SHËN POETËT
( një buqetë poetike lexuesit për Shën Valentin-Iliriana)
shoqëruar me zërin e mrekullueshem tëAndrea Bocellit:
http://www.youtube.com/watch?v=5W9ltKg3jwg
-Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët,
Ç'u shemb shëmtije do të ngrehin poetët-
Azem Shkreli
Naim FRASHËRI
1846-1900
Do të tretem të venitem,
Si kandili kur s' ka vaj,
Baltë e pluhur do të bëhem,
Të më shkelë këmba e saj!
Millosh Gjergj NIKOLLA (MIGJENI)
(1911-1938)
Dy buzë
Dy buzë të kuqe, dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën, gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën ndër bota të larta...
Dy buzë të përgjakta, dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën, në buzë kur m'u ngjitën,
zemrën ma tërbuen, trunin ma helmuen
e në fund u mërguen...
Ato dy buzë të kuqe dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes, kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia e më dogji rinia.
Ali ASLLANI
Mbi qepallë më trokit
Mu këtu, ku ormis zemrën zoti
aty kam një guguftu, që e koj me pika loti.
Natën vjen e bënet dritë, bënet dritë e bënet yll,
mbi qepallë më trokit, s'më le syrin që ta mbyll.
Ditën bënet vetëtimë e me krisma e me bujë,
shkrep në mes të shpirtit tim e më prish më bën rrëmujë
Iki larg e ngrihem lart, kaloj dritë e kaloj hije,
pastaj zë e flas përçart dhe në këmbët e saj bie.
E kudo që ajo vete, më tërheq si hije pas,
Zot o zot që s'jam në vete, e humbas, humbas, humbas
Dhe buças si valë mbi zall, kur buçet e kur dremit,
ajo vjen përherë vërdallë, mbi qepallë më trokit.
SAFÓ
Pasion Dashurie
Njëlloj si perëndi më ngjan ai njeri,
që të rri pranë, përballë teje,
dhe ta dëgjon fjalën e ëmbël nga goja.
Më buzëqesh plot magji,
zemra në krahëror më përpëlitet nga malli,
duke të soditur, zëri më ngrin nëpër buzë.
Gjuha më mpihet dhe një zjarr përkëdhelës
më vërshon në kurm, sa sytë nuk shohin më
dhe gjithçka që më jehon nëpër vesh,
më kthehet vetvetiu në zhurmë të pakuptimtë.
Rrëke djersësh më mbysin, çdo gjymtyrë
më rrënqethet, zbehem i tëri dhe bëhem
si fija e barit e fishkur dhe mendoj
se m'u afrua vetë vdekja!
Valdete ANTONI
Ditë harrimi
14 Shkurt
Ej miku im
Fillimfillimi im
Ka qenë mikesha
e SHËN VALENTINIT
Prandaj, kur të gjithë
festojnë sot
ne kemi
DITËHARRIMI
Konstantinos KAVAFIS
1863-1933
Kur zgjohen
Përpiqu të mos t'i lesh të ikin, poet,
sado që janë pak ato që qëndrojnë në vend.
Vegimet e erotizmit tend.
vendosi, të gjysëmfshehura, brenda shprehjeve të tua.
përpiqu ti ruash, poet,
kur zgjohen brenda trurit tënd
natën, apo në mes të vezullimit të ditës.
Shqipëroi: Gazmend Kapllani
Betim MUÇO
Etyd
për M.
Asgjë në jetë s'e përsërit vetveten
Edhe kur ngjan njëlloj,
Nuk është ashtu.
Çdo çast që vjen
Çdo grimë hapësire
Një tjetër kumt risie sjell me vete.
Ti nuk je ti, sado më pak më pas,
Unë nuk jam unë sapo mbaron ky varg.
Çdo çast që në çast plaket
E thinjet si çdo burrë
Një tjetër botë sjell,
Vetëm që unë të dua ty
Nuk ndryshon kurrë.
------
Lasgush PORADECI
1899-1988
"S'ish dashuri, po fshehtësi
s'ish fshehtësi po llahtari
s'ish llahtari, po çmenduri."
Dritëro AGOLLI
1931
Dëshira
Lermë t'i shoh platancionet e trupit tënd,
jam bujk i veçantë e si bujk më vjen mirë :
dy buzët, qershitë me lëng,
ku hesht një mall, një psherëtirë.
Lermë t'i shoh plantacionet e trupit tënd:
Fushëzën joshëse nën këmishë,
Në mesin e fushës cipëz argjënd
Gropkën kërthizë...
Anton ÇEFA
Mbi vorrin e pritjes
Mbi vorrin e pritjes
kam ndezë njí qìri.
Dhimbja belbëzon disa fjalë
si uratë.
Flaka e qìrit luhatet
me trishtimin e erës
deri në poret e brengës.
Qiparisat e kujtimeve
këndojnë nën zâ
"Gjethet e ráme "të Iv Montanit.
Mbi vorrin e pritjes kam ndezë njí qìri
Ismail KADARE
1936
Kristal
Ka kohë që s'shihemi dhe ndjej
Si të harroj unë dalngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt,
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë poshtë e lart
Një vend ku ty të të lëshoj,
Një strofë a notë a një brilant,
Ku të të le, të puth, të shkoj...
Në s'të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg kristal,
Mos duhet vallë prapë të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?
Në s'gjetsha hon ku të të hedh,
Të gjej një fushë a një lulnajë,
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.
Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t'ik pa kthim
Dhe nuk do të dimë as ne, askush
Harrim ish ky, a s'ish harrim.
1979
Sergei ESENIN(1895-1925)
Që të jesh poet kjo do të thotë
Të plagosësh veten kurdoherë
Dhe me gjak të ndjenjave të tua
Ti në shpirt të ledhatosh të tjerë.
Do të thotë që të thurrësh këngë
Vetëm për hapsirën që njeh mirë,
Një avaz këndon poet-bilbili,
Ndaj ai se ka aspak vështirë.
Edhe kanarina qaramane
Ka një zë të stisur që të çmend,
Merrja si bretkocë po të duash,
Veç ama këndo me zërin tënd.
Në Kuran me hile Muhameti
Urdhëroi të mos pihet kurrë,
Ndaj pa prerë kupa zbraz poeti,
Gjithsaherë heq në shpirt torturë.
Edhe kur te mikja shkon poeti
Dhe në shtrat i gjen ndonjë dashnor,
Dashuri e jetës i mban dorën,
Thikë nuk mund të ngulë në krahëror.
Tym prej xhelozisë del e ikën
Dhe ia merr me vërshëllimë e thotë:
"Qenka shkruar që rrugaç të vdiskam,
ja që ndodhka dhe kështu në botë".
Henrih HAJNE
E dini pse ky arkivol
Është kaq i madh e i rëndë?
Kam shtrirë timen dashuri
Dhe dhembjen aty brenda...
Xhevahir SPAHIU
Bora shkrin si zemra
Zemra shkrin si bora
Të dyja të përjetshme,
Të përkohëshme të dyja.
Frederik RESHPJA
Tors
Dil nga mbretëria e gurit!
Kam kaq kohë që trokas tek mermerët.
Njëmijë vjet dhe dymijë vjet.
Jemi puthur nëpër iliadhet e vjetra
Kur lires i binin homerët.
O hënë e shiut, e verbëra madhështore!
Bëjë një iliadë për mua
Kur të rrëzohet edhe Troja e fundit.
Rri kyçur në gur zemra ime
Njemijë vjet dhe dymijë vjet
Kolec TRABOINI
parfum trëndafili
a drithëron ende kur pas një dimri të lodhshëm
të shfaqet Shën Valentini, lakmuesi i zemrave njerëzore?
përpiqet ai të pushtojë apo ti e ke robëruar
e si një skllav dashurie
ta mbulon gjoksin me trëndafila?
nuk di asgjë se çfarë ndodh në Romë
por veç aromën e parfumit të trëndafilave t'a ndjej
m'a sjell oqeani përmes dallgëve dimër qoftë a verë
e drithërohem kur mendoj
se me trëndafila të mbulojnë të tjerë...
2008
Janis RICOS
1909-1990
***
Trupi yt në plazh
rëra e ngjitur në mishin tënd
rëra në duart e mia
në gjuhën time
të të zbuloj
prapa pengesës më të brishtë
dhe rëra të na rrjedhë nga flokët
e le të mblidhet në thellësi të heshtjes
dhe ne
të bukur të porsalarë
nga ujërat tanë shfaqemi
në dritën dhe në trupin
e gjithë botës.
Nase JANI
Thashë të kërkoj Shën Valentinin
Thashë të kërkoj Shën Valentinin,
kërko,
kërko,
mezi e gjeta,
në shkretëtirë të shkretëruar...
Një thes me dhimbje kish në shpinë,
s'dinte ku ecte,
i harruar...
I thashë ca fjalë e s'më dëgjoi,...
më tha ca fjalë e s'i mbaj mend...
Në shkretëtirë të shkretëruar
u shemb mbi rërë e s'u përmend...
U shemb mbi rërë e pastaj humbi,
humba dhe unë e s'isha më...
Nuk di ç'u bë thesi me dhimbje,
kish dashuri brenda në të?!
Athinë, në fundjanar, 2008i
Aleksandër S. PUSHKIN
(1799-1837)
Të desha fort dhe ndoshta zjarr' i parë
Në shpirtin tim s'u shua përgjithnjë.
Po ç'ta lëndoj një plagë të përtharë...
Nuk dua të sëndisesh kurrë më.
Të desha fort, i heshtur, shpresëshuar,
me ndrojtje, me zili, pa hapur gojë.
Me ç'afsh e ç'zjarr të pata dashuruar,
Një tjetër dhëntë zoti të të dojë !
Shqipëroi:P.Kolevica
Elinda MARKU
Edhe në parajsë ndodh të vdesin
Fluturuan zogjtë, deri në fund
të qiellit,
U vonuan një stinë.
Kur u kthyen, i pyeta;
Vetëm një stinë larg qenka parajsa?
Ata thanë;
Atje ishin zënë të gjitha pemët,
ku ne mund të ngrinim fole
dhe, jo vetëm pemët ishin zënë!
Kështu qëna duhet të bëjmë
një parajsë të re këtu
E, këtu të rrojmë edhe mbas vdekjes.
Julia GJIKA
Në prag të gjashtëdhjetave
Ti akoma më thua,
je e bukur.
Nuk më shikon rrudhat,
plakjen time nuk e shikon.
Unë të lëmoj thinjat.
Sa shumë të janë shtuar,
koka ime më keq, bërë dele,
dele rudë, prap' ëndërron.
Krevati ynë është ende në pyll,
mbuluar nga gjelbërimi i viteve.
aroma e pishave, lule kupave.
Kënga e zogjve na zgjon.
Në mengjes na lan vesa .
Në udhët që bëjmë,
krahu yt më mban fort.
Syri im të gjen mes turmës.
ecjen tënde në njëmijë dalloj.
Kemi kapërxyer mesmoshën
E unë kërkoj
Kandilin ndezur në shpirtin tënd.
Luljeta LLESHANAKU
Me ty
Do të ulem në kënd të buzës
si në një shkëmb, pranë një ujëvare
e sigurt se s'do më rrëmbejë shtjellë e fjalëve.
Do të ulem në kënd të syrit
si një zambak i mbirë në ujë pranë bregut
me fletë të vogla që t'mos zë shikimin.
Se unë në fund të fundit, ç'jam?
- Një dallgë e ngrirë në hapësirë
e shkulur nga deti i gjoksit tënd.
Shtrin duart të më arrish e s'më arrin.
Albana M.Lifschin
Vjedhja e shpirtit
Mbrëmë një gotë verë
piva me një poete
Pashë si shpirtin
magjisht derdhi në gotë
Vjedhurazi gotat i shkëmbeva
dhe shpirtin ia mora me vete.
13 Prill, 2007
Primo SHLLAKU
Simfoni
Moxarti asht sëmundë.
Puthjet mund të mbaronin.
Moxarti lëngon.
Unë gjeta fjalë të reja.
Moxarti dha shpirt.
Ne kemi një cast lodhjeje për kujtimin tonë㍑.
befas Moxarti ngjallet
Një tjetër simfoni po lindet
1986
Lekë GJOKA
Në stacion zemër...
Jashtë shiu mbush lotët e zbrazura të trishtimit
Dhe nata mundohet të jetojë mes nesh...
Pak idhnim ia shton edhe mërgimi
E ti pranë meje të mos jesh...
Por shikimet e turrullosën mërgimin
Dhe dielli i syve shiun në çelës mbyll
Rend nata të mbytet në lumë prej zemërimit
Dhe ja ti në ndjenja ke hyrë symbyll...
...........
Dhori QIRIAZI
1933
Dashuri e parë
O dashuri e parë, o mituri e shkuar,
Sikur t'na ktheje flladin e ëmbël përsëri...
Pse erdhe kur ne s'dinim të bënim dashuri,
Pse ike kur u dogjëm në zjarr të përvëluar ?!
1956
Emily DICKINSON
Shpirti zgjedh
Mbasi zgjedh shoqërinë e tij,
shpirti mbyll derën.
Te madhëri e tij hyjnore
Më s'hyn njeri
Gëzim LLOJDIA
Tung, vendlindja ime
Tung
vendlindja ime
mbrëmë shkela në portën tënde.
sot hapa krahët për të prekur me muskuj Qarrishtën
bari ishte tharë,lopët kullosnin nën qershizën,
piva ujë lëpushe,me grushte.
Shegët rëndonin degët në rrëzë të borshe.
Thirra për komshinjtë,por pashë murre rrëzuar.
Mërguar në Greqi, më tha plaka e Safës.
Lëpushkat janë tharë,mbanë erë gruri,xhivari ynë o djalë.
Tung
vendlindja ime
dje vrava një thëllëzë në qafë të mbretes
klithën shoqezat e saj degë më degë,
U ktheva në muzg me langoin pas
ndjeva aromën e gëlqeres së shuar,
tek shtëpia e gjyshes .Ishin zverdhur ftonjtë.
Tung vendlindja ime.
Nesër thash do të eci në këmbë ,le të mi vrasi
zalli shojet e këmbëve deri në shurr të kuçe.
Qershitë në kunjovë i mblodha me grushte.
Mbanin erë dielli.
Plaka e Safës ,erdhi për muhabet në darkë.
-Ç'ditë është sot, pyeti e varfëra .
E martë,i thanë.
-të xhumanë do të më përcillni në gjohelmë ,tha.
Ika.
Qiriu te lisat e qishës ende ndriçonte shpirtra.
Robert GORO
Mall
Nuk është shi, ky që bie e dashur,
janë duart e mia...
Nuk është erë kjo që fryn, e dashur,
është kënga ime,
që rrend e rrend të të arrijë...
Agim SPAHIU
Ti më vjen
Ti më vjën me zjarr në duar...
E terur, e përvëluar,
Ti më vjen me zjarr në duar
Zjarrin do ta mbaja në pëllëmbë të dorës
Si yjzit në vallen e horës...
Ti më vjen me zjarr në duar
E terur, e përvëluar,
Ti më vjen me zjarr në sy...
...dhe digjemi të dy.
Faslli HALITI
Puthja
Jepet në televizor eurogoli
Të jepet
Edhe europuthja
S'ka si loja e buzëve!
Dalan Luzaj
Kur vjen Pranvera...
S'po e vështronim diellin
që ndante
Karaburunin nga Sazani
Ate buzëmbrëmje
me Majin
ishim ndarë
Ti u rrënqethe,
u përpëlite e skuqur nga zjarri
Atje çdo pranverë një lulekuqe çel mbi bar.
tetor,2007
Odise GORO
Do vi të t' hyj te gjiri
Do t'ia vjedh çarçafin hënës,
thurur me fije floriri...
do vi fshehur, pa pandehur,
aty ku ka rrënjët gjiri...
sonte natën, nesër natën,
do vi e s'do iki kurrë...
do t'ia vjedh çarçafin hënës
e do dergjem i sëmurë...
Mensur SPAHIU
***
Për një vështrim, buzëqeshje me krahë,
Një fjalë të ngrohtë , të mirë,
Si në ethe e prita ardhjen tënde!
I lajthitur, the, sapo erdhe!
Myslym MASKA
Vendi i bukurive tragjike
Ku ka ciklon ka dhimbje shumë,
Ka brenga, shpresa, pabesi...
Në gjithë vdekjet: qofsha unë !
Te gjithë gëzimet: të jesh ti !
Eglantina KUME
Mos më zgjo!
Mos më zgjo!
Më lër të fle dhe pak.
më kanë fyer shpirtin,
Më lër të hakmerrem në ëndërr.
mos më zgjo!
Gjiri më rrjedh qumësht,
E vogla ma thith e uritur.
Mos më zgjo!
Po fle mbi minder tek mamaja.
Në radio këndon Çelentano.
Mos më zgjo!
Më lër dhe pak të fle,
po përflakem në puthjen e parë,
jam vetëm katërmbëdhjetë vjeç...
Mos më zgjo!...
Marin SORESKU
1936-1997
Përtej meje
Kjo grua dikë ka në banjë.
Flet me mua,
më dashuron sinqerisht,
por dikush vazhdon t'i lëvrijë në shpirt,
përtej meje,
ia lexoj në sy, në flokë,
në vijën e jetës te pëllëmba
se kjo shtëpi vetëm një hyrje ka,
se ajo më fsheh dikë në banjë.
Ose, ta zemë, në shtëpinë ngjitur,
ose në një shtëpi tjetër,
diku në rrugë,
në një tjetër qytet ose në një tjetër pyll,
ose në fund të detit.
Dikush rri i fshehur aty
dhe më përgjon mendimet,
dhe më përgjon ndjenjat e mia të përjetshme,
me sytë tek ora.
Përktheu : Aurel Plasari
Marceline Desbordes-Valmore
(1786 - 1859
Ti kishe zemrën time
Ti kishe zemrën time,
Tënden kisha unë.
Zemër për zemër,
Lumturi për lumturi !
Ti tënden ma ktheve,
Unë s'kisha ç'të jepja.
Ti tënden ma ktheve,
Timen humba unë !
shqipëroi : Vasil Qesari
Pablo NERUDA
Ta dish se nuk te dua më
Ta dish se nuk të dua dhe të dua
Përderisa jeta dy fytyra ka,
Fjala është britm' e heshtjes
E zjarri gjysmën akull e ka.
Të dua që të mund të të dashuroj,
Që prapë të ndjej përjetësinë
E kurrë të mos pushoj së dashuruari:
Ndaj them pse akoma nuk të dua.
Të dua e s'të dua është njëlloj
Si të kem në njerën dorë çelsin e lumturisë
E në tjetrën fatin e mbrapshtë dhe tinzar.
Dashuria ime për ty ka dy jetë.
Prandaj të dua edhe kur s'të dua
E prandaj kur të dua të dua.
( Nga vëllimi " Njëqind soneta dashurie " )
Shqipëroi: Vasil Qesari
Gazi BUZHELI
Për Elizën
Ç'të ket qënë kjo Eliza vallë
që Bet'hovenit i prishi qetësinë,
e në hakmarrje të qetësisë së prishur
mori nga Ai përjetësinë ?!
Llambi GJIKULI
Erëmim
Të putha shtegut tutje, kur rendje fillikat,
të putha, ti më puthe, në botën e pafat.
Në daç prej shpirtit tim, një dallgëz merre prapë,
një det që oshëtin, jam ende këtë natë.
SAADIU
(Ebu Abdull-llah Musherrefeddin
Ibni Muslihaddin Saadi Shirazi)
1203-1290
Jo dorën s'e heq moj nga gjinjtë e tua,
goditmë po deshe me pallën shkëndi.
Veç teje s'ka strehë, folezë për mua,
në iksha prej teje do vi prapë tek ti....
shqipëroi:Vexhi Buharaj
Merita Bajraktari McCormack
In absentia
Nëse vij dhe syri yt s'më sheh
Trëndafil mbi qepallën tënde do ri.
Nëse syri yt i mbyllur fle,
Në ëndrrën tënde do të vij
Ngadalë do të përkund si fëmijë
Me përkëdhelje do të zgjoj
Në ëndërr ndoshta do më gjesh
E unë mes ëndrrash të kërkoj
Por syri yt tashmë është rënduar
S'po hapet më të më kundrojë
Malli im vargëzon në metaforë
Zemra kot shpreson ty të të zgjojë.
Rajmonda MOISIU
Puthja e parë
Tetori erdhi prap...Gjethet po bien
Nuk janë të vyshkur por ngjyer me ar
Ato të heshtura, përdhe pa frymë bien
Po ...mbajnë diçka nga puthja ime e parë.
Ishte tetor dhe qe një pemë flokëverdhë
"Mbyll sytë ...hape gojën" tha Ai
Thashë - një mollë do jetë a karamele
Kur... në buzë ndjeva buzët e tij.
Nuk kish fryt më të ëmbël , jo, në botë
Për sytë e mi të shtangur, të hutuar
Ai si Guinpleni qeshte ... Mos nga qielli
Po vinin këto gjethe të rrëzuara?
"Janë gjethet e mia ...s'kisha tjetër
T'u dhuroja se ju dua shumë"
Sikur po fliste kurorëza e pemës
Si gjethet dridheshim, ai dhe unë
................................................
I lutem tetorëve mos ma kanë parë
Puthjen e parë të endet dikund...
Pema e largët është ftohur me mua
Se kam ikur aq larg...pa anë e fund.
.....................................................
Nexhip EJUPI
Prapa grilash
Kërkoj punë e punë nuk gjej
S'kam veture e s'di anglisht.
S'mundem as të fishkëllej
Si bilbil me zë të trishtë.
Në kurriz të sime bije
Frymën time e mbaj gjallë
Vetëm ujin kam si pije
Unë që pija porsi djall...
Si ta dija unë i gjori
Sa i lumtur n'atdhe qeshe.
Nëse qeshkam, qesh nga zori
Nëse flas nuk merrem vesh.
Çka se paska net bilbilash
Ata s'janë të llojit tonë
Rri i mbyllur prapa grilash
Sytë i ngul në telefon....
Fation PAJO
Befasi
Nëse Ti s'm'i ndjen
si duhet valët eshpirtit
Netëve që s'shihemi
Mos më lerë...
Të paktën sonte
Jo,të të humb.
I malluar gjer në thinjë
Rebel do të bëhem
Cipën e përfjetur të kujtesës
Në ata sy të lodhur
Nuk dua ta tremb
Jo...do ta shkund.
Shtator,2007
Djana SEITAJ
Atje jam unë
Nuk di përse..,kërkoj nga ti
atë që kurrë nuk e mësove !
Nuk di përse..,kërkoj nga ti
atë që as në ëndërr nuk e preke !
Dhe s'di përse..,kërkoj tek ti,
kur ajo dritë merr frymë
vetëm brenda meje....
Marre tek
http://ilirianasulkuqi.blogspot.com/search?q=shen+valentini