjitime atë ta përkrahim.
Udhëheqës në ekzil
Fazli Veliu, veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, vlerëson se në
Zvicër 70 000 shqiptarë të Kosovës japin të holla për atdheun e tyre.
Fazli Veliu, 52 vjeçar, është bashkthemelues i Lëvizjes Popullore të
Kosovës (LPK) dhe tani i takon rrethit të saj udhëheqës. Që nga koha e
arratisjes së tij nga Kosova në vitin 1982, profesori i shkollimit të lartë
jeton në Zvicër.
FACTS: Zotëri Veliu, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) trajtohet si krah
politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). A e përkrahni ju luftën e
armatosur?
VELIU: Qëllimi ynë i përbashkët është që Kosovën ta çlirojmë nga Serbia.
Por ne për pavarësinë luftojmë me mjete të ndryshme. Qëndrimi ynë i
përbashkët është se, koha e zgjidhjeve paqësore duket sikur ka kaluar.
FACTS: Policia federative dyshon ndaj LPK-së, se ajo në Zvicër po mbledh
para që të blehen armë për UÇK-në.
VELIU: Para pesë vitesh LPK-ja e ka inicuar themelimin e Fondit "Vendlindja
thërret", me qëllim që të mbledhen para për ndihma humanitare. Askush nuk e
ka ditur se si do të zhvillohen ngjarjet në Kosovë. Nëse baballarët dhe
burrat mbrojnë me armë fëmijtë dhe gratë e tyre, kjo gjithsesi është
obligim i tyre humanitar.
FACTS: Ju sikur po e thjeshtoni.
VELIU: Ne nuk jemi në gjendje që të vendosim që këndej jashtë se çfarë do
të bëhet me të hollat që mbledhim ne. Shqiptarët atje e dinë vetë se çfarë
u duhet – medikamente, rroba, pushkë ose raketa.
FACTS: Sa të holla shkojnë nga Zvicra në Kosovë?
VELIU: Vlerësoj se rreth 70 000 shqiptarë në Zvicër çojnë në Kosovë
rregullisht ndihma në lartësi prej disa qindra frangave. Sa më shqetësuese
që të jenë lajmet, aq më të mëdha janë ndihmat.
FACTS: Ndërmjetësuesi i OKB-së Richard Holbruke kërkon që shqiptarët në
egzil të nderpresin mbledhjen e ndihmave. Përndryshe ai frikësohet se do të
zgjërohet edhe më shumë lufta.
VELIU: Që nga koha e vlerësimeve të Holbruk-ut gjendja dukshem ka
ndryshuar. UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por një ushtri zyrtare.
Për ne është legjitime atë ta përkrahim.
FACTS: Grupet politike të Kosovës në ekzil janë të përqara. Përse?
VELIU: Kemi kundërshtime, sidomos me Lidhjen Demokratike (LDK) të Ibrahim
Rugovës. Ai vazhdon të besoj vetëm në një zgjidhje paqësore. Por kjo të
paktën që nga fundi i shkurtit duket e pamundshme. Serbët kanë rrafshuar
shtëpi dhe po vrasin bashkatdhetarët tanë. Tani po bëhet luftë.
FACTS: LPK-ja po mobilizon në Zvicër vullnetarë për luftë të armatosur.
Vrojtuesit në Kosovë vlerësojnë se këta ushtarë janë të paushtruar dhe
prandaj po dërgohen në betejë vrastare për ta.
VELIU: Aq e paorganizuar sa mendoni ju nuk duket të jetë UÇK-ja. Çdo
luftëtarë që bie shpaguhet me tre ushtarë serbë. Ne shqiptarët kemi moral
të lartë lufte.
FACTS: Qeveria zvicrane përkrah një zgjidhje paqësore për Kosovën. A është
ky qëndrim iluzor?
VELIU: Përfaqësuesit zviceran deri para pak kohe e kanë vlersuar UÇK-në si
terroriste. Kështu është vlersuar për kohë të gjatë edhe nga Ibrahim
Rugova. Tani Zvicra nuk duhet të ketë më interesa që ta injoroj këtë
Ushtri, e cila po përkrahet nga një popull i tërë.
Intervistoi: Simon Hubacher
Revista Javore zvicerane "FACTS", nr.30, 23 korrik 1998
****************
OPINIONE
Arroganca dhe shovinizmi nxitës sllavomaqedonas
Arroganca aktuale, shovinizmi dhe prapaskenat e sllavomaqedonasve kundër
luftëtarëve të lirisë në Kosovë dhe kundër shqiptarëve në këto treva, duhet
të kuptohen vetëm si mbiçmim dhe megallomani shoviniste e tyre, njëherit
edhe si nxitje për shtrirje të luftës, sipas bindjes se tyre fitimtare për
ta, edhe në këto treva, ku, s’do mend të thuhet, se humbës do të jenë
gjithsesi sllavomaqedonasit.
Emërlla UKSHINI
Që nga fillimi i konfrontimeve luftarake në mes të UÇK-së dhe forcave
pushtuese serbe, Shkupi zyrtar gjithnjë e më tepër po vihet në anën e
Serbisë agresive. Si rrjedhojë e kësaj, Shkupi zyrtar në trevat etnike
shqiptare në këtë Republikë gjithnjë e më shumë po aplikon masa kontrolli,
veçmas në rripin kufitar me Shqipërinë dhe me Kosovën, me ç’rast është duke
e prezantuar si alarmante situatën në këto pjesë. Gjatë këtyre ditëve ai ia
arriti që forcat paqëruajtëse të UNPREDEP-it të vazhdojnë mandatin edhe për
6 muaj dhe numri i tyre të rritet. Shkupi tashmë është bërë qendër për
takime dhe sugjerime ndërkombëtare, në të cilat shfaqet qëndrim kundër
përcaktimit të shqiptarëve.
Pra, angazhimet e Shkupit zyrtar janë të orientuara që me çdo kusht lufta
të lokalizohet vetëm në trevat e kufijve politikë të Kosovës. Ai, nën ethet
e drojës se dikush nga faktorët relevantë ndërkombëtarë mund ta pranojnë
pavarësinë e Kosovës, vazhdimisht shprehen kundër luftës çlirimtare që po
zhvillohet atje dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës e sheh vetëm me
bisedime në kuadër të kufijve aktualë të Serbisë dhe Jugosllavisë. Ai
haptazi po shprehet kundër pavarësisë së Kosovës, me pseudoarsyetim se ajo
„do ta destabilizonte rajonin, veçmas Maqedoninë".
Përkundër zgjërimit të luftës çlirimtare në Kosovë, „Maqdonia" duket se nuk
ka gjasa të përfishihet në të. Por kjo nuk po arrin ta zbutë tensionimin
gjithnjë e më të madh në këtë Republikë, sidomos të zyrtarëve aktualë
sllavomaqedonas, që gjithnjë e më tepër po u shtohet droja dhe ethet e një
lufte çlirimtare edhe në trevat etnike shqiptare nën pushtimin „maqedonas".
Se a do të përfshihet apo jo „Maqedonia" në luftë që tashmë po zhvillohet
në Kosovë, kjo jo vetëm që është çështje diskutabile, por pothuajse tashmë
askush nuk mund të japë garancë, pra as edhe SHBA-të. Që lufta të mos
përfshijë edhe „Maqedoninë, gjithsesi tretmani i shqiptarëve në këtë
republikë duhet të përmirësohet. Këtë e dinë të gjithë. Atëherë përse po
zvarriten dhe të nëpërkëmben të drejtat e shqiptarëve këtu?
Shikuar realisht, zgjerimi i luftës çlirimtare edhe në „Maqedoni", jo vetëm
që duket e mundshme, por nëse kështu vazhdohet, shtrirja e saj duket e
paevitueshme.
Andaj vetvetiu imponohet pyetja: çfarë mund ta ndalë luftën e mundshme edhe
në „Maqedoni"?
Hapat e parë konkret drejt evitimit të një lufte të armatosur ndëretnike
edhe në këtë republikë duhet t’i bëjnë qeveritarët e Shkupit. Po
vetëkuptohet: në drejtim krejt të kundërt me këta aktualë. Shkupi zyrtar
duhet të ndryshojë edhe qasjen rreth luftimeve në Kosovë dhe zgjidhjes së
kësaj çështjeje konform vullnetit politik të shqiptarëve aty. Ai duhet të
tregohet edhe më fleksibil në këto rrethana, bile do të duhej t’i
shfrytëzonte ato për t’i korrigjuar gabimet e veta në rrafshin e
rregullimit të brendshëm, veçmas ridefinimit të pozicionit të shqiptarëve
në këtë republikë dhe trajtimit të tyre si të barabartë, përkatësisht si
element sovran. Po kështu duhet t’i lirojë menjëherë të burgosurit
politikë, të njohë Univerzitetin e Tetovës.
Shkupi zyrtar nuk do të duhej të vazhdonte me avazin e vjetër, i bindur se
me variante të tanishme shoviniste e militare do të arrijë të ngulfasë
kryengritjen e mundshme gjithëpopullore edhe të shqiptarëve në këtë
republikë, me bindje se përfundimisht do ta zgjidhë këtë çështje, i
mashtruar se do të mund t’i dëbojë e t’i shfarosë përfundimisht shqiptarët.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, qarqe të cakuara shoviniste
sllavomaqedonase për çdo ditë po inskenojnë provokime të llojllojshme, me
çka edhe më tepër po rrisin neverinë e popullatës shqiptare.
Si rrjedhojë, era e barotit gjithnjë e më tëpër po nuhatet edhe në këto
treva. Zatën këtë e dëshmojnë edhe shpërthimet e fundit në Kumanovë dhe në
Shkup, të cilat disa qarqe të caktuara apriori po ua mveshin shqiptarëve pa
e marrë përgjegjësinë askush për to. Në bazë të gjithë kësaj, sindromin e
luftës në këto treva po e bartin vetë zyrtarët dhe qarqet tjera shovene
sllavomaqedonase, andaj edhe përgjegjsia e shpërthimit të mundshëm të një
lufte në këto treva bie kryesisht mbi ta dhe jo edhe mbi shqiptarët që po
tregohen të gatshëm për kompromise konstruktive.
Arroganca aktuale, shovinizmi dhe prapaskenat e sllavomaqedonasve kundër
luftëtarëve të lirisë në Kosovë dhe kundër shqiptarëve në këto treva, duhet
të kuptohen vetëm si mbiçmim dhe megallomani shoviniste e tyre, njëherit
edhe si nxitje për shtrirje të luftës, sipas bindjes se tyre fitimtare për
ta, edhe në këto treva, ku, s’do mend të thuhet, se humbës do të jenë
gjithsesi sllavomaqedonasit.
------------------------------------------------------------------------
Populli shqiptar i ka duart të shtrira drejt lirisë që emrin e ka Ushtria
Çlirimtare e Kosovës!
Kujtimi për tokën e përgjakur djeg e ne jemi të zhuritur nga valët e kohëve
të liga, me sy të përmalluar e vaj në zemër për të shenjtën liri e për të
shenjtin bashkim. Ne e kemi historinë të lavdishme por e kemi të sotmen
dramatike. Por në dramaticitetin e të sotmes i madh e i vogël po rreshtohen
pranë UÇK-së.
Fatmir BRAJSHORI
Kosova... Trevë e përgjakur nga përshkohen karvanet e eskadronëve
vdekjeprurës të serbofashistëve. Një karvan vjen, një karvan shkon. Gjoksi
i Kosovës plasa-plasa. Kosova po përjeton gati një gjysëm internimi, por jo
nga ato të brigjeve të Bosforit. Shqiptarët e Iliridës dhe Anamalit janë në
torturë. Tani më në Kosovë nuk ka qetësi as ditën as natën. Derisa, në
shtat vitet e kaluara që ishin vite të një kapitulimi total nën
„udhëheqjen" e turpshme të pacifistëve, qetësinë kryesisht e prishte
okupatori, këtë tani më e bëjnë vetë shqiptarët. Qetësinë okupatorit dhe
pacifistëve ua prishin krismat e pushkëve të lirisë. Shqiptarët më nuk do
t’i mbesin besnik qetësisë sepse barku i Kosovës këtej e tutje ka filluar
të thithë ushtarë...?
1
Vjeshtë e vitit ‘68. Kosova dridhej nga buqitjet e fuqishme të
demonstratave. Kërkonte „Liri-Universitet-status të kombit - Flamur-
Republikë. E ndodhur në këtë nivel të lartë të vetëdijes dhe të
përgjegjësisë ndaj ardhmërisë e kjo dmth. ndaj fatit të brezave që do të
vinin, rinia studentore, si kategoria më vitale e kombit, do merr përsipër
barrën e rëndë, atë të organizimit të të gjitha kategorive shoqërore dhe
klasave, në drejtim të përcaktimit dhe deklarimit për Kosovën-Republikë.
Aso kohe ishte prish qetësia në Evropë dhe Ballkan. Po ashtu në pranver të
vitit 1981 shqiptarët prishën qetësinë. Rrugët e Prishtinës vërshonin porsi
lumenjë që dalin nga shtrati i tyre, nga turma e madhe e demonstruesve-
gjithnjë me kërkesa për, Liri, status të kombit- Republikë përball tyre
qëndronte një Jugosllavi me reputacion ndërkomëtar, me një polici e ushtri
shumë të organizuar dhe e paisur me armë moderne.
Në këtë përplasje të madhe të vitit 1981- shqiptarët do të thyejnë
konceptet e një shteti unitarist që quhej Jugosllani, prishi kushtetuten e
saj dhe mori rol prioritar në zhvillimin e proçeseve shoqërore politike në
Ballkan. Shqiptarët do të rezistojnë dhe përgatiten për ngjarje të mëdha,
siç do të jetë marshi i minatorëve drejt Prishtinës, mbyllja e tyre 8 ditë
nëpër zgafella, krijimi i subjekteve politike, shpallja e deklaratës
kushtetuese dhe finalizimi- miratimi i Kushtetutës së Kosovës në shtatorin
e vitit 1990.
Plot dy dekada rreshtazi shqiptarët prishën qetësin...!
Tek shkruaj këto radhë pa dashje më kujtohen fjalët e heroit tonë kombëtar
Gjergj Kastroiti Skënderbeut; „Bijtë e mij, lirinë nuk ua solla unë- po e
gjeta në mesin tuaj" dhe sikur vazhdon më tutje me porosi; „Lirin nuk e
sjell dot njëri, as perandori- por lirinë duhet fituar vetë...! Këtë porosi
të tij më së miri filluan për ta kuptuar dhe zbatuar në jetë bijtë dhe
bijat më të mira të popullit tonë që ngjeshen radhët e tyre dhe nën
prijësinë tani më të legjendares UÇK u vunë gjoksat e tyre plumbave dhe
tankseve serbe, në marshimin e tyre drejt të shtrenjtës liri.
Sa u përket serbëve, ata edhe sot kur janë të mbërthyer nga të katër anët,
ndjekin zakonin e tyre të vjetër, tërheqin, premtojnë, fitojnë njerëz me
përkëdhelje dhe ofiqe (ndoshta në këtë grup mund të hyjnë ata që para disa
ditësh ishin në përqafim të satrapit nga ballkani me të cilin pa fije turpi
qesheshin para kamerave televizive deri sa në anën tjetër ushtria dhe
policia serbe vriste e masakronte fëmij gra e pleq), përqajnë dhe turren
prapë pastaj, kur ndihen të fortë.
2
Kujtimi për tokën e përgjakur djeg e ne jemi të zhuritur nga valët e kohëve
të liga, me sy të përmalluar e vaj në zemër për të shenjtën liri e për të
shenjtin bashkim. Ne e kemi historin të lavdishme por e kemi të sotmen
dramatike. Por në dramaticitetin e të sotmes i madh e i vogël po rreshtohen
pranë UÇK-së sepse ajo është duke bërë punë të madhe duke e zbritur kodrën
e lirisë nëpërmjet buqimës së armëve për ta vënë këtë gjë re të gjithë.
Nëpër borë e nëpër shi e nëpër pellgje e më shëllira, ngarendin ushtarët e
UÇK-së pë të larguar pushtuesin nga vatrat tona. Ata që krojet tona i
helmuan. UÇK-ja është duke gëzuar simpati të madhe jo vetëm te populli ynë
por edhe te popujt tjerë jashtë hapësirës sonë shqiptare. Populli ynë shehë
te ajo UÇK-ja pra flakën e lirisë që do ta mbajë të ndezur për të cilën
gjyshrit tanë kanë derdhur gjakun gjatë shekujve. Te UÇK-ja populli shehë
edhe: nderin, burrërin, punën për liri, për të cilën ajo është e denjë. Ajo
këtë detyrë dhe besim i ka vënë vetës që të jetë pasqyrë e gjallë dhe
besnike e vetive fisnike të popullit tonë.
Tani te UÇK-ja, pra, ia bënë me dije tërë botës që edhe një popull i vogël
por krenar dhe liridashës (të cilën krenari „pacifistët", lexo: titistët
deshën ta ndrydhin) nën flamurin e Skënderbeut është në gjendje të bëjë
çudira në mbrojtje të lirisë. Populli ka simpati për UÇK-në sepse aty duhet
të jetë gjaku rinor i dalur nga gjiri i popullit, gjak që do të mbetet
gjithmonë simbol i guximit, heroizmit, simbol i progresit dhe mirëqenjes.
Rruga nëpër të cilën marshon UÇK-ja është rruga e lirisë. Fjala liri doli
nga gjoksi i atyre që kanë derdhur gjakun si Jusuf Bërvalla, Kadri Zeka,
Afrim Zhitia e Frahri Fazliu, Zahir Pajazit, Hakif Zejnullahu e Edmond
Hoxha e më vonë „Shqiponja" që kapërcente çdo barrier, Ilir Konushevci i
Llugave heroike... Ali Ajeti la amanet pushkën në krahë e të veprojmë siç
vepruan të parët tanë. E sot ushtarët e UÇK-së po veprojnë si të parët tanë
duke pasur gurin në vend të jastëkut duke qenë në pyje në vend të dhomës,
me gjumin në istikame, me faqen mbi kondak e syrin mbi shënjestër. Ajo pra
UÇK-ja sot është bërë krenaria e kombit shqiptar. E nesër? UÇK-së do t’i
vijë dita e mirënjohjes së madhe... Mirënjohje e lirisë! Shqiptarët heronjë
të kushtetutes! Besnik të besnikëve! Një popull i cili vetëm është nisur më
në fund për ta fituar lirinë!- Patjetër!! Ëndrra e madhe e lirisë patjetër
do të bëhet realitet. Pushtuesit së bashku me ithtarët e të ashtuquajtures
politikë paqësore të prirë nga shqipfolësit i dhanë më tepër zë e forcë, që
të zhduknin bazën e Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë, ata bënin të shpresonin
që të heshtte kënga e Mauzerëve të lirisë së Kosovës, por ajo këngë nuk
heshtej dhe nuk hesht derisa të tunden themelet e të gjithë „Knjazëve të
Serbisë".
Mendimtari gjerman M. Veber thotë: „përvoja historike e dëshmon të
vërteten: se njeriu nuk do të arrinte të mundshmen, sikur të mos i shtrinte
duart edhe drejt të paundshmës".
Populli shqiptar i ka duart të shtrira drejt lirisë- nëpërmjet pushkëve
buqitëse të krenarës shqiptare, tani më legjendarës UÇK.
------------------------------------------------------------------------
NJË GRUP I TË RINJVE INTELEKTUALË NGA GJILANI
Ruajuni mallkimit të historisë
… pse ne nuk kemi njohur vetveten, por jemi dehur në lukse të tepruara?!
…hezitimi në përkrahje të UÇK-së, shkaktari i përçarjeve brenda nesh dhe
lufta për të qenë oponencë pa mbështetje kur toka digjet, do të jenë një
faqe e turpshme dhe e dhimbshme në historinë më të re të Kosovës…
… kujt i shërben kjo?!
Se në Kosovë, që nga 1 tetori i lënë pas e tutje, maratona e pritjes sonë
mjeruese sa vinte e ngulfatej, nga vetë "ciceronët" e politikës paqësore, e
që gojën e kishin plotë pavarësi, tani më s’ka vend as për më të voglin
dyshim, madje edhe për ata më optimistët që po vetëquhen shpëtimtarë të
popullit (lexo: kujdestarë…), ngase intensiteti i luftimeve, në disa pjesë
të Kosovës, sa vjen e shtohet, dita-ditës.
Gatishmëria deri në shkallën e vendimit për të dialoguar edhe ndryshe me
Serbinë, sikur e shpërtheu me kohë tisin e dyshimeve që fashiteshin
dhimbshëm në brendinë tonë. "Jo po unë s’dua të jem përçarës" – duhet të
ketë thënë, duke shfryrë, shumëkush nga ne, sa herë ka parë me sy, apo ka
zënë në flagrancë kurvërinë e politikës sonë, pjella e së cilës u ndie
gjithkah. Dhe kështu, kur gjërat teprohen, teprohen, prandaj s’është çudi
pse "durimi" u kthye në fjalë ofenduese për shqiptarin e Kosovës. Mu në
këtë kohë neveritjesh hasim në domosdoshmëri për të ndryshuar shumëçka.
Andaj, vetëkuptohet se s’është punë euforizmi pse në këtë katrahurë po
flaken dilemat, as pse të heshturit po tretet në lymin e mashtrimeve, që na
u bënë për kaq vjet, as pse shkalla e aspiratës e lëkundur deri dje, po del
më e qartë dhe më e zhveshur nga skeptizmi.
S’e kuptojmë, ndoshta, ende sa duhet përgjegjësinë që kemi si qytetarë të
shtetit më të abuzuar në botë, nga vetë shqiptarët, nga vetë shqiptarët që
në vend se të hapëronim kujdesshëm kohës, që jo rrallë s’është ndjerë pisk,
pse ne nuk kemi njohur vetveten, por veçse jemi dehur në lukse të tepruara.
Sikur janë bërë përpjekje për t’u devalvuar gjërat aq shtrenjta dhe më të
larta në sistemin e vlerave që e kanë ndjekë si hije shqiptarin, për sa
kohë ka kërkuar identitetin e vet kombëtar, dhe ç’është më e keqja, e tëra
kjo sikur mëtohet të prezentohet si rëndomtësi. Ruajna zot! Amen!
Përditshmëria në këto shtatë-tetë vjet, domosdo nganjëherë bllokonte
sensorët, e njeriu, pa dashur, humbet në kërcimet nga njëra datë tek
tjetra, dhe tek të shumtat nga to pamëshirshëm mallkon cenet e
shpërfaquara, ndoshta, jo edhe rastësisht.
"Shqipëria hyri në diktaturë, si në festë", kështu ka thënë Kadareja për
vitet e inaugurimit të "Pushtetit Popullor". Dhe pse të mos thoshte, kur
dikush në emër të populit vritej, e populli luante vallen e fitores
përderisa nuk iu mpinë këmbët.
Kjo dje. Po për sot?! Çfarë ka për t’u thënë për kohën e
(re)habi(li)timit?!…
Pritje apo…
Çështja shqiptare në tërësi po përjeton krizën më të thellë të ekzistencës
dhe njëkohësisht frymimin relevant mbi bazë të renditjeve programatike për
t’u futur në brendinë e të ashtuquajturit "civilizim evropian". Shikuar nga
koncepcioni dhe bazuar mbi faktorët dominues, rrjedhimisht paraqiten
pengesa të skajshme që ngulfasin idenë e futjes në mekanizmat
veprues-praktikë dhe që kanë të bëjnë me nocionin hartografik – Kosovë. Në
këtë plan sfera e veprimit koherent predisponin substancialisht elementin
lëvizës që mënjanon çfarëdo luhajte që ka të bëjë me statusin e ardhshëm të
Kosovës.
Skena politike e cila thirret në legjitimitetin, gjegjësisht LDK-ja si
parti "më e madhe", po e humbë karakterin kombëtar dhe fushëveprimi i saj i
kalon kornizat e realitetit – objektivitetit, gjithnjë duke u nisur në
paralelën Kosovë – pushtet. Praktika kohore e historisë sinjalizon për
dallimet e sotme në mes udhëheqësve shqiptarë, që është koincidencë, për
fat të keq, në dëm të vullnetit dhe aspiratave shekullore. Të kujtojmë
vitet e LNÇ-së (1944-1945), kohë kur u eliminuan fytyrat më të ndritura të
asaj periudhe vetëm e vetëm për të përgatitur rrugën për mbajtjen e
mbledhjes së Prizrenit (1945). Përse u bë kjo? Besojmë se lexuesi e kupton
më së miri, ku u gjend pas saj Kosova.
"Duhet të ekzistojë dyshimi për të arritur deri tek realiteti", thoshte
Dekarti. Ndërsa, Hasan Prishtina porosiste: "Ruajuni mallkimit të
historisë".
Shoqëria shqiptare për shkeuj nuk arriti t’i sintetizojë veprimet
diplomatike e praktike, që ishin nevojë e kohës për lëvizjen
gjithkombëtare. Këto dy segmente vepruese edhe sot janë domosdoshmëri për
zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë.
Paradokset e sotme të partisë "në pushtet", gjegjësisht të një grupi ose
klani, kulmin e arritën, pikërisht, në Kuvendin e tretë të po kësaj partie.
Të tilla, diferencime u bënë edhe në vitin 1989, kur e tëra u bë me të
vetmin qëllim, ndryshimin e autonomisë së Kosovës. E tëra kjo koincidon me
vitin 1944.
Qarqet politike, që dikur mëtonin për ruajtje të stabilitetit në Kosovë,
gandizimin si të dëgjuar, përpiqen që përmes hipotekave, ndarjeve,
margjinalizimeve të ruajnë edhe atë "pushtet" që s’ka të bëjë aspak me
lëvizjet partiake, që çojnë drejt kauzës së shentjë kombëtare. Politika e
njëanshme në momentin e tashme kur më së shumti nevojitet uniteti është
ireal dhe i dështuar, sepse superstruktura si avangardë e realizimit dhe
forcave motorike (UÇK-ja), çojnë në hapësira të reja drejt realizimit të
aspiratave, që synon populli i Kosovës.
Partia "në pushtet" në njërën anë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK),
në anën tjetër, si forcë vepruese dhe mjaft serioze, mbajnë qëndrimet që
dallojnë dukshëm për nga rruga dhe mënyra e veprimit imediat për vetë
kohën. Pos këtyre, një numër i madh i subjekteve politike përballen me
realaitete të reja të klanit në pushtet, i cili ndoshta edhe jo pa qëllim
ua ngushton hapësirën e veprimit si dhe të koordinimit, madje edhe në këtë
kohë kur një pjesë e madhe e Kosovës u është nënshtruar operacioneve
ushtarako-policore serbe. Kujt i shërben kjo? Sigurisht më së paku Kosovës,
kur opinioni ndërkombëtar po tregon gatishmëri me të madhe për t’u marrë me
çështjen tonë.
Hezitimi në përkrahje të UÇK-së, shkaktari i përçarjeve brenda nesh, dhe
lufta për të qenë oponencë pa mbështetje, kur toka digjet, do të jenë një
faqe e turpshme dhe e dhimbshme në historinë më të re të Kosovës.
Nefail Haziri
Izmi Zekaj
Agim Kajtazi
Bujar Nevzati
Jusuf Azemi
Shefik Selimi
Sefer Isufi
Venerë Osmani
------------------------------------------------------------------------
Cili është mendimi juaj lidhur për paralajmërimin e luftës në Prishtinë?
Patjetër, lufta duhet ta përfshijë tërë Kosovën
Meqë kam besim të madh në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe pa një pa dy
jam i gatshëm t'i bashkangjitem asaj, shpresoj se së shpejti edhe Prishtina
do të jetë e lirë dhe e kontrolluar nga UÇK-ja, siç është Malisheva dhe
gati gjysma e territorit të Kosovës. Ardhjen e UÇK-së dhe luftën në
Prishtinë nuk duhet pritur si diçka tragjike. Kjo do të ishte e natyrshme.
Patjetër, lufta duhet ta përfshijë tërë Kosovën, sepse duhet çliruar
njëherë e mirë nga ky okupator.
Lirie MAVRAJ
Derisa bashkësia ndërkombëtare po jeton me "ethet" e përhapjes së luftës në
Prishtinë dhe lidershipi kosovar kurrsesi të gjejë gjuhë të përbashkët,
qytetarët prishtinas, prekjen e kryeqytetit të Kosovës nga dora e luftës e
shohin si rrjedhë të natyrshme.
Se cila është gatishmëria e tyre dhe disponimi për një gjë të tillë, më së
miri flasin opinionet e mëposhtme të dhjetë prej këtyre qytetarëve.
M.B., profesor: Lufta në Prishtinë? Ajo është e pashmangshme. Asgjë më pak
apo më shumë se në viset tjera të Kosovës nuk do të ndodhte. Duhet ta dijë
mirë edhe armiku e edhe liderët tanë se durimi ka perënduar moti në Kosovë.
Sinjalet e para të luftës, sinjale që iu dhanë edhe Prishtinës, ishin
masakrat e Likoshanit, Qirezit, Prekazit, në muajin mars…, e deri te ato të
fundit në Deçan e Rahovec. Më nuk ka shansë për zgjidhjen paqësore. Lufta
le të vijë edhe në Prishtinë, vetëm le të kemi armë.
A.I., shitës: Meqë kam besim të madh në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe
pa një pa dy jam i gatshëm t'i bashkangjitem asaj, shpresoj se së shpejti
edhe Prishtina do të jetë e lirë dhe e kontrolluar nga UÇK-ja, siç është
Malisheva dhe gati gjysma e territorit të Kosovës. Ardhjen e UÇK-së dhe
luftën në Prishtinë nuk duhet pritur si diçka tragjike. Kjo do të ishte e
natyrshme. Patjetër, lufta duhet ta përfshijë tërë Kosovën, sepse duhet
çliruar njëherë e mirë nga ky okupator.
Edhe po të fillojë lufta, e drejta dhe fitorja janë në anën tonë
V.R., maturante: Deri më sot ishim mësuar të shohim skena nga lufta vetëm
në ekran apo të lexojmë nëpër gazeta. Edhe pse nuk e dua luftën dhe tmerret
e saja, ajo është e pashmangshme. Do të ishte mirë për një ndërhyrje të
NATO-s në Kosovë, e nëse jo, patjetër se UÇK-në në luftën e saj të drejtë
çlirimtare nuk ka kush ta ndalë pa e çliruar edhe Prishtinën dhe çdo
pëllëmbë tjetër të Kosovës. Unë nuk e dua luftën, por atë nuk mund ta ndalë
askush nëse armiku vazhdon me një represion të tillë.
S.R., sportiste: Lufta urbane mendoj që është herët të fillojë në Kosovë, e
sidomos në Prishtinë, por nëse UÇK-ja është përgatitur për një gjë të
tillë, atëherë nuk kemi se çka të presim. Frikësohem vetëm nga ndonjë
spastrim i mundshëm etnik. Andaj, i kisha lutur qytetarët e Prishtinës që
të mos i lëshojnë vatrat e tyre, sepse armiku këtë e don - spastrimin
etnik. Po të fillojë lufta edhe këtu, jam e bindur se pa i marrë parasysh
pasojat, atë do ta fitojmë ne sepse e drejta është në anën tonë.
D.A., teknik mjekësor: Pyesni për luftën që është paralajmëruar në
Prishtinë. Mendoj se z.Jakup Krasniqi ka transmetuar një qëndrim apo vendim
të menduar mirë të UÇK-së. Megjithatë, nuk është e keqja krejt se a ndodhë
luftë apo jo në Prishtinë. E keqja dhe rreziku që mund të ndodhë është
përçarja e mëtutjeshme brendapërbrenda subjektiti politik të Kosovës. Do të
ishte mirë që para se të fillojë lufta në kryeqendrën e Kosovës, të heshtej
zëri përçarës i liderëve tanë politikë. Së paku lufta e cila është e
pashmangshme mos të na zë të përçarë.
Më e mirë lufta se përçarja në mes liderëve tanë
I.SH., student: Vijë nga zonat e rrezikuara apo nga atje ku lufta veç ka
filluar moti. Familjen dhe të afërmit i kam atje në flakë të luftës. Qëmoti
më është dashur të jem pranë tyre, por meqë më është pamundësuar shkuarja
në vendlindje, jam i gatshëm që mllefin tim ndaj këtij armiku shekullor ta
shprehë me armë në dorë edhe këtu në Prishtinë. Tekefundit, kudo që të
luftosh në Kosovë është pozitive dhe nuk ka asgjë të keqe. Andaj, me
padurim pres që të kërsasin pushkët e lirisë edhe në Prishtinë.
A.T., tregtare: Thënë të drejtën, një gjë e tillë më frikëson, por nuk ke
ç'i bën. Personalisht nuk jam ajo që mund të luftoj, por as ajo që do ta
lëshoj Kosovën. Edhe po të ndodhë diç, apo luftë siç e thatë ju, unë së
paku nuk do të ikja. Njëherit u bëj apel të gjithë atyre që kanë shkuar në
Ulqin apo gjetiu jashtë Kosovës, të kthehen në atdhe. Dashtë zoti të mos
ndodhë luftë, por në qoftë thënë le ta përjetojmë edhe atë. Luftën si të
pashmangshme edhe në Prishtinë, në radhë të parë po e bën përçarja e
liderëve tanë. Në qoftë se nuk bëhen bashkë tani, atëherë këtë mos ta bëjnë
as pasi të ndodhë konflikti në Prishtinë. Edhe pse jam ngapak frikacake
(qeshet), e di se pa luftë nuk ka liri.
B.B., inxhinier: Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë se shfaqja e
luftës në Prishtinë, do të thotë edhe fillim i rënies së liderëve tanë. Do
të rrezikohej edhe vetë Ibrahim Rugova. Mirëpo, zhagitja e bashkësisë
ndërkombëtare në drejtim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, është rruga
më e afërt që mund të na çojë drejt luftës. Ndoshta, konflikti në
Prishtinë, mund të ndodhë duke u bazuar në rrjedhën e luftës në
përgjithësi. Sidoqoftë edhe me këtë duhet të ballafaqohemi.
Kush do të jetë më e shpejtë në Prishtinë: UÇK apo NATO…
A.R., amvise: Nëse shqiptarët vriten në pjesë tjera të Kosovës dhe në
Prishtinë rrinë indiferentë ndaj kësaj, për më tepër kjo do të ishte
anomali e llojit të vet. Është e vërtetë se lufta i prish "hesapet" dhe
llogaritë e dikujt e dikujt, por është e vërtetë se ajo po zgjerohet. Jemi
lodhur nga pritja e tani edhe më shumë na lodhë fakti kur diku luftohet e
diku jo. Nëse e duam lirinë, atëherë duhet të luftojme të gjithë, e edhe
Prishtina.
S.Z., student: Fillimi i luftës në Prishtinë ndoshta do ta përshpejtonte
ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Në të kundërtën do të kishim të
bëjmë me masakra të vërteta apo me një Bosnjë të dytë në Ballkan, sinjalet
e së cilës veç janë dhënë. Por, në anën tjetër edhe besimi dhe simpatia e
popullit në UÇK-në po rritet në çdo moment e më tepër. Mendoj se Prishtinën
do ta marrë ose UÇK-ja ose NATO. Andaj, ta shohim se cila do të jetë më e
shpejtë.
**********************
____________________________________________________________________
ALBANEWS Site of the Day: "Zëri i Kosovës (ZIK)"
http://www.zik.com
____________________________________________________________________
ALBANEWS is not affiliated with the Albanian Government, the Kosova
Government, any association or organization, nor any information or
news agency. Reports, articles and news items from various sources
are distributed via ALBANEWS for INFORMATIVE purposes only.
Opinions expressed/published on ALBANEWS do NOT necessarily reflect
the views of the owner and the co-owners and/or moderators, nor any
of their host institutions. ALBANEWS does NOT guarantee the accuracy
of the reports, articles and news items distributed via the list.
____________________________________________________________________
ALBANEWS listowner, co-owners and/or moderators can be contacted at:
ALBANEWS...@listserv.acsu.buffalo.edu