-------> Want to help the people of Kosova?? <-------
"Vendlindja Thërret"/"Homeland Calls"
United States: Phone: 1-718-563-7083
For bank accounts around the world visit:
http://www.alb-net.com/kosovahelp/fight.htm
_____________________________________________________________________
KOSOVAPRESS
Agjencia Shteterore Informative
Lajmet ditore date 22 Prill 1999
-----------------------------------
Forcat serbe kanë përdorur helme në kufirin Kosovë-Shqipëri
Junik, 22 prill (Kosovapress)
Në kufirin Kosovë-Shqipëri janë zhvilluar luftime të mëdha në
mes të forcave të UÇK-së dhe forcat terroriste e vrastare serbe. Forcat
serbe në kufi kanë sjellur përforcime të mëdha në njerëz
dhe në teknikë luftarake. Megjithatë ato kanë pësur humbje
të mëdha. Vetëm ditëve të fundit, kishte dhjetra të vrarë.
Ata nuk kanë arritur ta rikthejnë asnjë pozicion, që tash e
mbajnë njësitet e UÇK-së.
Pardje, pas luftimeve të mëdha në fushën e betejës dhe pas
humbjeve të mëdha të forcave serbe, ato kanë gjuajtur me predha
të mbushura me helme neuro-paralizuese. Nga kjo është sëmurë
një ushtarë i UÇK-së.
Gjendje pak më e qetë është paraqitur dje dhe sot.
Masakra në fshatrat e Lipjanit të shtunën e kaluar
Lipjan, 22 prill (Kosovapress)
Të shtunën me 18 prill, në orën shtatë të mëngjesit, forcat
serbe kanë ndërmarrë një aksion terrorist kundër fshatrave:
Hallaq, Ribar i Vogël, Bujan, Breg i Zi, Godanc i Poshtëm,
dhe Kraishtë të komunës së Lipjanit. Me atë rast,
sipas informacioneve tona, kanë bërë plaçkitje dhe ekzekutime
masive të qytetarëve shqiptar, në mesin e të cilëve kishte gra,
fëmijë e pleq. Njësitë vrastare serbe,
ishin paramilitarë të veshur me uniforma të zeza e me shirita
të kuq në krah dhe policë. Këto njësi kanë ekzekutuar njerëz,
në shtëpitë e oborret e tyre, por edhe nëpër ara e livadhe,
kurse kanë përdorur armë me plumba dum-dum.
Paraprakisht, viktimat i kanë plaçkitur dhe masakruar.
Në Hallaq, mendohet të jenë vrarë 23 shqiptar, kurse në Ribar
të Vogël, 19 të tjerë. Të vrarë ka edhe në Kraishtë dhe në
fshatrat tjera të sulmuara.
Ende nuk është lejuar të hulumtohet terreni dhe të varrosen
viktimat. Ato kanë mbetur nëpër shtëpi, nëpër oborre, nëpër ara
e livadhe. Një pjesë e tyre sipas dëshmitarëve, është hudhur
në një pus në mes të fshatrave Ribar i Madh dhe Ribar i Vogël.
I ikuri dëshmonë për krimet e masakrës
Sipas informacioneve më të reja, në aksionin e forcave serbe
në Hallaq të vogël të komunës së Lipjanit, më 18 prill, mendohet
të jenë masakruar 23 shqiptar. Nga ata kanë mundur të
identifikohen; Muharrem Asllani, Beqir Asllani, Nazim Asllani
që të tre nga Hallaqi dhe Ekrem Faik Ahmeti nga Zborci,
të gjithë civilë të moshuar deri tani të pavarrosur. Në
Kraishtë janë vrarë: Sadete Dragaqina nga Bujani Lavdim Kodra (14)
nga Kraishta, të cilët janë varrosur dje në fshatin Varigoc.
Ndërkaq Bajrush Leletiqi është plagosur rëndë në malet e
Hallaqit dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë.
Gëzim Eminit, paramilitarët e terroristët serb ia kanë
plaçkitur 600 DM. Gëzimi i cili ka shpëtuar duke kërcyer nga
dritarja e shtëpisë së tij, është dëshmitarë i shumë
masakrimeve të Hallaqit. Sipas dëshmitarit Gëzim Emini,
masakrat, plaçkitjet dhe krime të tjera mbi popullatën
civile i kanë kryer veç të tjerëve, edhe policët terroristë
serb të quajtur; Maksi, Simiqi, Magjupi i zi, Bokseri etj.
Mbi 10 mijë shqiptar tash gjenden në malet e Varigocit e të
Zborcit, të zhvendosur në natyrë, pa tenda e pa ushqime.
Burimet e Kosovapress-it, nga shumë të tjerë,
kanë arritur t’i identifikojnë vetëm këto viktima,
të masakrës serbe në këto fshatra të Lipjanit:
Rexhep Vishesella, mendohet të jetë vrarë bashkë me
13 -14 anëtarë të familjës së tij.
Ganimete Vuniqi (23)
Mirësade Vuniqi (17)
Miradie Vishesella (15)
Qazim Vishesella (55)
Selim Vishesella (53)
Fatime Vishesella (48)
Ismail Gërxhaliu
Salih Gërxhaliu
Hasan Behluli, të gjith nga Ribari i Vogël, i komunës së Lipjanit
Ndërkaq janë plagosur:
Lirie Vuniqi (26), nga Vërsheci e zhvendosur në Ribar të Vogël, e
plagosur rëndë në të dyja këmbët me plumba dum-dum.
Shemsije Vishesella (38), nga Ribari i Vogël, e plagosur rëndë në fytyrë
me plumba dum-dum.
Naim Muharrem Aliu (10), nga Qylaga, i plagosur lehtë në faqe me plumba
dum-dum, që ishte i zhvendosur në Ribar të Vogël.
Kurse, ka njohuri se janë dhunuar edhe dy vajza të moshës
20 vjeçare. Kjo, pra fatkeqsisht është vetëm një pjesë e një
liste shumë më të gjatë e të masakruarëve e të të plagosurëve. Viktimat
ende ndodhën të pavarrosura.
Afër Gjakovës shtatë policë serb të vrarë
Gjakovë, 22 prill (Kosovapress)
Dje, në një aksion të një njësitit të Brigadës 137, të ZO të Dukagjinit,
në Madame afër Gjakovës, janë vrarë shtatë policë
serb. Në mesin e të vrarëve është edhe njëfarë Milutin
Prashqeviq, komandant i policisë dhe nga ata që janë të
përmendur për të zi, në këtë anë. Me këtë rast është
konfiskuar edhe një sasi armatimi e municioni.
Vazhdojnë luftimet në Llap
Podjevë, 22 prill (Kosovapress)
Zona Operative e Llapit, ka qenë edhe sot e përfshirë në luftime.
Luftimet më të ashpra janë zhvilluar në pjesën lindore të kësaj
zone në Gallap, ku vepron Brigada 153 e ZO të Llapit, së bashku
me disa njësite të ZO të Karadakut.
Ushtarët tanë po bëjnë rezistencë të fuqishme, duke mos i lëshuar
pozicionet. Deri në momentin kur po raportojmë nuk kemi ndonjë të vrarë
apo të plagosur nga ana jonë, kurse nga ana e armikut, janë
dy paramilitarë të vrarë.
Luftime ka pasur edhe në fshatrat katunisht dhe Bradash, ku është
plagosur një civil. Vërehën lëvizje të armikut në fshatrat: Lupq,
Vranidoll Barilevë, të cilat janë përcjellur me të shtëna, nga të cilat
ka vdekur një civil dhe një tjetër është plagosur.
Gjendja e popullatës, vazhdon të jetë edhe më tej shumë e rëndë,
ajo po përballët me sëmundje të ndryshme, e me mungesë të
ushqimeve, kurse gjendjen po e vështirson edhe më shumë,
moti i lig që po mbretëron këto ditë.
Ushtarët serb dezertojnë nga ushtria jugosllave
Ferizaj, 22 prill (Kosovapress)
Ushtarë serb të mobilizuar me dhunë, dje në fshatin Koshare të Ferizajt,
kishin deklaruar gatishmërinë e tyre për dezertim,
duke kërkuar siguri për jetën e tyre.
Andaj ushtarët serbë të sjellur me dhunë në Kosovë, të cilët
nuk i kanë duart e lyera me gjak, ftohen nga Shtabi i Përgjithshëm
i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, t‘i dorëzohen UÇK-së, e cila u garanton
jetën e tyre sipas konventave ndërkombëtare të luftës.
Granatime të fuqishme mbi fshatrat e Suharekës
Suharekë, 22 prill (Kosovapress)
Dje dhe sot, të tmerruar nga qëndresa e popullit dhe Ushtrisë
sonë Çlirimtare, forcat serbe bënë granatime nga të gjitha llojet e
armëve të artilerisë së rëndë, në drejtim të fshatrave Bukosh, Vraniç,
Budakovë, Papaz, Krushicë dhe Grejqec të komunës së Suharekës dhe
fshatit Topillë të Shtimes. Sulmi është bërë nga pozicionet serbe në
Dragaqinë e në Mohlan, nga fabrika „Damper", nga Biraqa e Qafa e Duhlës.
Këto gjuajtje morën jetën e Mevlide Kabashit (17), nga Çadraku i
Suharekës.
U zhvilluan luftime të rrepta në fshatrat e Rugovës
Rugovë, 22 prill (Kosovapress)
Ofensiva e forcave teroriste serbe, në fshatrat e Rugovës, ka
zgjatur prej 18-21 prill. Ushtarët e UÇK-së, në Qafë të Hajles,
kanë bërë rezistencë të fortë. Mirëpo, forcat serbe e kanë
ndërruar kahjen e sulmit, në drejtim të Majës së Zezë, ku
UÇK-ja nuk ka pasur pozicione të fortifikuara. Përkundër
heroizmit të një njësiti të vogël të UÇK-së, armiku numërikisht
shumë më i madh dhe me teknikë më të përsosur luftarake, arriti të
depërtojë. Granatime ka pasur edhe në drejtim të Çakorrit.
Këmbësoria serbe në të njëjtën kohë, ka lëvizur nga drejtimi i
Pejës, nëpër Grykë.
Gjatë këtyre luftimeve, kanë rënë heroikisht në Qafë të Hajles: Besnik
Musë Lajqi, komandant i njësitit vëzhgues, Selman Bekë Lajqi, përgjegjës
për informim pranë komandës së Brigadës. Në Shtupeq të Vogël, ku janë
zhvilluar luftime, dje, janë vrarë tre ushtarë: Asllan Sali Nikqi, Faton
Zeqir Nikqi dhe Rifat Bek Shala, ushtarë të Batalionit të III, të
Brigadës 136. Pas plagëve të marra në
luftimet e Qafës së Hajlës, ka vdekur edhe ushtari Xhavit Salih Lajqi.
Ndërkaq humbjet në njerëz dhe teknikë luftarake, në anën e armikut, janë
shumë më të mëdha.
Tani për tani, forcat terroriste policore e ushtarake serbe,
janë të përqendruara kryesisht, në fshatin Shtupeq i madh.
Përkundër humbjeve dhe dëmtimeve, që ka pësuar UÇK-ja, në këtë anë,
ushtarët tanë janë të vendosur që deri në frymën e fundit të mbrojnë
tokën tonë.
Një kolonë me të deportuar shqiptar, tash për tash e zhdukur
Lipjan, 22 prill (Kosovapress)
Një kolonë e gjatë me popullsi civile, të cilën organet serbe e
kanë nisur për ta deportuar në Shqipëri, me 18 prill, tash për
tash është e zhdukur. Kolona përbëhej nga 256 traktor me
rimorkio, 7 autobusë dhe me një numër të madh të veturave.
Aty, kishte popullsi nga fshatrat e komunës së Lipjanit, kurse
kolona ishte e gjatë që nga Lipjani e deri në Shtimje. Rreth
orës gjashtë të mëngjesit, të 18 prillit, ajo ka kaluar nëpër
Grykën e Carralevës. Mendohet të kenë qenë mbi 10.000 shqiptarë,
kurse deri tash nuk ka informacione, që ata kanë kaluar në
Shqipëri, apo që janë kthyer prapa.
Mbi 50 të vrarë në Koliq dhe Dyzë
Prishtinë, 22 prill (Kosovapress)Gjendja në rajonin e Gallapit, pas
sulmeve të ditëve të fundit të forcave terroriste serbe, sot është diçka
më e qetë. Nga vëzhguesit në teren mësojmë se bilanci i atyre sulmeve
është mjaftë tragjik. Vetëm në fshatin Koliq dhe Dyz, vlersohet se janë
vrarë mbi 50 civil shqiptarë.
E rënduar paraqitet gjendja e popullatës së kësaj ane, sa i përket
furnizimit me ushqime dhe ilaqe. Dëshmitarët flasin edhe për rastet e
para të vdekjes nga uria.
Në Mitrovicë ushtria terroriste serbe vrau 5 shqiptar
Mitrovicë, 22 prill (Kosovapress)
Sot, në Mitrovicë rreth orës 14°°, ushtria serbe ka vrarë katër të
rinjë shqiptar. Po ashtu edhe dje vrau një dhe plagosi një, që
të dy të rinjë shqiptar.
I kthyen ata që para një jave i ndoqen
Mitrovicë, 22 prill (Kosovapress)
Sot, pas një odisejade një javore, deri në kufirin në Qafë të
Prushit, është kthyer nga forcat serbe një numër i madhë i
qytetarëve të Mitrovicës me rrethinë. Para një jave forcat serbe
i kishin detyruar ata të niseshin drejtë Shqipërisë, me qëllim të
deportimit të tyre.
Dëshmitarët të cilët e kanë përjetuar këtë odisejadë, kanë pohuar
se, rrugës u kanë vdekur disa pleqë. Ndërkaq rrugëve në disa
vende kishin parë kufoma të ekzekutuara dhe të karbonizuara.
Forcat serbe fshihen maleve
Hani i Elezit, 22 prill (Kosovapress)
Sot në mbrëmje, aeroplanët e NATO-s kanë fluturuar mbi Han
të Elezit e rrethin. Ndërsa kanë goditur një bazë armëve të
ushtrise vrastare serbe në Kashan afër tunelit në Grukë të
Kaçanikut me gjashtë predha. Njoftohet se forcat serbe për
disa minuta i kishin shpëtuar bombardimeve të NATO-s.
Forcat serbe kanë filluar t’i lëshojnë pozicionet e shumta dhe
të ripozicionohen nëpër male, duke e fshehur edhe arsenalin e
tyre luftarak. Ato kanë dalur edhe nga kazermat e Hanit të
Elezit dhe janë larguar drejt maleve. Një pjesë e armatimit
është futur në tunelin e Kashanit, afër cakut ku ka goditur sot
NATO-ja.
---------------------------------------------------
Lajmet ditore te Kosovapress-it
deri ne oren 21:21 te dates 22 Prill 1999
____________________________________________________________________
ALBANEWS Site of the Day: "Kosova Information Centre (KIC)"
http://www.kosova.com/
____________________________________________________________________
ALBANEWS is not affiliated with the Albanian Government, the Kosova
Government, any association or organization, nor any information or
news agency. Reports, articles and news items from various sources
are distributed via ALBANEWS for INFORMATIVE purposes only.
Opinions expressed/published on ALBANEWS do NOT necessarily reflect
the views of the owner and the co-owners and/or moderators, nor any
of their host institutions. ALBANEWS does NOT guarantee the accuracy
of the reports, articles and news items distributed via the list.
____________________________________________________________________
ALBANEWS listowner, co-owners and/or moderators can be contacted at:
ALBANEWS...@listserv.acsu.buffalo.edu